Lajme Shqip Wednesday, 22 February 2012 12:59

Presidenti i Napolit, Aurelio De Laurentis, ka shuar paksa entuziazmin e tifozëve të kësaj skuadre pas fitores kundër Çelsit, duke lënë të kuptohet se autori i dy golave në këtë sfidë, Ezekiel Laveci, mund të largohet gjatë merkatos verore.

Ky i fundit, në kontratën e tij ka një klauzolë largimi prej 31 milionë eurosh dhe shumë klube tashmë janë të gatshme të paguajnë për të bërë të tyrin futbollistin që gjunjëzoi Çelsin.

“Nuk jam penduar që kam vënë në kontratë klauzolën e largimit prej 31 milionë eurosh për Lavecin. Ai është një simbol i skuadrës dhe nëse dëshiron të qëndrojë, nuk lëviz nga këtu”.

“Por nëse nuk dëshiron të qëndrojë, nuk mund të bëj njerëzit të punojnë pa dëshirë, pasi atëherë do të mungonte ajo “ngjitja” me fanellën tonë që është thelbësore për Napolin”, deklaroi presidenti i klubit italian duke lënë të nënkuptohet se zgjedhja është krejtësisht në dorën e futbollistit argjentinas. (LajmeShqip.com)

 

 
Lajme Shqip Wednesday, 22 February 2012 10:02

Eshli Kol dhe Frenk Lampard i kanë shpallur luftë Andre Vijas-Boas, ndërsa mediat britanike kanë raportuar për një zënkë mes mbrojtësit dhe trajnerit. Ky i fundi ka çuditur të gjithë duke lënë jashtë formacionit me Napolin 2 nga lojtarët me më shumë eksperiencë, Kol dhe Lampard, duke preferuar Bosingua e Maluda.

Por shkaku i injorimit ka qenë fakti që dy “veteranët” kanë kritikuar hapur taktikat e përzgjedhura nga trajneri, ndërsa mbrojtësi raportohet të ketë bërë debat me trajnerin portugez. Gjithçka ka filluar në mbledhjen e të dielës ku AVB u ka kërkuar lojtarëve të japin mendime për gjendjen e keqe të ekipit.

Lampard dhe Esien kanë treguar opinionin e tyre, por Eshli Kol ka qenë ai që ka bërë kritikat më të ashpra.

“Unë kam ardhur këtu për të fituar trofe e medalje por nuk do ta bëj kurrë një gjë të tillë me taktikat që përdor ti”, ishte kritika e Kol, i cili ka theksuar se e ndjen veten “si robot” pasi Vijas-Boas nuk i jep liri veprimi në skemat e lojës.

Futbollistët e Çelsit u acaruan më shumë me trajnerin kur zbuluan se pikërisht ata që kishin bërë kritika gjatë mbledhjes së të dielës ishin lënë jashtë formacionit me Napolin. Për më tepër, trajneri i tha Kol se e “kishte kthyer në çështje personale”, ndërsa lojtari u acarua sepse portugezi deklaroi më pas në televizione se zgjedhja ishte bërë pasi mbrojtësi i kombëtares angleze nuk ishte fizikisht në 100%.

Si për ironi të fatit, AVB u detyrua të aktivizonte Kol pas vetëm 12 minutash lojë pas dëmtimit të Bosingua. Si Kol, ashtu edhe Lampard, refuzuan të flasin për mediat pas përfundimit të ndeshjes.

Kjo situatë ka acaruar pa masë Roman Abramoviç, i cili ka parë gafat e njëpasnjëshme të ish-zëvendësit të Murinjos, ku ndër më të fundit është ajo e harresës së skemës së lojës në sallën e konferencave të hotelit. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Wednesday, 22 February 2012 08:00

Napoli ka arritur një fitore mjaft domethënëse 3-1 në takimin e parë ndaj Çelsit, të vlefshme për 1/16 të finaleve në Ligën e Kampioneve. Dyshja latinoamerikane e sulmit, Laveci-Kavani, ka udhëhequr ofensivën e napolitanëve që kanë marrë një rezultat historik në këtë sfidë. Kanë qenë miqtë që kanë kaluar në avantazh të parët me anë të Mata, por barazimi ka ardhur vetëm 10 minuta më vonë falë një gjuajtje të pakapshme të Lavecit. Që nga ky moment, në fushë ka ekzistuar thuajse vetëm Napoli që ka gjetur golin e dytë me Kavanin, i aftë të devijojë me gjoks në portë një harkim të Inler. Goli i tretë, që ka mbyllur përfundimisht shpresat e Çelsit, ka ardhur në minutën e 65-të, kur një tjetër kombinim Kavani-Laveci është finalizuar saktësisht nga ky i fundit. (LajmeShqip.com) 

 
Lajme Shqip Tuesday, 21 February 2012 16:49

Andre Vijas-Boas duket se nuk është i përqendruar siç duhet dhe ka komplikuar më shumë pozitat e tij në stolin e skuadrës së Çelsit.

Këtë radhë, gafa e trajnerit portugez të bluve është e rëndë, pasi pas mbledhjes së zakonshme me ekipin, ai ka harruar letrën me formacionin që kishte ideuar në sallë.

Një person brenda hotelit ku qëndron ekipi anglez në Napoli, nuk ka vonuar dhe ua ka shpërndarë skemën e lojës mediave italiane, të cilat i kanë bërë nder napoletanëve duke e publikuar atë ashtu siç e ka vizatuar vetë trajneri portugez.

Sipas kësaj skeme, në formacionin titullar nuk do të jenë as Drogba e as Torres, ndërsa Ramires e Mata në krahë do të mbështetin Starrixh që do të luajë në këtë rast rolin e pykës.

Pas dekonspirimit, pritet vetëm fillimi i ndeshjes për të mësuar nëse AVB do t’i qëndrojë besnik kësaj skeme të studiuar, apo do të improvizojë ndonjë rreshtim tjetër tani që kundërshtari e di mirë se si do të luhet. (LajmeShqip.com)