Lajme Shqip Tuesday, 11 February 2014 15:40

Një sasi eksplozivi është gjetur në ambientet e jashtme të burgut të sigurisë së lartë në Drenovë. Rreth 300 gramë tritol është gjetur i mbuluar me detonator dhe fitili gati për ndezje ka qenë i vendosur mes murit rrethues dhe regjimit të brendshëm. Tritoli ka qenë inaktiv dhe rezulton aty prej 23 nëntorit, ditë nga ku rezulton arratia e Admir Tafilit me shokët. 

Tritoli me dy pllaka magnetike me fitil, mësohet se u vu re nga shefi i regjimit të brendshëm. Nga hetimet që kanë kryer rezulton se, tritoli ka qenë pjesë e planit të arratisë së 23 nëntorit. Duket se Admir Tafili me shokët e kishin mirëmenduar çdo detaj të arratisë, dhe siç duket një hallkë e planit ishte dhe përdorimi i tritolit, por gjërat funksion ndryshe dhe eksplozivi nuk është përdorur në ato rrethana.

Eksplozivi është zbuluar gjatë një kontrolli rutinë pas orëve të mbrëmjes vonë të së hënës. Pas, ngjarjes së arratisë më 23 nëntor të vitit të kaluar forcat e sigurisë kanë dyfishuar kontrollet në këtë burg. 

Ndërkohë, vetëm një muaj më parë në burgun e Drenovës u parandalua një tjetër arratisje pasi në sektorin e paraburgimit, u gjetën 4 sharra hekuri.

Këto mjetet prerëse u sekuestruan gjatë kontrollit të ushtruar nga grupi i kontrollit i mbërritur nga Tirana, i cili kaloi në veprim pas informacioneve të SHKB-së së burgjeve, për mundësinë e organizimit të një tjetër arratisjeje.

Sharrat e hekurit dhe celularët në burgun e Drenovës u gjetën pas arratisjes spektakolare të 7 të burgosurve në muajin nëntor të vitit të kaluar.

Mësohet se sharrat u futën nëpërmjet ushqimeve në sektorin e sigurisë së lartë dhe me ndihmën e oficerëve të burgut u dërguan në dhomat e paraburgimit.

Më pas mjetet prerëse u mbajtën në dhomën e Dan Hutrës, i cili ndihmoi në arratisjen e bujshme të nëntorit. 

7 të burgosur me në krye Admir Tafilin u arratisën nga burgu i Drenovës, por u arrestuan më pas nga policia./sh.o/

 
Lajme Shqip Saturday, 11 January 2014 14:28

Parandalohet një tjetër skenar arratisje nga burgu i Drenovës në Korçë. Burime nga burgu i sigurisë së lartë, bëjnë me dije se në sektorin e paraburgimit, janë gjetur 4 sharra hekuri. Mjetet prerëse u gjetën rreth orës 23:00 gjatë kontrollit të ushtruar nga grupi i kontrollit i mbërritur nga Tirana, i cili kaloi në veprim pas informacioneve të SHKB së burgjeve për mundësinë e organizimit të një tjetër arratisje.

Dyshimi përforcohet edhe më tepër në kushtet kur sharrat u gjetën në qelitë e të burgosurve të cilët ndihmuan në arratisjen e bujshme të nëntorit. Krahas sharrave, mësohet gjithashtu se në qeli u gjetën dhe 2 aparate celularë, shkruan albeu.

“Më dt. 10.01.2014, ora 21:00- 23:00, grupi i DAP-it ka kryer një kontroll në IEVP Drenovë, Korçë, nga ku ka rezultuar gjetja e sendeve të ndaluara. Nga kontrolli i ushtruar në regjimin e brendshëm të të dënuarve në sektorin e sigurisë së lartë dhe sektorin e paraburgimit, grupi i Transferim- Shoqërimeve dhe Sigurisë (DAP) të D.P.B, nën drejtimin e Drejtorit të Policisë së Burgjeve, z. Pal Marku, janë gjetur dy telefona celularë, që i përkisnin të dënuarve Durim Leka dhe Almarin Muça. Gjithashtu, nga kontrolli në sektorin e paraburgimit u gjetën katër fletë sharre të fshehura në një kuti shahu, që i përkisnin shtetasve Olsian Maçi, Albi Maçini, Ervis Lami e Daniel Kambellari. Për të dyja rastet u përpilua raport- shërbimi, u mor masa disiplinore e veçimit, si dhe u njoftua Prokuroria e Korçës. Për këtë ngjarje kanë nisur tashmë hetimet dhe media e publiku do të informohen në vazhdimësi”, informoi përmes një njoftimi Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve.

Në nëntor të këtij viti 7 të burgosur me në krye Admir Tafilin u arratisën nga burgu i Drenovës, për tu arrestuar më pas policia.