Lajme Shqip Saturday, 17 November 2012 13:10

Prishtinë – Një ditë pasi akademik Mehmet Kraja, e cilësoi historian diletant, dhe librin e tij “Historia e Kosovës” në shërbim të akademisë serbe, ka reaguar autori i librit Jusuf Buxhovi.

Në një reagim të tijin të postuar në profilin e tij në rrjetin social Facebook, Buxhovi thotë se edhe Kraja hynë në vallen e Akademisë Serbe, e cila më parë kishte hedhur akuza në drejtim të librit të tij.

“Gjuhës pamfletiste kundër ‘Kosovës’, të bërë nga kryetari i ASHAK-së me rastin e Vidovdanit, më në fund, sipas detyrës, iu bashkua edhe ‘akademik’ Kraja”, shkruan Buxhovi. “Vërtet më vjen keq për gjendjen në të cilën ka rënë ‘akademiku’ ynë dhe sejmenët e tij, që nuk po tregojnë pos që janë të detyruar të hynë në vallen e Akademisë Serbe, jo vetëm duke mos punuar asgjë, por për më tepër, duke bërë përpjekje t’i pengojnë ata që punojnë!”, ka shkruar Buxhovi. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Thursday, 18 October 2012 10:15

Tiranë – Në ambientet e kampus të universitetit “Vitrina” në Tiranë u promovua libri “Kosova” e Jusuf Buxhovi. Në një auditor akademik, ku ishin të pranishëm shumë nga profesorët dhe ligjëruesit e njohur të këtij universiteti, në të cilin ekziston Instituti i studimeve Pellazge, për veprën e historianit Buxhovi folën Kozeta Zavalani, prorektori Teki Kurti si dhe profesor Lutfulla Peza.

Duke e prezantuar punën shkencore të Buxhovit, profesoresha Zavalani tha se  në përvjetorin e 100-të të pavarësisë së Shqipërisë, “Kosova” paraqet një dhuratë të çmueshme historiografisë shqiptare, me të cilën i hapen rrugët një të menduari ndryshe jashtë kornizave ideologjike dhe stereotipeve që e kanë ngarkuar deri më tani shkencën tonë.

Teki Kurti vlerësoi lart “Kosovën” duke e quajtur një vepër shumë të rëndësishme shkencore. Puna e Buxhovit jo vetëm që do të fitojë mbështetës në qarqet tona shkencore, por ajo do t’i hapë rrugë hulumtuese të mëtutjeshme çështjes pellazge.

Lutfulla Peza, ndërkaq, e vlerësoi punën e Buxhovit, duke e quajtur atë të një rëndësie shumë të madhe për historiografinë shqiptare, e cila mund t’i hidhërojë me të drejtë falsifikatorët nga radhët e akademikëve serbë dhe gjithë ata që, për fat të keq, edhe në shkencën shqiptare, nuk po ia dalin të lirohen nga kthetrat e saj.(LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Tuesday, 12 June 2012 09:02

Prishtinë – Në konferencën për media, në mbyllje të Panairit të librit, kreu i Shoqatës së Botuesve të Kosovës, Daut Demaku, ka prezantuar edhe listën e librave më të shitur. Sipas analizës së tyre, libri më i shitur del të jetë vëllimi “Kosova” i Jusuf Buxhovit. Por Demaku nuk ka qenë në gjendje të tregonte numrin e saktë të shitjes së kësaj vepre. Madje, ka folur pak edhe për mënyrën se si kanë ardhur deri te lista.

“Botuesi nuk e ka treguar numrin e saktë, por sipas parametrave tanë dhe analizës që e bëjnë organizatorët del që është më e shitura”, ka thënë Demaku.

Numrin e saktë nuk e ka bërë publik Arbër Rrahmani, i shtëpisë botuese “Faik Konica”, por ka thënë se kanë shitur rreth 300 komplete të Buxhovit. Për këtë, ai ka thënë se ka një shkak.

“Ka qenë ndër librat me interes, dhe ndër librat më të debatueshëm. Edhe “Koha Ditore” ka botuar me vazhdime një kundërthënie pikërisht për këtë libër. Kur një libër bëhet i debatueshëm, atëherë sigurisht interesimi është më i madh”, ka thënë Rrahmani.

E Demaku ka thënë se ka hequr nga konkurrenca librat e tij, meqë kjo nuk do të ishte fer, pasi që është njëri ndër organizatorët e panairit. Por në listë është futur libri “Gjarpinjtë e gjakut” i Adem Demaçit, i shtëpisë botuese “Buzuku”, që po ashtu është ndër organizatorët. Ky libër është i nënti më i shituri, sipas organizatorëve. I dyti në këtë listë ka dalë të jetë libri “Në hap me Rugovën” i Adnan Merovcit, ndërsa i treti “Bombë në Beograd” i Albatros Rexhajt.

Në vendin e katërt, sipas kësaj liste, është renditur “Libri i Fitore 1-2”, i Blerim Shalës, i Botimeve KOHA.

Por, Drita Hoxha, përfaqësuese e Botimeve KOHA, ka thënë se askush nga organizatorët nuk i ka pyetur se cilin libër në sa kopje e kanë shitur. Sipas saj, ky vëllim është shitur po ashtu në rreth 300 kopje. Hoxha ka treguar se në shtangën e “Kohës” librat më të shitur, veç atyre të Shalës kanë qenë edhe libri “Duart e përgjakura” nga Craig Jurisevic, më pas “Ithtarët e librit” i Zachary Karabell, autobiografia “E shkëlqyeshme dhe e tmerrshme” e aktorit me famë botërore Bekim Fehmiu, ndërsa top pesëshen e “Kohës” e përmbyll “Libri i fluturave” i Veton Surroit. Mjaft të kërkuara, sipas Hoxhës, kanë qenë edhe kompleti i veprave të Rexhai Surroit, romanet e shekullit XX, si dhe “McMafia” e Misha Glanny.

E në listën e ShBK-së vendin e pestë e ka zënë libri “Ferri i çarë” i Visar Xhitit, për të lënë pas “Muzeu i pafajësisë” i nobelistit Orhan Pamuk, “Luftë e vogël e përkor” të Elvira Dones, e “Shqipëria” e Ben Blushit. Listën prej dhjetë titujsh e mbyll “Dyzet rregulla të dashurisë” të Elif Shafak. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Saturday, 09 June 2012 16:15
 
Lajme Shqip Friday, 17 February 2012 16:08

Sot, në Prishtinë, në Bibliotekën Kombëtare u promovua  “Historia e Kosovës” e Jusuf Buxhovit, vepër kjo e cila, si rrallë ndonjë vepër tjetër, zgjoi vemendjen e opinionit të Kosovës, por edhe atij të jashtëm, duke u kthyer në veprën më të kërkuara. Arsyet për këtë duhet kërkuar te çasja komplete e trajtimit të historisës  shqiptare, gamën e të cilët autori e bart te Pellazgët, ku Dardania fokusohet si qendër e antikitetit me të cilën lidhet qytetërimi i antikitetit.

Duke ndalur te kjo çasje, recenzenti i librit, Ramadan Musliu, “Kosovën” e Buxhovit e vlerën vepër kapitale. Ai tha se përqendrimi te Pellazgët, pastaj roli i dardano-ilirëve gjatë perandorisë së Romës dhe të asaj të Bizantit, nxjerr në pah një pamje tjetër të pasardhësve të tyre, shqiptarëve, të cilët shihen në qendër të këtyre zhvillimeve. Musliu  vlerësoi se “Kosova” e Buxhovit është një vepër  monumentale, ku për herë të parë paraqitet historia shoqërore dhe  shpirtërore e shqiptarëve jashtë kufizimeve ideologjike dhe atyre folklorike me të cilat historiografia shqiptare ka qenë e ngarukuar dhe për fat të keq, edhe më tutje vazhdon të jetë e ngarkuar.

Autori, Buxhoi, tha se nuk ka bërë tjetër pos që gjërat e njohura i ka vendosur në vend të vet, duke i rivlerëusuar dhe se shpreson se rruga që e ka nisur jo vetëm që do të pranohet, por edhe do të vazhdohet nga një çaseje gjithëpërfshirëse e historianëve. Me këtë rast Buxhovi theksoi se historiografia shqipare duhet të tejkalojë pengun e klisheve të historiografisë serbomadhe, ku edhe sot e gjithëditën barten disa nga tezat e saj rreth mitit mesjetar serb, mbi të cilin u ndërtuan planet hegjemonite serbe nga Kriza Lindore e deri te koha jonë. Ai theksoi se shteti i Kosovës duhet të krijojë kushte që historianët të krijojnë vepra shkencore të një vlere të qëndrueshme, me të cilat luftohen konceptet hegjemoniste të historiografisë serbomadhe, në vend se të kënaqet me kuazihistorianë, të cilët historinë e shtetit të Kosovës e shohihn të shkëputur nga kontinuiteti i saj mijëravjeçar duke e rrudhur në një dhjetëvjetësh me heronjë të shpifur!

Vlen të theksohet se interesimi për promovim ishte aq i madh, saqë një pjesë e madhe e të interesuarve mbetën jashtë. (LajmeShqip.com)