Lajme Shqip Thursday, 16 February 2012 14:21

Arsen Venger ka kritikuar skuadrën e tij për ndeshjen kundër Milanit në Ligën e Kampionëve.

Një humbje 4-0 në ndeshjen e parë në “San Siro” duket se pambyllur gjithë rrugët për kualifikim të Arsenalit ndërsa trajneri francez mendon se kjo ishte nata më e keqe në karrierën e tij.

“Ky ishte një rezultat shokues dhe një shfaqje shokuese”, pranoi Venger pas ndeshjes.

“Ne kemi bërë gabim pas gabimi dhe u ndëshkuam me meritë. Kjo është një natë që ne kurrë nuk do ta harrojmë. Nata më e keqe në garat evropiane deri më tani. Nuk kishte asnjë moment në 90 minuta që ne morëm lojën në dorë. Ne ishim shumë të varfër në sulm dhe në mbrojtje dhe ne kurrë nuk ishim në lojë”.

“Nuk do të ishte e drejtë për mua që të fajësoja dikë në veçanti. Kjo është një fatkeqësi, sepse performanca jonë nuk ishte në të njëjtin nivel me Milanin”.

Trajneri ka insistuar se zgjedhjet taktike nuk kanë qenë të gabuara, ndërsa më pas shtoi se shanset për të kaluar turin janë inekzistente.

“Ne nuk jetojmë në një botë me ëndrra dhe ne duhet të jemi realistë”, tha ai.

“Ndoshta janë 2% mundësit që ne të mund të kalojmë në fazën tjetër, por duhet të jemi realistë sepse ne thuajse jemi eliminuar nga ky turne”.

“Unë nuk mund të them se kam bërë gjithçka të përkryer, kur ne kemi humbur 4-0, por unë nuk besoj se kemi bërë gabime të mëdha taktike”.

“Ne kemi ambiciet tona dhe të gjithë lojtarët janë shumë të trishtuar. Por tani ne duhet të rrimë së bashku dhe të fitojmë ndeshjen e ardhshme”, përfundoi Venger duke iu referuar sfidës së Kupës FA ndaj Sandërlend. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Thursday, 16 February 2012 11:57

Silvio Berluskoni ka përshëndetur fitoren e skuadrës së Milanit 4-0 ndaj Arsenalit në Ligën e Kampionëve.

Kampionët në fuqi të Serie A morën një fitore të rehatshme në “San Siro”, e cili me sa duket i jep Milanit të drejtën të mendoj për çerekfinalet dhe ish-Kryeministri italian nuk mund të fshehë gëzimin e tij për rezultatin pas ndeshjes. “Duhet tu jesh i lumtur kur fiton në mënyrë aq bindëse”, ka thënë Berluskoni për “Sky Sport Italia”. “Ishte një shfaqje e madhe me plot gjëra të bukura, me meritën e të gjithëve”.

Ai ndërkohë zbuloi se ai nuk ishte i etur për sjellë sulmuesin e Mançester Siti, Karlos Tevez në klub, pavarësisht se Adriano Galiani kishte arritur marrëveshje me të, duke pretenduar se trajneri Masimiliano Alegri ka opsione të mjaftueshme në sulm.

“Unë kurrë nuk bëra thirrje për ardhjen e Tevez. Ne kemi El Sharaui dhe po ashtu morëm edhe Maksi Lopez nga Katania, i cili është një qendër-sulmues i vërtetë dhe luftarak”.

75-vjeçari përfundoi duke shprehur admirimin e tij për kampionët aktual evropianë të Barcelonës, para se të dërgoj një paralajmërim për rivalin e kampionatit, Juventusin, për të cilin ai mendon se është inferior ndaj Milanit.

“Më pëlqen loja e shfaqur nga Barcelona. Unë preferoj Barcelonën para Real Madridit, edhe pse këto të fundi kryesojnë La Liga. Si ekip, ne jemi superiore ndaj Juventusit”, u mburr Berluskoni. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Wednesday, 15 February 2012 23:20

Milan duket se ka prerë biletën për në çerekfinalet e Ligës së Kampioneve, pasi ka mundur me rezultatin e thellë 4-0 Arsenalin. Në një ndeshje që pritej me shumë rivalitet, në fushë është parë thuajse vetëm Milani që ka shfrytëzuar më së miri rastet e krijuara dhe me përjashtim të ndonjë mrekullie të “topçinjve” në ndeshjen e kthimit, ka hipotekuar kualifikimin mes 8 skuadrave më të mira. 

Kuqezinjtë kanë kaluar në avantazh që në minutën e 15-të, kur Kevin Prins Boateng ka depërtuar në zonë dhe me një predhë diagonale ka mposhtur portierin e Arsenalit. Miqtë mundohen të reagojnë, por është përsëri Milan që gjen rrugë e rrjetës, këtë radhë me Robinjon që devijon me kokë në portën kundërshtare një pasim në qendër të Ibrahimoviç. Sulmuesi brazilian është autor edhe i golit të tretë, këtë radhë pasi përfiton nga rreshtimi i gabuar i mbrojtjes së Arsenalit dhe gjen rrjetën me një gjuajtje në hyrje të zonës. Goli i katërt i ndeshjes erdhi si rrjedhojë e një 11-metërshi të fituar dhe të transformuar saktësisht nga Ibrahimoviç. Reagimet e vetme të Arsenalit vijnë nga këmbët e Van Persit, por në ato pak raste kur ai u shfaq para portës së Milan, Abiati nuk e lejon të shënojë as golin e ngushëllimit duke bërë disa ndërhyrje vendimtare.

Tani Milan shkon i qetë në Londër për ndeshjen e kthimit, pasi vështirë se “topçinjtë” do të përmbysin një rezultat kaq të thellë për të arritur kualifikimin. (LajmeShqip.com)