Lajme Shqip Friday, 29 March 2013 15:23

TIRANË– CEZ Shpërndarje njofton se i ka ndërprerë energjinë shoqërisë Albpetrol.

Shkak për një ndërprerje të tillë është bërë detyrimi prej 6 milionë dollarësh që shoqërua i ka CEZ Shpërndarje.

Në një deklaratë për mediat, CEZ Shpërndarje thekson se ka njoftuar Albpetrol-in për detyrimet, si dhe afatin e shlyerjes duke zbatuar në këtë mënyrë të njëjtin standard me debitorët e tjerë.(LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Monday, 25 February 2013 19:32

TIRANË–Ambasadorja e Çekisë në vendin tonë, Bronislava Tomasova komentoi sot nga qyteti i Korçës prishjen e kontratës mes qeverisë shqiptare dhe kompanisë çeke, CEZ. Sipas Tomasova, prishja e kontratës nuk ishte një hap pozitiv, por nuk dëmton marrëdhëniet Shqipëri-Çeki.

“Për sa u përket marrëdhënieve dy paleshe. Siç e shprehu edhe kryeministri jonë, heqja e kontratës për këtë kompani nuk ka qënë një hap pozitiv. Por sigurisht duke qënë ambasadore e Çekisë në Shqipëri unë qëndroj në këtë vend dhe takohem çdo ditë me qytetarët e këtij vendi dhe jam e sigurtë që ne kemi një miqësi shumë të fortë. Kjo është një bazë e fortë për marrdhënien Shqipëri-Çeki”.

Ambasadorja shpreson që përpara se të kalohet në arbitrazhin ndërkombëtar, palët të pajtohen dhe të arrijnë një marrëveshje.
“Por sigurisht ju e dini që CEZ tashmë ka marrë hapa në lidhje me arbitrazhin ndërkombëtar, por para se të shkosh në arbitrazhin ndërkombëtar ka hapa të tjerë që janë hapa afatgjatë për sa i përket pajtimit të palëve. Kështu unë shpresoj dhe besoj njëkohësisht që në këtë fazë të gjatë pajtimi të arrihet një marrëveshje nga të dyja palët”.(LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Monday, 18 February 2013 15:47

ÇEKI- Policia çeke ka nisur hetimin e investimit të CEZ në Shqipëri. Lajmi konfirmohet nga agjencia prestigjoze Reuters, sipas së cilës policia kundër korrupsionit po heton katër marrëveshje të grupit energjetik, përfshirë këtu edhe investimin e CEZ-it në Shqipëri.

E pyetur pas një artikulli të publikuar në gazetat çeke, zëdhënësja e CEZ, Barbara Pulpanova tha për Reuters se policia ka nisur të mbledhë informacione që prej më shumë se një viti në lidhje me këto marrëveshje.

“I kemi dhënë vazhdimisht informacionet e kërkuara policisë”,- tha Pulpanova, por pa dhënë detaje të mëtejshme. Ndërkohë, as policia antikorrupsion dhe as ajo bashkiake nuk kanë bërë komente në lidhje me këtë lajm. Sipas agjencisë Reuters, një prej hetimeve përfshin edhe CEZ Shpërndarje, së cilës iu hoq licenca në janar të këtij viti.

“CEZ mund të humbasë deri në 200 milion euro nga investimi i tij në Shqipëri dhe e ka cuar cështjen në arbitrazh, kundër shtetit ballkanik”-raporton Reuters. Lajmi konfirmohet edhe nga Fox Neës, agjenci e cila citon një tjetër zëdhënës të grupit çek, Ladislav Kriz. Ky i fundit konfirmon se në 6 javët e fundit policia çeke ka kërkuar informacione specifike lidhur me transaksionet e kryera nga CEZ.

Në hetimin e policisë çeke është gjithashtu shitja e 50 % të aksioneve të minierës së qymyrgurit Mibrag në Gjermani dhe marrëveshja për furnizimin e magazinave në impiantin e energjisë bërthamore Temelin të CEZ lidhur me dyshimet për shkelje të ligjeve të prokurimit.

Në një lajm të publikuar sot në të përditshmen ‘Pragë Daily Monitor’, zëdhënësja e grupit energjetik CEZ, Pulpanova deklaron se grupi ka realizuar që nga viti 2005 investime jashtë vendit me një vlerë rreth 2.8 miliardë euro dhe nga këto investime problemet më të mëdha i ka hasur në Shqipëri.

Megjithatë sipas zëdhënëses, CEZ pret rikthimin e të gjithë investimit të vet jashtë vendit, përvec se në Shqipëri, për shkak se autoritetet shqiptare i hoqën licencën grupit çek dhe kështu CEZ humbi kontrollin e firmës së tij të shpërndarjes së energjisë elektrike në Shqipëri.(LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Saturday, 26 January 2013 14:20

Tirane – Administratori i përgjithshëm i kompanisë CEZ Shpërndarje, Sahit Dollapi, thotë se e ka marrë kompaninë në një gjendje të vështirë teknike dhe financiare, me humbje dhe borxhe të shumta dhe me arkëtime të pakëta.
 
Në një intervistë për “Zërin e Amerikës” zoti Dollapi thotë se për shkak të keqmenaxhimit të kompanisë nga drejtuesit çekë, dhe jo për shkak të mungesës së energjisë, shumë zona të Shqipërisë kanë mbetur pa u furnizuar me energji elektrike.

Ai thotë se përmirësimet e para të kësaj gjendje të vështirë mund të vijnë brenda dy muajve, duke motivuar punëtorët e thjeshtë me paga më të larta, dhe duke punuar drejtuesit në terren për të shmangur vjedhjet dhe për të shtuar arkëtimet e faturave të papaguara.
 
ZËRI I AMERIKËS: Zoti Dollapi cili është statusi juaj në këtë detyrë të re që keni marrë në menaxhimin e kompanisë çeke CEZ shpërndarje, të cilës sapo i është ndërprerë kontrata për shpërndarjen me pakicë të energjisë në Shqipëri. Cila do të jetë detyra juaj kryesore?
 
SAHIT DOLLAPI: Statusi im do të jetë administrator i përgjithshëm i kompanisë CEZ Shpërndarje, e cila administron rrjetin e shpërndarjes së energjisë elektrike dhe shitjen e saj me pakicë te konsumatorët shqiptarë. Ky status është fituar, ose më është dhënë nga ERE, Enti Rregullator i Energjisë Elektrike, nëpërmjet një konkurrimi transparent, ku kanë marrë pjesë 6 kandidatura. Mbi bazën e programit të paraqitur nga secili është bërë edhe vlerësimi dhe zgjedhja ime në këtë post.
 
ZËRI I AMERIKËS: Në çfarë gjendje e gjetët kompaninë?
 
SAHIT DOLLAPI: Nuk më vjen aspak mirë që një kompani, të cilën e pata drejtuar për katër vite me radhë, deri në maj të vitit 2009, ta gjej në këtë situatë. Në kohën e largimit ose dorëheqjes time për shkak të privatizimit të kompanisë Shqipëria furnizohej 24 orë me energji elektrike pa ndërprerë. E njëjta situatë është edhe sot; Shqipëria e ka të gjithë energjinë e nevojshme për t’u furnizuar 24 orë, por ka zona të tëra, pjesë të tëra të Shqipërisë, të cilat nuk furnizohen jo si rezultat i mungesës së energjisë elektrike, që është detyrë e kompanisë KESH për ta siguruar dhe e institucioneve të tjera, por si rezultat i mungesës dhe dëmtimit të infrastrukturës shpërndarëse të kompanisë CEZ, mungesës së bazës materiale. Ky është edhe objektivi im kryesor dhe emergjent: normalizimi i kësaj situate, pra marrja e masave për kthimin e normalitetit të furnizimit me energji elektrike të gjithë konsumatorëve shqiptarë.
 
ZËRI I AMERIKËS: Çfarë parregullsish keni gjetur në furnizimin që përmendët?
 
SAHIT DOLLAPI: Nuk mund të them parregullsi, por është mungesë e furnizimit me energji elektrike si rezultat i mosgadishmërisë teknike, i mungesës së bazës materiale për riparimin e difekteve, i mungesës së bazës materiale për mirëmbajtjen e nënstacioneve elektrike, të linjave, të kabinave dhe të shumë elementeve të tjerë të infrastrukturës.
 
ZËRI I AMERIKËS: Media ka shkruar shpesh se CEZ ka patur paga të larta, ndërsa ju përsëri keni thënë se do të rritni pagat. Sa do të ndikojë kjo në punën e kompanisë?
 
SAHIT DOLLAPI: Kompania ka rreth 4 mijë e 500 punonjës. Në prioritetet e mia është ndërtimi i një strukture funksionale e të thjeshtë, e cila do të përcaktojë dhe do të delegojë detyrat për çdo punonjës të kësaj kompanie, vendin e punës, detyrat dhe përgjegjësitë që ai ka dhe autoritetin që ka ai në zonën që mbulon, në pozicionin që ka, qoftë në drejtim, qoftë në punonjësit bazë më të thjeshtë që janë elektricistët dhe faturuesit. Për këta të fundit dhe për një kategori punonjësish që kanë marrëdhënie të drejtpërdrejta me terrenin që në fillimet e mia të punës do të hartoj një plan për përmirësimin e pagave të tyre. Ata kanë vite me paga të pandryshuara dhe i kanë në nivele të ulta. I garantoj gjithë punonjësit e mi dhe stafin tim që pjesa kryesore jona, duke filluar nga unë, deri tek inxhinierët dhe ekonomistët me përvojë do të ulemi në terren për të përmirësuar situatën me qëllim që kompanisë t’i kthehet autoriteti i saj dhe të fillojë shëndoshja financiare e saj. 
 
ZËRI I AMERIKËS: Çfarë do të bëni për të prerë mijëra lidhje të paligjshme në rrjet dhe sa janë humbjet prej tyre?
 
SAHIT DOLLAPI: Kam një kohë shumë të shkurtër, vetëm katër ditë që kam marrë detyrën në dorëzim dhe duke mos patur shifra të sakta, të audituara dhe shifra zyrtare të dhëna nga struktura të kompanisë CEZ Shpërndarje apo nga CEZ Albania, nuk jam në gjendje të them se cili është niveli i humbjeve apo i arkëtimeve. Sipas të dhënave të marra dhe të trajtuara nga ERE, di që situata në kompani nuk është e mirë, qoftë me nivelin e lartë të humbjeve, qoftë në nivelin e ulët të arkëtimeve. Në këto kushte unë mendoj vetëm për rrugëzgjidhjet e këtij problemi. Këto rrugëzgjidhje janë të qarta për mua dhe për stafin dhe gjithë punonjësit. E para është përkushtimi për punën i çdo punonjësi, dhe kjo ka të bëjë me ndershmërinë dhe profesionalizmin në punë. Çdo punonjës do të mbajë përgjegjësi për kompaninë dhe ta trajtojë atë si një pjesë të tij dhe si pasuri të vetën; pra, duhet ta ruajë nga vjedhjet nga dëmtimet, ta ruajë në tërësi dhe ta shëndoshë atë nga ana financiare. Kjo nënkupton prerjen e energjisë elektrike të gjithë atyre konsumatorëve, të cilët janë lidhur në mënyrë të paligjshme në rrjet, ndërhyrjen dhe kontrollin e sistemit të matjes dhe të gjithë elementeve të tjerë që kanë të bëjnë me abuzime dhe me vjedhjen e energjisë elektrike në rrjet, ndërprerjen dhe shkëputjen e të gjithë atyre, që nuk paguajnë energjinë elektrike. Pra, kriteri kryesor i kësaj kompanie do të jetë puna me një standart dhe jo me dy standarte.
 
ZËRI I AMERIKËS: Ka ndodhur disa herë që rritja e çmimit të energjisë elektrike është menduar si një metodë për të shpëtuar kompaninë nga vështirësitë financiare. Ju, a mendoni ta rritni çmimin për të rritur arkëtimet?
 
SAHIT DOLLAPI: Jo. Kjo nuk është në planet e mia të zhvillimit të kompanisë. Jo. Nuk kam menduar rritje çmimi. Kompania ka rezerva të mjaftueshme, ka nivel të lartë humbjesh, mbkedhja e të cilave do të thotë rritje e nivelit të faturimit. Ndërkohë ka edhe shumë debi të pambledhura nga institucionet shtetërore dhe nga familjarë e privatë.
 
ZËRI I AMERIKËS: Si do t’i mblidhni borxhet e klientëve VIP? Sa borxhe u ka CEZ Shpërndarje të tjerëve dhe sa i kanë asaj të tjerët?
 
SAHIT DOLLAPI: Nuk kam të dhëna të sakta, që të dal me shifra. Edhe kompania u ka borxhe të tjerëve, por edhe të klientë të tjerë i kanë borxhe asaj. Përderisa nuk kam shifra të sakta, nuk dua të dal tek kjo pikë, apo të nxjerr shifra të paqena. Serioziteti kryesor yni do të jetë saktësia dhe transparenca e shifrave në shpenzime, investime, arkëtime. Çdo shifër, që do të dalë nga kjo kompani, do të jetë e saktë.
 
ZËRI I AMERIKËS: Brenda çfarë kohe, brenda cilit afat ju do të sillni përmirësimet e para në punën dhe shërbiet e kompanisë?
 
SAHIT DOLLAPI: Unë besoj se brenda një afati dymujor kompania do të ketë strukturën e vet të miratuar, do të ketë strukturën e saj funksionale të vendosur në terren, çdo punonjës do të ketë të qartë detyrën e vet, punën, ngarkesën dhe territorin e vet. Besoj që brenda një afati dymujor do të rifillojë rimëkëmbja dhe përmirësimi i ndjeshëm i treguesve të kompanisë.(LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Friday, 25 January 2013 14:51

Tiranë – Deklaratat e Çekisë për bllokim të integrimit kanë vënë në alarm politikën në Tiranë. Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës, Edmond Haxhinasto, që mban njëkohësisht edhe postin e zv.kryeministrit, u takua ditën e enjte me ambasadoren çeke në Tiranë, Bronislava Tomasova.

Në qendër diskutimeve në këtë takim kanë qenë marrëdhëniet mes dy vendeve pas vendimit të ERE-së për heqjen e licensës së CEZ Shpërndarje, që është një nëndegë e kompanisë mëmë me qendër në Pragë, CEZ.

Haxhinasto kërkoi që të mos lidhet integrimi i vendit tonë më problematikën e CEZ-it, që ai e cilësoi të karakterit komercial e që lindi pas mospërmbushjes së detyrimeve kontraktuale të kompanisë çeke.

“Problemi i shoqërisë CEZ  është një problem i karakterit komercial, lindur nga mospërmbushja prej saj i detyrimeve kontraktuale dhe ato që rrjedhin nga kuadri ligjor e rregullator në vend. Çdo thirrje për t’i përzier këto dy problematika është e dëmshme dhe nuk i shërben askujt”,deklaroi Haxhinasto.

Pak ditë më parë, kryeministri i Çekisë Petr Necas kërcënoi Shqipërinë me bllokim të procesit të integrimit të vendit në BE duke u shprehur se Republika Çeke nuk mund të qendrojë indiferente lidhur me qasjen e Shqipërisë ndaj investitorëve të huaj, sidomos kur bëhet fjalë për investitorë çekë.(LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Tuesday, 22 January 2013 16:33

Tirane – CEZ rrezikon humbjen e 200 milione eurove ne Shqiperi. Lajmin e ka publikuar sot faqja online e Bloomberg, duke iu referuar zedheneses se kompanise ne Prage, Barbora Pulpanova.

Sipas saj, CEZ do te kerkojne nje garanci 60 milione euro nga Banka Boterore, te cilat ishin vendosur si garanci para se kompania te vinte ne Shqiperi.

Vetem nje dite me pare, ERE vendosi heqjen e licences se kompanise dhe zgjodhi nje administrator te ri per te.

Gjithcka erdhi pas nje viti shume problematik dhe debatesh pa fund per tarifat e faturat e papaguara.

“Ne jemi tani duke marrë hapa drejt fillimit per arbitrazhin ndërkombëtar,” tha Pulpanova.

(http://www.bloomberg.com/news/2013-01-22/cez-risks-losing-200-million-euros-on-failed-albania-investment.html) (P.O/LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Monday, 21 January 2013 17:36

TIRANE- Enti Rregullator i Energjisë pas prezantimit te nje raporti prej 100 faqesh ka vendosur heqjen e licences per CEZ dhe ka vendosur me shumice votash Sahit Dollapin, administratorin e ri.

Ne mbledhjen e fundit, ERE degjoi kandidatet per kete pozicion, ku nga gjashtë dosje të depozituara pranë ERE-s, vetëm pesë u vlerësuan se plotësojnë kriteret dhe kandidatët u morën në pyetje nga Bordi i Komisionerëve të ERE-s.

Ne ate mbledhje Kryetari Sokol Ramadani shpjegoi se emrat e paraqitur do të shqyrtohen me kujdes dhe më pas vendimi dhe shpallja e administratorit në rast se CEZ-it i hiqet licenca, do të bëhet po më datë 21 janar.

Pesë kandidatët e paraqitur për pozicionin e administratorit të shpërndarjes në sektorin energjetik kanë paraqitur pranë ERE-s përmbledhje të jetëshkrimit të tyre, por edhe vizionin e tyre për menaxhimin e kompanisë. Në emra konkretë, kandidati i parë i prezantuar ishte Artan Topi, i dyti Argon Seseri, i treti Sahit Dollapi, i katërti Rezart Isuli dhe i pesti, Genc Gjagjani. Të gjithë me profesion inxhinierë elektrikë, me përjashtim të Dollapit, i profilizuar në Inxhinieri Miniere.

Ndër masat që kandidatët paraqitën si të nevojshme për të përmirësuar performancën e kompanisë, ishin punonjësit e specializuar dhe ofrimi i shërbimit për të gjithë qytetarët që e paguajë  energjinë dhe ndërprerjen për ata që nuk e paguajnë, por kjo në mënyrë jokolektive. Deri të hënën, kur është mbledhja e radhës, ERE do të zgjedhë emrin e fituesit që do jetë administrator.(LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Friday, 18 January 2013 15:56

TIRANE- ERE ka dëgjuar sot  kandidaturat e paraqitura pranë tij për vendin e administratorit që do të marrë menaxhimin e shpërndarjes pas largimit të çekëve.

Nderkohe qe pas mbledhjes u deklaruar se diten e hene do te caktohet edhe administratori i ri i CEZ shperndarjes.

Më datë 21 janar pritet që ERE të marrë vendimin e fundit për licencën e CEZ-it, që të gjitha gjasat janë që do t’i hiqet. Emrat që duket se kanë shprehur interes për vendin e administratorit nuk janë të panjohur, edhe pse në fakt në pozicione kyçe dhe në kompanitë të tjera publike.

Një javë më parë ERE miratoi rregulloren që përcaktonte edhe kushtet që duhet të plotësojë kandidati për administrator, por edhe mënyrën se si do të funksionojë pozicioni i tij.

Sipas ERE-s, administratori duhet që të kujdeset që të mos përkeqësohet situata financiare e kompanisë dhe, nga ana tjetër, duhet që të hartojë raporte në harqe të shkurtra kohore për të vënë në dijeni Entin rreth situatës. Qeveria, sipas ligjit, për energjinë elektrike kishte në dorë tri variante të menaxhimit të situatës në rast se CEZ-i ikën dhe ERE zgjodhi variantin e caktimit të një administratori në krye të kompanisë.

Një tjetër variant ishte ajo e lënies së aseteve në kontroll të CEZ-it në një afat të përcaktuar, por kjo duket se ka qenë e papranueshme për palët. CEZ ndërkohë ka shpallur shitjen e aksioneve që ka në ish-OSSH.(LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Thursday, 10 January 2013 18:53

Tirane – Pavarësisht paralajmërimeve të Ministrisë së Ekonomisë, kompania ceke që zotëron rrjetin e shpërndarjes në Shqipëri ka nisur zyrtarisht procedurat për shitjen e biznesit në Shqipëri.

Dy ditë më parë, CEZ ka botuar në gazetën prestigjoze “Financial Times”, një ftesë për shprehje interesi nga investitorë të mundshëm që duan të blejnë paketën e saj të aksioneve në Shqipëri. Në njoftim thuhet se ‘CEZ Group” po konsideron shitjen e 76 për qind të aksioneve që zotëron në rrjetin shqiptar të shpërndarjes dhe fton blerësit e interesuar që të shprehin zyrtarisht interes brenda datës 15 janar në orën 12.

Sipas njoftimit investitorët e interesuar duhet të paraqesin informacion të hollësishëm mbi kompanitë përbërëse në rastin se janë një konsorcium, aktivitetet e tjera të biznesit që ata zotërojnë, garancitë financiare për blerjen e mundshme të CEZ-it dhe çdo shqetësim apo paqartësi që mund të kenë në lidhje me procesin. Pas përfundimit të kësaj faze fillestare, CEZ njofton se do të vërë në dijeni kompanitë e interesuara me hapat e mëvonshëm të procesit.Pas konfliktit të gjatë me qeverinë shqiptare CEZ ka paralajmëruar, që më parë se do të shesë aktivitetin e saj në Shqipëri.

Por menjëherë pas kësaj deklarate reagoi Ministria e Eekonomisë që deklaroj se nuk do e lejojë shitjen pasi e cilësoi këtë nismë si të paligjshme për sa kohë kompania nuk ka njoftuar zyrtarisht shtetin dhe është në proces shqyrtimit të licencës nga enti rregullator. Por përtej këtij paralajmërimi grupi cek duket i vendosur për të shitur aksionet në Shqipëri duke hedhur tashmë zyrtarisht dhe hapin e parë të procesit, njoftimin e blerësve potencial për shprehje interesi. (T.Ch/LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Thursday, 10 January 2013 14:23

TIRANE-Enti Rregullator i Energjisë (ERE) ka miratuar sot rregulloren për një administrator të ri shtetëror për CEZ. Administratori shtetëror do drejtojë CEZ deri në ardhjen e një kompanie të re.

ERE, në mbledhjen e Bordit të Komsionerëve ditën e sotme njoftoi se e miratoi rregulloren “Mbi procedurat e emërimit të administratorit dhe kompetencat e tij”.

“Heqja e licencës çekëve dhe largimi i njoftuar i CEZ Shpërndarjes e detyron Entin Rregullator të Energjisë që në bazë të ligjit “Për sektorin e energjisë”, të bëjë gati terrenin për mënyrën se si do të menaxhohet shpërndarja e energjisë në vijim. Në këto kushte duket se shumë shpejt do të kemi një administrator të ri që do të kryejë funksionin e përkohshëm për shpërndarjen e energjisë”, kështu u shpreh ERE sot gjatë një mbledhjeje që u karakterizua nga diskutime.

Pritet që më 21 janar do të zgjidhet individi që do jetë administratorin e ri shtetëror i CEZ Shpërndarje.

Ligji “Për sektorin e energjisë elektrike” përcakton se në rastin kur i hiqet licenca një operatori zgjidhja vijuese ka disa alternativa. E para është që ta lejojë të licencuarin të vazhdojë t’i përdorë këto pajisje dhe asete sipas kushteve dhe afateve të caktuara; e dyta, të kontraktojë me një ose me më shumë shoqëri private, që mund të ndërmarrin vazhdimin e këtij shërbimi, ose e treta, që duket se është dhe varianti i zgjedhur për t’u zbatuar, është të emërojë një administrator që të mbikëqyrë ose të operojë pajisjet dhe pasuritë, sipas licencës.

CEZ tashmë ka njoftuar largimin e saj nga Shqipëria, si dhe pretendimin për garancinë 60 milionë euro nga Banka Botërore, ndërkohë që ERE është në procesin e heqjes së licencës dhe pritet që shumë shpejt të dalë dhe raporti që paracakton vendimin final. (LajmeShqip.com)