Lajme Shqip Wednesday, 15 February 2012 10:25

Lionel Mesi mund të cilësohet pa frikë si një prej sulmuesve më të mirë të të gjitha kohërave që tani, ndonëse është vetëm 24 vjeç. Fituesi i trefishtë i “Topit të Artë”, vazhdon të çuditë me statistikat e tij para porte, ndërsa mbrëmë është kthyer në golashënuesin më të mirë të historisë së Ligës së Kampioneve për fazën e eliminimit direkt me 19 gola. 

Përveç golit të mbrëmshëm, i 7-ti këtë sezon në turne ku të gjithë janë shënuar jashtë fushe, viktimat e tjera të Mesit në fazën e eliminimit direkt kanë qenë Arsenal (4), Real Madrid (2), Mançester Junajtid (2), Bajern Mynih (2), Sëlltik (2), Shtutgart (2), Lion (1) dhe Shakhtar Donetsk (1). Në këtë renditje të veçantë, ai ka kaluar Raul dhe Andri Shevçenko, të cilët janë shumë pranë “pensionit” dhe vështirë se mund të shqetësojnë tashmë futbollistin argjentinas.

Ai ka 44 gola në total në turneun më të rëndësishëm evropian për klube, duke qenë që tani i 6-ti në listën e golashënuesve më të mirë të të gjitha kohëve pas Raul (71), Rud van Nistelroi (56), Tierri Henri (55), Shevçenko (48) dhe Inzagi (46) ndërsa rivali i tij, Kristiano Ronaldo, gjendet vetëm në vendin e 10-të me 31 gola të shënuar.

Mënyra se si shënon ai në këtë turne ka mahnitur edhe kundërshtarët. Trajneri i Arsenalit, Arsen Venger, ndaj të cilit Mesi shënoi katër gola në një ndeshje në çerekfinalet e sezonit 2009-2010, i vuri atij nofkën “Playstation”, duke parë se si argjentinasi gjente pa problem rrugën e rrjetës.

Por vetë lojtari nuk mendon për rekordet, por si t’i kthehet sukseseve në kampionat ku Barça është 10 pikë larg Realit të Madridit. “E dinim që do të ishte një ndeshje e vështirë. Ishte rëndësishme të ndryshonim ritmin, në krahasim me kampionatin. E dimë që ky i fundit është shumë i vështirë, por do të tentojmë t’i shkojmë deri në fund”, ishte komenti i tij i vetëm pas takimit me Leverkusen. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Wednesday, 15 February 2012 09:32

Pep Guardiola është shfaqur më i qetë para gazetarëve pas përfundimit të takimit të Ligës së Kampioneve të fitua përballë Bajer Leverkusen. Tekniku i fituesve në fuqi të turneut ka dhënë fillimisht shpjegimet për mungesat e lojtarëve të rëndësishëm, ku Ksavi dhe Pike e kanë ndjekur takimin nga tribuna.

Sipas tij, ky nuk ishte një ndëshkim për Pike, i cili ka shfaqur një formë të dobët gjatë javëve të fundit. “Nuk ka një moment negativ të lojtarit dhe Pike nuk është inatosur prej vendimit tim. Ai e di që e dua si futbollist dhe gjatë këtyre katër viteve kemi vendosur shpeshherë që ka lojtarë që qëndrojnë në tribunë. Xherard është i paprekshëm për ne. Sot thjesht desha që të luanim kështu dhe preferova që Bartra të ishte në pankinë”, deklaroi Guardiola rreth kësaj çështje, duke shtuar se Ksavi nuk kishte rikuperua ende ndaj kishte përfunduar në tribunë.

Duke iu kthyer ndeshjes, tekniku katalanas vlerësoi edhe një herë atë që shfaqi skuadra në pjesën e dytë. “Kemi luajtur mirë, por sidomos në pjesën e dytë të ndeshjes, duhet të bënim më shumë në fillimin e saj. Gjermanët na vunë në vështirësi fizikisht pasi janë më të fortë në vrapim. Gjermanët janë problematikë pasi mendojnë se mundët të të shënojnë në çdo moment. Ata kanë vetëbesim të madh ndaj të shënonim 3 gola në fushën e tyre ishte një gjë shumë e mirë”.

“E di që njerëzit mendojnë që i vetmi rezultat i mirë për ne është fitorja 4-0. Ne Pikturohemi sikur ne nuk jemi në një formë të mirë por ju them se këta djem janë artistë në artin e konkurrimit, ndaj këto thashetheme janë të kota”, u shpreh ai.

Në fund nuk mund të mungonin vlerësimet për Lionel Mesin, në një tjetër natë të jashtëzakonshme për talentin argjentinas. “Mesi është lojtari më i mirë. Jemi me fat që e kemi në skuadrën tonë. Sulmuesit kanë nevojë për gola që të ndjehen mirë, por Mesi e ka kaluar prej kohësh këtë fazë. Ai shënoi një gol të bukur dhe bëri aksione po aq të bukura. Sa për Sançez, do të kisha dashur të mos e mbaja aq shumë në fushë. Ai ka bërë një punë shumë të mirë, pas arrin të mbulojë gjithë fushën dhe unë jam i lumtur për këto suksese personale që po arrin”, përfundoi trajneri i katalanasve. (LajmeShqip.com)

 

 

 
Lajme Shqip Wednesday, 15 February 2012 01:17

Kampionati dhe Liga e Kampioneve janë dy gjëra krejtësisht ndryshe për Barcelonën, e cila në aktivitetin ndërkombëtar jep gjithmonë më të mirën. Ekipi katalanas ka mundur pa shumë vuajtje 3-1 Bajer Leverkusenin në fushën e këtij të fundit, duke marrë një sukses që praktikisht i hipotekon kalimin mes 8 më të mirëve.

Në fakt, katalanasit e kanë bërë këtë gjë më sforcon minimale, duke patur edhe luksin të lënë në tribunë Ksavi e Pike. Për të zgjidhur telashet e Guardolës mendon Aleksis Sançez, i cili në rastin e parë të vërtetë të pjesës së parë, e dërgon topin mes këmbëve të portierit kundërshtar. Por Leverkusen zgjohet në fillimin e pjesës së dytë dhe barazon me anë të Kadlec. Gëzimi zgjat vetëm 3 minuta, aq sa i duhet Fabregas për të dhënë një pasim të artë për Sançez, që është i pagabueshëm duke kaluar përsëri para Barçën. Minutat e mbetura janë një monolog i sulmuesve të ekipit spanjoll me portierin vendas, ndërsa Mesi fillimisht gjen shtyllën, e më pas vulos takimin me golin e tretë.

Në ndeshjen tjetër, Olimpiku i Lionit ka mundur me rezultatin minimal 1-0 APOEL të Qipros, ndonëse ka zhvilluar thuajse të gjithë ndeshjen në gjysmëfushën kundërshtare. Lakazet ishte autor i golit të vetëm të ndeshjes në minutën e 12-të të pjesës së dytë, ndërsa portieri Kiotis i qipriotëve, shpëtoi të paktën 3 raste të tjera të sigurta. Në këtë sfidë gjithçka mbetet e hapur për ndeshjen e kthimit, pasi skuadra e parë qipriote që kalon në këtë tur të Ligës së Kampioneve, ka treguar se me mbështetjen e tifozëve të saj të zjarrtë, është një kockë e fortë për çdo kundërshtar. (LajmeShqip.com)