Lajme Shqip Monday, 04 February 2013 15:00

Burim Kukeli ka pësuar një dëmtim që ka tronditur të gjithë të pranishmit në ndeshjen miqësore të luajtur dje mes skuadrës ë tij, FC Zyrih dhe Bellinzonës. Futbollisti i kombëtares shqiptare ka pësuar një thyerje të rëndë në këmbë, pas përplasjes me kundërshtarin e tij, Simon Grether.

“Këmba e Kukelit shkoi në një anë, gati u shkëput nga pjesa tjetër”, kanë treguar lojtarët e skuadrës së Zyrihut për dëmtimin e rëndë që ka tronditur jo vetëm futbollistët në fushë, por edhe tifozët që po ndiqnin takimin. Lojtari është transportuar me urgjencë në spital, ku ka marrë ndihmën e parë mjekësore, ndërsa më pas është transportuar në Zyrih ku i është nënshtruar operacionit urgjent.

Kuptohet që pas këtij dëmtimi të rëndë, mesfushori i përfaqësueses shqiptare do të qëndrojë larg fushave të lojës për një kohë të gjatë, pasi vetëm riaftësimi mendohet të jetë nga 9 muaj deri në 1 vit.

Kukeli u kthyer në një alternativë të vlefshme për mesfushën e kombëtares shqiptare të futbollit që në momentin kur drejtimin e saj e ka marrë Xhani De Biasi. Mesfushori ka luajtur shumë ndeshje si titullar dhe mungesa e tij do të jetë një problem më shumë për kuqezinjtë në vazhdimin e eliminatoreve të Botërorit 2014. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Monday, 10 September 2012 21:12

Burim Kukeli është shembulli konkret i atyre futbollistëve me origjinë shqiptare që më në fund ia kanë dalë mbanë në një vend të huaj, pas shumë e shumë vitesh punë. Futbollisti 28 vjeçar jeton prej 24 vitesh në Zvicër, por në fund ka zgjedhur të luajë për Shqipërinë kundër vendit që e “adoptoi”, edhe pse gjithçka ka ndodhur shumë shpejt, siç e tregon ai vetë.

Lojtari është kontaktuar nga FSHF vetëm 3 muaj më parë dhe për herë të parë ka njohur kolegët e tij të kombëtares vetëm në javën e fundit.

“Është e pabesueshme. Kam patur shumë pak kohë për t’u ambientuar me këtë gjë. Tani jam këtu dhe sinqerisht që nuk mund t’i gëzohem pasi kam nevojë të përqendrohem dhe të jap më të mirën në fushë. A është e vërtetë që kam ngatërruar emrat e lojtarëve të kombëtares? Po, me përjashtim të Hykës, me të cilin kam luajtur te Lucerna”.

“Kam mbetur i çuditur kur FSHF më kontaktoi 3 muaj më parë. Fatkeqësisht nuk isha në gjendje të luaja në miqësoren e gushtit, por trajneri dëshironte që unë të isha pjesë e kombëtares dhe të luaja me të”, tha lojtari që tregon se sa e veçantë është ndeshja kundër përfaqësueses së Zvicrës, vend ku ka ardhur që në moshën 4 vjeçare.

“Jam rritur në Zvicër dhe i detyrohem shumë këtij vendi. Sigurisht që kjo është një ndeshje shumë e veçantë për mua, sidomos për faktin që zhvillohet në Lucern, ku kam luajtur për 4 vite e gjysmë. E kuptoj që nuk është e lehtë, por unë jam shqiptar dhe kjo nuk mund të ndryshohet. Jam shumë i lumtur për zgjedhjen time. Pasaporta zvicerane ka qenë një problem gjatë jetës time, por nuk e kam kërkuar kurrë atë”.

“Personalisht e kuptoj vendimin e lojtarëve shqiptarë që luajnë për Zvicrën. Këta lojtarë kanë zgjedhur të luajnë për një vend që ka bërë për ta dhe kjo zgjedhje e tyre duhet pranuar. Nuk besoj se do të ketë provokime në stadium. Siç e thashë, çdokush mund të zgjedhë si të dojë për veten e tij dhe të tjerët duhet ta pranojnë këtë zgjedhje. Shpresoj që të jetë një ndeshje e bukur edhe për tifozët e shumë shqiptarë. Është e vërtetë që do të jetë një ndeshje ku do të jenë shumë shqiptarë, shumë prej tyre jetojnë në Zvicër dhe ky është rasti unik për të parë drejtpërdrejt skuadrën e zemrës. Edhe familja ime do të jetë në stadium”, ka zbuluar mesfushori shqiptar që pritet të jetë përsëri mes titullarëve në këtë sfidë.

Ashtu si futbollistët e tjerë të përfaqësueses kuqezi, Kukeli ka treguar se është i ndërgjegjshëm që Zvicra mbetet favorite për sfidën dhe për të fituar grupin ku bën pjesë edhe përfaqësuesja shqiptare.

“Fitorja ndaj Qipros erdhi si surprizë edhe për mua. Megjithatë arritëm objektivin që ishte fitorja dhe na u desh që të vinim zemrën dhe dëshirën e mirë në fushë. Sinqerisht, Qipro krijoi vetëm një rast të vogël për të shënuar, asgjë më shumë. Zvicra është një prej favoritëve, jo vetëm për këtë ndeshje, por për të fituar grupin. Jemi të ndërgjegjshëm që do të jetë një betejë e vështirë. Por ecim para me besimin dhe pasionin për lojën, me të cilën jemi në gjendje të mundim çdo kundërshtar”. (LajmeShqip.com)