Lajme Shqip Monday, 14 October 2013 13:54

Ministri i Jashtem grek Evangjelos Venizelos e ka nisur serine e takimeve te tij ne Tirane me nje takim me homologun shqiptar, Ditmir Bushati.Bushati ka deklaruar se mes dy vendeve ka nje traktat miqesie, por ligji i luftes nuk pasqyron sipas tij realitetin e sotem. Sipas tij heqja e ketij ligji i hap rrugen mirebesimit dhe zgjidhjes se shume ceshtjeve, perfshire edhe ato pronesore.Pjesë e delegacionit grek është edhe deputeti i PASOK-ut, i lindur dhe rritur në Shqipëri, Pirro Dhima. 

Në përfundim të takimit, dy homologët dolën në një konferencë të përbashkët për shtyp, ku u theksua rëndësia e intensifikimit të bashkëpunimit dypalësh. Duke e falënderuar ministrin Venizelos për ndihmën që Greqia i ka dhënë vendit tonë, kryediplomati Bushati theksoi domosdoshmërinë që Greqia të heqë ligjin e luftës dhe të njohë të drejtat pronësore të mohuara, në mënyrë që siç tha ai, marrëdhëniet mes dy vendeve të njohin një hap më cilësor. 

“Ndërmjet dy vendeve tona ekziston një traktat miqësie dhe bashkëpunimi, i cili për në përbën gurin e themelit të intensifikimit të marrëdhënieve dypalëshe dhe adresimit brenda këtij akti ligjor dhe institucional të të gjitha çështjeve që kërkojnë zgjidhje, larg çdo lloj ndikimi nacionalist. Besojmë se riaktivizimi i mekanizmave të parashikuar nga traktati i miqësisë dhe bashkëpunimit, shoqëruar me heqjen e ligjit të luftës nga ana e Greqisë, i cili në vetvete nuk pasqyron realitetin e sotëm të miqësisë së mirë, rrugëtimit evropian dhe miqësisë së hershme mes dy popujve tanë, do të krijonte një mjedis të ri besimi të ndërsjellë dhe njëkohësish do të mundësonte fitimin e të drejtave pronësore të mohuara në përputhje me të drejtën ndërkombëtare.”- deklaroi ministri Bushati. 

Ministri Bushati theksoi vullnetin e qeverisë për adresimin e çështjeve të mbartura dhe ato që kanë lindur rishtazi, “për të hapur një kapitull të ri mes dy vendeve që orientohet nga e ardhmja europiane.” Në lidhje me çështjen çame, ministri Bushati tha se tashmë ka ardhur koha që realiteti të shihet në sy dhe të kapërcehen pengesat e së kaluarës. 

“Të tejkalohen pengesat e shkuara historike, sepse ne duam të pasurojmë gamën e bashkëpunimit dypalësh rajonal e evropian dhe jo ti lemë terren nacionalizmit folklorik, që mungesa adresimit të kësaj çështje apo çështje të tjera tenton të mbajë peng marrëdhëniet dhe nuk i shërben marrëdhënieve të konsoliduara. Kemi vullnetin politik si qeveri shqiptare për të trajtuar të gjitha çështjet, asgjë nuk përbën tabu. Memorandumi i bashkëpunimit të procesit të integrimit evropian, të cilin do ta formalizojmë shumë shpejt, mendojmë se do të jetë rruga më e mirë për të instrumentalizuar bashkëpunimin dypalësh evropian.”- u shpreh ministri Bushati. 

Në lidhje me minoritetin grek në Shqipëri, ministri Bushati tha se “Shqipëria ka pjesë të traditës së saj më të mirë respektimin e lirive të pakicave kombëtare.” 

Ministri i Jashtëm grek theksoi gatishmërinë e Athinës zyrtare për të mbështetur Shqipërinë në rrugën drejt integrimit evropian. Kryediplomati grek iu përgjigj disa prej shqetësimeve të ngritura nga homologu i tij Bushati. Lidhur me ligjin e luftës Venizelos theksoi se Greqia nuk ka frikë nga asgjë dhe e ka shpallur gjendjen e paqes me Shqipërinë me vendim të Këshillit të Ministrave që në vitin 1987. 

“Greqia nuk ka frikë nga asgjë, e kemi kapërcyer pengesat e kaluara historike dhe futjen e marrëdhënieve të të dyjave vendeve në një periudhë bashkëpunimi. Gjendjen e paqes e ka shpallur që në vitin 1987 Këshilli i Ministrave të Greqisë, që në vitin 1986 gjithkush që ka diçka për të kërkuar te kuadri ligjor grek ka të drejtën t’i drejtohet edhe Strasburgut, kemi një kuadër shumë të sigurt bashkëpunimi, që përforcohet nga marrëdhëniet dhe po hedhim edhe hapat pasardhës.”- tha Venizelos. 

Në lidhje me çështjen e shumëpërfolur për kufirin detar, kryediplomati Venizelos thekoi se Greqia pret të zbatohet e drejta ndërkombëtare e detit, ndërsa për çeshtjen came tha se nuk e njihte aspak. 

“Dimensioni detar dhe mesdhetar i BE-së ka një rëndësi shumë të madhe. Si Greqia dhe Italia që do kenë presidencën e BE-së vitin që vjen na lidh një marrëveshje detare që nga vitit ‘77. Ato parime dhe objektiva që ne zbatojmë janë të thjeshta, zbatimi i së drejtës ndërkombëtare detare në atë formë që ekziston dhe zbatohet sot. Ashtu siç i kemi realizuar marrëdhëniet tona me vendet e BE për këtë problem, ashtu duam të vazhdojmë dhe me Shqipërinë, pasi do të bëhet pas pak anëtare e BE-së”- deklaroi ministri grek. 

Lidhur me çështjen e varrezave të ushtarëve grekë, Venizelos tha se me ministrin Bushati kanë ranë dakord që të mblidhet një komision dypalësh për të gjetur zgjidhje. Duke theksuar rëndësinë e gazsjellësit TAP, kryediplomati grek tha se përmes këtij projekti marrëdhëniet mes dy vendeve fitojnë një dimension të ri.