Lajme Shqip Tuesday, 08 October 2013 00:00

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi ka ndryshuar qëndrim sa i përket vizitave të homologut të tij serb Ivica Daçiq në Kosovë, gjatë fushatës parazgjedhore për zgjedhjet lokale të 3 nëntorit. Ai pas takimit me Daçiqin, me ndërmjetësim të Baroneshës Catherine Ashton, që ka përfunduar para pak qastesh në Bruksel, ka thënë se askush nuk mund të privohet nga liria e tij e lëvizjes. Thaçi shtoi se të gjithë zyrtarët serbë do të lejohen të vijnë në Kosovë, nëse ata plotësojnë procedurën zyrtare dhe dorëzojë një kërkesë për vizitë te autoritetet në Prishtinë.

 

Përgatitja për zgjedhjet e ardhshme lokale në Kosovë ishte fokusi i takimit të sotëm, i cili filloi në rreth 20.30 dhe përfundoi rreth orës 23:00.

 
Lajme Shqip Tuesday, 10 September 2013 10:57

Prishtinë- RTK ka publikuar dokumentin zyrtar të marrëveshjeve të arritura në Bruksel për telekomin dhe energjinë, një natë më pare.

Në marrëveshjen për telekomin në këtë dokument thuhet:

– Në kontestin e dialogut të lehtësuar nga BE-ja, të dyja palët janë pajtuar që Kosovës t`i ndahet një kod telefonik treshifror nga ITU-ja, në përputhje me standardet, parimet dhe afatet kohore të ITU-së. Të dyja palët u pajtuan se brenda tre muajve në lidhje me këtë proces duhet të gjendet një modalitet i pranuar reciprokisht me lehtësimin e BE-së sipas nevojës.

Qëllimi është që periudha e `migrimit` në lidhje me kodin telefonik duhet të përfundojë deri në janar të 2015-s. (Pas kësaj date, ky kod telefonik do të përdoret nga të gjithë operatorët në Kosovë). Operatorët nga të dyja palët do t`i ulin tarifat në bazë të çmimeve aktuale.

– Rregullatorët e palëve do të pajtohen për marrëveshje teknike për harmonizimin e përdorimit të spektrit për GSM-në dhe sinjaleve televizive, duke përfshirë transmetimet digjitale tokësore, me qëllim të sigurimit të ofrimit të shërbimeve të papenguara reciprokisht të bazuara në parimet e ITU-së dhe shmangien e interferencave të dëmshme ndërmjet shërbimeve. Secila palë zotohet të mos e mbulojë kufirin administrativ të palës tjetër në mënyrë të qëllimshme.

Ndër të tjera, në marrëveshjen për telekomin thuhet se:

– Do të formohet një grup për implementimin, me lehtësimin e BE-së sipas nevojës, në mënyrë që të hartohet një plan i plotë veprimi për zbatimin e marrëveshjes. Pasi marrëveshja e mësipërme të ketë hyrë në fuqi, grupi për zbatim mund të diskutojë me kërkesë të ndonjërës palë, çfarëdo çështje tjetër që mund të lidhet me këtë marrëveshje. Procesi i zbatimit të plotë do të fillojë pas pranimit me shkrim të planit të veprimit.

Ndërsa te marrëveshja për energjinë, palët janë pajtuar si në vijim:

– Të dyja palët e konfirmojnë zotimin e tyre për t`i përmbushur të gjitha detyrimet sipas Traktatit të Komunitetit për Energjinë dhe për zbatimin e legjislacionit të BE-së për energjinë. Këto aranzhime janë në përputhje të plotë me të dyja këto ligje.

KOSTT-i dhe EMS-i do të nënshkruajnë një marrëveshje dypalëshe të operimit brenda 3 muajve, duke vendosur dhe rregulluar marrëdhëniet e ndërsjella si dy operatorë të sistemit të transmisionit. Si rrjedhojë, marrëveshja e mëhershme e përkohshme mbi shkëmbimin e energjisë dhe marrëveshja e përkohshme teknike do të shfuqizohen.

 

– KOST-i do të bëjë rilidhjen e nënstacionit 110 Kv të Vallaqit. Operatorët e këtij nënstacioni do t`i respektojnë instruksionet nga qendra shpërndarëse e Kosovës.

 

Do të formohet një grup implementues, në mënyrë që të hartohet një plan i plotë veprimi për zbatimin e marrëveshjes së ardhshme. Procesi i plotë i implementimit do të fillojë pas pranimit me shkrim të planit të veprimit.

 
Lajme Shqip Tuesday, 13 August 2013 12:06

Prishtinë – Asetet shtetërore ekonomike me rëndësi strategjike, si janë Trepça dhe Hidrocentrali i Ujmanit, nuk do të jenë objekt diskutimi në tavolinën e bisedimeve që po zhvillohen me Serbinë me ndërmjetësimin e BE-së në Bruksel.

Kështu tha zëvendëskryeministrja, Edita Tahiri në një intervistë për RTK-në.

Ndërmarrja “Trepça” tani për tani është e ndarë në dy pjesë dhe menaxhohet nga dy grupe, nga pjesa veriore dhe ajo jugore.

Çështjet që janë nën sovranitetin e Kosovës nuk mund të jenë pjesë e bisedimeve. Në momentin që do të kemi njohje reciproke si dy shtete, çështjet mund të trajtohen me ligjet ndërkombëtare, ka thënë zëvendëskryeministrja Edita Tahiri, në një intervistë për RTK-në.

“Duhet të ndodh një proces sukcesioni mes Kosovës dhe Serbisë siç po ndodh procesi i sukcesionit me shtetet e reja që dolën nga ish Jugosllavia. Procesi i ri i sukcesionit për ne bëhet legjitim për t’u hapur në momentin e njohjes reciproke mes dy shteteve. Deri më tani, në dialogun teknik mes Kosovës dhe Serbisë janë arritur shtatë marrëveshje”, deklaroi ajo.

 
Lajme Shqip Sunday, 11 August 2013 14:50

Prishtinë – Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi ka komentuar të dielën në Ferizaj rreth refuzimit të Serbisë për të arritur marrëveshje për telekomin dhe energjinë.

“Ende ka dilema Beogradi për të pranuar marrëveshjen, sa i përket telekomunikacionit dhe energjisë. Sa i përket Prishtinës dhe Bashkimit Europian, kjo çështje është mbyllë, kështu që shpresoj se në ditët e ardhshme edhe Beogradi do të bindet për të pranuar marrëveshjen që është e standardit europian, dhe është e nevojshme dhe e domosdoshme për të lëvizur përpara proceset”, ka thënë Thaçi.

Ndërkohë zyrtarë të Qeverisë kanë shpalosur se cfarë ofron marrëveshja që është dashur të pranohet të premten e kaluar nga pala serbe.

Por, çfarë ofron draft-marrëveshja e ofruar nga ndërmjetësuesi, Bashkimi Europian?

Dren Zeka, Këshilltar i Zëvendëskryeministres Edita Tahiri, që drejton palën kosovare në këto bisedime, ka thënë për “Top-Channel” nëpërmjet përgjigjeve të shkruara se “sipas draft marrëveshjes Kosova pritet të marrë kodin unik shtetëror ndërkombëtar telefonik dhe njëkohësisht pritet edhe normalizim i gjendjes në fushën e telekomunikacionit dhe se kjo marrëveshje është e favorshme për Kosovën”.

Përveç kësaj, Zeka ka bërë të ditur se “parashihet një zgjidhje për komunitetin serb në Kosovë, por jo siç është raportuar në media se gjoja operatori i Serbisë do të ofrojë shërbime për lokalitetet e banuara me serbë”.

I pyetur se çfarë konkretisht parashihet si zgjidhje për komunitetin serb në Kosovë, Zeka ka dhënë përgjigjen se bëhet fjalë për “zgjidhje për një operator të limituar në hapësirë dhe në kohë të përkohshme për komunitetin serb në Kosovë, por që do të jetë i themeluar, i regjistruar dhe i licencuar në Republikën e Kosovës dhe do të operojë sipas ligjeve dhe kornizës rregullative të Kosovës”.

Sipas marrëveshjes së propozuar nga BE-ja, Kosova pritet të marrë kodin ndërkombëtar telefonik +383, për të cilin në vjeshtë do të aplikojë një shtet anëtar i BE-së, Suedia ose Austria.

Kosova, në mungesë të kodit të vet, vazhdon të shfrytëzojë 3 kode të huaja telefonike, të Serbisë, Monakos dhe Sllovenisë.

Por Serbia ka kërkuar që në Kosovë të operojnë dy operatorë.

 
Lajme Shqip Thursday, 25 July 2013 13:05

Bërdo – Në Bërdo të Sllovenisë fillon sot konferenca e presidentëve të Balkanit Perëndimor në të cilin do të merr pjesë edhe presidenti francez, Francois Hollande, i cili do qëndroj për vizitë zyrtare në Sloveni.

Organizatorë të konferencës janë presidentët e Kroacisë dhe Slovenisë, Ivo Josipoviq dhe Borut Pahor.

Në konferencë do të marrin pjesë presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ai i Serbisë, Tomislav NIkoliq, presidenti i Maqedonisë, Gjorgje Ivanov, presidenti i Bosnjës dhe Hercegovinës, Zheljko Kmishiq dhe ai i Shqipërisë, Bujar Nishani.

Përpos presidentëve, në këtë konferencë pritet të marrin pjesë edhe ministrat e jashtëm të vendeve pjesëmarrëse si dhe kryediplomati francez, Loran Fabius.

Konferenca e ka për qëllim forcimin e bashkëpunimit politik dhe ekonomik në mes shteteve, rrugën e tyre drejt Bashkimit Evropian, zgjerimi i BE në drejtim të rajonit si dhe çështjet rreth sigurisë së rajonit dhe zgjidhjes së mosmarrëveshjeve.

 
Lajme Shqip Wednesday, 24 July 2013 15:36

Bruksel – Raundi i 14-të i dialogut për normalizim marrëdhëniesh ka filluar në Bruksel, konfirmon Maja Kocijançiq, zëdhënësja e ndërmjetëses së këtij dialogu, Catherine Ashton.
“Përfaqësuesja e Lartë për Politikë të Jashmte të BE-së, Ashton është momentalisht duke u takuar me kryeministrin Daçiq dhe ekipin e tij dhe me kryeministrin Thaçi dhe ekipin e tij. Ata po e diskutojnë mënyrën për të ecur para sa i përket marrëveshjes së prillit”, ka thënë përmes postës elektronike, Kocijançiq.
Pak para nisjes së takimit, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi u ka thënë gazetarëve në Bruksel se ai beson që raundi i sotëm të përfundojë me arritjen e marrëveshjës për telekom dhe energji.
“Unë shpresoj që sot të arrijmë marrëveshje sa i përket energjisë dhe telekomunikacionit. Kanë diskutuar ekipet teknike dhe profesionale, por sot besoj që në nivelin politik do e përmbyllim këtë proces të rëndësishëm. Është shumë më rëndësi që plani i implementimit ka filluar të implementohet në shumë segmente, por natyrisht se duhet edhe më tepër. Ndërsa do të diskutojmë edhe për qartësimin e tërë procesit të zgjedhjeve të 3 nëntorit, ku kam besim të plotë që edhe serbët e veriut do jenë pjesë e këtij procesi demokratik. Ne do të ndihmojmë maksimalisht me të gjitha përgjegjësitë tona e që së bashku me mekanizmat ndërkombëtar së bashku do krijojmë kushtet e rrethanat për pjesëmarrje sa më masive të serbëve në zgjedhjet e para që do organizohen edhe në veri. Është më rëndësi që edhe Serbia i ka ftuar serbët e veriut që të marrin pjesë në këtë proces elektoral, ndërsa qeveria e Kosovës do të bëjë përgatitjet e mundshme dhe realizojë obligimet kushtetuese që të sigurohem që kjo të ndodh. Kosova e ka përmbyllur punën e saj sa i përket ligjit për amnisti, dicka që do i lejojë serbët të integrohen më sigurtë në institucionet e Kosovës”, ka qenë deklarata e kryeministrit në Bruksel.

 
Lajme Shqip Wednesday, 17 July 2013 17:15

Prishtinë – Zëvendëskryeministrja EditaTahiri ka thënë se Serbia i shmanget diskutimeve me Kosovës për shpërbërjen e strukturave paralele në veri të vendit.

Tahiri ka theksuar se zyrtarët shtetërorë të Kosovës që po drejtojnë negociatat në Bruksel i kanë kërkuar BE-së që të trajtohet kjo çështje të mërkurën, shkruan Zëri.

Dje është diksutuar për çështjen e sigurisë ku sipas Tahirit, deri në mesditë pala serbe nuk e ka dorëzuar listën e emrave të qytetarëve serbë që do të përfitojnë nga amnistia dhe do integrohen në Policinë e Kosovës.

 
Lajme Shqip Wednesday, 10 July 2013 09:50

Prishtinë – Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Catherine Ashton, pritet që sot gjatë ditës të qëndroj në Prishtinë, me ç’rast do të takohet me zyrtarët më të lartë të Kosovës.

Dje ajo ishte në Beograd, ku deklaroi se pas vendimit historik, siç vlerësoi ajo, të Këshillit Evropian për hapjen e bisedimeve për pranim me Serbinë, tash duhet zbatimi i marrëveshjes për normalizim.

“Puna kryesore të cilën tash duhet bërë është zbatimi i marrëveshjes”, tha Ashton duke theksuar se procesi teknik i transferit të vendimeve politike në praktikë nuk është i lehtë. Ajo ka vlerësuar se zbatimi i marrëveshjes për normalizim të raporteve ndërmjet Beogradit e Prishtinës, është i domosdoshëm për jetë më të mirë të banorëve në të dy vendet.

Gjatë qëndrimit në Beograd ajo u takua me zyrtarët më të lartë të Serbisë.

Presidenti Tomisllav Nikolliq tha se me gjasë Prishtina dhe Beogradi nuk do të kishin qenë në gjendje të arrijnë marrëveshje pa Bashkimin Evropian dhe porositi se kjo është marrëveshje “për bashkëpunimin e ardhshëm më të mirë, nëse jo të fëmijëve tanë, atëherë të fëmijëve të fëmijëve tanë”.

 
Lajme Shqip Tuesday, 09 July 2013 12:34

Prishtinë – Mungesa e transparencës zë vend sërish në kritikat e analistëve politikë të cilët flasin për takimin e djeshëm ndërmjet kryeministrit të Kosovës dhe atij të Serbisë, Ivica Daçiq në Bruksel me ndërmjetësimin e shefes së diplomacisë evropiane Catherine Ashton. Analisti Ardian Arifaj tha se do duhej të kishte më shumë transparencë, sidomos për faktin se bëhet fjalë për dy çështje të rëndësishme si energjia dhe telekomi.
“Ajo që vërejmë si edhe herëve tjera është që përsëri mungon një transparencë rreth asaj se çka po bisedohet, çfarë propozimesh ka në tavolinë dhe cilat janë ato qëndrimet e përafruara”, tha Arifaj për Radio Kosovën.
Në takimin e djeshëm në Bruksel ku është diskutuar çështja e energjisë dhe telekomit, kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi ka thënë se është arritur pajtimi në parim. Ai ka thënë se kanë mbetur në secilën nga këto dy çështje edhe nga një element i vogël të sqarohet në ditët e ardhshme për çka do të bisedohet gjatë vizitës së shefes së diplomacisë evropiane Catherine Ashton në Prishtinë dhe Beograd.
Por, më konkret ka qenë homologu i tij serb, Ivica Daçiq. Kryeministri serb ka bërë të ditur se problem gjatë këtij takimi ka qenë edhe çështja e Hidrocentralit të Gazivodës, por kjo çështje është lënë për më vonë për shkak të problemeve rreth pronësisë.
Sipas analistit Ardian Arifaj, kjo çështje asnjëherë nuk do duhej të shtrohej në tavolinën e bisedimeve.
“Gazivoda thjesht as nuk duhet të hapet si temë në këto bisedime, për atë është habi për qytetarët që Gazivoda hapet si temë në këtë proces bisedimesh. Kosova nuk guxon të lejojë kurrfarë negociatash, kurrfarë kompromisesh në rastin e Gazivodës”, tha Arifaj.
Për çështje siç janë energjia dhe telekomi, Arifaj tha se Kuvendi i Kosovës do duhej të ishte i përfshirë drejtpërdrejt, para të cilit duhet të raportojë kryeministri se çk apo bisedohet, cilat janë kushtet që po pranohen dhe cilat janë qëndrimet e përafruara që po përmenden në vazhdimësi, në mënyrë që pastaj Kuvendi ta jap fjalën përfundimtare.
Ndryshe, takimi i 13 me radhë i kryeministrave të Kosovës dhe Serbisë Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiq nuk ka rezultuar me marrëveshje përfundimtare konkrete, por të dyja palët thanë se në takim është arritur përparim dhe paralajmëruan takimin e radhës në Bruksel më 14 korrik.

 

 

 
Lajme Shqip Friday, 28 June 2013 17:43

Prishtinë – Javën tjetër në Bruksel vazhdon raundi i pestë i bisedimeve për zbatimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve ndërshtetërore midis Kosovës dhe Serbisë, njofton qeveria në Prishtinë.

Siç thuhet, në agjendën e bisedimeve do të jenë çështjet e drejtësisë, sigurisë dhe energjisë.
Në një komunikatë për shtyp, ekzekutivi bënë të ditur se marrëveshja për Telekomin ende nuk është arritur, por ka pasur përparime në aspekte të caktuara, ku përparimi kryesor ka qenë pajtimi që Kosova ta marrë kodin shtetëror telefonik nga ITU, pajtim ky i cili është arritur në raundin e bisedimeve, të mbajtur më 17 maj 2013.
Delegacioni shtetëror i Kosovës, i kryesuar nga zëvendëskryeministrja Edita Tahiri dhe ekipi i ekspertëve nga fushat përkatëse për të cilat do të bisedohet, do të qëndrojë nga e hëna, më 1 qershor 2013, në Bruksel për të  marrë pjesë në bisedimet teknike që do të zhvillohen me ndërmjetësimin e BE-së.
Po ashtu, më 2 korrik 2013 pritet të mbahet një takim bilateral me përfaqësuesit e BE-së për çështjet e Telekomit, ku zëvendëskryeministrja Edita Tahiri dhe shefi i ART-së, Ekrem Hoxha do të zhvillojnë një takim me ndërmjetësuesin e Bashkimit Evropian z. Pierre Mirel, Drejtor për Ballkanin Perëndimor në Komisionin Evropian/Drejtoria për Zgjerim.