Lajme Shqip Thursday, 19 April 2012 12:02

Roberto Di Mateo ka qenë padyshim një nga personat më të lumtur në “Stemford Brixh” pas përfundimit të ndeshjes mes Çelsit dhe Barcelonës ku skuadra që ia drejton mori një fitore të rëndësishme 1-0.

Sipas tij, ky është rezultati i një paraqitje të jashtëzakonshme të ekipit që ka zbatuar me përpikmëri detyrat për të realizuar objektivin që i ishte vënë ekipit në këtë sfidë.

“Ky është rezultati perfekt për ne, të shënosh një gol dhe të mos pësosh prej tyre na lejon që të shkojmë në ndeshjen e kthimit me një avantazh të vogël. Jemi mbrojtur mirë pa lëshuar hapësira. Kundër tyre duhet edhe pak fat. Por në “Kamp Nou” nuk do të luajmë për barazim, do të mundohemi të shfrytëzojmë të gjitha rastet që na shfaqen”.

Megjithatë, ai është i ndërgjegjshëm se kjo sfidë nuk është e vendosur ende, pasi ekipi është vetëm në gjysmën e rrugës.

“Jemi vetëm në pushimin e një ndeshje që zgjat 180 minuta. Dëshironim të kufizonim lojën e tyre por nuk mendoj se merita është vetëm e mbrojtjes, ajo është e të gjithë ekipit që aplikoi më së miri rreshtimet e duhura”.

“Në “Kamp Nou” do të jetë një ndeshje shumë e vështirë, po mendoj se shanset e të dy skuadrave për të shkuar në finale janë 50%-50%. E njohim vlerën e Barcelonës dhe e dinim që do të na duhej të kishim shumë durim për të pritur momentin e duhur për t’i goditur. Tamam ashtu siç ndodhi”, ishte komenti i trajnerit i cili më pas ka deklaruar se nuk mendon për një rinovim të mundshëm, por vetëm si të mbyllë sa më mirë sezonin e bluve. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Thursday, 19 April 2012 10:20

Një episod mjaft simpatik ka ndodhur gjatë pjesës së parë të takimit mes Çelsit dhe Barcelonës, kur gjatë një goditje nga këndi, Drogba ka shkelur pa dashje Pujol duke e dëmtua këtë të fundit në kyçin e dorës së djathtë. Xhon Terri është interesuar për të mësuar dëmtimin e kapitenit të Barcelonës, e ndërsa Pujol i ka treguar kyçin e dëmtuar, futbollisti i Çelsit ia ka shtrënguar atë me forcë. Ndonëse ky mund të cilësohet një lloj gjesti antisportiv i lojtarit anglez, Pujol e ka marrë me sportivitet, ndërsa pamjet filmike tregojnë që ai fillon të qeshë me veprimin e rivalit të tij. (LajmeShqip.com) 

 
Lajme Shqip Thursday, 19 April 2012 08:40

Pep Guardiola ka përdorur ironinë për të treguar gjendjen shpirtërore të skuadrës së tij që u mund ndonëse dominoi të gjithë ndeshjen kundër Çelsit, ndërsa këta të fundit shënuan në gjuajtjen e vetme në portë që bënë gjatë të gjithë takimit.

“Ata janë favoritë tani, por ne kemi 90 minuta para dhe duhet të mundohemi të bëjmë më të mirën. Qëllimi ynë është që në ndeshjen e kthimit të krijojmë 24 raste për të shënuar si bëmë në këtë ndeshje dhe të shpresojmë që do të shënojmë. E dimë që për të shënuar duhen krijuar shumë raste para portës kundërshtare”.

“Ndoshta jemi skuadra që ka krijuar më shumë raste në ndeshjen jashtë fushe të gjysmëfinaleve të Ligës së Kampioneve, por e dimë që të mos shënosh në transfertë dëmton mundësitë për kualifikim. Ata shënuan një gol dhe mendoj se e njëjta lojë do të shihet edhe në “Kamp Nou”, me 10 lojtarë në zonën e rreptësisë. Fituan dhe kjo do të thotë se Çelsi ka cilësi që ne nuk i kemi”.

“Meqë presim mbrojtje nga ata edhe në ndeshjen e dytë, duhet ta pranojmë këtë sfidë dhe të mundohemi të gjejmë mënyra si të shënojmë. Nëse duam që të cilësohemi si një ekip i madh, duhet ta pranojmë këtë sfidë dhe t’ia dalim mbanë. Unë nuk mund të kritikoj lojën e Çelsit dhe rezultatin. Ndeshjet nuk fitohen me mbajtje topi, në të kundërt do të kishim fituar çdo ndeshje që kemi luajtur deri më sot”, tha trajneri i katalanasve. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Wednesday, 18 April 2012 22:29

Barcelona bën lojën, Çelsi fiton ndeshjen. Kështu mund të përshkruhet përballja e parë mes këtyre dy skuadrave e luajtur në “Stemford Brixh”, ku londinezët kanë festuar një sukses të rëndësishëm 1-0 pas një ndeshje të kaluar në mbrojtje ku u ka buzëqeshur edhe fati pasi i ka shpëtuar dy herë shtylla. 

Di Mateo kishte ndërtuar skemën sipas strategjisë me të cilën Inter eliminoi katalanasit dy vite më parë: të gjithë në mbrojtje dhe vetëm Drogba në sulm, me shpresën e një kundërsulmi fatlum. Si rrjedhojë, ndeshja është tërësisht në kontrollin e skuadrës së Guardiolës që provon disa herë të gjejë rrugën e rrjetës por pa sukses. Sançez i afrohet më shumë golit që në minutat e para, por gjuajtja e tij ndalet nga traversa. Ndërsa më vonë është Fabregas që fal dy herë Çeh, fillimisht duke gjuajtur në mënyrë të pabesueshme jashtë kuadratit, e më pas duke gjuajtur lehtë për t’i dhënë kohë Eshli Kol që të heqë topin para se të kalonte vjen fatale.

Rregulli më i famshëm i futbollit thotë se kur nuk shënon gola, do të pësosh. Kjo teori vërtetohet në minutën e dytë shtesë të pjesës së parë, kur pas një kundërsulmi të shpejtë i nisur nga Lampard që i vjedh topin Mesit, Ramirez pason në qendër për Drogba, i cili nuk e ka të vështirë të dërgojë topin në rrjetë. Kuptohet që pas këtij goli të vendasve, pjesa e dytë është edhe më shumë nën dominimin e Barcelonës, ndërsa tani Çelsi as nuk provon të sulmojë, duke menduar vetëm si të ruajë këtë avantazh minimal.

Barcelonës i kundërvihet edhe fati, pasi në minutën shtesë të ndeshjes, një gjuajtje e Pedros që po shkonte drejt rrjetës devijohet lehtësisht dhe përplaset në shtyllë, ndërsa më pas është Buskets që me portën e boshatisur e dërgon topin në tribunë.

Fiton Çelsi dhe strategjia e Di Mateos, i cili ka një javë kohë për të perfeksionuar këtë skemë, pasi në ndeshjen e kthimit në “Kamp Nou”, katalanasit do të dyfishojnë sforcon në sulm dhe do të kërkojnë me çdo kusht një fitore për të shkuar në finalen e 19 majit. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Tuesday, 17 April 2012 20:43

Pep Guardiola, në konferencën e tij për shtyp para ndeshjes mes Barcelonës dhe Çelsit, fillimisht ka dashur të bëjë të qartë se nuk ka ndër mend të marrë drejtimin e klubit anglez në vitin e ardhshëm.

“Unë jam trajneri i Barcelonës dhe ata e kanë një trajner që po merr rezultate të jashtëzakonshme. Nuk është as në të mirën e Çelsit e as të Barcelonës të flasim për këtë gjë. Çdo bisedë e tillë është krejtësisht fantazi”, tha ai.

Më tej, trajneri i katalanasve ka treguar se si ndeshja e nesërme nuk ka lidhje me atë të vitit 2009 mes dy skuadrave, pasi do të jetë diçka krejtësisht ndryshe.

“Ka kaluar shumë kohë, nuk mendoj se ata luajnë për hakmarrje. Ajo që është humbur, është humbur. Tani të dy palët luajnë vetëm për të arritur finalen e Mynihut”.

“Çelsi ka ndryshuar dy-tre lojtarë dhe trajnerin, por vazhdon të jetë i njëjti grup lojtarësh. E admiroj këtë brez futbollistësh të cilët kanë ecur kaq mirë gjatë 7 viteve të fundit duke shkuar në kaq shumë gjysmëfinale dhe finale, apo duke dominuar në kampionatin anglez”.

“Aktualisht e kam të vështirë të gjej se si mund t’i dëmtojmë sa më shumë ata, të krijojmë raste dhe të shënojmë. A do të luajnë ata për Murinjon? Nuk e di nëse ky mund të jetë një motivim ekstra”, përfundoi Guardiola. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Tuesday, 17 April 2012 15:39

Eshli Kol është bindur se Çelsi e di se si duhet ndalur Barcelona në ndeshjen mes dy skuadrave për gjysmëfinalet e Ligës së Kampioneve. Londinezët nuk janë favoritët për të kaluar në finale, duke parë edhe statusin e “ekipit më të mirë në botë” që mbajnë aktualisht katalanasit.

Por Kol është i qetë pasi i beson statistikave të cilat thonë se në 10 ndeshjet mes klubeve, të dy palët kanë nga 3 fitore. “Kush kalon në finale? Sigurisht Çelsi! Shpresoj që të luajmë kundër Real Madrid”.

“Ne e dimë kush është Barcelona dhe besojmë në vetvete se jemi të mirë mjaftueshëm për të kaluar turin. Megjithëse ata nuk shqetësohen nga ne, mbetemi skuadra angleze që i ka krijuar më tepër probleme. Ne jemi një skuadër e mirë, nuk heqim kurrë dorë. Me skuadra si Barcelona, ne dimë se si mund të ndalen. Si mund të ndodhë? Nëse lojtarët si Mesi nuk zbresin në fushë ne kemi një shans shumë të madh”, tha me humor mbrojtësi i përfaqësueses angleze.

Të gjithë e kujtojnë ndeshjen e tre viteve më parë kur Çelsi u eliminua pas golit të Andres Iniesta në kohën shtesë të takimit, një arsye më shumë për të qenë të vëmendshëm në çdo moment.

“Duhet të jemi të përqendruar, jo vetëm për 90, por për 94-95 minuta. E dimë që do të jetë e vështirë ndaj kësaj skuadre dhe këtyre lojtarëve. Ata kanë kaq shumë lojtarë të klasit botëror sa nuk duhet t’i heqësh asnjëherë sytë nga topi, sepse është gjithmonë një prej tyre që mund të bëjë ndonjë veprim magjik”.

“Ndeshja ndaj tyre në vitin 2009 ishte një nga ndeshjet më të mira të Çelsit, me luftë dhe vendosmëri.  Por pastaj doli Iniesta me atë gjuajtje fantastike. Aq u nevojitet atyre, thjesht një gjuajtje. Mesi po bën gola në çdo pozicion por ata janë një skuadër. Njerëzit mendojnë se mjafton të ndalet Mesi, por ne e dimë që duhet të ndalim më shumë se Mesin”, përfundoi Eshli Kol. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Monday, 16 April 2012 21:23

Andres Iniesta pret një tjetër ndeshje të vështirë kundër Çelsit, por shpreson që të largohet duke festuar, ashtu si herën e fundit që ka luajtur në “Stemford Brixh” në vitin 2009. Asokohe, mesfushori shënoi golin e barazimit 1-1 në minutat e fundit për të siguruar kalimin e Barcelonës në finale në një ndeshje me shumë polemika. 

“Është e dhimbshme të eliminohesh kaq pranë finales. Tani vihemi përsëri para njëri-tjetrit dhe padyshim që dëshira e tyre për të na eliminuar dhe për të shkuar në finale do të jetë domethënëse. Shpresojmë që gjërat të flasin për ne edhe këtë radhë”.

“Çelsi ka më shumë eksperiencë se tre vite më parë dhe ka lojtar të rinj të mirë si Torres e Mata. Ata janë të fortë dhe do të ndihmohen edhe nga një stadium ku ka një atmosferë të jashtëzakonshme. Ne presim një sfidë të fortë”.

Iniesta është i bindur se një vëmendje e veçantë i duhet kushtuar emrave “të zakonshëm” të kësaj skuadre si Lampard e Drogba. “Ata janë të rrezikshëm për atë që bëjnë në fushë, jo sepse janë më të vjetër apo sepse kjo mund të jetë mundësia e tyre e fundit për të fituar Ligën e Kampioneve. Duhen respektuar se janë lojtarë të mëdhenj dhe se në këtë moment janë në një formë të shkëlqyer”.

Mesfushori i Barcelonës pranoi se kjo ishte një javë vendimtare për sezonin e klubit katalanas pasi në garë është kualifikimin në finalen e Ligës së Kampioneve dhe kampionati spanjoll.

“Kjo është një javë e rëndësishme. Luajmë për finalen e Ligës së Kampioneve dhe për të zgjatur betejën e titullit në Spanjë. Por jemi të përqendruar vetëm te sfida me Çelsin, nga e enjtja do të fillojmë të mendojmë çfarë do të bëjmë ndaj Realit”, tha ai. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Monday, 16 April 2012 19:52

Didier Drogba ka pranuar se do të shohë me kujdes si sukseset e Çelsit përballë Barcelonës, ashtu edhe humbjet përballë spanjollëve.

Blutë do të vihen përballë katalanasve për herë të 5-të në 8 sezonet e fundit, në një sfidë që tashmë cilësohet si klasike e Ligës së Kampioneve. Shumë prej këtyre ndeshjeve janë shoqëruar me polemika, siç ishte ajo e fundit e tre viteve më parë në të njëjtën pikë të aktivitetit.

Sharjet e Drogba ndaj gjyqtarit Tom Hening Ovrebo që nuk akordoi asnjë penallti në favor të skuadrës angleze në ndeshjen e kthimit, bënë xhiron e botës dhe ai mori 4 ndeshje pezullim nga UEFA.

Por futbollisti 33 vjeçar thotë se i kujtohen edhe momentet shumë të gëzuara përballë kësaj skuadre. “Nuk ka vetëm kujtime të këqija, kemi edhe kujtime të bukura përballë Barcelonës”.

“Kualifikimi është 50-50, edhe pse thuhet se ata janë skuadra më e mirë në botë dhe kanë futbollistin më të mirë në botë. Janë dy ndeshje për t’u luajtur, gjithçka mund të ndodhë”.

Drogba kujton vitin 2009 dhe thotë se padrejtësia e atëhershme është harruar, por kujtohet një ndjenjë tjetër më e fortë.

“Ka ndodhur disa vite më parë ndaj gjërat kanë ndryshuar. Por dëshira është e njëjta, mbetet dëshira për t’i mundur. Do të jetë një ndeshje e vështirë, po ne jemi gati për të luajtur”. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Sunday, 15 April 2012 11:10

Me 11 ndeshje në drejtimin e Çelsit në vetëm 38 ditë, Roberto Di Mateo me siguri ka patur shumë pak kohë në dispozicion që të planifikojë të ardhmen e tij. Por ai po bëhet gati për një sfidë shumë të rëndësishme, ndoshta më të rëndësishmen në karrierën e tij si trajner, pasi Çelsi do të përballet në mesjave me Barcelonën për të diskutuar kalimin në finalen e Ligës së Kampioneve.

Tekniku italian, çuditërisht shfaqet optimist dhe konfirmon se nuk ka bërë asnjë plan për formacionin që do të përdorë, të cilin do ta zgjedhë vetëm në ditën fundit.

“Varet si dalim nga ndeshja sot dhe kjo do të na ndihmojë për të patur ide të qarta për të mërkurën. Nuk kemi provuar ende asgjë në fushë, pasi vetëm javën e kaluar mësuam se do të jemi përballë Barcelonës në gjysmëfinale dhe gjatë kësaj kohe na është dashur të përgatitemi për shumë ndeshje të tjera”.

“Kam parë me vëmendje fitoren e Arsenalit ndaj tyre në sezonin e kaluar. Kam kërkuar mënyrat për t’i vënë ata në vështirësi, ndaj kam parë edhe shumë ndeshe të tjera. Edhe Barcelona ka pika të dobëta, ne thjesht duhet t’i shfrytëzojmë ato në maksimum”.

“Mendoj se janë të kalueshëm në një sfidë me dy ndeshje. Milani iu afrua shumë, apo jo?”, ishte komenti i trajnerit italian për këtë sfidë të rëndësishme për londinezët. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Sunday, 15 April 2012 09:45

Lionel Mesi është padyshim lojtari që çdo klub në botë do të dëshironte. Por problemi është që futbollisti do vetëm një klub, Barcelonën dhe synon që të luajë gjithë karrierën e tij vetëm me fanellën e kësaj skuadre.

“Nuk kam menduar asnjëherë për jetën larg Barcelonës. Zemra im i përket këtij klubi dhe nuk e shoh kurrë ditën kur unë do të dëshiroj të largohem nga këtu. E pranoj se nuk e di asnjëherë se çfarë mund të të ndodhë në të ardhmen, por po të ishte vetëm për mua, do të lumturohesh po ta mbyllja karrierën në këtë klub”, deklaroi futbollisti argjentinas.

Ai ka pranuar se është një tifoz i madh i futbollit anglez dhe se ndjek me vazhdimësi këtë kampionat por ka pranuar se as nuk i shkon ndër mend të transferohet në këtë kampionat.

“Kampionati anglez është emocionues dhe kur kam mundësi e ndjek në televizion. Ka shumë gjëra që duhen admiruar në futbollin anglez i cili është shumë konkurrues dhe luhet me një shpejtësi fenomenale. Futbollistët luajnë me zemër, emocion, shpirt dhe vendosmëri. Tifozët janë entuziastë, pasionantë dhe të drejtë. E di nga ndeshjet që kam luajtur kundër klubeve angleze se si ata pëlqejnë futbollin e bukur dhe talentin. Por unë nuk e shoh veten duke luajtur në Angli, nuk e kam mendua kurrë një gjë të tillë”.

Dy golat e Mesit kundër Levantes çuan në 63 golat e tij për katalanasit në këtë sezon, duke barazuar rekordin anglez të Diksi Din i cili shënoi po kaq gola për Evertonin në sezonin 1927-28. Por lojtari argjentinas shpreson që të kalojë këtë shifër që në ndeshjen e mesjavës kur skuadra e tij do të përballet me Çelsin në gjysmëfinalet e Ligës së Kampioneve.

“Golat janë të rëndësishëm nëse të japin suksese. Unë shënoj sepse luaj me futbollistë të jashtëzakonshëm, pa ata nuk do të kisha gjetur rrugën e rrjetës me kaq vazhdimësi. Ndeshja ndaj Çelsit nuk është e lehtë, asnjë ndeshje nuk është e tillë në fazën e eliminimit direkt. Kundërshtarët tanë kanë ardhur këtu me meritë. Për më tepër, Çelsi luan pa presion pasi gjithkush mendon se Barcelona do të fitojë këtë ndeshje. Por ato janë lojtarë me eksperiencë dhe kjo do të thotë që duhet të kemi respekt maksimal, ashtu si edhe në të kaluarën kundër tyre”, tregoi Mesi për ndeshjen e mesjavës. (LajmeShqip.com)