12
 
Lajme Shqip Monday, 04 June 2012 16:45

Spektakli vazhdon! Ky është premtimi i promotorit të njohur Frenk Uorren, por ndeshja e shumëpërfolur e boksit mes Devid Hej dhe Derek Çisora, e planifikuar me 14 korrik, rrezikon të kthehet në një eveniment të palicensuar e si rrjedhojë të paligjshëm.

Gjatë fundjavës, Unioni i Boksit Evropian (EBU), ka vendosur të pezullojë Federatën e Luksemburgut që ka dhënë licencat për këtë ndeshje, e cila kundërshtohet ashpër nga Bordi Britanik i Boksit. Për më tepër, Federata e Luksemburgut është paralajmëruar se nëse nuk tërhiqet nga licencimi i kësaj ndeshje të shumëpërfolur, ata do të përjashtohen në momentin që bie gongu i parë për fillimin e ndeshjes.

Në një situatë të tillë, ndeshja do të cilësohej e paligjshme dhe jo profesioniste. Meqë ajo është planifikuar të zhvillohet në territorin britanik, të gjithë pjesëmarrësit do të jenë të detyruar të shfaqen para Bordit Britanik të Boksit, i cili ka ndër mend t’i përjashtojë përgjithmonë nëse dy boksierët provojnë e shkëmbejnë qoftë edhe një grusht njëri me tjetrin.

Uorren ka dalë me një deklaratë për shtyp, ku dënon këtë vendim të marrë nga EBU dhe sulmin që po i bëhet atij nga drejtuesit e boksit britanik. Ai ka bërë të ditur se deri tani janë shitur 28 mijë bileta nga 42 mijë të planifikuara për ndeshjen e 14 korrikut dhe në rast anulimi të ndeshjes, do të jetë Bordi Britanik i Boksit ai që do të detyrohet të dëmshpërblejë tifozët. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Wednesday, 23 May 2012 14:10

Devid Hej ka hedhur poshtë të gjitha zërat se ai është tërhequr nga një dyluftim i mundshëm me kampionin e botës për pesha e rënda të WBC, Vitali Kliçko.

Bernd Boente, menaxheri i Kliçkos dhe vëllait të tij Vladimir, deklaroi një ditë më parë se boksieri londinez e kishte shansin për t’u ndeshur me Vitali në shtator, por preferoi të duelonte me Çisoran me 14 korrik.

“Nuk ka arsye që unë të kem hedhur poshtë një duel të cilin e kërkoj me dëshpërim”, ishte përgjigja e Devid Hej. “Kujtoni mirë se arsyeja pse vendosa të bëj këtë duel me Derek Çisora është se një fitore mund të më japë mundësinë të vihem përballë Vitali Kliçko. Ky ishte plani im, arsyeja pse u ktheva në ring. Unë dua të luftoj me 14 korrik dhe dua të luftoj përsëri në shtator, gjë që ua kam thënë prej kohësh njerëzve”.

Më pas, ai ka sulmuar Kliçkon e madh, duke e cilësuar tani një boksier drejt fundi, ndërsa kjo ishte arsyeja kryesore pse ai po i dedikohej politikës.

“Tani e kam të qartë se kampi i Kliçkos është i lumtur të mbrojë në këtë mënyrë Vitalin e plakur dhe po e shtyjnë atë drejt politikës sa më parë që të jetë e mundur. Politika ka lidhje me popullaritetin dhe popullariteti i Vitali në Ukrainë do të merrte një goditje të rëndë nëse unë e hedh në tapet para se ai të tërhiqet. Ndaj ai do të kërkojë të ndeshet me ndonjë të lodhur, duke deklaruar se unë refuzova ndeshjen me të. Por unë nuk do të refuzoj asnjë ndeshje kundër Vitali Kliçko”, ishte deklarata e Hej. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Friday, 11 May 2012 12:31

Bordi Britanik i Boksit (BBBC) ka kthyer sytë nga qeveria angleze me shpresën se kjo e fundit do ta ndihmojë që të bllokojë zhvillimin e ndeshjes problematike të boksit mes Derek Çisora dhe Devid Hej. Sekretari i Përgjithshëm i BBBC, Robert Smith, ka kërkuar ndihmën e Komisionit Parlamentar mbi Boksin të drejtuar nga Sharlot Lesli, që të ndërhyjë për të ndaluar zhvillimin e ndeshjes së sanksionuar nga Federata e Boksit e Luksemburgut.

Meqë përfshirja e Luksemburgut në ndeshjen e planifikuar me 14 korrik në stadiumin “Apton Park” është në përputhje me ligjet mbi lirinë e tregtisë në Komunitetin Evropian, qeveria angleze nuk është se mund të thyejë këto rregulla nëse ndërhyn në këtë çështje.

Por BBBC mendon se duke lejuar një Federatë tjetër të operojë në Angli, për të anashkaluar dënimin që i është dhënë Çisoras nga drejtuesit e boksit britanik, do të krijohej një precedent i rrezikshëm për sportin.

Promotori i Çisoras, Frenk Uorren, ka mbrojtur ligjshmërinë e këtij aktivitet dhe ka sulmua ashpër BBBC që po mundohet në të gjitha mënyrat të ndalë zhvillimin e ndeshjes në fjalë duke deklaruar se do të përjashtohej kushdo që do të kishte të bënte me këtë takim.

“BBBC i shkroi Unionit Evropian të Boksit (EBU) duke u munduar ta ndalonte ndeshjen dhe ata iu përgjigjën “Jo, sepse zhvillimi i ndeshjes së një Federate në një vend tjetër është arsyeja pse është krijuar ky Union”.Ata nuk mund të deklarojnë tani se do t’i heqin të gjithë personave licencat pasi një veprim i tillë do të binte në kundërshtim me ligjet e Komunitetit Evropian mbi tregtinë e lirë. Kur i hoqën Çisoras licencën, i thanë se ishte i lirë të aplikonte në një federatë tjetër”, ishte komenti i Uorren.

Sipas mediave angleze, vetëm në dy ditët e para pas lajmërimit, janë prenotuar rreth 20 mijë bileta nga tifozët e shumtë që duan të shohin këtë takim spektakolar që zhvillohet në ringun e ndërtuar në mes të fushës së stadiumit. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Wednesday, 09 May 2012 10:50

Vladimir Kliçko, kampioni i botës për peshat e rënda në WBA, IBF, WBO dhe IBO, është shfaqur hapur kundër organizmit të ndeshjes mes Devid Hej dhe Derek Çisora, të planifikuar me 14 korrik të këtij viti. 

Pas prezantimit që iu bë kësaj ndeshje në stadiumin “Apton Park”, me të dy boksierët që ndaheshin nga një gardh metalik dhe masa të rrepta sigurie për të shmangur kontaktin, kanë ardhur reagime të ndryshme nga bota e boksit.

Vladimir Kliçko nuk ngurroi ta quante këtë një “shfaqje monstruoze” pasi një personazh si Çisora nuk duhej të lejohej më të boksonte.

“Kjo është një shfaqje monstruoze sipas rregullave monstruoze, një pështymë në fytyrë për Bordin Britanik të Boksit. Është fatkeqësi që Çisora merr një tjetër licencë për të boksuar. Si mund të organizosh një aktivitet të tillë me një njeri që i ka treguar botës sjelljen e tij, sidomos duke patur parasysh atë që ndodhi në konferencën për shtyp?”, ishin fjalët e kampionit të botës.

Por duket se vëllai tij i madh, Vitali Kliçko, nuk e mendon në të njëjtën mënyrë, pasi dëshiron të përballet me Devid Hej sa më parë që të jetë e mundur. Lajmi është konfirmuar nga menaxheri i Hej, Adam Both.

“Që tani më kanë dërguar një projekt kontrate për një ndeshje mes tij dhe Vitali, por do të shohim si rrjedhin gjërat”, tha ai, mendim që është ndarë edhe nga Hej.

“Fillimisht më duhet të hedh në tapet këtë idiotin Çisora dhe pastaj do të vendos se çfarë do të bëj”, tha ai gjatë prezantimit zyrtar të ndeshjes, ndërsa dy boksierët nuk kursyen fyerjet ndaj njëri-tjetrit para kamerave. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Tuesday, 08 May 2012 09:20

Devid Hej dhe Derek Çisora do të vihen përballë njëri-tjetrit për ndeshjen e “hakmarrjes” me datë 14 korrik, sipas asaj që raporton gazeta “The Sun” e cila është edhe sponsor kryesor i këtij dueli. 

Të dy boksierët janë zënë me njëri-tjetrin në Mynih në muajin shkurt dhe asnjë prej tyre aktualisht nuk ka një licencë për të boksuar.

Por “The Sun” ka konfirmuar se është gjetur një mënyrë për të anashkaluar këtë “problem të vogël burokratik” dhe se ndeshja do të mbahet në “Apton Park”, stadiumin e skuadrës së futbollit të Uest Hem.

Bordi i Boksit Britanik i hoqi licencën Derek Çisoras si dënim se pështyu dhe goditi me shpull Vitali Kliçkon para ndeshjes me të në Mynih. Ndërsa Hej ka dorëzuar licencën e tij pasi humbi titullin WBA ndaj Kliçkos së vogël, Vladimir, në Hamburg.

Por Frenk Uorren, menaxheri i Derek Çisora dhe promotori i takimit, ka arritur të sigurojë zhvillimin e kësaj ndeshje duke marrë licencën nga autoritetet përkatëse në Luksemburg.

“Para se të gjithë të fillojnë ulërasin për skandal, dua të them se Federata e Boksit në Luksemburg është krijuar në vitin 1922, 7 vite para asaj britanike. Ata kanë dhënë aprovimin e tyre dhe ndeshja do të zhvillohet në “Apton Park” nën juridiksionin e tyre. Si anëtarë me të drejta të plota në EBU, ata kanë të drejtë ta bëjnë një gjë të tillë”.

“Unë nuk kam thënë asnjëherë se Derek nuk duhej ndëshkuar, por Bordi në Britaninë e Madhe i tërhoqi licencën, nuk e pezulloi atë, ndaj ai mund të aplikojë në çdo kohë për një licencë në një Bord tjetër”, tregoi Uorren për gazetën britanike. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Saturday, 05 May 2012 10:34

Devid Hej dhe Derek Çisora do të rrezikojnë të ardhmen e tyre duke planifikuar një ndeshje të palicencuar, pasi po mendojnë të zgjidhin zënkën e tyre të Mynihut në një ring gjatë verës.

Sipas mediave angleze, pritet që ditën e martë, promotori i njohur Frenk Uorren,të bëjë publik vendimin rreth zhvillimit të kësaj ndeshje në korrik, në ringun që do të ndërtohet brenda fushës së stadiumit të futbollit të Uest Hem.

Çisora nuk ka një licencë, që i është revokuar nga Bordi Britanik i Boksit dhe apeli i tij është shtyrë në fundin qershorit apo në fillimin e korrikut.

Ndërsa Hej, duhet të aplikojë përsëri për një licencë nëse dëshiron të kthehet nga pensioni, por do ta ketë shumë të vështirë ta sigurojë një të tillë në territorin britanik, sipas fjalëve të vetë sekretarit të këtij Bordi, Robert Smith.

“I kam dëgjuar edhe unë zërat por nëse ata po e planifikojnë një gjë të tillë, kjo nuk do të ketë licencën tonë. Asnjë prej këtyre dy boksierëve nuk ka licencë për të boksuar në Britaninë e Madhe”, tha ai.

Pak kohë më parë, promotori Frek Uorren deklaroi se një ndeshje e tillë do të tërhiqte më shumë vëmendje se një përballje e vëllezërve Kliçko.

“Kjo do të jetë një ndeshje më e madhe se duke u përplasur me Vladimir apo Vitali Kliçko. Kanë shumë gjëra për të cilat mund të luftojnë kundër njëri-tjetrit. Ringu është vendi i duhur që ata të zgjidhin mosmarrëveshjet”, ishin fjalët e Uorren. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Thursday, 29 March 2012 20:16

Frenk Uorren, promotori i ndeshjeve të Derek Çisora, ka bërë të qartë se ky i fundit ka apeluar heqjen e licencës së tij dhe po bëhet gati për një ndeshje të pashmangshme ndaj Devid Hej.

“Kjo është një ndeshje që vjen natyrshëm, pavarësisht asaj që thonë të tjerët. Kjo është një ndeshje më e madhe sesa një prej tyre që lufton kundër vëllezërve Kliçko. Mendoj se kjo ndeshje do të zhvillohet, ringu është vendi i duhur ku ata mund të sqarohen me njëri-tjetrin”, deklaroi Uorren.

Ai ka sqaruar se boksieri do të apelojë vendimin e marrë nga Bordi Britanik i Boksit, në mënyrë që të marrë përsëri licencën e tij dhe të mund të organizojë këtë ndeshje të shumëpritur në Angli.

Por ka disa pengesa të cilat duhen kaluar më parë dhe ato kanë lidhje kryesisht me Devid Hej. Ky i fundit nuk ka dhënë ende dëshmi para policisë gjermane për ngjarjen e Mynihut, ku sulmoi Çisorën në konferencën për shtyp.

Përveç të tjerave, ai ka hequr dorë nga licenca e tij duke bërë të ditur se është larguar nga boksi dhe në rast kthimi duhet të paraqitet para një paneli që vështirë se do t’ia kthejë atë duke parë kaosin që ka shkaktuar me veprimet e tij. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Thursday, 15 March 2012 10:02

Derek Çisora është përjashtuar përfundimisht nga ringu pasi bota e boksit vendosi të marrë qëndrimin më të ashpër ndaj veprimeve të tij që dëmtuan rëndë imazhin e këtij sporti.

Vendimi për të deklaruar boksierin e peshave të rënda të padenjë për të qenë një profesionist, u ndoq nga një kërcënim ndaj “bashkëpunëtorit” të tij në trazira, Devid Hej, ku edhe ky i fundit u paralajmërua se do të merrte një sanksion të tillë nëse do të aplikonte për kthimin e licencës.

Ky vendim drastik pritej prej kohësh, pas ngjarjeve të shëmtuara të muajit të kaluar ku dy boksierët u përleshën në sallën e konferencave për shtyp, ndërsa Çisora i shtoi paturpësive të tij edhe një shpullë fytyrës ndaj Vitali Kliçko ndërsa pështyu vëllain e tij Vladimir.

Sipas vendimit, boksieri britanik nuk mund të ngjitet më në ringun profesionist dhe vështirë se ndonjë shtet tjetër do t’ia japë këtë mundësi atij. Por pezullimi nuk është dhënë i përhershëm, gjë që do të thotë se vendimi mund të revokohet në të ardhmen.

E vetmja zgjidhje për momentin duket se është transferimi në SHBA, pasi shteti i Nevadas jep licenca të përkohshme për ata që boksojnë në Las Vegas.

Kjo është edhe arsyeja pse Derek Hej deklaroi se transferohej përfundimisht në Las Vegas, pasi pritet që ai të organizojë aty një ndeshje revanshi ndaj Vladimir Kliçko. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Wednesday, 29 February 2012 10:31

Derek Çisora është dënuar me një “gjobë të majme” dhe “pezullim pa afat duke i mohuar mundësinë të ndeshet për një titull WBC”.

Këshilli Botëror i Boksit (WBC) bëri të ditur nëpërmjet një deklarate se Çisora kishte bërë “një nga sjelljet më të turpshme nga një boksier profesionist” ndërsa aty shkruhej se heqja e pezullimit të boksierit britanik nuk do të merrej në konsideratë derisa ai të regjistrohej në ndonjë kurs për menaxhimin e zemërimit.

Ky është sanksioni i parë që është ndërmarrë ndaj boksierit britanik pas ngjarjes së turpshme që ndodhi në Mynih në fillimin e këtij muaji, gjatë fundjavës ku ai u ndesh me Vitali Kliçko për titullin e peshave të rënda të WBC.

Por ndëshkimi më i rëndë mund t’i vijë nga Bordi Drejtues i Boksi Britanik, me 14 mars, pasi mendohet se atij do t’i hiqet licenca dhe mundësia për të boksuar kudo në Britaninë e Madhe. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Sunday, 26 February 2012 12:50

Devid Hej insiston se nuk ka bërë asgjë të gabuar kur ka goditur me grusht Derek Çisoran gjatë konferencës për shtyp pas takimit të këtij të fundit me Vitali Kliçkon.

Sipas tij, gjithçka kishte qenë vetëmbrojtje, edhe pse e qëlloi me grusht kundërshtarin duke mbajtur një shishe në dorë. Ai shtoi se do ta bënte një gjë të tillë “çdo ditë të javës”.

“Ashtu siç i shoh unë gjërat, nuk do të lejoj më që njerëzit të më provokojnë në atë mënyrë”, u shpreh ish-boksieri.

“Nëse do të mund të flisja me të tani, do ta këshilloja të futej në ndonjë kurs për menaxhimin e zemërimit. Ai ka nevojë të kurohet, para se të vrasë ndokënd”.

“Unë nuk kam kërkuar falje dhe nuk do të kërkoj asnjëherë falje se mbrojta veten. Unë kisha shishe në dorë, por e godita me grusht. Nuk kisha alternativë tjetër, nuk mund të rrija me duar të varura ndërsa ai më provokonte”, ishte komenti i Hej.

Ky i fundit tha se askush nga policia gjermane nuk e kishte kontaktuar për ta marrë në pyetje dhe bëri të qartë se do të pranonte të kthehej në ring vetëm nëse siguronte një ndeshje kundër vëllezërve Kliçko. (LajmeShqip.com)

12