Lajme Shqip Monday, 17 June 2013 15:11

Prishtinë – Kompania turke “Calik&Limak”, e cila e ka privatizuar distribucionin e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), ka filluar një ofensivë shkarkimesh të drejtuesve të deritashëm të dikastereve, pavarësisht se të gjithë ata kanë kontrata valide njëvjeçare për pozitat që i kanë mbajtur deri më tash.

Para pak ditësh pa vendim të shkruar, por vetëm gojarisht menaxherët turq kanë shkarkuar nga pozita drejtorin e distriktit të Prishtinës Shemdi Bunjakun dhe drejtorin e distriktit të Pejës Xhevdet Krasniqi.
Por, si për çudi që të dy menaxherët kohëve të fundit kanë pasur performancë të mirë në punë, krahasuar me periudhën paraprake kur distribucioni ishte pjesë e kompanisë publike KEK, shkruan “Zëri”.
Krasniqi thotë se nga pozita e drejtorit që e ka pasur deri më tash është shkarkuar vetëm gojarisht. Sipas tij, nuk ka pasur ndonjë komision, apo vlerësim negativ për punën që ka bërë deri më tash. “Më kanë thënë gojarisht se tash e tutje më nuk do të jesh drejtor regjional i distribucionit. Për mua një vendim i tillë është i palogjikshëm dhe i padrejtë sepse unë kam kontratë të vlefshme njëvjeçare për pozicionin që kam pasur për një kohë”, tha Krasniqi.
Veprimi i kompanisë turke, sipas tij, është joligjor dhe jo i drejtë, pasi që pa asnjë procedurë punëtori largohet nga vendi i punës. Krasniqi thotë se është duke e pritur vendimin për shkarkim, ku pasi ta marrë atë ai ka paralajmëruar se për këtë do të lajmërojë inspektoratin e punës, por edhe do ta padisë kompaninë turke në gjykatë. “Ata më kanë thënë që në këtë pozicion nuk do të jesh më, por paga do të mbetet ajo që e ke pasur deri më tash”, theksoi Krasniqi.
Edhe drejtori i distriktit të Prishtinës Shemdi Bunjaku konfirmon se është shkarkuar nga pozita që ka pasur deri më tash. Ish- drejtori Bunjaku tha se vendimi për shkarkimin e tij është i pabazuar. “Unë kam pasur kontratë pune dhe performancë të mirë në punë”, tha ai.