Lajme Shqip Tuesday, 28 May 2013 19:11

UEFA ka publikuar listën e çmimeve të këtij sezoni në Ligën e Kampioneve, në kategori të veçanta kolektive e individuale, si dhe gjërave që kanë spikatur më shumë në edicionin që sapo përfundoi:

Skuadra më e mirë: Bajern Mynih

Ekipi bavarez u hakmor në mënyrën më të mirë të mundshme për atë finale të humbur në vitin e kaluar me penallti përballë Çelsit, pa harruar këtu edhe dy trofetë kombëtare që i rrëmbeu Borusia Dortmund. Fitorja me 25 pikë diferencë e titullit kampion në Bundesligë, suksesi i pabesueshëm 7-0 ndaj Barcelonës në gjysmëfinale dhe pastaj një finale drithëruese e vendosur në minutat e fundit, kthyen përsëri Bajernin në majën e futbollit evropian.

Goli i sezonit: Filip Mekses (Milan)

Filip Mekses nuk shënonte që nga marsi i vitit 2011, para se të shkëlqente me golin e shënuar në këtë edicion ndaj Anderleht në fazën në grupe. Pasi kontrolloi topin me gjoks ndërsa ishte me shpinë nga porta, rreth 20 metra distancë, ai goditi topin me roveshatë duke shënuar në mënyrë spektakolare një gol aspak tipik për një qendërmbrojtës.

Trajneri i vitit: Jurgen Klop

Dortmundi mund të ketë përfunduar i dyti, por loja e skuadrës dhe sidomos trajneri karizmatik Jurgen Klop bënë diferencën duke merituar lëvdata nga të gjithë. Klop ka arritur të transformojë këtë skuadër që nga viti 2008 kur mori drejtimin e saj, duke e bërë një pretendente serioze edhe për trofe ndërkombëtarë të këtij kalibri. “Pas dy vitesh finalja është në Berlin. Do të ishte një mënyrë shumë e bukur për t’u kthyer këtu”, ishte premtimi i tij pas finales së humbur.

Rezultati: Barcelona-Bajern Mynih 0-7

Fitorja më e thellë e përgjithshme në gjysmëfinalet e Ligës së Kampioneve, hera e parë në 26 vitet e fundit që Barcelona humb të dy ndeshjet e një faze eliminimi direkt dhe humbja më e thellë në çdo turne për 6 vitet e fundit e katalanasve (4-0 në ndeshjen e parë në Mynih). Sido që ta shohësh, ky ishte një rezultat që tronditi futbollin evropian, pasi ra miti i asaj që cilësohej si skuadra më e fortë në botë.

Momenti i veçantë: Ivan Krstanoviç (Dinamo Zagreb)

Dinamo kishte humbur të 5 ndeshjet e para në grup pa shënuar asnjë gol. Ndërsa po bëhej gati t’i bashkohej Deportivo La Korunja (2004-1055) dhe Makabi Haifa (2009-1010) si të vetmet skuadra që nuk kanë shënuar në asnjë prej ndeshjeve në fazën në grupe, sulmuesi Krstanoviç fitoi dhe më pas realizoi një penallti në kohën shtesë të takimit kundër Dinamo Kiev, pas 567 minutash “thatësi”.

Pritjet: Kristian Abiati (Milan)

David De Gea shkëlqeu ndaj Real Madrid, Xho Hart ishte i jashtëzakonshëm ndaj Borusia Dortmund dhe Frezër Forster i rezistoi çdo sulmi të Barcelonës. Por paraqitja më mahnitëse e vitit i shkon Kristian Abiatit i cili dhuroi disa ndërhyrje spektakolare në fushën e Zenit Shën Petersburg, të cilat lanë të shtangur jo vetëm kundërshtarët, por edhe shokët e tij të skuadrës.

Ekipi surprizë: Gallatasaraj

Skuadra turke humbi dy ndeshjet e para në grup ndaj Mançester Junajtid dhe Braga por nuk u dorëzua dhe shkëlqeu më pas duke marrë 10 pikë për të kaluar në turin tjetër. Për më tepër, eliminoi Shalken dhe përballë Real Madrid dha paraqitje që i siguruan vlerësime të jashtëzakonshme.

Lojtari surprizë: Isko (Malaga)

Mesfushori i talentuar tregoi një paraqitje të jashtëzakonshme në sezonin e debutimit të skuadrës së tij në këtë turne. Lojtari që luajti ndeshjen e tij të parë me kombëtaren spanjolle në shkurt të këtij viti, shënoi 3 gola dhe dha 4 pasime në këtë edicion të shkëlqyer.

Numrat domethënës: 100 dhe 50

Në sezonin ku Kristiano Ronaldo luajti ndeshjen e 100-të me Portugalinë dhe Zhoze Murinjo regjistroi ndeshjen e 100-të në Ligën e Kampioneve, ishte futbollisti portugez që shënoi golin e tij të 50-të në këtë turne gjatë humbjes 4-1 në gjysmëfinalen kundër Borusia Dortmund, për t’u shpallur më pas golashënuesi më i mirë i edicionit.

Batuta e vitit: Skot Braun (Sëlltik)

“Po, shohim “Braveheart” dhe para çdo ndeshje veshim kilt (fustanella tradicionale skoceze) dhe vallëzojmë së bashku”. Kjo ishte përgjigja që mesfushori skocez i dha një gazetari rus që e pyeti se si është përgatitja tradicionale e skuadrës para ndeshjeve të Ligës së Kampioneve. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Saturday, 25 May 2013 23:13

Bajern Mynih ka fituar Ligën e Kampioneve duke mundur Borusia Dortmund me rezultatin 2-1 në ndeshjen e luajtur në stadiumin “Uembli” të Londrës. Bavarezët, ndonëse nuk kanë shkëlqyer ashtu si në ndeshjet e mëparshme të këtij edicioni, kanë realizuar me sukses objektivin e tyre duke u treguar cinikë atëherë kur duhej, për të evituar një surprizë nga rivalët e tyre. 

Në fakt ndeshja në fillimet e saj ka folur më shumë për Borusian e cila krijoi disa raste të njëpasnjëshme me anë të Rojs e Levandovski, por Nojer shfaqet i gatshëm dhe devijon saktësisht gjuajtjet e tyre. Më pas e kanë radhën bavarezët të rrezikojnë, me Manxhukiç që godet në mënyrë perfekte me kokë, por Vaidenfeler devijon topin në traversë duke shpëtuar portën. Më pas, kapiteni i Borusias shpëton përsëri portën nga një gol i sigurt me një ndërhyrje vendimtare ndaj Arjen Roben, i cili ishte shfaqur i vetëm para tij.

Holandezi është personazhi negativ i kësaj pjese të parë, pasi edhe në dy raste të tjera ka mundësinë të dërgojë topin në rrjetë, por fillimisht vonohet duke i dhënë kohën mbrojtësve kundërshtarë të largojnë topin, e më pas godet Vaidenfeler në fytyrë, duke humbur një rast të mrekullueshëm për të mbyllur pjesën e parë me avantazhin e bavarezëve.

Pjesa e dytë fillon si e para, me Borusian në sulm, por Bajerni godet me kundërsulm dhe në minutën e 60-të të ndeshjes kalon në avantazh. Është një kombinim Riberi-Roben, me këtë të fundit që pason në qendër duke kaluar Vaidenfeler dhe duke i krijuar mundësinë Manxhukiç që vetëm të dërgojë topin në rrjetë.

Por avantazhi bavarez zgjat vetëm 8 minuta, pasi është Dante që i jep një ndihmë të madhe Borusias, duke shkaktuar një 11-metërsh qesharak ndaj Rojs, për më tepër i falur nga gjyqtari Ricoli që mund ta kishte larguar me karton të kuq. Nga pika e bardhë gjuan Gundogan që barazon rezultatin, duke kthyer edhe një herë buzëqeshjen në fytyrat e “kanarinave”, të cilët në fakt nuk kishin shfaqur inferioritet ndaj Bajernit.

Por duket se skuadra e Klop kishte shpenzuar shumë deri në këto momente dhe bie në minutat e fundit, duke i lënë iniciativën bavarezëve. Myler sheh Subotiç të shpëtojë portën me një ndërhyje vendimtare dhe më pas gjuajtja e Alaba gjen reagimin e Vaidenfeler, i cili përsërit veten pak minuta më vonë pas gjuajtjes së Shvajnshtajger.

Por as kapiteni i Borusias nuk mund të bëjë asgjë ndaj depërtimit dhe gjuajtjes së Roben që dërgon topin në rrjetë në minutën e 89-të, duke shlyer të gjitha gabimet e pjesës së parë të ndeshjes dhe finaleve të kaluara duke i dhënë trofeun Bajernit. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Thursday, 23 May 2013 10:58

– Finalja e të shtunës do të jetë e 58-ta që nga momenti kur ky turne filloi në sezonin 1955-1956, me Real Madrid që fitoi 5 edicionet e para.

– Bajern Mynih është në vendin e tretë në listën e finalistëve, pasi ka arritur në këtë fazë të turneut për 9 edicione të mëparshme, duke fituar 4 në vitet 1974, 1975, 1976 dhe 2001, ndërsa ka humbur 5 finale në vitet 1982, 1987, 1999, 2010 dhe të vitit të kaluar kur u mund në Mynih përballë Çelsit me penallti.

– Real Madrid mban rekordin e paraqitjeve në finale me 12 të tilla, i ndjekur nga Milan me 11. Paraqitja e Bajern Mynih të shtunën do të jetë e pesta që nga momenti kur turneu mori emrin Liga e Kampioneve, duke ndjekur vetëm Milanin që ka 6 paraqitje mes viteve 1993 dhe 2007.

– Borusia Dortmund po përgatitet të marrë pjesë në finalen e dytë të historisë së vet, pasi ka fituar atë të mëparshmen në vitin 1997, kur mundi 3-1 Juventusin në Mynih.

– Otmar Hitzfeld është vetëm një nga tre trajnerët që kanë fituar Ligën e Kampioneve me dy klube të ndryshme, duke udhëhequr Borusia Dormtund në vitin 1997 dhe pastaj duke çuar drejt suksesit Bajern Mynih në vitin 2001.

– Dy trajnerët e tjerë janë Ernst Hapel me Fejenord në vitin 1970 dhe Hamburg në vitin 1983, si dhe Zhoze Murinjo me Porton në vitin 2004 dhe Inter në vitin 2010.

– Franc Bekenbauer u bë lojtari i pari që ishte kapiten i fituesve të Ligës së Kampioneve për tre edicione të njëpasnjëshme me Bajern në vitet 1974, 1975 dhe 1976. Ndonëse Real Madrid fitoi 5 finale radhazi nga viti 1956 deri në vitin 1960, ata kishin 3 kapitenë të ndryshëm.

– Që nga momenti kur formati i turneut u ndërrua në atë të Ligës së Kampioneve, në sezonin 1992-1993, asnjë skuadër nuk ka fituar një përqindje më të madhe ndeshjesh për të fituar trofeun sesa Borusia Dortmund në vitin 1997. Ata fituan 9 nga 11 ndeshjet e luajtura, 81.8% të takimeve të zhvilluara. Në kontrast, kur Mançester Junajtid fitoi trofeun në vitin 1999, përqindja e fitoreve të tyre regjistroi rekordin më të ulët të sukseseve me 45.5%.

– Në sezonin pasardhës, kur Borusia Dortmund ishte mbajtëse e trofeut, mundi në çerekfinale Bajern Mynih me rezultatin e përgjithshëm 1-0.

– Numri më i vogël i tifozëve të regjistruar për një finale të Ligës së Kampioneve ishte për finalen e përsëritur në vitin 1974, kur Bajern mundi Atletiko Madrid me rezultatin 4-0 në stadiumin “Heisel” në Bruksel me 17 maj. Atë ndeshje e ndoqën vetëm 23325 tifozë. Ndeshja e parë e skuadrave, e përfunduar 1-1 dy ditë më parë, ishte ndjekur nga 48772 tifozë.

– Georg Shvarcenbek shënoi golin e barazimit në minutën e fundit shtesë të asaj ndeshje për të vulosur barazimin 1-1, por Bajern ka përjetuar një eksperiencë të ngjashme shumë të hidhur në vitin 1999. Atëherë ishin Tedi Sheringam dhe Ole Gunar Solskjaer që shënuan të dy në kohën shtesë, për t’i dhënë fitoren 2-1 Mançester Junajtid në Barcelonë, në atë që është quajtur finalja më dramatike e turneut.

– Kjo është hera e katërt kur dy klube të të njëjtit shtet ndeshen në finale, pas asaj Real Madrid-Valencia të vitit 2000, Milan-Juventus në vitin 2003 dhe Mançester Junajtid-Çelsi në vitin 2008. Ata ndeshje përfunduan me fitoret e Real, Milan dhe Mançester Junajtid, ku Milan e Junajtid fituan me penallti.

– Bajern do të bëhet klubi i parë që fiton dy herë trofeun me penallti nëse arrijnë të triumfojnë në këtë mënyrë në ndeshjen e të shtunës. Ata mundën Valencian 5-4 në finalen e vitit 2001, ndërsa do të bëheshin skuadra e parë që shkon në tre gjuajtje nga penalltia në finale.

– Paulo Sousa është një prej dy lojtarëve që fiton trofeun me dy skuadra të ndryshme në sezone të njëpasnjëshme, pasi fitoi me Borusia Dortmund në vitin 1997, ndërsa një vit më parë e kishte ngritur Kupën me Juventusin. I vetmi lojtar tjetër që ka arritur të njëjtin sukses është Marcel Desai, i cili triumfoi me Olimpik Marsejë në vitin 1993 dhe Milan në vitin 1994.

– Që nga viti 1965, kur Bajern Mynih u ngjit në Bundesligë, dy klubet janë ndeshur 95 herë në të gjitha turnetë, me Bajern që regjistron 41 fitore, Borusia 25 ndërsa 29 ndeshje kanë përfunduar në barazim.

– Rezultati rekord mes dy skuadrave është fitorja 11-1 e Bajern në vitin 1971 në ndeshjen e kampionatit gjerman, që shënon njëkohësisht edhe fitoren më të thellë të historisë së bavarezëve në kampionat.

– Dy skuadrat janë ndeshur katër herë në këtë sezon. Bajerni fitoi 2-1 ndeshjen e parë të sezonit në Superkupën e Gjermanisë në gusht, ndërsa mori hak edhe për disfatën e thellë të finales së Kupës së Gjermanisë me rezultatin 5-2 të një viti më parë, duke mundur Borusian 1-0 në çerekfinalen e Kupës së këtij viti. Dy ndeshjet në kampionat mes skuadrave kanë përfunduar në barazim 1-1.

– Fitorja e përgjithshme 7-0 e Bajern Mynih përballë Barcelonës në gjysmëfinalet e këtij turneu është më e thella e gjysmëfinaleve në historinë e turneut që në fillimin e tij. Bavarezët mbajnë edhe rekordin e fitores së përgjithshme më të thellë të fazës me eliminim direkt, kur eliminuan Sporting Lisbonën me rezultatin e përgjithshëm 12-1 në sezonin 2008-2009. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Saturday, 04 May 2013 11:06

Presidenti i UEFA-s, Mishel Platini, mendon se është ende shumë herët për të folur për një dominim të futbollit gjerman në Evropë, pasi Borusia Dormtund dhe Bajern Mynih arritën në finalen e Ligës së Kampioneve. Suksesi i këtyre dy ekipeve përballë atyre të Real Madrid dhe Barcelonës u vlerësua si meritë e punës së jashtëzakonshme me talentin vendas.

“Çdo vit nxirren konkluzione përsa i përket finalistëve. Ne e thamë të njëjtën gjë 5 vite më parë rreth klubeve angleze kur në finale ishin Mançester Junajtid dhe Çelsi, apo rreth futbollit italian kur në finale ishin Milani dhe Juventusi”, tha Platini i cili duket se nuk ka harruar se si Franca e tij u eliminua dy herë në gjysmëfinalet e Kupës së Botës nga Gjermania në vitet 1982 dhe 1986.

“Nuk i kam dorëzuar kurrë trofeun Ligës së Kampioneve një klubi gjerman gjatë periudhës si drejtues i UEFA-s. Por ky trofe është me cikle. Është një trofe i vështirë për t’u fituar dhe asnjë skuadër nuk e ka fituar atë për dy vite radhazi, ndaj nuk do të nxjerrja kaq shpesh konkluzione mbi faktin se në finale janë dy skuadra gjermane”, deklaroi presidenti i UEFA-s. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Wednesday, 01 May 2013 22:49

Bajern Mynih ka vërtetuar përsëri se është superior ndaj Barcelonës, duke turpëruar edhe një herë katalanasit, këtë radhë në tempullin e tyre, “Kamp Nou”, falë fitores 3-0 që ka mbyllur çdo diskutim të mundshëm se kush është skuadra më e mirë. Ekipi i Jup Heinkes triumfon në total me rezultatin 7-0, duke shkuar në finalen përballë Borusias si favorite kryesore.

Dihej që Barça kishte një detyrë të vështirë, por dukej qartë se askush prej katalanasve nuk besonte në një përmbysje të mundshme, aq sa edhe trajneri Vilanova vendos të mos rrezikojë Lionel Mesin, duke lënë në stol argjentinasin. Katalanasit shfaqen pa fantazi dhe shumë të parashikueshëm, aq sa në pjesën e parë, lojtari më i mirë i tyre është Zherard Pike, i cili shpëton portën e tij në dy raste të pastra të Myler e Roben.

Në pjesën e dytë, me Mesin që vazhdon të qëndrojë në pankinë, pritet një reagim i katalanasve, por Bajerni përfiton nga çekuilibrimi i vendasve për të shënuar golin që i jep fund dyshimeve që në minutën e 49-të. Roben merr një pasim të gjatë dhe pas një kontrolli perfekt, kryen lëvizjen e tij të zakonshme, me depërtim nga e djathta në qendër, duke gjuajtur me të majtën i pashqetësuar për të dërguar topin në rrjetë. 1-0 për Bajernin dhe “Kamp Nou” është në heshtje, pasi tifozeria vendase ka kuptuar se ëndrra mbaroi dhe 6 gola ndaj këtij Bajerni janë të pamundur të bëhen. Edhe Vilanova dorëzohet, duke hequr nga fusha Ksavin, për të mos e rrezikuar më shumë pas dëmtimit të kohëve të fundit. Ndonëse në fushë hidhet Sançez, një sulmues tjetër, është Bajerni që vazhdon të sulmojë dhe të krijojë rrezikshmëri, duke gjetur golin e dytë në minutën 72, me Pike që dërgon në portën e vet topin që po mundohej të largonte pas një harkimi të Riberi.

Kapitullimi total i Barcelonës firmoset në minutën e 76-të, kur përsëri Riberi lëshon një top perfekt për Myler, i cili me kokë dërgon sferën në rrjetë dhe feston bashkë me shokët e tij këtë fitore bindëse. Skuadrat thjesht shtyjnë minutat e mbetura në fushë, ndërsa me vërshëllimën përfundimtare të gjyqtarit Skomina, katalanasit largohen kokulur, duke kuptuar se vitet e tyre kur cilësoheshin si skuadra më e fortë në botë kanë mbaruar dhe për më tepër, ai që i bëri ata më të fortët, vitin tjetër do të ulet pikërisht në stolin e këtij Bajerni, që për momentin duket i pandalshëm.

Megjithatë, në një finale gjermane gjithçka mund të ndodhë, sidomos duke parë bilancin e viteve të fundit të bavarezëve me Borusia Dortmund, e cila i ka krijuar gjithmonë vështirësi. Gjithçka do të zbulohet në finalen e 25 majit, kur futbolli gjerman do të përjetojë një nga netët më të shndritshme të viteve të fundit në nivel klubesh. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Tuesday, 30 April 2013 22:54

Real Madrid ka fituar 2-0 përballë Borusia Dortmund, por kjo nuk ka mjaftuar për t’i siguruar skuadrës spanjolle në vend në finalen e madhe të “Uemblit” ku do të shkoj ekipi gjerman. Në një ndeshje emocionuese nga minuta e parë në të fundit, “Santiago Bernabeu” është kthyer në arenën e një spektakli të jashtëzakonshëm të dhuruar nga të dy skuadrat.

Reali e fillon ndeshjen mjaft vrullshëm, me dëshirën për të shënuar sa më shpejt, por ndoshta pikërisht ky nxitim bën që Higuain, Ronaldo e Ozil të humbin raste që normalisht nuk do t’i kishin shpërdoruar. Nga ana tjetër, Levandovski vazhdon të krijojë panik në mbrojtjen spanjolle dhe vetëm një ndërhyrje e Diego Lopez i mohon gëzimin e një tjetër goli ndaj madrilenëve, pas atyre 4 të shënuar në sfidën e parë. Borusia duhet të bëjë hesapet pas një prej yjeve të saj, pasi Gëtze duron pak minuta në fushë, për t’u larguar iu dëmtuar. Por ndeshja nuk humbet bukurinë, me të dy skuadrat që luajnë hapur dhe krijojnë raste të njëpasnjëshme, por pa gjetur rrugën e rrjetës.

Mbyllja e pjesës së parë në barazim pa gola ndihmon Borusian që futet më e qetë në 45 minuta e dyta dhe duke përfituar nga çekuilibrimi ofensiv i Realit, gjen hapësira për të rrezikuar në kundërsulm. Levandovski ka mundësinë të kalojë në avantazh skuadrën e tij në minutën e 52-të, por topi ndalet në traversën e portës së Diego Lopez. Më pas është vetë portieri që shpëton skuadrën e tij nga goli i KO, me një ndërhyrje instiktive duke bllokuar gjuajtjen e Gundogan.

Duket sikur ndeshja po i shkon fundit dhe Reali nuk ka forcën për të shënuar, as pasi Murinjo hodhi në fushë Benzema, Kaka e Khedira në vend të Higuain, Koentrao e Ksabi Alonso. Por në minutën e 82-të vjen edhe sinjali i parë, me Benzema që dërgon topin në rrjetë pas një pasimi perfekt të Ozil. Reali beson te mrekullia dhe i mbështetur nga tifozeria e zjarrtë e “Santiago Bernabeut” hidhet në sulm duke krijuar rast pas rasti. Kur shënohet minuta e 88-të e ndeshjes vjen edhe goli i dytë, ku këtë radhë është Ramos që gjen rrugën e rrjetës.

Realit i duhet edhe një gol për të përmbushur përmbysjen e madhe, por këtë radhë mrekullia nuk ndodh dhe pas 6 minutave emocionuese shtesë, vërshëllima përfundimtare e Hauard Ueb dekreton emrin e Borusia Dortmund si finaliste të merituar të këtij edicioni të Ligës së Kampioneve. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Wednesday, 24 April 2013 22:52

Liga e Kampioneve në këtë edicion po shkon drejt një finaleje tërësisht gjermane. Pas suksesit 4-0 të Bajern Mynih përballë Barcelonës të martën në darkë, suksesi i ekipeve gjermane ndaj atyre spanjolle është përsëritur me triumfin 4-1 të Borusia Dortmund ndaj Real Madrid. Në një ndeshje që është luajtur thuajse me një portë, ekipi i drejtuar nga Jurgen Klop ka vënë një këmbë në finalen e madhe të majit në “Uembli”. 

Që në minutat e para të ndeshjes, Borusia është shfaqur agresive, duke luftuar për çdo top dhe duke zënë të papërgatitur Realin, i cili nuk e priste një nisje të tillë nga vendasit. Fillimi agresiv i vendasve kurorëzohet me sukses që në minutën e 8-të, me anë të Robert Levandovskit, i aftë që të devijojë qetësisht në rrjetë një harkim perfekt të Gëtze. Reali provon të reagojë disi pas disavantazhit, por Borusia arrin të kontrollojë shumë lehtë çdo iniciativë të spanjollëve, duke mos lënë hapësira dhe duke kundërsulmuar rrezikshëm. Por kur pjesës së parë po i vinte fundi, një pasim i gabuar mbrapa i Humels kthehet në një asist perfekt për Higuain, i cili pason për Kristinao Ronaldon që nuk e ka të vështirë të dërgojë topin në rrjetë për të barazuar rezultatin.

Dëshpërimi i vendasve për të këtë barazim të pamerituar të kundërshtarëve zgjat vetëm 5 minuta në pjesën e dytë, aq sa i nevojitet “magjistarit” Levandoski të tregojë aftësitë e tij me një numër të jashtëzakonshëm në zonë: rrotullim në limitet e pozicionit jashtë loje dhe prekje e topit aq sa për ta dërguar në rrjetë. Pa kaluar as 5 minuta të tjera, polaku tregon një tjetër numër magjik, duke shmangur Pepe në zonë dhe duke dërguar përsëri topin pas krahëve të Diego Lopez me një gjuajtje të pandalshme. Rezultati shkon në 3-1 por Borusia nuk duket e ngopur, përkundrazi sulmon në çdo top lojtarët e Realit dhe vë në vështirësi të dukshme prapavijën e tyre. Rezultat i kësaj loje është edhe 11 metërshi i fituar nga Rois, i transformuar saktësisht përsëri nga Levandovsaki, që shënon në këtë mënyrë katër gola në këtë ndeshje, duke çuar edhe rezultatin në 4-1.

Murinjo nuk ka çfarë të humbasë më dhe hedh në fushë Benzema e Di Maria në vend të Higuain e Modriç, ndërsa pak minuta më vonë e ka radhën edhe Kaka të hyjë në fushën e lojës në vend të Ksabi Alonso. Por madrilenët janë krejtësisht të pafuqishëm përballë vendasve, të cilët të udhëhequr edhe nga entuziazmi nuk e kanë aspak të vështirë të kontrollojnë çdo tentativë të Ronaldo & Co.

Vërshëllima përfundimtare ka bërë të shpërthejë entuziazmi në “Vestfalenshtadion”, ku Borusia Dortmund hodhi një hap shumë të rëndësishëm drejt finales së madhe, atje ku me shumë mundësi do të ndeshen me Bajernin e “urryer”. Ndërsa spanjollët janë larguar kokulur, duke parë se si po i ikën nga duart një tjetër mundësi për të fituar të shumëpriturën Ligë Kampionesh numër 10. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Tuesday, 23 April 2013 22:51

Bajern Mynih ka treguar se e meriton që ajo të quhet tani skuadra më e fortë në Evropë, pasi ka mundur lehtësisht me rezultatin 4-0 Barcelonën në ndeshjen e parë gjysmëfinale të Ligës së Kampioneve. Bavarezët janë hakmarrë për humbjen 4-0 të vitit 2009, duke treguar se sa rrugë kanë bërë që atëherë dhe se jo rastësisht po i drejtohen finales së 3-të në katër vitet e fundit në këtë turne. 

Me Mesin në fushë, Barcelona praktikisht ka luajtur me 10 lojtarë, ndërsa ka qenë inekzistente në sulm. Ndërsa nga ana tjetër, në pjesën e parë Bajern i ka lënë mbajtjen e topit katalanasve, por ka shfrytëzuar forcën fizike për të krijuar rreziqe në çdo goditje standarde. Jo rastësisht, goli i avantazhit i bavarezëve në minutën e 24-t vjen nga zhvillimet e një goditje nga këndi, ku topi kalon nga Dante te Myler, që nuk e ka të vështirë të dërgojë sferën në rrjetë. Pritet zgjimi i Barçës, por ai nuk vjen kurrë, as pas pushimit të ndeshjes kur pritej që Vilanova të ndryshonte diçka në lojën e skuadrës.

Mjaftojnë vetëm 4 minuta të pejsës së dytë që Bajerni të çojë rezultatin në 2-0, këtë radhë falë Gomez që realizon qetësisht pas zhvillimit të një tjetër goditje standarde, edhe pse sulmuesi gjerman duket në pozicion jashtë loje në momentin kur merr pasimin nga Myler.

Goditja është shumë e rëndë për Barcelonën që nuk ka forcë të reagojë, duke i lëshuar edhe kontrollin e topit kundërshtarëve që shfaqen me shumë lehtësi para Valdes.

Ndaj nuk është çudi kur në minutën e 73-të vjen edhe goli i tretë, i shënuar nga Arjen Roben, ndërsa në të 82-tën edhe i katërti, përsëri nga Myler, ndërsa mbrojtja e Barcelonës është krejtësisht e çoroditur dhe nuk di se cilin prej bavarezëve të kontrollojë më parë.

Ndaj vërshëllima përfundimtare dhe rezultati 4-0 është një lehtësim për katalanasit që janë larguar me të drejtë kokulur nga “Allianz Arena”, duke mos treguar asgjë nga repertori i tyre dhe duke konfirmuar se ndoshta cikli i suksesshëm po shkon drejt fundit. Kuptohet, ka edhe një ndeshje kthimi pas një javë ne Barcelonë, por nga pamja e fytyrës së vetë lojtarëve katalanas në fundin e ndeshjes, dukej qartë se asnjë prej tyre nuk shpreson që të ndodhë ndonjë mrekulli përballë ekipit të jashtëzakonshëm që ka ndërtuar Jup Heinkes. Ndaj lind përsëri pyetja: Po Guardiola, përse nevojitej? (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Tuesday, 16 April 2013 10:15

Vicente Del Boske ëndërron një finale të madhe spanjolle mes Real Madrid dhe Barcelonës në Ligën e Kampioneve, për t’i treguar të gjithë botës hegjemoninë e futbollit spanjoll. Trajneri i kombëtares së Spanjës është i bindur se ky do të ishte një tjetër hap shumë i rëndësishëm i futbollit spanjoll, i cili në vitit e fundit ka dominuar çdo aktivitet në kombëtaret, ndërsa tani ka shansin ta bëjë një gjë të tillë edhe me klubet.

“Të gjithë dëshirojmë një finale mes Realit dhe Barçës. Në këto vite të fundit, për më shumë se një dekadë, ka pasur një hegjemoni të ekipeve spanjolle në Evropë, pasi atyre i janë bashkuar skuadra si Vijareal, Deportivo La Korunja apo Sevilja që i kanë ndihmuar në një arritje të tillë”.

“Një finale evropiane mes Real Madrid dhe Barcelonës do të jetë e shkëlqyer edhe për faktin se pjesa më e madhe e lojtarëve janë pjesëtarë të ekipit kombëtar dhe një përballje mes tyre do të jetë një hap më shumë për futbollin spanjoll”, deklaroi trajneri i përfaqësueses.

Del Boske duket se nuk shqetësohet nga fakti se një nga të besuarit e tij, Iker Kasijas, ka humbur vendin në formacionin e Realit dhe duke parë formën e Diego Lopez, vështirë se do ta rifitojë atë.

“Problemin e Kasijas do ta zgjidhim kur të vijë koha e duhur”, tha ai, duke shtyrë për pas sezonit diskutimin nëse kapiteni do të grumbullohet apo jo për Kupën e Konfederatave. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Friday, 12 April 2013 15:11

Matias Samer, drejtor teknik i Bajern Mynih:

“Ky është një short i bukur për ne. Kishte katër skuadra fantastike dhe e dinim që do të luanim ndaj një prej tyre. Mendoj se do të jetë një sfidë fantastike dhe nuk e shoh si disavantazh të luajturin e ndeshjes së parë në shtëpi. Këtë e treguam edhe ndaj Juventusit. Kam parë disa ndeshje të Barcelonës në këtë sezon dhe e di që do të na duhen dy paraqitje të jashtëzakonshme për t’ia dalë mbanë. Heinkes nuk do të flasë me Guardiolën rreth Barcelonës, është çështje etike. Nga njëra anë, Heinkes është ende trajner i Bajern Mynih ndërsa Guardiola do të fillojë punën vetëm në verë. Nga ana tjetër, është një çështje respekti”.

Andoni Zubizarreta, drejtor sportiv i Barcelonës:

“Është një sfidë e shkëlqyer. Janë katër skuadra në gjysmëfinale dhe të gjitha pëlqejnë të luajnë futboll. Edhe ne jemi të lumtur që bëjmë pjesë mes tyre”.

Karl-Hainz Rumenige, shef ekzekutiv i Bajern Mynih:

“Mendoj se do të shohim dy ndeshje shumë të mira, të luajtura në nivelin më të lartë të mundshëm. Për më tepër, mendoj se të luash në shtëpi ndeshjen e parë është një avantazh, në kundërshtim nga mendimi i përgjithshëm se është disavantazh. Por vazhdoj të mendoj se Barcelona është favorite për të fituar Ligën e Kampioneve. Ata janë shembulli që duhet ndjekur në Evropë. Kanë fituar Ligën e Kampioneve më shumë se çdokush tjetër në vitet e fundit. Ata janë skuadra më e mirë në Evropë për momentin, me një forcë sulmi fantastike. Luajtëm kundër tyre në vitin 2009 dhe na mundën keq. Më kujtohet mirë ajo ndeshje dhe seriozisht që nuk më pëlqen të mendoj rreth saj, pasi ishte e dhimbshme ta shihje. Atëherë Mesi na shkatërroi i vetëm. Duhet të mundohemi të vështirësojmë komunikimin Mesi-Ksavi-Iniesta. Megjithatë, kjo është një mundësi e shkëlqyer që të tregojmë se sa jemi përmirësuar që atëherë. Guardiola nuk dëshiron as të jetë i ftuar dhe as të shqetësojë në edicionin aktual pasi është një person me takt. Nuk do ta pyesim atë për asgjë pasi nuk ka gjerman që njeh më mirë futbollin spanjoll sesa Heinkes”. (LajmeShqip.com)