Lajme Shqip Thursday, 15 March 2012 00:05

Të Çelsi vendosin lojtarët! Ky është përfundimi që kanë nxjerrë thuajse të gjithë pas mbrëmjes historike ku londinezët fituan 4-1 ndaj Napolit pas kohëve shtesë dhe u kualifikuan mes 8 skuadrave më të mira të kontinentit. Nën drejtimin e Andre Vijas-Boas, londinezët u mundën 3-1 në Itali pa dhënë sinjale të lojës cilësore dhe kaluan në krizë rezultatesh edhe në Kupën FA e kampionatin anglez. Që prej largimit të tij dhe caktimit të Di Mateos si trajner i përkohshëm, gjithçka ecën mirë dhe këtë e ka provuar kualifikimi i mbrëmshëm. 

Në fakt, skuadra duket se nuk ka nevojë për trajner në pankinë sepse ka në fushë 3 të tillë: Xhon Terri, Frenk Lampard e Didier Drogba. Kush mendonte se “veteranët” kishin mbaruar duhet të ndërrojë mendje pasi kanë qenë ata që kanë mbajtur në shpatulla skuadrën duke e kualifikuar në turin tjetër. Drogba dhe Terri gjetën rrugën e rrjetës për t’i dhënë avantazhin e dyfishtë skuadrës londineze, para se Inler të shkurtonte diferencën në 2-1. Por një penallti e transformuar saktësisht nga Lampard bëri që koha e rregullt të mbyllej 3-1 dhe ndeshja të shkonte në shtesë.

Pamja e Xhon Territ që jepte udhëzime nga stoli pas zëvendësimit të tij tregoi qartë se kush bën ligjin në skuadër dhe se Di Mateo ishte vënë thjesht sa për figurë. E në një ekip ku janë lojtarët që vendosin, gjërat shkojnë ashtu siç duhet. Një tjetër perlë e Drogba, këtë radhë në formën e pasimit për Ivanoviç, kurorëzohet nga mbrojtësi me golin e kualifikimit në minutën e 105-të, që i jep mundësinë londinezëve të kalojnë para.

Me atë që u pa në këtë ndeshje, Abramoviç duhet të mendohet seriozisht nëse ka nevojë të shpenzojë para të tjera për të afruar një trajner me emër, apo t’u besojë vetë lojtarëve të cilët realizuan një nga përmbysjet më epike në historinë e klubit. (LajmeShqip.com)