Lajme Shqip Wednesday, 10 July 2013 09:50

Prishtinë – Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Catherine Ashton, pritet që sot gjatë ditës të qëndroj në Prishtinë, me ç’rast do të takohet me zyrtarët më të lartë të Kosovës.

Dje ajo ishte në Beograd, ku deklaroi se pas vendimit historik, siç vlerësoi ajo, të Këshillit Evropian për hapjen e bisedimeve për pranim me Serbinë, tash duhet zbatimi i marrëveshjes për normalizim.

“Puna kryesore të cilën tash duhet bërë është zbatimi i marrëveshjes”, tha Ashton duke theksuar se procesi teknik i transferit të vendimeve politike në praktikë nuk është i lehtë. Ajo ka vlerësuar se zbatimi i marrëveshjes për normalizim të raporteve ndërmjet Beogradit e Prishtinës, është i domosdoshëm për jetë më të mirë të banorëve në të dy vendet.

Gjatë qëndrimit në Beograd ajo u takua me zyrtarët më të lartë të Serbisë.

Presidenti Tomisllav Nikolliq tha se me gjasë Prishtina dhe Beogradi nuk do të kishin qenë në gjendje të arrijnë marrëveshje pa Bashkimin Evropian dhe porositi se kjo është marrëveshje “për bashkëpunimin e ardhshëm më të mirë, nëse jo të fëmijëve tanë, atëherë të fëmijëve të fëmijëve tanë”.

 
Lajme Shqip Monday, 27 May 2013 14:44

 

Qeveria e Serbisë miratoi mbrëmë planin e zbatimit të marrëveshjës së arritur në Bruksel dhe një ditë më vonë serbët e veriut paralajmëronë themelimin e Kuvendit Krahinor në Kosovë. Kryetar i Bashkësisë së komunave serbe në Kosovë, Marko Jakshiq ka thënë se deri në fund të javës do të formohet Kuvendi i Krahinës autonome të Kosovës.
“Deri në fund të kësaj jave, do të formojmë Kuvendin e Krahinës autonome të Kosovës dhe në të do t’i bartim përgjegjësitë e shtetit te Serbisë. Kjo është e drejta jonë kushtetuese”, ka thënë Jakshiq, për mediat serbe, transmeton Kosovapress..
Ky veprim sipas tij bëhet pasi që serbët e veriut janë kundër marrëveshjës së arritur në Bruksel. “Kështu më nuk ka dhe për këtë, besojë që me këtë vlerësim pajtohen shumica e serbëve të Kosovës se marrëveshja e Brukselit është e papranueshme si dhe vendimi i mbrëmshëm i Qeverisë. Midis nesh nuk do të mund të gjejnë serbë të cilët do të pranojnë marrëveshjen dhe planin e zbatimit të saj”, ka thënë Jakshiq.

 
Lajme Shqip Tuesday, 21 May 2013 13:44

Kryeministri i Kosovës,  Hashim Thaçi  deklaroi se një marrëveshje për planin e zbatimit të marrëveshjës do të arrihet në takimin me kryeministrin serb Ivica Daçiq.

Takimi mbahet sot me ndërmjetësimin e liderës së diplomacisë evropiane  Catherine Ashton.

“Jam optimist dhe me shpresë që do të arrihet marrëveshja për implementim dhe do të shohim hapa konkret të ndryshimit të gjendjes edhe në terren”,  deklaroi Thaçi.

Kryeministri theksoi se do të ketë vullnet të institucioneve kosovare dhe të qytetarëve të veriut të vendit që bashkërisht të punohet për një jetë më të mirë.

“Natyrisht, që sfida do të kemi, vështirësi do të kemi, por këto sfida nuk janë vetëm të veriut janë të gjithë Kosovës, por jam optimist që gjërat do t’i kalojmë bashkërisht”, ka theksuar kryeministri Thaçi.

Ai mohoi mundësinë e rishikimit të marrëveshjës së arritur mes dy shteteve.

“Ridiskutim të marrëveshjes nuk mund të ketë, por opinionet se si do të implementohet duhet të respektohen”, deklaroi  Thaçi.

Ndërkaq Daçiq ka deklaruar se nga Beogradi pritet që deri në fund të javës të hartojë planin e zbatimit të marrëveshjes së Brukselit ku do të përcaktohen afatet dhe veprimet.

 “Plani është i nevojshëm që dikush të mund të konkludojë se po punojmë diç seriozisht”, deklaroi Daçiq.