Lajme Shqip Thursday, 13 December 2012 11:40

TIRANË– INSTAT ka vënë sot zyrtarisht në dispozicion të publikut gjetjet e censusit të popullsisë dhe banesave. 

Gjatë fjalës së tij Ministri i Inovacionit Genc Pollo deklaroi se “Realizimi me sukses i censusit ka qënë një ndër objektivat kryersorë të qeverisë, ne ia kemi arritur qëllimit”, tha ai ndërsa shtoi se “Vlera e këtij censusi përcaktohet nga dobia e përdorimt të tij. Të dhënat e censusit do ndihmojnë vendimarrësit në përcatimin e politkave për komunitetet”, tha ai.

“Numri i popullsisë është 2.821.977 persona, nga këta janë numëruar si pjesëmarrës në census 2.800.138 persona”, tha Pollo duke deklaruar se ky nuk është një rezultat surprizë, për shkak edhe të emigrimit.

Ashtu sic ishte bërë publike edhe më herët në media rreth 83,2% e të pyeturve për kombësinë kanë deklaruar se janë shqiptarë ose 2.329.715 persona.

Shifra që bën më shumë përshtypje është ajo e minoritetit grek. Në census tregohet se vetëm 0.87% e popullsisë, ose 24.361 kanë thënë se kanë kombësi greke. Shoqatat përfaqësuese të këtij minoriteti kanë kundërshtuar hapur censusin dhe kanë bërë thirrje për mospjesëmarrje.

Censusi tregon një shifër tjetër prej rreth 14.07%, ose 393.979 persona nuk i janë përgjigjur pyetjes për kombësinë. Sidoqoftë, për saktësim, nga këta persona që nuk i janë përgjigjur pyetjes, 386.419 kanë treguar se flasin shqip.

“Mbi 99% e të intervistuarve deklarojnë se shqipja është gjuha e tyre mëmë”, tha Pollo më tej.

Procesi i regjistrimit të banesave dhe qytetarëve nisi më 1 tetor dhe u mbyll me 1 nëntor, 2011. Censusi jep një përshkrim të detajuar të të gjitha aspekteve ekonomike, sociale dhe të jetës në Shqipëri, sa njerëz banojnë në Shqipëri sot dhe si jetojnë ata, për çfarë shërbimesh kanë nevojë ata dhe shumë aspekte të tjera të shoqërisë.(LajmeShqop.com)

 
Lajme Shqip Saturday, 08 December 2012 09:30

Tiranë – INSTAT ka përfunduar përpunimin e të dhënave të mbledhura nga censusi dhe pritet të deklarojë rezultatet më datë 13 dhjetor.

Por Top-Channel nga burime diplomatike në Tiranë, ka mundur të sigurojë përfundimet e Censusit 2011, për dy prej aspekteve të më rëndësishme të tij, që janë kombësia dhe feja.

Pyetjes në formularin e censusit që lidhet me kombësinë i janë përgjigjur si shqiptarë 83% e të pyeturve. Një e dhënë tjetër interesante lidhet edhe me numrin e minoritetit grek në Shqipëri, për të cilin ka patur debate të vazhdueshme.

0.87% është numri i atyre që e kanë deklaruar kombësinë si greke, ndërsa 0.2% janë deklaruar me kombësi maqedonase.

Të dhënat për besimin fetar të shqiptarëve të mbledhura nga Censusi tregojnë se 57.12% janë deklaruar si myslimanë, 10.11% katolikë, ndërsa 6.8% ortodoksë. Ateistë janë deklaruar 2.52%, bektashinj 2.11%, ndërsa evangjelistë 0.11%.

Rezultatet e Censusit, që lidhen me kombësinë pritet të prodhojnë debate të forta, veçanërisht nga shoqatat e minoritetit grek, të cilat janë shprehur kundër Censusit dhe kanë ndërmarrë një regjistrim të tyrin të minoritarëve në jug të vendit.

Një tjetër shifër që bie në sy është ajo e komuniteteve fetare, më saktë atij të krishter, ku për herë të parë zyrtarisht bashkësia katolike sipas shifrave të Censusit është më e madhe se ajo ortodokse.

Disa javë më parë INSTAT publikoi disa të dhëna paraprake nga ku rezultonte se popullsia e Shqipërisë është 2.831.741 banorë. Ndërkohë që numri i popullsisë nga Censusi i vitit 2001 ishte 3.069.275.

Vihet re se numri i popullsisë në vitin 2011 është zvogëluar me 7.7% gjatë këtyre dhjetë vjetëve. Supozohet që shkaqet kryesore të zvogëlimit të popullsisë janë emigrimi në shkallë të gjerë dhe rënia e lindshmërisë.

Për herë të parë në historinë e censuseve të kryera në Shqipëri, popullsia e cila jeton në zonat urbane është më e madhe se ajo në zonat rurale. Kështu, 53.7% e popullsisë jeton në zonat urbane dhe 46.3% në zonat rurale.

Censusi 2011 në Shqipëri është i 11-ti në historinë e censuseve të kryera në vendin tonë. Ai është pjesë e censuseve të planifikuara nga UNECE/Eurostat në të gjithë botën. (T.Ch)

Kombësia:
Shqiptarë 83%
Grekë 0.87%
Romë 0.3%
Aromunë 0.3%
Maqedonas 0.2%
Egjiptianë 0.12%
Malazezë 0.01%
Të tjerë 0.1%
Nuk u përgjigjën 14.07%

Feja:
Myslimanë 57.12%
Katolikë 10.11%
Ortodoksë 6.8%
Bektashijn 2.11%
Evangjelistë 0.11%
Të krishterë të tjerë 0.1%
Ateistë 2.52%
Besimtarë të pa karakterizuar 5.53%
Besime të ndryshme 0.2%
Nuk u përgjigjën 13.89%

 
Lajme Shqip Tuesday, 03 July 2012 20:45

Tiranë – Organizata Omonia ka deklaruar se do të realizojë regjistrimin e saj për vetëm komunitetin grek në Shqipëri, pasi nuk njeh rezultatet e censusit të vitit 2011 për minoritetet, edhe pse këto rezultate ende nuk janë bërë publike nga INSTAT.

Këshilli i Përgjithshëm i kësaj organizate, i mbledhur të shtunen në Sarandë ka marrë vendimin për këtë regjistrim duke miratuar edhe një draftformular që do të përdoret. Dokumenti i siguruar nga Top Channel do t’i shperndahet gjithe minoritareve dhe regjistrimi do te nise ne 23 korrik e do te perfundoje per Krishtlindje.
Kryetari i kesaj organizate, Vasil Bollano ne nje interviste telefonike tregon arsyen e ketij veprimi.

“Edhe në vitin 2001 pati konseguenca me mënyrën e përgatitjes dhe është i njohur tashmë qëndrimi ynë. Edhe në vitin 2011 nuk u bë e mundur që të kemi një proces, i cili do të zgjidhë problemet dhe kur themi do të zgjidhë problemet, nënkuptojmë që të jetë një proces i besueshëm, por nga ana ligjore se si ndërtohet ky proces, por edhe nga ana praktike, se si realizohet”, tha Bollano.

Bollano thote se te njejtin qendrim kane edhe minoritetet e tjera etnike dhe linguistike, por edhe komunitetet fetare, qe nuk e kane pranuar censusin. Ai shton se edhe relacioni i Keshillit te Europes, e cileson procesin te deshtuar dhe pabesueshem. Bollano thote se procesi dhe rezultatet jane te pabesueshme per Omonian.

“Jo, nuk është e vërtetë që ne nuk njohim institicionet, por ne kritikuam dhe nuk mund të pajtohemi me mënyrën e realizuar të këtij procesi. Patjetër përpjekjet tona ishin me institucionet shqiptare, me organizmat ndërkombëtarë, që mbështesin ekonomikisht dhe për zhvillimin demokratik të vendit, por nga ana e institucioneve përkatëse nuk pati një reagim pozitiv”, tha Bollano.

Baza ligjore per nje regjistrim paralel, per Bollanon, eshte e drejta e Omonias, e cila eshte regjistruar ligjerisht ne gjykate.

“Ky është një regjistrim, i cili nuk prek interesat e individit, por patjetër organizata e Omonias, për të regjistruar komunitetin e saj është një çështje që e ka në program dhe statut, që në themelimin e saj”, tha Bollano

Po sa i besueshem eshte ky proces?

“Eshtë e drejta jonë si organizatë politike e njohur, që funksionon me njeoprogram dhe statut të miratuar. Ne pritëm të realizohet një regjistrim popullsie në nivel kombëtar. Përderisa ishte e pamundur, që shpresojmë në të ardhmen do të kryhet një proces i drejtë që do të zgjidhë problematikat, ne të ndodhur përpara këtij fakti realizojmë regjistrimin e anëtarëve të komunitetit tonë”, tha Bollano.

Ky proces pritet te kete hape polemika te shumta dhe te forta ne vend.

Top Channel u interesua per nje reagim zyrtar nga qeveria shqiptare, burime te se ciles deklaruan se te vetmet te dhena zyrtare qe qeveria dhe shteti shqiptar njeh jane ato te censusit te realizuar ne 2011. Per qeverine shqiptare cdo regjistrim tjeter eshte thjesht formal, pasi ne nje vend demokratik çdo organizate apo individ eshte i lire te realizoje çdolloj procesi verifikimi, qe e sheh te arsyeshem, por qe nuk njihen aspak si te dhena zyrtare. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Monday, 26 December 2011 09:00

Tiranë- Kryeministri Sali Berisha, i pranishëm në një emision televiziv, garantoi se zgjedhja e presidentit të ri do të jetë zgjedhje kushtetuese dhe në përputhje të plotë me të. “Presidenti do të zgjidhet me Kushtetutë dhe do të jetë kandidat i maxhorancës”, tha Berisha.

Duke u shprehur se ky vend nuk mund të bëhet nëse nuk konsolidojmë kushtetutën e tij, Berisha kujtoi se  ndryshimet në Kushtetutë u bënë në marrëveshje me kreun e opozitës, Edi Rama, ku u ra dakort që presidenti të zgjidhet me formulën 50 +1.

Berisha tha se “nuk mund ta bëjmë presidentin pre të ambicieve politike dhe t’a fusim vendin në zgjedhje” dhe duke konsideruar që “politika është dallim”, vlerësoi se “Kushtetuta është demokratike dhe kjo do të respektohet”.

Kryeministri e konsideroi të vonuar deklaratën e presidentit Topi për mosrikandidim. “Ajo vjen pas dy javësh ku u bëra të qartë shqiptarëve se ai nuk do të jetë më president. Kjo deklaratë do ishte më mirë të vinte tre javë më parë, por si i thonë, më mirë vonë se kurrë”, tha Berisha.

Sipas tij, zoti Topi, gjatë presidencës së tij, ka ndërmarrë një sërë aktesh të papajtueshme me programin e Partisë Demokratike, ka shkelur disa nga parimet e mëdha programore të saj, duke përmendur ketu refuzimin e ligjit të lustracionit, implikimin në ngjarjet e 21 janarit dhe një sëri qëndrimesh të tjera, të cilat i konsideroi “absolutisht pa asnjë bazë”.

Kryeministri u shpreh se “aktualisht presidenca po deinstitucionalizon institucionin në një partiçkë të vogël, gjë që nuk ka ndodhur në historinë e ndonjë vendi”, e që e shfrytëzon duke dëmtuar thelbin e vetë funksionit të kreut të shtetit.

Kryeministri kujtoi se “de fakto dhe de jure, Këshilli i Lartë i Drejtësisë është liria e drejtësisë, ekzekutivi që emëron e shkarkon, një pushtet që duhet te jetë tërësisht i pavarur, por që sot po sundohet nga një partiçkë e vogël, që e provoi veten në regjistrim, partia faqezi, sharlatane dhe morën përgjigjen me censusin e vendit”.

Duke e konsideruar si periudhë të shkurtër kohën që institucioni i Presidencës do të vendoset në kushtetueshmëri të plotë, Berisha kritikoi përgjegjësinë që ka Presidenca për situatën ku ndodhet sistemi i Drejtësisë.

“Mendoj se përgjegjësitë për situatën aktuale të drejtësisë në këtë sistem janë para dhe mbi të gjitha të qeverisjes së drejtësisë së KLD-së. Ky institucion, sipas dokumentave ndërkombëtare, ka përgjegjësi të madhe për situtatën aktuale të sistemit të drejtësisë. Kushtetua është ligj i shkëlqyer, ligjet janë shumë të mira, por rasti është i paprecedent”, tha Berisha.

Treguesit e fundit të Censusit, Berisha i vlerësoi si “proces madhor”. Në këto 10 vjet Shqipëria ka shumëfishuar klasën e mesme mbi 6 herë dhe kjo është arritje e jashtëzakonshme.

“Ky sistem që ne ndërtojmë, bazohet tërësisht në klasën e mesme që lufton varfërinë. Shqipëria ka 740 mijë familje ku 300 mijë kanë nga më shumë se një banesë. Brenda 10 viteve janë ndërtuar 280 mijë banesa, shumë më shumë nga sa ishin ndërtuar gjatë mbretërisë dhe diktaturës të marra së bashku. Pra, njerëzit po ndërtojnë vertet një të ardhme dhe ky është censusi, se do te ketë dhe shumë tregues të tjerë”, tha Berisha. (LajmeShqip.com)

 

 

 

 
Lajme Shqip Tuesday, 29 November 2011 11:59

Nuk është një intervistë e zakonshme kjo me ambasadorin e Republikës së Greqisë në Tiranë. Mirësjellja e tij për t’u përgjigjur, u shoqërua edhe me një vizitë në mjediset e revistës Klan, gazetës Albanian Daily News dhe radios NRG, ku diplomati që prej tre vitesh shërben në kryeqytetin shqiptar, u njoh nga afër me stafin dhe punën e mediave tona. Një konkluzion spikat ndër të tjerët: Dy popujt tanë janë më të afërtit e më të ngjashmit në Ballkan. Ndaj dhe keqkuptimet mes nesh janë si ato mes njerëzish që gëzojnë e vuajnë njësoj. Prandaj duhen tejkaluar.

-Zoti Ambasador, si do ta vlerësonit nivelin aktual të marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Greqisë? Duket se ka një “pauzë” sa i përket shkëmbimit të vizitave dypalëshe, përveç vizitës së ekspertëve lidhur me marrëveshjen e ujërave, anullimi i së cilës nga Shqipëria shkaktoi nervozizëm në Athinë… 

Marrëdhëniet greko-shqiptare kanë qenë gjithnjë prioritet i politikës së jashtme të Greqisë. Ato janë ndikuar nga historia dhe gjeografia, të dy këta faktorë të rëndësishëm në rajonin e Ballkanit, e po ashtu nga zgjedhje kyçe politike. Këto marrëdhënie gjithashtu reflektojnë një realitet: Ngritjen e Shqipërisë dhe elementit shqiptar në përgjithësi, si një faktor i rëndësishëm në arkitekturën e re të Ballkanit dhe në integrimin e rajonit në strukturat euro-atlantike. Në këtë kontekst, marrëdhëniet tona dypalëshe mbeten dinamike, edhe pse nuk kanë ndjekur gjithnjë një kurs linear e njëdimensional. Megjithatë, këto ulje-ngritje nuk devijojnë nga objektivat tona kryesore: Stabiliteti, paqja, zhvillimi ekonomik dhe përfundimi i rrugës europiane të Shqipërisë të cilën, siç e dini, ne e mbështesim vendosmërisht. Marrëveshja e delimitimit të zonave detare mes dy vendeve mbetet natyrisht, për t’u zgjidhur, dhe gjasat janë që të tjera marrëveshje të dalin përpara me kalimin e kohës (siç janë ato për negociatat e anëtarësimit, fjala vjen).

Në këtë kuptim, sigurisht që vizitat dypalëshe janë të rëndësishme, me kusht që ato të kenë objektiva të qarta. Nga ana tjetër, është fakt që janë kryer takime e bisedime të nivelit të lartë, por më e rëndësishme për mua është të siguroj që gjërat të lëvizin dhe të kem rezultate konkrete në punën time. E nga kjo pikëpamje, do t’ju siguroja se ekziston një bashkëpunim i ngushtë dhe intensive mes ministrive dhe ambasadave respektive, si në Tiranë dhe Athinë. Ndonjë vonesë nuk duhet parë si provë apo pasojë e hapave prapa në bashkëpunimin dypalësh, por përkundrazi, si një pikënisje për forcimin dhe rigjallërimin e tyre. Për më tepër unë besoj fort se ndërsa Shqipëria përparon drejt destinacionit europian, marëdhëniet tona do shohin veç përmirësim drejt nivelit ku meritojnë të jenë, larg nga tema dhe koncepte të vjetra dhe kundër-produktive.

-A ka patur ndonjë moment kur jeni ndjerë keq gjatë mandatit tuaj në Shqipëri, dhe kur keni përjetuar kënaqësi për ndonjë arritje, për festimin e së cilës të keni ftuar miqtë për të trokitur gotat?

Kam ardhur në Tiranë në qershor 2008 dhe deri tani nuk jam ndjerë asnjëherë ngushtë. Padyshim, gjatë qëndrimit tim këtu jam dëshmitar i një volumi të madh punësh, pasi një sërë çështjesh që prisnin zgjidhje u vunë në vijë. Pra nga këndvështrimi profesional, balanca është pozitive.

Në nivel personal, nuk jam ndjerë kurrë i huaj këtu. Qëndrimi im në Shqipëri ka qenë i këndshëm dhe ajo që ka më shumë rëndësi, më ka dhënë mundësinë ta njoh më mirë vendin. Sidoqoftë, me raste duhet ta pranoj se ngarkesa e punës është mjaft e rëndë. Natyrisht që ekzsitojnë ende shumë çështje delikate. Gjendja aktuale kërkon nga të dyja palët, një këndvështrim më krijues dhe me sens praktik. Duhet t’i japim prioritet përmirësimit të imazhit publik që kemi për njëri-tjetrin, që në disa raste është i shfytyruar. Besoj vendosmërisht se perceptimi i saktë i problemeve, shoqëruar me largimin nga sentimentalizmat e dyshimet sterile, do t’i lehtësonin goxha përpjekjet tona për mirëkuptim reciprok. Në disa raste jam çuditur me mënyrën sesi janë prezantuar disa çështje, sesi janë politizuar në mënyrë të paarsyeshme apo janë paraqitur si konspiracione ku qenkëshin përfshirë armiq imagjinarë. Për mua është një sfidë e vërtetë të merrem me këto dukuri. Por më lejoni të pohoj edhe një herë se përvoja ime këtu është pozitive dhe përpjekjet ja kanë vlejtur.

-A mendoni se kriza ekonomike globale që goditi keqaz Greqinë, do të prekë edhe Shqipërinë, duke pasur parasysh praninë e madhe greke në shumë sektorë, përfshirë sistemin bankar? 

Greqia po përjeton një krizë ekonomike që në mënyrë të pashmangshme ka lënë pasoja në shumë fusha të jetës publike. Ajo lidhet drejtpëdrejt me krizën që po torturon krejt Europën. Disa ekspertë argumentojnë se kjo krizë e ka rrënjën tek mënyra sesi është konceptuar eurozona, të tjerë e lidhin me gabimet në nivel kombëtar. Në këndvështrimin tim, të dyja argumentet janë të vlefshme, përderisa në një ekonomi globale, izolimi është i paimagjinueshëm dhe proteksionizmi nuk është më opsion. Për pasojë, asnjë ekonomi nuk mund të jetë e mbrojtur. Rrjedhimisht kjo vlen edhe për Shqipërinë, për më tepër që partnerët e saj kryesorë ekonomikë janë vende europiane të prekura nga kriza. Nuk mund të analizojmë gjerësisht këtu, madhësinë dhe intensitetin e pasojave që do ketë ekonomia shqiptare, por duhet thënë që ato lidhen pashmangërisht me modelin e rritjes ekonomike të vendit, fjala vjen me balancën mes konsumit dhe investimeve, rolin që luajnë prurjet e emigrantëve etj. Një gjë megjithatë është e sigurtë: Për të tejkaluar krizën, kërkohen përpjekje të përbashkëta dhe solidaritet. Më konkretisht, kur flasim për praninë greke në sektorin bankar shqiptar, dua t’u siguroj se nuk ekziston asnjë rrezik. Autoritetet mbikqyrëse shqiptare, e para Banka e Shqipërisë, monitorojnë nga afër bankat dhe u kërkojnë atyre zbatimin e standardeve strikte. Në të njëjtën kohë, Banka e Greqisë në bashkëpunim të ngushtë me Bankën Qëndrore Europiane, merr të gjithë masat e nevojshme për të siguruar që bankat mëmë të marrin mbështetjen e duhur gjatë kësaj periudhe të vështirë. Në këtë pikë, dua të theksoj faktin që kursimet e njerëzve janë absolutisht të sigurta dhe bankat greke do të vazhdojnë të ofrojnë shërbimet profesionale të cilësisë së lartë, si ndaj qytetarëve, edhe ndaj kompanive që veprojnë në vend. E së fundi, por jo më pak e rëndësishme, një numër kompanish të mëdha greke kanë besim tek ky vend dhe ushtrojnë aktivitet këtu, duke ofruar vende të reja pune dhe duke kontribuar në rritjen ekonomike të Shqipërisë.

-Në Shqipëri përfundoi procesi i censusit. Pjesë e zhurmës që e shoqëroi atë, ishte edhe çështja e minoritetit grek. Cilat janë pritshmëritë tuaja nga ky regjistrim, veçanërisht lidhur me minoritetin? 

Censusi është një mjet thelbësor në përcaktimin e përbërjes së popullsisë së një vendi. Pa një census të bazuar në kritere specifike dhe standarde të rrepta, nuk është e mundur as mbledhja e të dhënave të besueshme, as planifikimi i saktë i politikave qeverisëse. Nuk arrij pra, t’i kuptoj arsyet pas kësaj zhurme që kemi parë të gjithë, pas sajimit të ndërhyrjeve të jashtme dhe argumenteve që u bërtitën. Të gjitha këto, jo vetëm që penguan realizimin e qëllimit, por njëherësh injoruan realitetin dhe hodhën dritë jo të mirë ndaj aspekteve kaq pozitive të vendit, si tolerance fetare dhe ekzistenca e minoriteteve. Këto çështje, së bashku me të drejtën e vetëpërcaktimit të lirë të njerëzve që morrën pjesë në census, janë të përfshira qartë në vlerat dhe parimet e strukturave europiane.

-Si ndiheni kur përfaqësues të minoritetit grek vijnë tek ju dhe ankohen për qeverinë, ndoshta për kryeministrin Berisha apo politikanë të tjerë, lidhur me të drejtat e tyre, çështjet e pronësisë etj?

Sado e çuditshme t’ju duket, kur përfaqësuesit e minoritetit flasin me mua për çështjet e problemet e tyre, rrallë përmendin emra të përveçëm politikanësh apo partish politike. Zakonisht flasin për qëndrimet negative e të dyshimta ndaj tyre, që ekzistojnë ende. Më lejoni të theksoj këtu se situata aktuale nuk mund të krahasohet me të kaluarën e afërt. Në thelb, ne sot jemi të shqetësuar për respektimin e të drejtave të minoritetit dhe trajtimin pa diskriminim të këtyre njerëzve. Tek e fundit, edhe ata janë shtetas shqiptarë me po ato të drejta e detyrime si gjithë të tjerët. Çdo këndvështrim tjetër është keqdashës, u shërben interesave të fshehta dhe tek e fundit, ngre tensionet. Kësisoj, kur takoj përfaqësues të minoritetit grek dhe ata më përshkruajnë një problem, ndihem i detyruar t’i mbështes aktivisht kërkesat e tyre, brenda kornizës së legjislacionit shqiptar dhe vlerave e parimeve të BE-së. Sidoqoftë, mbaj me ta një bashkëpunim të vazhdueshëm dhe efikas.

-Dihet tashmë se mbi 700 mijë shqiptarë jetojnë dhe punojnë në Greqi, një histori e gjatë që zë fill në vitin 1991. Keni qenë në sheshin Omonia, pika simbol që lidhet me emigrantët tanë? A mendoni se kjo përvojë mes Shqipërisë e Greqisë ka rezultuar pozitive për dy popujt dhe vendet, si dhe konkretisht për njerëzit e thjeshtë? 

Është e vërtetë se shumë shqiptarë jetojnë në Greqi si emigrantë ekonomikë. Shumica syresh janë integruar me sukses në shoqërinë greke, kanë bërë përpara dhe po kontribuojnë si në zhvillimin ekonomik të vendit tim, ashtu dhe të Shqipërisë. Duhet të mbajnë gjithmonë në mendje se këta njerëz, që u detyruan të emigrojnë për arsye financiare, padyshim mund të veprojnë si “urë miqësore” mes dy popujve. Në të kaluarën, edhe vendi im ka qenë një tokë emigrantësh dhe ka mbledhur mjaft përvojë në këtë çështje.

Është gjithashtu e vërtetë se emigrantët shqiptarë ndryshojnë nga të tjerët, për shkak të aftësisë së tyre të përshtatjes dhe zotësisë së tyre. Njëherësh, afërsitë tona kulturore dhe gjeografike ndikojnë për një shkrirje të tillë. Por thënë kjo, ende ekzistojnë disa probleme, sidomos këto ditë kur fluksi i emigrantëve të huaj në Greqi ka kaluar disa limite dhe nevojitet reagim i shpejtë. Sa për pyetjen tuaj, rastisi të kaloj së fundi në sheshin Omonia dhe nuk pashë ndonjë shqiptar, ju siguroj për këtë.

-Është përmendur kohë pas kohe ideja e një Federate Ballkanike. A shihni ndonjë perspektivë lidhur me këtë dhe nëse jo, çfarë lloj Ballkani përfytyroni? 

Një integrim europian me pjesëmarrjen e të gjitha vendeve të Ballkanit, përbën një vizion dhe prioritet për Greqinë. Kjo është një zgjedhje strategjike që është demonstruar qartë dhe pa ekuivoke përgjatë 20 viteve, si gjatë presidencës greke të BE-së, ashtu dhe nga propozimi ynë “Axhenda 2014”. Më lejoni t’ju kujtoj gjithashtu se Greqia ishte në ballë të vendeve të BE-së për mbështetjen e liberalizimit të regjimit të vizave për qytetarët shqiptarë. Veç kësaj, ministri i Jashtëm Llambrinidis i ka dërguar së fundi një letër Komisionit Europian, bashkë me kolegët romunë e bullgarë, pë adoptimin e një Strategjie Europiane për Ballkanin Perëndimor, që kërkonte përshpejtimin e kursit të anëtarësimit europian për këto vende dhe promovimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë. Në këtë kontekst, vendi im po planifikon “Takimin e Selanikut II”, përgjatë presidencës së ardhshme greke të BE-së në gjysmën e dytë të 2014-ës. Siç shihet, vizioni ynë është duke u kthyer në vepër.

Së fundi, më lejoni të shpreh ndjesinë se shpesh, elementet pozitive të marrëdhënieve tona dypalëshe si dhe mbështetja që Greqia i ka dhënë Shqipërisë në shumë raste, nuk njihen ose kuptohen gjerësisht nga Shqipëria dhe shqiptarët.

-Në përfundim të mandatit, diplomatët largohen. Është pjesë e punës së tyre. Kur ju të përfundoni misionin, çfarë do t’u thoni të afërmve për Shqipërinë dhe shqiptarët? 

Tre vite pas mbërritjes sime në Shqipëri, jamë tërësisht i familjarizuar me Shqipërinë dhe njerëzit e saj të mirë. Në fakt, kjo nuk ka qenë e vështirë, përderisa dy vendet tona janë kaq të ngjashme në shumë drejtime. Kur të vijë koha, do të largohem me kujtime të ngrohta dhe me ndjenjën se gjatë mandatit tim kam kontribuar në afrimin e dy vendeve. Padyshim Shqipëria është një vend mikpritës, ku gëlon dinamizmi. Njerëzit e saj janë punëtorë dhe me dëshirë të fortë për progres. Me gjithë zemër uroj që Shqipëria të fillojë kursin europian sa më shpejt të jetë e mundur, për të mirën e vendit dhe popullit të saj./ Revista Klan

 
Lajme Shqip Monday, 17 October 2011 13:17

Fier- Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet, shoqata “Çamëria” dhe Klubi i Patriotëve të Rinj vijuan turin “Ji krenar që je shqiptar” në qytetin e Fierit.


Amendamentet e PDIU-së dhe përballja me qarqet që tentojnë të përfitojnë nga censusi i popullsisë në dëm të kombit shqiptar ishin në qendër të fjalës së kryetarit të PDIU-së, Shpëtim Idrizi.

Sipas tij, “PDIU beson shumë se amendamentet  e saj dhe veprimi dhe mendimi i shumë intelektualëve, apo i organizatave të shoqërisë, do ta frenojë këtë aksion shkombëtarizues të fqinjëve që kryhet në mes të ditës për diell, kur Shqipëria nuk është më ajo e fillim shekullit të 20. Ne do të frenojmë veprimin e atyre që duan ta shohin Shqipërinë të ndarë në shqiptarë, grekë, vllehë, maqedonas, romë, malazezë, myslimanë, katolikë, ortodoksë e bahai”.

Sipas Idrizi-t, “Nëse censusi do të zhvillohej ashtu si donin grekët, kjo rrugë e afrimit të Shqipërisë me perëndimin do kushtëzohej prej njerit prej shteteve më qesharakë të BE-së, sot, Greqisë.  Kushtëzimet që do të vinin prej të dhënave fiktive të censusit do të ishin shumë të rënda.” .

“Ne besojmë se amendamentet mundësojnë që procesi i censusit ta bëjë vetëdeklarimin e përkatësisë etnike sa më objektiv, sa më të qartë dhe më të besueshëm, siç kërkon neni 4 i ligjit për censusin. Ne mendojmë se qytetarët kanë të gjithë mundësitë të shprehin lirshëm se kujt grupi etnik apo fetar i përkasin”, deklaroi Idrizi.

“Në këto kushte ne i bëjmë thirrje të gjithë shqiptarëve: dilni e deklarohuni krenarë se jeni shqiptarë. Shqiptari nuk e mohon identitetin e tij. Shqiptari nuk e hedh poshtë origjinën dhe flamurin etij, për të cilën gjyshërit tanë kanë derdhur gjak. Kjo thirrje jona, ka karakter tërësisht ligjor, por dhe kombëtar. Çdo zgjidhje tjetër, krijon mundësi abuzimi. Deklarohuni shqiptar që përqindja e atyre që mund të vetëdeklarohen me kombësi tjetër, të mos rritet artificialisht. Sepse siç po e shohim, faktori destruktiv ndërkombëtar me mashat e veta në terrenin tonë po luan me disa skenare.

Nëse të dhënat e procesit do rezultojnë nën pritshmëritë e tyre, ata do të thonë se procesi është i manipuluar, nëse do të ketë të dhëna brenda pritshmërive të tyre, atëherë ata do të pranojnë procesin.  Këtë e tregojnë dhe qëndrimet e ndryshme të zërave brenda minoritetit, apo dhe angazhimi aktiv dhe i kundërligjshëm i konsullit grek në Korçë”,  theksoi Idrizi.

Sipas tij, “amendamentet e PDIU-së përcaktojnë se kushdo që do të deklarohet si grekë në një kohë kur në regjistrin e gjendjes civile është shqiptar do të penalizohet. INSTAT do të shënojë në statistikat e veta që personi në fjalë është shqiptar dhe një gjobë 1 milionë lekë do të paguhet nga ai që ka dhënë një deklarim të rremë”.

Ndërsa deputeti i PDIU, Dashamir Tahiri theksoi se ky është patriotizmi i vërtetë. Duke komentuar mbi zhvillimet e fundit, Tahiri theksoi se patriotizmi i vërtetë është mbajtja mbi kurriz e kauzave kombëtare.

Gjatë takimit përshëndetën presidenti i nderit i PDIU-së, Tahir Muhedini, përfaqësues të shoqatës “Çamëria”, Klubit të Patriotëve të Rinj dhe mbështetës të këtyre forcave.

 
Lajme Shqip Saturday, 08 October 2011 12:54

Tiranë- Procesi i regjistrimit të popullatës dhe banesave deri tani ka ecur normalisht, në një kohë që pritet përqindje e lartë regjistrimi në vijim të tij.


Drejtoresha e Institutit të Statistikave (INSTAT), Ines Nurja, tha gjatë një prononcimi në një nga mediat shqiptare, se deri tani janë regjistruar 32.2 % e banesave në vend.

“Me anë të censusit do të merret informacion mbi popullsinë e Shqipërisë, se sa njerëz jetojnë në këtë vend, si jetojnë ata, çfarë pune bëjnë etj. Pra të dhënat e censusit i shërbejnë vetë qytetarëve të këtij vendi, ndaj pjesëmarrja e tyre, siç ka qenë deri tani, është e domosdoshme”, tha Nurja.

Sipas znj. Nurja, Censusi i Popullsisë dhe Banesave ka nisur datë 1 tetor në terren dhe 12 mijë anketues po trokasin derë më derë për të mbledhur të dhënat e kërkuara prej tij.

“Anketuesi duhet të shkojë 3 herë në familje dhe nëse qytetari refuzon t’i përgjigjet pyetësorit, atje shkon supervizori”, vijoi më tej Nurja.

Censusi i Popullsisë dhe Banesave ka nisur datë 1 tetor në terren. Për këtë proces masiv në terren janë printuar 40 milion faqe materiale censusi dhe po punojnë 12 mijë anketues, 2 330 kontrollorë, 128 mbikqyrës 36 koordinatorë lokalë.

Aktualisht në të gjithë Shqipërinë janë 374 zyra censusi dhe 11 në Tiranë, që punojnë çdo ditë pa ndërprerje, të aftë për të zgjidhur çdo situatë në terren.

Censusi i popullsisë dhe banesave është numërimi i të gjithë njerëzve, banesave dhe pronave brenda territorit të Shqipërisë në një kohë të caktuar.

Ai është një imazh statistikor që tregon, përmes të dhënave, kush jeton në Shqipëri, kushtet socio- ekonomike dhe kushtet e jetesës.

Censusi është një nga veprimtaritë statistikore më të rëndësishme, e cila siguron një informacion të detajuar mbi numrin dhe strukturën e popullsisë, e krahasueshme edhe në njësi shumë të vogla gjeografike.

Censusi nuk është i lidhur me regjistrat e taksave, pensioneve, pronësisë, shpërndarjes se energjisë elektrike apo statusit të emigrantit.