Lajme Shqip Thursday, 27 September 2012 08:21

Pas eliminimit të Mançester Sitit, pjesa tjetër e ndeshjeve të Kupës Karling në Angli ka sjellë rezultate bindëse për ekipet e mëdha, pasi turin e kanë kaluar të gjitha skuadrat e mëdha, duke filluar nga Arsenali që ka fituar 6-1 me Koventrin. Pas një pjese të parë ku rezultati ka qenë disi në dyshim, në pjesën e dytë “topçinjtë” kanë dominuar plotësisht duke gjetur rrugën e rrjetës pa vështirësi, ndërsa bie në sy dygolëshi i Uollkot.

Një fitore më e vështirë ka qenë ajo e Mançester Junajtid përballë Njukasëll, një takim që Ferguson e ka shfrytëzuar për të rikthyer në fushë pas shumë kohësh Darren Fleçer, por edhe Uejn Runin që është riaftësuar nga dëmtimi në këmbën e majtë. “Djajtë e kuq” kanë fituar me rezultatin 2-1 falë golave të Anderson e Kleverli.

Ndërkohë, Nuri Shahin i ka dhënë suksesin 2-1 Liverpulit në fushën e Uest Bromuiç me dy golat e tij, ndërsa ka buzëqeshur edhe Totenhem që fitoi lehtësisht 3-0 në fushën e Karlajl.

Raundi tjetër, kur kanë mbetur në lojë për trofeun vetëm 16 skuadra, ka rezervuar një përplasje të madhe, atë mes Çelsit dhe Mançester Junajtid në “Stemford Brixh”. (LajmeShqip.com)

Kupa Karling, turi i katërt

Sandërlend-Midëllsborou

Suindon-Aston Vila

Uigan-Bradford

Lids-Sauthempton

Noruiç-Totenhem

Liverpul-Suonsi

Çelsi-Mançester Junajtid

 
Lajme Shqip Wednesday, 26 September 2012 08:11

Kampionët e Anglisë të Mançester Sitit u eliminuan nga Kupa Karling që në raundin e parë pasi u mundën nga Aston Vila, ndërsa një tjetër ekip elitar, Everton, u eliminua nga skuadra e Lids.

Aston Vila fitoi 4-2 me Mançester Sitin, ndonëse ishte dy herë në disavantazh përballë kampionëve që shënuan me Baloteli e Kolarov, por arriti që të barazonte dhe të çonte ndeshjen në kohët shtesë kur triumfoi falë golave të N’Zogbia dhe Agbonlahor.

Ndërkohë, golat e Uajt dhe Austin i dhanë një sukses të jashtëzakonshëm 2-1 skuadrës së Lids përballë Everton, që aktualisht mban vendin e tretë në renditjen e kampionatit anglez të futbollit.

Nëse këto ishin ndeshje me rivalitet, një gjë e tillë nuk mund të thuhet për takimin mes Çelsit dhe Ulvërhempton ku londinezët triumfuan me rezultatin e thellë 6-0. Kahill, Bertrand dhe Mata shënuan në 17 minutat e para për të caktuar fatin e ndeshjes, ndërsa rezultati përfundimtar u vulos në pjesën e dytë me golat e Romeu, Torres dhe Moses.

Skuadra e Suonsit i shpëtoi turpit duke fituar me një gol në minutën e fundit të ndeshjes për të mundur 3-2 ekipin modest të Krouli. (LajmeShqip.com)