Lajme Shqip Thursday, 07 March 2013 09:13

Kualifikimi i Juventusit në çerekfinalet e Ligës së Kampioneve pas 7 vitesh mungesë në këtë fazë të turneut, ka ngjallur entuziazëm te tifozët e skuadrës bardhezi. Por trajneri i ekipit italian, Antonio Konte, është munduar të ndale euforinë, duke treguar se për momentin nuk është fituar asgjë dhe faza tjetër do të jetë shumë më e vështirë sesa përballja me Sëlltikun ndaj të cilit kampionët e Italisë dominuan.

“Liga e Kampioneve është një ëndërr që po e ndërtojmë pak nga pak, duke filluar që nga viti i kaluar me fitoren e titullit në Itali. Tani jemi në çerekfinale por duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë. Do të jetë shumë e vështirë, pasi njëkohësisht po luajmë edhe për kampionat dhe kjo do të na heqë shumë energji”, tha trajneri i Juventusit.

I të njëjtit mendim është edhe një nga të paktët lojtarë të Juventusit aktual që ka luajtur rregullisht në këto nivele, kapiteni Xhixhi Bufon, i cili ka treguar se skuadra që do të dëshironte të evitonte me çdo kusht në fazën tjetër ishte Real Madrid.

“Nëse mendojmë se dy vite më parë renditeshim për herë të dytë radhazi në vendin e 7-të në Itali, mund të them se kemi arritur një objektiv të rëndësishëm. Por në këtë turne duhet pak fat. Unë Real Madrid e kam eliminuar tre herë, por mendoj se ligjet e pashkruara të numrave do të në e vënë përballë”, ishte parashikimi i portierit për skuadrën që nuk do të donte të ndeshej në fazën tjetër të turneut. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Wednesday, 06 March 2013 23:09

Juventusi është kualifikuar në çerekfinalet e Ligës së Kampioneve pasi ka kaluar pa vështirësi Sëlltikun, duke fituar edhe ndeshjen e dytë më rezultatin 2-0, pasi kishte arritur një sukses 3-0 në takimin e parë të luajtur në Skoci. 

Ndonëse trajneri Antonio Konte kishte përdorur një rotacion të ndjeshëm të lojtarëve, italianët kanë treguar përsëri se ishin shumë më superiorë se skocezët, siç e provon fakti se kanë shënuar me gjuajtjen e parë në portën në minutën e 24-të të takimit, me anë të Alesandro Matri.

Më pas, ata janë tërhequr disi dhe kanë administruar qetësisht avantazhin, duke parë se Sëlltik e kishte të vështirë të krijonte shumë raste të rrezikshme. Më pas, në pjesën e dytë, falë një kombinimi perfekt Pirlo-Vidal, topi përfundon te Kualjarela që nuk e ka të vështirë të gjejë rrugën e rrjetës me portën e boshatisur kur shënohet minuta e 68-të. Ky gol praktikisht mbyll sfidën, pasi dy skuadrat thjesht shtynë minutat e mbetura të kësaj ndeshje ku kualifikimi i Juventusit nuk u vu asnjëherë në dyshim. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Tuesday, 05 March 2013 19:05

Antonio Konte nuk ka ngurruar t’i kundërpërgjigjet sulmeve që skuadra e Sëlltikut ka bërë kundër lojtarëve të tij pas përfundimit të ndeshjes së parë mes dy ekipeve në Ligën e Kampioneve. Ekipi skocez është ankuar për sjelljen e parregullt të lojtarëve të Juventusit të cilët përdornin lojë të pistë për të kontrolluar kundërshtarët në goditjet standarde, që është arma më e fortë e kësaj skuadre.

“Nëse Nill Lenon ankohet për gjyqtarët, atëherë nuk mund të vijë në Itali sepse këtu ankohemi të gjithë për ata, ndaj nuk përbën çudi. Ai po ecën mirë dhe Sëlltiku po luan mirë. Por nëse analizoj ndeshjet e tyre, gjithmonë ka një goditje dënimi kundër tyre në sulm, pasi një lojtar i Sëlltikut bllokon gjithmonë portierin kundërshtar. Por rregullorja thotë se portieri në zonën e vogël është i paprekshëm. Ndaj i kujtoj atyre që protagonistë në fushë duhet të jenë lojtarët dhe jo gjyqtari”, ishte komenti i Kontes mbi rivalët e Juventusit.

Trajneri italian ka komentuar edhe zërat që e shohin atë të largohet drejt Çelsit apo Real Madrid në fund të këtij sezoni, pasi dy klubet e njohura kanë shprehur interesim për të.

“Zëra të tillë krijojnë kënaqësi, jo vetëm për mua, por edhe për skuadrën, pasi janë komplimente që vijnë nga jashtë. Duhet të jemi të gjithë krenarë për gjëra të tilla dhe të mundohemi të bëjmë edhe më shumë. A ka klauzolë largimi në kontratën time me Juventusin? Kur të rinovoj kontratën, ndoshta do ta vendos një të tillë, por tani nuk ekziston”, ishte batuta e trajnerit italian. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Tuesday, 12 February 2013 23:31

Juventusi thuajse ka siguruar kualifikimin në çerekfinalet e Ligës së Kampioneve pasi ka fituar 3-0 në fushën e Sëlltik në ndeshjen e parë. Një dominim absolut për bardhezinjtë që kanë treguar ndryshimin në cilësi mes dy skuadrave. 

Ndonëse Sëlltiku nuk kishte humbur asnjë ndeshje në fushën e vet në këtë sezon, duke regjistruar edhe fitore të bujshme si ajo ndaj Barcelonës, Juventusi ka ditur të shfrytëzojë më së miri të gjitha pasiguritë e skocezëve.

Një gabim i Ambrose i ka lejuar Matrit të shënojë golin e avantazhit që në minutën e tretë. Më pas, Juventusi ka luajtur me qetë dhe ka ditur të mbyllë hapësirat, ndërsa pikërisht Ambrose ka humbur mundësinë për të shënuar golin e barazimit në minutën e 62-të, kur gjuajtja e tij me kokë është shumë e lehtë për Bufon që e pret pa u shqetësuar shumë.

Juventusi ka përfituar nga rasti dhe ka kuptuar që mund të mbyllte ndeshjen, duke e bërë këtë në minutat e fundit me Markizio dhe Vuçiniç, që praktikisht kanë mbyllur çdo diskutim mbi skuadrën që kalon turin. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Monday, 11 February 2013 17:04

Ndeshja e Ligës së Kampioneve mes Sëlltik Glasgou dhe Juventus, është ndezur para kohe, falë një vendimi të ekipit italian. Bardhezinjtë kanë vendosur që të stërviten në “Marrei Park”, stadiumin e rivalëve historikë të Rejnxhërs Glasgou, duke acaruar kundërshtarët të cilëve nuk u ka pëlqyer shumë ky fakt.

“Po stërviten atje? Mund të bëjnë atë që duan”, ishte komenti nervoz i Nil Lenon, trajnerit të Sëlltik, që nuk ka arritur të dërgojë dot gjurmuesit e tij në strofullin e rivalëve historikë për të spiunuar skemat e Kontes.

Propozimi në fakt ka ardhur nga vetë skuadra e Rejnxhërs, që ka treguar gatishmërinë e saj për të bashkëpunuar me ekipin italian, me shpresën që këta t’i marrin lavdinë rivalëve të urryer të qytetit.

Kaq ka mjaftuar që tifozët e Sëlltik të premtojnë një atmosferë edhe më të nxehtë në “Sëlltik Park”, për të shpresuar te një fitore ndaj bardhezinjve, por edhe për të bërë të dështojë plani i rivalëve të qytetit. (LajmeShqip.com)