Lajme Shqip Friday, 16 March 2012 20:10

Rui Kosta, drejtor sportiv i Benfikës

“Të gjithë e dinë potencialin e Çelsit por ju siguroj se Benfika ka armët e veta dhe është e përgatitur për këdo. Kjo sfidë do të jetë shumë e balancuar. Ndeshja e dytë atje? Do të luajmë këtu më parë! Faktori fushë është i rëndësishëm, por jo sa ka qenë më parë. Nuk jemi të trembur që luajmë fillimisht në shtëpi e pastaj në Londër. Ne jemi të përgatitur për gjithçka. Nuk mund të mendojmë që tani për Milan apo Barcelonën. Me ta luan ai që kalon çerekfinalet”.

Roberto Di Mateo, trajner i përkohshëm i Çelsit

“Çdo short është i vështirë kur mbeten 8 skuadrat e fundit. E kam parë Benfikën disa herë, ata ishin te grupi i Mançester Junajtid. Kjo është një ndeshje e vështirë për ne. Gjysmëfinale me Barcelonën? Kaq shpejt e eliminuat Milanin, kryesuesin e Serisë A? Ne do t’i marrim gjërat ndeshje pas ndeshje. Kjo është ajo që kam mësuar në karrierën time si lojtar dhe si trajner”. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Friday, 16 March 2012 19:23

Pivos Erotokritu, president i APOEL

“Real Madrid është klubi më i madh në Evropë. Për ne është një nder thjesht të jemi këtu dhe është një nder të kemi shansin të luajmë kundër Realit. Sidomos ndeshjen e parë në fushë tonë, e gjithë Qipro do të jetë aty për ta parë. Ne e dimë që nuk kemi shanse, por çfarëdo shansi që të kemi do ta provojmë pasi nuk kemi çfarë të humbasim. Kualifikim? Pse jo? Luhet 11 kundër 11. Në disa raste, entuziazmi dhe dëshira për fitore mund të ngushtojnë diferencat”.

Emilio Butragenjo, drejtor i marrëdhënieve me jashtë i Real Madrid

“Kishte disa kundërshtarë të mundshëm shumë të rrezikshëm që ne dëshironim të evitonim dhe ia arritëm qëllimit. Por kjo nuk do të thotë se do të jetë një kualifikim i lehtë. Çdo klub që mbërrin çerekfinalet është në gjendje të tregojë nivel të lartë në këtë turne. Ndeshja e parë, në stadiumin e tyre dhe para publikut të tyre, do të jetë shumë e vështirë por kemi fatin që takimin e dytë ta luajmë në “Santiago Bernabeu”, i cili në netët evropiane kthehet në një ambient shumë të vështirë për çdo rival”. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Friday, 16 March 2012 18:40

Didier Deshamp, trajner i Olimpik Marsejë

“Është e vështirë shumë e vështirë. Sigurisht që ishte e rëndësishme të evitoheshin dy skuadrat spanjolle, por Bajerni është direkt pas tyre. Do të jenë dy ndeshje të mëdha kundër një skuadre gjermane që ka karakteristika: volum loje, fuqi dhe një kuartet ofensiv të fortë me Tomas Myler, Mario Gomez, Frank Riberi dhe Arjen Roben, një portier kombëtareje, një mbrojtje të mirë… Ata janë të fortë por kur mbërrin në këtë pikë, niveli është gjithmonë i lartë”.

Zhoze Anigo, drejtor sportiv i Olimpik Marsejë

“Sigurisht që kemi gjetur një kundërshtar të fortë përballë, po të paktën evituam Realin dhe Barcelonën. Bajerni është një skuadër e mirë por ka disa defekte, siç e kemi parë kundër Bazelit në ndeshjen e parë. Sigurisht që më i lumturi është Riberi, që dëshironte të kthehej në ‘Veldorom’”.

Frank Riberi, futbollist i Bajern Mynih

“Kjo përballje nuk është e lehtë. Në Marsejë ka një atmosferë fantastike, njerëzit jetojnë për futbollin. Do të kemi kundër 60 mijë spektatorë. Por ne jemi Bajerni dhe kemi objektiva të lartë”.

Karl Hainz Rumenige, drejtor ekzekutiv i Bajern Mynih

“Ata mundën Interin ndaj ne duhet të ndjehemi të paralajmëruar. Do të mundohemi të marrim një rezultat të mirë në Marsejë. Gjysmëfinalja? Real Madrid ka një detyrë më të përballueshme ndaj APOEL, por është më mirë sikur të mos mendojmë për një gjysmëfinale të mundshme ndaj tyre. Është e qartë se synojmë gjysmëfinalen, por më parë duhet të hedhim hapin e parë pastaj të dytin”. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Friday, 16 March 2012 17:45

Masimiliano Alegri, trajneri i Milan

“Jemi përballë skuadrës më të fortë në botë por mund të bëjmë më mirë kundër tyre pasi jemi përmirësuar ndjeshëm që prej takimit të fundit që kemi patur bashkë. Këto ndeshje ndaj Barcelonës do të nxjerrin në pah më të mirën e Milanit. Ta shohin me optimizëm, kemi një shans shumë të mirë për të shkuar në finale nëse i eliminojmë ata”

Adriano Galiani, administratori i Milan

“Do të jetë një ndeshje e vështirë për ne dhe për ata. Jo rastësisht jemi skuadra me më shumë tituj në botë. Ka disa vite radhazi që na ecën kështu në short, në 3 vitet e fundit kemi gjetur si Realin, ashtu edhe Barcelonën, ndërsa këtë vit do të luajmë 4 ndeshje kundër skuadrës së Guardiolës. Mesi? Kam parë të luajnë Pele dhe Maradonën  por për mua Mesi mbetet më i forti i të gjitha kohëve. E shoh në formë por shpresoj që të mos jetë në dy takimet kundër nesh”.  

Pep Guardiola, trajner i Barcelonës

“Me Realin në finale? Nuk më shkon mendja të mendoj para kohe as për gjysmëfinalet me Çelsin apo Benfikën. Çerekfinalja do të jetë shumë e vështirë në vetvete. Milani do të jetë një skuadër e fortë. Ne do të na duhet mbështetja e të gjithë tifozëve ndaj tyre. Ata kanë lojtarë me eksperiencë, krijojnë lehtësisht raste dhe kanë një mbrojtje të mirë. Për të fituar Ligën e Kampioneve, duhet të mundësh më të mirët dhe Milani është një prej më të mirëve”.

Andoni Zubizarreta, drejtor sportiv i Barcelonës

“Shorti ishte i tillë dhe do të përballemi me atë që na ka rënë përpara. Guardiola kishte thënë se nuk do t’i pëlqente t’i binte Milani por pikërisht këtë kemi përballë. Kjo është edhe prova e madhështisë së këtij turneu. Të paktën jam i lumtur se kemi ndeshjen e  kthimit në fushën tonë”. (LajmeShqip.com)

 

 
Lajme Shqip Friday, 16 March 2012 14:02

Dëshira e Mishel Platini për të patur një finale të Ligës së Kampioneve Real Madrid-Barcelona, mund të bëhet realitet, gjithmonë nëse dy klubet arrijnë deri në ndeshjen që luhet në Mynih.

Shorti i hedhur sot ka evituar një përplasje të mundshme mes dy gjigandëve spanjollë si në çerekfinalet e turneut, ashtu edhe në gjysmëfinale, me të vetmen mundësi atë të takimit në finalen e 19 majit.

Real Madrid mori kundërshtarin që të gjithë dëshironin, APOEL Nikosinë, ndërsa Barcelona do të ketë padyshim sfidën më të vështirë përballë italianëve të Milan.

E vetmja skuadër angleze që ka mbetur në garë, Çelsi, do të vihet përballë portugezëve të Benfikës, ndërsa çerekfinalja e katërt do të dhurojë një përballje mes Marsejës dhe Bajern Mynihut.

Ndërkohë, në gjysmëfinale, fituesi i çifti APOEL-Real Madrid do të përplaset me fituesin e çiftit Marsejë-Bajern Mynih. Ndërsa gjysmëfinalja tjetër do të vërë përballë fituesin e çiftit Milan-Barcelona, me fituesin e çiftit Benfika-Çelsi. (LajmeShqip.com)

Çerekfinalet

27/28 mars dhe 3/4 prill

APOEL-Real Madrid

Marsejë-Bajern Mynih

Benfika-Çelsi

Milan-Barcelona

Gjysëmfinalet

17/18 prill dhe 24/25 prill

Marsejë/Bajern Mynih- APOEL/Real Madrid

Benfika/Çelsi-Milan/Barcelona

Finalja

19 maj në Mynih