12
 
Lajme Shqip Wednesday, 25 July 2012 19:40

Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari-Lila, ka marrë vendimin për heqjen e taksës për çimenton. Ky vendim i saji do të hyjë në fuçi nga data 1 gusht i këtij viti.

Këtë vendim të sajin e ka bërë të ditur ministri i Jashtëm, Enver Hoxhaj gjatë takimit që zhvilloi të mërkurën pasdite me homologun e tij shqiptar, Edmond Panariti.

Ai ka thënë se “çimentoja dhe patatja nuk do të bëhen pengesa në raportet Kosovë-Shqipëri”.

Ndërkaq, ministri i jashtëm i Shqipërisë, Edmond Panariti, ka thënë se “bashkëpunimi mes dy vendeve duhet të jetë model për rajonin”. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Saturday, 21 July 2012 15:11

Prishtinë – “Kemi pritur që vendimi për taksën mbi çimenton të ndryshohet këtë javë, por na ka mbetur edhe një konsultim final dhe vendimi do të ndryshohet në javën e ardhshme”. Keshtu eshte shprehur gjate nje interviste dhënë Radios Evropa e Lirë, Mimoza Kusari – Lila, ministre e Tregtisë dhe Industrisë e Republikës së Kosovës.

Zonja Kusari, keni qenë protagoniste e zhvillimeve në lidhje me çimenton dhe kompaninë “SharrCem”. Keni ndërmend të tërhiqni vendimin për tarifën e importit të çimentos?

Vendimi për taksën mbi çimenton, ka qenë një vendim i cili është prezantuar si i përkohshëm dhe është i përkohshëm, është konform Ligjit mbi masat mbrojtëse në importe dhe ashtu siç e kemi deklaruar në seancën e Kuvendit, vendimi do të modifikohet, gjegjësisht do të ketë një ndryshim në vendimin fillestar për të ofruar një konkurrencë të lirë në treg, e gjithsesi për të mbajtur edhe një mbrojtje të interesave të prodhuesit vendor.

Kur do të ndryshojë vendimi?

Mendoj shumë shpejt. Ne, në fakt, kemi pritur që vendimi të ndryshohet këtë javë, por na ka mbetur edhe një konsultim final dhe, sipas të gjitha gjasave, shihet se vendimi do të ndryshohet në javën e ardhshme.

Gjatë debatit në Kuvendin e Kosovës, i cili përfundoi pa asnjë konkluzion apo vendim për shkak të abstenimit të shumicës dhe kritikave që ua bënë juve, a konsideroni se keni shkelur marrëveshjen CEFTA me këtë vendim?

Edhe atë ditë, në debatin në Kuvend, unë kam prezantuar argumentet dhe legjislacionin në fuqi, i cili tregon se nuk ka shkelje të rregullave të CEFTA-s, në të kundërtën është konform rregullave të CEFTA-s, është neni 23 paragrafi 1 dhe 2, që përcaktojnë qartë lejimin e masave mbrojtëse në importe për secilin vend.

Dhe, së dyti, kjo marrëveshje, kur është nënshkruar, është nënshkruar si tërësisht e lirë, gjegjësisht liberale për Kosovën, në kuptimin që janë liruar të gjitha industritë nga ndonjë mbrojtje që ka sjellë në situatën ku ne duhet të aplikojmë një ligj të tillë. Po edhe vetë ligji si i tillë ka kaluar nga po ky legjislacion, nga po ky parlament vitin e kaluar, dhe konsideroj që debati do të ishte shumë më mirë të ishte i fokusuar në argumentet ekonomike. Domethënë ka pasur debat konstruktiv, por ka pasur edhe debat, në të cilin më tepër janë përdorur termat patriotik, ose është munduar të prezantohet argumenti patriotik sesa ai ekonomik dhe ai i zhvillimit të qëndrueshëm të Kosovës, që është arsyeja bazë për marrjen e vendimit për mbrojtjen e industrisë së çimentos në Kosovë.

Marrëveshja e CEFTA-s nuk është cenuar. Ne e kemi informuar edhe sekretariatin. Me ligjin në Kosovë parashihet që mund të merret një vendim i tillë dhe pastaj të konsultohen të gjitha palët e përfshira. Edhe me marrëveshjen e CEFTA-s ka raste kur ne pas marrjes së vendimit, i kemi informuar të gjitha palët e përfshira dhe natyrisht konform marrëveshjes së CEFTA-s dhe konform rregullave në fuqi kjo marrëveshje do të kalojë në fazën e dytë, përkatësisht në një transformim tjetër apo në tërheqje të vendimit, por që ka siguruar që prodhimi vendor është prodhim që nuk i cenohet ekzistenca, po mbi të gjitha nuk është ballafaquar me një devijim të menjëhershëm siç ka ndodhur në rastin e çimentos.

Vendimi i juaj është thënë se ka për qëllim mbrojtjen e prodhimit vendor. Mirëpo, nëse iu referohemi ekspertëve, ata thonë se tarifa e vendosur ka ndikuar në ngritjen e çmimit të betonit dhe ndërtimtarisë në përgjithësi. Sa konsideroni se po jep rezultate pozitive ky vendim?

Vendimi ka pasur një synim – që është mbrojtja e prodhimit vendor dhe ndalimi i eskalimit të çimentos së importuar në masën sa ka qenë mbi 1000 për qind për 1 vit e gjysmë. Ne jemi të vetëdijshëm se ka sjellë disa efekte në treg, të cilat me siguri se kanë qenë edhe të parashikuara, por që janë shfrytëzuar prej disa operatorëve ekonomikë.

Në procesin e marrjes së vendimit deri në momentin e përmbylljes së këtij vendimi, operatori ekonomik, të cilit i mbrohen interesat nuk ka të drejtë të lëvizë me çmime. Ndryshimet në treg kanë ndodhur edhe nga ndërmjetësit, gjegjësisht ata që kanë marrë çimento dhe kanë vendosur ta shesin duke shfrytëzuar situatën e tillë që nuk ka çimento tjetër, që rrjedhimisht ne na pamundëson të ndikojmë në tregun e lirë në aso mënyre.

Por, natyrisht është edhe një argument tutje që tash vendimi duhet të ofrojë një hapësirë në treg ku çmimet të stabilizohen. Mirëpo, atë që e përmenda më herët arsyeja kryesore, mbrojtja e interesave të prodhuesit ka qenë argumenti dhe mbrojtja e një industrie në Kosovë, e cila punëson mbi 500 veta dhe kontinuiteti i investimeve për prodhuesin vendor.

Njohësit e çështjeve ekonomike ju kanë kritikuar lidhur me këtë vendim. Si i shihni ju këto kritika?

Unë do të doja që këto kritika të fokusohen kryesisht në argumentet ekonomike. Në argumentet ekonomike nuk përfshihet vetëm një situatë gjegjësisht një kohë, sot, por ato lidhen me procese dhe lidhen edhe me një të ardhme. Shumica e këtyre kritikave janë lidhur vetëm me sot – ndikimin sot që e ka ky vendim. Shumë pak kanë reflektuar në të ardhmen dhe në rezultatet që ky vendim mund t’i ketë.

Pak kam lexuar dhe pak kam dëgjuar që ka pasur analistë ekonomikë, të cilët kanë menduar në perspektivë, duke thënë se çka nëse industria e çimentos do të mbyllej në Kosovë.

Nuk ka qenë vështirë për këtë kompani, në këtë rast “SharrCem”, ose “Titan-grupin” që është pronar i “SharrCemit” tash, që ta mbyllë fabrikën në Kosovë, dhe ta përdorë Kosovën si depo, të importit të çimentos nga vendet prej ku këta prodhojnë. Së dyti, mbyllja e një fabrike të këtyre përmasave do të ndikojë në komunë, në Kosovë dhe do të bëjë që një industri të tërhiqet.

Dhe, së treti, ka qenë gjithashtu edhe efekti se vazhdimisht është diskutuar për çmimin në treg dhe për konsumatorin dhe çmimi në treg i ofruar nga konkurrentët tjerë ka qenë për një shumë tejet të vogël më i ulët, pa marrë parasysh faktin që në dogana apo në import ky çmim ka qenë tepër më i ulët domethënë 60 – 70 për qind që nganjëherë ka ardhur më i ulët, ndërsa është ngritur në treg. Do të thotë profitin e ka marrë importuesi, ose ai që e ka tregtuar.

Por, ekziston edhe një skenar tjetër. Në rastet e tilla kur çmimi është shumë i ulët ose kur dikush konkurron në treg të huaj me çmim shumë të ulët atë çmim e mban deri në momentin kur i përjashton nga loja prodhuesit e vendit, apo operatorët tjerë ekonomikë.

Në momentin kur arrin që t’i përjashtojë nga loja operatorët ekonomikë, gjegjësisht prodhuesin atëherë ky importues ose fabrikë që operon diku jashtë e kontrollon tregun dhe luan me çmim. Domethënë me të vërtetë atëherë i garantohet pozitë monopoliste, përderisa ne kemi qenë këmbëngulës që të kemi, së pari, një barazi në treg dhe e dyta që ta mbrojmë një industri  dhe kjo industri të jetë konkurrente me të tjerët që me të vërtetë në një të ardhme konsumatori të fitojë.

Në skenarët, të cilët janë prezantuar konsumatori do të përfitonte, ose përfiton një vit ose dy. Pas dy vjetësh kur të mbyllet kjo industri në Kosovë, konsumatorit do t’i kthehen çmimet ende më të mëdha sesa prodhuesit, për arsye se importuesi shkon me mazhën më të madhe.

Mos të harrojmë se skenarë të tillë kemi pasur në Kosovë, me prodhuesit e vezëve, kur prodhuesit nga Greqia dhe Shqipëria kanë mbajtur çmim shumë të ulët derisa janë përjashtuar nga loja tërësisht prodhuesit kosovarë. Në momentin kur s’ka pasur më konkurrencë në vend, kur prodhuesi kosovar nuk qenë më konkurrent dhe s’ka arritur të prodhojë, atëherë ai që ka importuar e ka rritur çmimin dhe tash ka arritur çmimi në atë nivel që më mirë do të ishte sikur para dy vjetësh dikush të vendoste një masë mbrojtëse për prodhimin e vezëve, që t’i mbronte vezët e Kosovës dhe ato të ishin ende konkurrente.

Së fundi, në këtë pikën e mbrojtjes më duhet gjithashtu të theksoj se ekzistojnë rregulla shumë strikte me ligj, për arsye se shpeshherë është ngritur çështja se pse s’janë mbrojtur produktet tjera.

Ligji përcakton qartë se për kë mund të aplikohen masat mbrojtëse: për një prodhues nëse mbulon 25 për qind të tregut apo për një grup prodhuesish nëse mbulojnë mbi 50 për qind të tregut. Në të dy këto raste nëse kompanitë prodhuese kosovare veprojnë në ekonomi joformale siç ndodh shpesh në Kosovë shteti gjegjësisht Qeveria e ka shumë vështirë ta arsyetojë përqindje e tyre në treg me shifra joformale.

Prandaj, kjo ka qenë  edhe një thirrje për të gjitha ata që mendojnë se të bësh biznes në Kosovë në joformalitet për fitim më të madh, por është shumë e gabueshme për shkak se në fund del se do të kesh kosto më të mëdha dhe do të kesh më pak mbrojtje, për shkak se statistikat e atij biznesi nuk do të gjenden askund dhe shteti e ka shumë vështirë të reagojë për bizneset, të cilat nuk janë formalisht të regjistruara.

Zonja Kusari, tarifa e vendosur kemi parë se ka nxitur protesta në Kosovë e Shqipëri. Si i keni përjetuar parullat se me këtë vendim i keni humbur kuptimin Rrugës së Kombit? Ka ndonjë domethënie për ju një parullë e tillë?

Mua nuk më ka prekur ajo parullë, për shkak se ka pasur efektin ekonomik, gjegjësisht është fshehur prapa interesit të importuesit. Në fakt, importuesi e ka përdorur shumë mençur që të më diskreditojë mua në aspektin patriotik ose kombëtar, apo nacional, ndërsa ta mbrojë fitimin e vet. Unë jam shumë e sigurt se Rruga e Kombit funksionon dhe i shërben qëllimit të saj.

Në atë kohë kur flitej që unë kam ndikuar në mbylljen e Rrugës së Kombit, mbi 500 mijë persona kanë kaluar në të dy anët e kufirit. Kosovarët dhe shqiptarët dihet se janë shumë të lidhur në shumë aspekte dhe ka shumë mundësi të bashkëpunimit ekonomik që mund të fascilitohet tutje ndërmjet dy qeverive, por që kjo nuk ka pasur për synim as prodhuesin nga Shqipëria, as ndonjë prodhues në veçanti, por mbrojtjen e çimentos së Kosovës në një të ardhme më të sigurt për këtë prodhim të vendit, e që ka rastisur të jetë një prodhues në Fushë-Krujë, të cilit për një periudhë një mujore ose dy, mund t’i cenohet interesi në tregun e Kosovës – ajo ka qenë rastësi.

Por, të argumentohet dhe të shkohet deri në ekstrem me parulla të asaj natyre për një qëllim ekonomik, besoj se as nuk është e drejtë, nuk është njerëzore, por as e moralshme. (REL)

 
Lajme Shqip Sunday, 15 July 2012 12:58

Prishtinë – Taksa për çimenton e importuar e vënë nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë se Kosoves, gjatë këtyre ditëve mund të bëhet objekt diskutimi mes kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe atij të Shqipërisë, Sali Berisha.

Ndonëse qeveritë e të dyja vendeve nuk kanë njoftuar për ndonjë takim mes krerëve qeveritarë, ka qenë Thaçi ai që një takim të tillë ia kishte paralajmëruar deputetit Emin Gërbeshi, gjatë përpjekjes për ta bindur që të hiqte dorë nga mocioni për shfuqizimin e vendimit të ministres Kusari-Lila.

“Kryeministri më ka thënë se ka qenë aktiv gjatë gjithë këtyre ditëve për çështjen e çimentos dhe se brenda dy apo tri ditësh do të takohet me kryeministrin Berisha”, ka bërë të ditur Gërbeshi, për “Kohën Ditore”.

Shefi i kabinetit të kryeministrit Thaçi, Abelard Tahiri, ka thënë se nuk është në dijeni, por nuk ka mohuar se kryeministrat mund të bëhen bashkë për të diskutuar këtë çështje. (K.D)

 
Lajme Shqip Friday, 13 July 2012 23:37

Prishtinë –Emin Gërbeshi, ai i cili inicoi mocionin kundër vendimit të ministres Mimoza Kusari-Lila, për 35 për qindëshin e tarifës për çimenton u shkarkua menjehere pas seances se sotme.

Këtë e bënë të ditur Aleanca Kosova e Re, përmes një komunikate të dërguar medieve.

“Në mbështetje të kompetencave dhe përgjegjësive të parapara me Statutin e Aleancës Kosova e Re, neni 30 dhe 31, dhe në konsultim me kryesinë e ngushtë të partisë, për shkak të mosrespektimit, në vazhdimësi, të Statutit dhe të parimeve programore të AKR-së, mosrespektimit të qëndrimeve të Grupit Parlamentar, ofendimeve dhe shpifjeve publike dhe të vazhdueshme ndaj kolegëve marr vendim për përjashtim të z.Emin Gërbeshi, nga Aleanca Kosova e Re”, thuhet në njoftim.

“I njëjti përjashtohet edhe nga Grupi Parlamentar i Koalicionit për Kosovë të Re. Obligohet Kryetarja e Grupit Parlamentar të ndërmarrë procedurat për zëvendësimin në Komisionet Parlamentare të Kuvendit të Kosovës”, vazhdon njoftimi.

Deputeti i AKR-së, Emin Gerbeshi para disa ditëve kishte kritikuar ashpër ministren Mimoza Kusari-Lila për vendimin për t’i vënë taksë të lartë doganore çimentos nga Shqipëria. Nëse ministrja nuk e tërheqë vendimin antikombetar, ai ka thënë se nuk do të lënë gurë pa lëvizur derisa Kusari-Lila të shkarkohet.

Kryeministri Thaci dje ka ftuar poziten te dali jashte, nder ta edhe inicuesin e mocionit Emin Gerveshin. Sipas gazetarit të shqiptarja.com, Thaci dhe deputetet e pozites kane diskutuar ne holet e Kuvendit dhe e kane shikuar seancen nga jashte.
Si dje, ashtu edhe sot dështoi mocioni ndaj Ministres se Tregtisë dhe Industrise, Mimoza Kusari-Lila për shfuqizimin e vendimit për taksën 35 % të çementos së importuar nga Shqipëria, për shkak të mungesës së kuorumit për votim të interpelancës, sepse PDK, AKR dhe komunitetet kishin ikur nga Kuvendi. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Friday, 13 July 2012 15:04

Prishtinë – Shumica e shumicës prapë ikën nga Kuvendi i Republikës së Kosovës. Të urdhëruar nga Kryeministri i ata që e braktisën dje seancën e Kuvendit të Republikës së Kosovës në kohën kur mbahej Interpelanca me Ministren e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari-Lila, për vendimin e kësaj të fundit që të aplikojë masën prej 35% për çimenton e importuar, nuk erdhën as sot në seancë për ta pamundësuar kështu votimin e mocionit që kërkonte shfuqizimin  kësaj mase.

Kështu Qeveria dhe deputetët e koalicionit qeverisës, përmes një akti të papërgjegjësisë së lartë, e pamundësuan votimin e këtij mocioni, dhe e mbrojtën monopolin e Titan Grupit në tregun e çimentos në Kosovë, duke ia pamundësuar prodhuesve nga Shqipëria hyrjen në këtë treg.

Me këtë akt kryeministri i vendit e rrezikoi shumicën në Kuvend, dhe e solli veten në një pozitë simbolikisht të papushtetit. Duke mos mundur në këtë rast ta kontrollojë votën e koalicionit qeverisës, pasi që kjo interpelancë u iniciua nga vet deputeti i koalicionit qeverisës, përkatësisht nga Emin Gërbeshi i Grupit Parlamentar të AKR-së me përkrahjen e deputetëve nga grupet tjera parlamentare, Hashim Thaçi vendosi ta kontrollojë grupin duke ua ndaluar atyre pjesëmarrjen në seancë. Asnjëherë tjetër nuk është parë një siklet kaq i madh i kryeministrit në Kuvend përveç në seancën kur në mënyrë kundërkushtetuese u zgjodh Pacolli president. Kjo tregon qartë se aq i thellë dhe i madh është interesi në këtë çështjen e monopolit të çimentos, saqë kryeministri është i gatshëm edhe ta tregojë botërisht brishtësinë e tij, duke e shfaqur publikisht se nuk është kryeministër madje as i koalicionit qeverisës në të cilin thirret, e lëre më i partive tjera parlamentare që nuk janë në pushtet. Vota e Hashim Thaçit, në masë të madhe e vjedhur, ka filluar të tkurret. 

Seanca nuk vazhdoi për mungesë kuorumi. Kryetari i Kuvendit i pranishëm në sallë asnjëherë nuk u bëri thirrje deputetëve që të vijnë në sallë dhe ta mbajmë seancën që e kishim nisur dje. Këtë e bëri Glauk Konjufca, nënkryetar i Kuvendit nga Lëvizja VETËVENDOSJE!. Kur s’ka kuorum bie zilja disa herë. Jo edhe sot kur ishin 57 veta në sallë. Kryetari Krasniqi madje as nuk u denjua ta caktoj një pauzë të shkurtër pas propozimit tonë që të thirren deputetët në sallë, në mënyrë që t’i jepet rast krijimit të kuorumit. Nuk u pa fare i interesuar ta ketë kuorumin në sallë.

I tërë ky bojkot natyrisht se hap dyer të shumta dyshimi. Gjatë tërë kësaj kohe sa është debatuar çështja e monopolizimit të tregut të çimentos nga qeveria e Kosovës, është diskutuar shumë se kush përfiton nga kjo. Qartazi publikisht dhe botërisht dihet se përfitojnë pronarët e Sharrcemit. Për këtë nuk ka hamendësime. Por kush janë ata? Dhe, pse e paska kryeministri dhe deputetët e tij kaq të rëndësishëm përfitimin e pronarëve të Sharrcemit? Kjo nuk dihet. Dje në interpelancë, në tentim të mbrojtjes së vendimit, ministrja disa herë deklaroi se kjo e mbron ekonominë e vendit dhe punëtorët e Kosovës (të punësuar në Sharrcem). Po atëherë, pse nuk kemi edhe mbrojtje të sektorëve tjerë shumë më të rëndësishëm për ekonominë e vendit? Pse nuk u mbrojtën punëtorët tjerë të Sharrcemit të cilët madje u arrestuan nga po e njëjta qeveri kur protestonin për të drejtat e tyre, dhe kundër përjashtimit nga puna që ua bëri menaxhmenti i “Titan Grupit”? Pse nuk po mbrohen, por po arrestohen punëtorët e Ferronikelit, të cilët tash u përjashtuan nga menaxhmenti i shkritores? Kjo qeveri dhe ky kryeministër kurrë nuk kanë mbrojtur asgjë tjetër përveç interesit të tyre personal. 13 korrik 2012 Lëvizja VETËVENDOSJE! (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Friday, 13 July 2012 11:29

Prishtinë – Kuvendi i Kosovës ka degraduar dhe për këtë fajin e ka Qeveria. Këtë qëndrim në seancën e sotme ka mbajtur opozita, e cila ishte shumicë, për faktin se deputetët e koalicionit nuk ishin në sallë, duke pamundësuar votimin për mocionin lidhur me interpelancën e ministres së Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari-Lila.

Opozita këmbënguli që seanca mos të vazhdojë pa u votuar ky mocion. Ndërkohë, debat i ashpër në pak minuta është zhvilluar mes deputetëve të opozitës dhe atyre pak deputetëve të koalicionit qeverisës Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri akuzoi PDK-në për papërgjegjësi duke sabotuar punën e Kuvendit.

Visar Ymeri, shef i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes tha se mungesa e deputetëve të koalicionit në seancë, është tregues i qartë i një interesi të thellë në çështjen e çimentos, për të cilin ministrja Kusari-Lila një ditë më parë u paraqit në interpelancë.

Me të njëjtin ton foli edhe deputeti i AAK-së, Burim Ramadani, duke thënë me ironi se Kuvendi më mirë po duket pa PDK-në. E ndërkohë Fatmir Limaj, njëri prej deputetëve të paktë të PDK-së të pranishëm në seancë, kursin e kritikave e ktheu edhe kah opozita, duke thënë se të gjithë janë fajtor për gjendjen në të cilën janë institucionet e Kosovës qe një vit e gjysmë.

Deputeti i LDK-së, Sabri Hamiti, duke thënë se një bojkot i tillë nga pozita nuk ka ndodhur asnjëherë në praktikën parlamentare, hodhi dyshime që Qeveria sot nuk i ka votat e nevojshme në Kuvend.

 “Që nga dje, për mua politikisht kjo shumicë nuk është shumicë, sepse Qeveria e ka demonstruar me gjeste me veprime këtu që nuk e ka shumicën dhe le të dalë nesër pasnesër, kur të dojë, është e detyruar ta aprovojë a e ka shumicën parlamentare. Nëse e ka le ta provojë”, tha Hamiti.

Ndërkohë, këtë hapësirë të polemikave, deputeti i PDK-së, Xhavit Haliti e shfrytëzoi për një çështje tjetër. Mes përplasjes së grushtave në tavolina, Haliti shprehu shqetësimin për akuzat që i janë bërë atij vazhdimisht, siç tha ai, për vrasjen e Ahmet Krasniqit, Ilir Konushevcit e Ali Ukës. Ai i bëri thirrje drejtësisë që të hetojë të gjitha këto raste.

Ai tha se askush asnjëherë nuk do t’ia lëkund mendimin politik dhe miqësinë me Ibrahim Rugovën dhe Sabri Hamitin, përderisa shtoi se nëse vetëm në një rast do të ishte i përzier në të gjitha ato që janë shkruar në media për të, nuk do të ishte sot në Kuvendin e Kosovës. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Thursday, 12 July 2012 15:13

Prishtinë – Seanca e Kuvendit të Kosovës që kishte në rend dite interpelancën e ministres së Tregtisë e Industrisë Mimoza Kusari Lila u ndërpre për shkak të mungesës së kuorumit për të marrë një vendim të ligjshëm lidhur me shfuqizimin e vendimit të saj  të vendosjen e tarifës prej 35 për qind për importimin e çimentos nga Shqipëria. Seanca  e ndërprerë do të vazhdojë nesër.  

Para kësaj, ministrja e Tregtisë dhe e Industrisë Mimoza Kusari Lila paralajmëroi  ndryshimin e vendimit të vet.

Iniciuesi i interpelancës, Emin Gërbeshi, i cili është deputet i AKR-së, njofton KTV, ka thënë se ky vendim është i pafalshëm dhe është antishqiptar dhe kërkoi shfuqizimin e tij menjëherë. “Në shtetet demokratike kur një ministër merr vendim që prodhon efekte negative jep dorëheqje morale. Sot kemi një mundësi para vetes të marrim vendim për shfuqizimin e këtij vendimi që na poshtëron si shqiptarë”, ka thënë Gërbeshi.

Më pas në foltore të Kuvendit ka dal ministrja Kusari-Lila e cila gjatë fjalimit të saj ka mbrojtur vendimin e ministrisë që ajo udhëheq. Ajo ka thënë se kohëve të fundit debati mbi këtë çështje ka devijuar dhe akuzat kanë zënë pjesën më të madhe të hapësirës politike duke lënë anash argumentet publike.

Ministrja është shprehur se vendimi nuk është i drejtuar kundër Shqipërisë, ndërsa vendimi ka bazë të plotë ligjore dhe për këtë ajo ka theksuar se Gjykata Supreme ka nxjerr aktvendimin që thotë se vendimi është në pajtim me kornizën ligjore të Kosovës.

Ndërsa, partitë opozitare, LDK-ja, Vetëvendosje dhe AAK-ja kanë kërkuar që sa më shpejt që është e mundur të shfuqizohet vendimi, ndërsa kanë akuzuar pushtetin se po përfitojnë nga ky vendim i Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë.

Më e ashpër ka qenë deputetja e AAK-së, Donika Kadaj-Bujupi, vendimi është marrë pa kurrfarë analize elementare dhe profesionale nga ministra, por është vendim i pastër politik dhe ka qenë urdhër që të veprohet kështu nga njerëz të afërt të ministres Mimoza Kusari-Lila.

Kurse dy partitë e pushtetit, PDK-ja dhe Koalicioni Kosova e Re kanë kërkuar që vendimi të rishikohet sa më shpejt që është e mundur.

Në ndërkohë sallën e Kuvendit e kishte braktisur shumica e deputetëve të PDK-së dhe të aleatëve të saj qeveritarë. (K.N)  

 
Lajme Shqip Wednesday, 04 July 2012 19:51

Prishtinë – Zv/kryeministrja e Kosovës, Mimoza Kusari Lila, njëkohësisht ministre për Tregtinë dhe Industrinë, ka pranuar se vendimi për të rritur taksën e çimentos me Shqipërinë ka ardhur pas premtimit të kushtëzuar të Greqisë për të votuar në favor të një ndihme për Kosovën nga BERZH si dhe anëtarësimit të vendit në këtë organizatë.

Pohimet konfidenciale të Kusari Lilës kanë ardhur gjatë pyetjes së saj në Komisionin parlamentar për Ekonominë. Ministrja prej kohësh është vënë në qendër të shumë kritikave për vendimin e saj dhe akuzohet se ka monopolizuar tregun e çimentos në Kosovë ndërsa dëmtimi më i madh shkon për ekonominë shqiptare nga ku ndërtuesit e tregtarët kosovarë importonin më shumë.

Deputeti i LDK-së, Lutfi Zharku, ka akuzuar ministren se me këtë vendim ka favorizuar kompaninë greke Titan që është pronare e fabrikës së çimentos së Sharrcemit. Kjo e fundit sipas Zharkut nuk ka as kapacitetin për të mbuluar tregun.

Edhe deputeti i Vetëvendosje, Visari Ymeri, tha se Sharrcemi nuk duhej të ishte privilegjuar, aq më tepër që sipas tij është pronë e një kompanie që vjen nga një vend si Greqia që ende nuk e ka njohur Kosovën.

Por ministrja Kusari Lila ka mbrojtur shtetin helen duke theksuar se Greqia ka qasje shumë pozitive ndaj Kosovës. Në fund të fundit, “ligji nuk njeh komb”, mësohet të jetë shprehur ajo në takim.

Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë tha se është e gatshme të hetohet në lidhje me vendimin për taksën prej 35 për qind për importuesit e çimentos. Sipas saj, vendimi kishte si qëllim të mbronte edhe 500 punëtorët e fabrikës së Sharrcemit.

“Nëse unë kam përfituar nga ky vendim, përgjigja është jo. Jam e hapur për çfarëdo hetimi, sepse vendimi ka të bëjë vetëm më ruajtjen e vendeve të punës”, tha ministrja Kusari.

Për këtë vendim, zv/kryeministrja është akuzuar edhe nga deputetët e partisë së saj, AKR, të cilët kanë kërkuar edhe shkarkimin e saj. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Wednesday, 27 June 2012 20:35

Prishtinë – Nëse kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, do ta marrë parasysh kërkesën e disa zyrtarëve të Aleancës Kosova e Re (AKR), atëherë ministrja e Tregtisë dhe e Industrisë, Mimoza Kusari – Lila, do të mbesë pa punë. Kjo kërkesë ka ardhur pas vendimit që ministrja Kusari- Lila ka marrë për vendosjen e tarifës prej tridhjetë e pesë për qind për import të çimentos nga Shqipëria.

“I kemi kërkuar kryeministrit Hashim Thaçi që ta shkarkojë ministren e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari – Lila, për shkak të atij vendimi kontravers që ka marrë sa i përket tarifës prej tridhjetepesë për qind për import të çimentos nga Shqipëria”, ka thënë një burim i gazetës brenda partisë së Pacollit. Ai ka theksuar se AKR-ja është e shqetësuar me vendimin e Kusari-Lilës ngase, siç ka thënë ai, është krijuar monopol, janë dëmtuar në masë të madhe edhe bizneset edhe qytetarët.

Por, këtë kërkesë e ka mohuar shefja e Grupit Parlamentar të Aleancës Kosova e Re, Myzejene Selmani, e cila i ka thënë “Zërit” nëpërmjet telefonit se nuk ka dëgjuar për diçka të tillë. Unë nuk di që kemi kërkuar, po të ishte kjo e vërtetë, do ta dija, sepse unë jam shefe e Grupit Parlamentar. Po të ishte kjo e vërtetë unë do të njoftohesha edhe nga zyra e kryeministrit Thaçi”, ka thënë ajo.

Edhe ministrja Kusari-Lila ka thënë se nuk është në dijeni nëse ndokush ka kërkuar nga kryeministri shkarkimin e saj. Megjithatë, ajo shton se është në dorën e kryeministrit Thaçi që të shkarkojë e emërojë ministra, prandaj siç thotë ajo “nuk dëshiron të komentojë vendimet e mundshme të kryeministrit”.

Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë ka nënvizuar se vendimi i saj për taksën për çimenton është në përputhje me ligjin. “Deputetët mund të kërkojnë ndryshimin e ligjit, por ata janë vetë që e kanë votuar atë ligj”, thotë Kusari-Lila.

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Adem Grabovci, mohoi informacionet se është kërkuar shkarkimi i ministres Kusari-Lila.

Ai ka theksuar se nëse konstatohet se vendimi i ministres së Tregtisë dhe Industrisë është i padrejtë apo i dëmshëm, atëherë kryeministri do ta anulojë atë vendim.

Megjithatë, kryeministri Thaçi vështirë se do ta marrë parasysh kërkesën e tyre, ngase, siç ka thënë ai, ministrja Kusari-Lila ka mbështetje nga bashkësia ndërkombëtare. “Nuk besoj se kryeministri do ta shkarkojë ministren, sepse ajo e ka mbështetjen e fuqishme të ndërkombëtarëve. Madje, ajo ka ardhur në këtë dikaster dhe është emëruar edhe si zëvendëskryeministre për faktin se kanë insistuar shumë ndërkombëtarët”, thotë ky burim.

Kohë më parë ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari-Lila, ka marrë vendim për vendosjen e tarifës prej tridhjetë e pesë për qind për import të çimentos nga Shqipëria.

Ky vendim ka ngjallur reagime të shumta tek subjektet politike në Kosovë, përfshi pozitën dhe opozitën, ndërsa i pakënaqur është shprehur edhe ambasadori i Shqipërisë në vendin tonë, Islam Lauka.

Përveç deputetëve të partive opozitare, të cilët kanë paralajmëruar se nëse ministria e Tregtisë dhe Industrisë nuk e shfuqizon këtë vendim, i cili sipas tyre është marrë për përfitime personale të ministres, ata do të kërkojnë shkarkimin e saj nga ky post, edhe partia më e madhe në vend, Partia Demokratike e Kosovës, është shprehur kundër vendimit të ministres.

Deputeti i PDK-së, Shaip Muja, kohë më parë ka deklaruar se ky vendim është shumë i dëmshëm, prandaj duhet të anulohet, ndërsa bashkëpartiaku i ministres Kusari- Lila, deputeti Emin Gërbeshi, përpos që është kundër këtij vendimi, është përkujdesur për mbledhje të nënshkrimeve nga deputetë tjerë, në mënyrë që Kusari- Lila të paraqitet në interpelancë seancën e radhës të Kuvendit të Kosovës. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Tuesday, 26 June 2012 19:21

Prishtinë – Vendimi për marrjen e masave të përkohshme mbrojtëse në importin e çimentos për të gjitha vendet, duke vendosur një tarifë prej 35 për qind në import të saj, do të ndryshojë. Vendimi  i ri do të merret deri në fund të kësaj jave. Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari-Lila, thotë se nuk po e përshpejton procesin e heqjes së masave të përkohshme shkaku i presionit e as frikës për shkarkim.

Në një intervistë për “Kohën Ditore”, ajo ka bërë të ditur se janë afër finalizimit të analizës dhe brenda kësaj jave mund të merret një vendim për ndryshimin apo anulimin e tërësishëm të vendimit, të cilin e kishte marrë 10 ditë më herët. Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë nuk është penduar se e ka marrë këtë vendimin, që për të nuk është i gabuar. Vendimi, sipas saj, është marrë në mbrojtje të prodhimit vendor të çimentos.

Arsyeja e marrjes së vendimit është rekomandimi i grupit punues të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, pas kërkesës së kompanisë “SharrCem” për shfrytëzimin e ligjit mbi masat mbrojtëse për prodhuesit vendorë, sqaron ajo. Ky ligj mundëson vendosjen e masave të përkohshme, pastaj konsultimin me të gjitha palët e përfshira dhe natyrisht rekomandimi i grupit që ka përcjellë situatën e tregut të çimentos dhe faktit se është vërtetuar se për një periudhë të shkurtër sasia e importuar e çimentos është rritur për 1500 për qind, apo prej një tregu prej 3 për qind të importuesve në rritje 35 për qind pa ndonjë ndryshim substancial të çmimit, gjë që ka ndikuar drejtpërsëdrejti në rrezikshmërinë e prodhuesit vendor. Dhe si reagim për një situatë të tillë ata kanë kërkuar inicimin e masave të përkohshme mbrojtëse dhe pas një muaji të analizimit të situatës në terren ka ndodhur marrja e këtij vendimi që ka bërë barazimin e çmimit të prezantuar në kufi me atë në treg, që do të thotë 35- përqindëshi është vendosur si rrjedhojë e çmimit të prezantuar në kufi dhe çmimit të tregut për atë çimento të importuar.

E pyetur se nëse del se nuk ka pasur nevojë për një vendim të tillë, a do të ketë shkarkime, Kusari-Lila u përgjigj: Jo, në asnjë mënyrë, për shkak se baza në të cilën është marrë rekomandimi është bazë e qëndrueshme. Këtu ose është informalitet aq i madh në ekonominë e ndërtimit dhe aty ku përdoret çimentoja, pasi ka pasur një rritje aq të madhe në përputhshmëri me nevoja të tregut, ose ka ndodhur diçka, në këtë rast kemi nevojë për kontroll më të madhe me inspektorë ose arka fiskale. Ne e dimë që i kemi bërë hapat e domosdoshëm për mbrojtjen e prodhuesit. (K.D)

12