Lajme Shqip Tuesday, 21 May 2013 13:49

Kryetari i Gjykatës Themelore të Prishtinës,  Hamdi Ibrahimi zbuloi se janë rreth 200 persona të cilët janë dënuar nga gjykatat por që nuk e kanë vuajtur dënimin.

“Personat pas dënimit menjëherë gjatë dërgimit në burg për vuajte të dënimit janë lëshuar”, ka thënë Ibrahimi për KTV-në.

Ai tregoi se politika ndëshkimore në Kosovë është shumë e butë e në anën tjetër po shënon rritje numri rasteve të shitjës së drogave, armëmbajtjeve pa leje, krimit të organizuar e aksidenteve.

“Rrugët e Kosovës po përgjaken dhe njerëzit as në burg nuk shkojnë”, ka deklaruar Ibrahimi.

Ibrahimi deklaroi se duhet bërë vlerësimin e gjyqtarëve sepse ka të tillë që nuk e meritojnë të jenë aty.

Po ashtu edhe Enver Peci Kryesues i Këshillit Gjyqësor të Kosovës deklaroi se sistemi gjyqësor në Kosovë po përballet me probleme përfshirë edhe parashkrimin e lëndëve.

 
Lajme Shqip Thursday, 16 May 2013 14:53

Pikërisht në kohën kur Ministria e Drejtësisë po e bën gati stafin për hapjen e burgut më të ri atij të Gërdovcit, dhe janë vetem disa ditë në pyetje për hapjen e këtij burgu, drejtori, Naim Maloku jep dorëheqje. Këtë veprim ai pritet ta zyrtarizojë nesër. Ka disa muaj që e ka paralajmëruar atë por thotë se nesër do ta bënë zyrtare.

Një gjë të tillë ai e ka konfirmuar dhe thotë se po e bën për arsye familjare.

Duke filluar nga 1 korriku, Maloku konfirmon që nuk do të merr pagë nga buxheti I shtetit  por do të ketë një punë tjetër, që ka të bëjë me prodhimin. Sa i përket politikës, thotë se nuk ka menduar nëse do të jetë aktiv ose jo.

Malokut nuk i duket lajm dorëheqja e tij. “E kam paralajmëruar që disa kohë dorëheqjen, kjo për shkaqe familjare, ashtu e kam përmendur edhe në paralajmërim. Ka të bëjë me familjen dhe nuk e di pse po ju duket lajm dorëheqja ime?! Sa drejtori jep dorëheqje, shkarkohet e çka jo tjetër”, thotë ai.

KosovaPress ka mësuar se ai do të jetë i angazhuar në prodhim, e që ka të bëjë me punën e tij që e kishte para se të futej në luftë, pra si inxhinier i kimisë.

Drejtori i burgut të sigurisë së lartë, thotë se projekti në fillim kishte mangësi por tashmë të gjitha punët janë rregulluar dhe shumë shpejtë ai do të jetë funksional, siç duhet. Maloku thotë se ka punuar me shumë përkushtim për sa ka qenë në këtë post dhe vlerëson se është bërë punë e madhe.

“Thuajse gjithçka ka përfunduar. Unë kam punuar gjashtë muaj edhe në Dubravë. Sa i përket burgut të Sigurisë së lartë deri me lugët dhe pjatat jam përkujdesur se si dhe çfarë do të jenë. Kapaciteti i tij do të jetë për 600 të burgosur ndërsa 1 milion e 800 mijë euro që kanë tepruar kemi projektuar një pjesë të re të objektit”, thotë Maloku.

Malokut për shkak të kushteve ekonomike veç i është nisur i biri me gjithë familje që të jetojë dhe punojë jashtë vendit.

I pyetur nëse do të jetë aktiv në politikë, thotë se është anëtarë i AAK-së por nuk ka menduar nëse do të jetë aktiv ose jo.

 
Lajme Shqip Wednesday, 15 May 2013 12:10

Provimin me shkrim e kanë kaluar plotë 904, prej 2 mijë pretendentëve që kanë aplikuar për pozitën e gardianit në burgun më të ri në Kosovë, i cili po ndërtohet në Gërdovc

Zyrtarët e Ministrisë  së Drejtësisë në Kosovë,thanë që do të përzgjidhen 140 gardianë përfundimtarë të burgut më modern në Kosovë, sipas tyre për të arritur numrin e saktë të punëtorëve që MD’ja ka planifikuar t’i ketë në këtë burg,  të nëntëqind e katër aplikantët të cilët e kaluan me sukses provimin me shkrim, është përgatitur edhe një fazë e testimit.Testimi fizik.

Kanë mbetur veç edhe pak ditë që ata ta ndërmarrin një hap të tillë. Ministria e Drejtësisë tashmë ka zgjedhur vendin dhe datën se kur ata do të hyjnë në provimin vendimtar.

Zyrtarja për informim në MD, Saranda Salihu,  thotë se faza e testit me shkrim për aplikuesit tashmë ka përfunduar. Lista me emrat e atyre që e kanë kaluar këtë fazë, është publikuar në faqen zyrtare të Ministrisë. “Të enjten gjithsej 904 aplikuesit që e kanë kaluar testin me shkrim, do t’i nënshtrohen edhe atij fizik”, ka thënë Salihu për Express.

Sipas saj, secili nga këta do të testohet për aftësitë fizike që ka. Në vrapim, peshëngritje dhe çdo ushtrim tjetër që e mat forcën fizike të tyre. “Derisa të arrihet numri fiks i atyre që do të pranohen. Prej fillimit është bërë e ditur se për pozitën e gardianit janë hapur 140 vende pune”, ka sqaruar Salihu.

“Testit do t’i nënshtrohen aplikuesit të enjten në stadiumin e qytetit, duke filluar nga pra 8 në mëngjes”. Salihu thotë se tek pas dy javësh do të dihet përfundimisht se kush janë ata oficerë korrektues që kanë pas fatin të pranohen në punë. “Besoj se pas dy javësh do të shpallen rezultatet”, tha ajo.

Pas përfundimit të këtij projekti Kosova do të ketë një burg i cili do të jetë i standardeve më të larta botërore, i cili do të ketë kapacitet për mbi 300 të burgosur dhe do të ketë standarde të larta jo vetëm për periudhën e kaluar në burg, por do të ketë edhe shërbime të tjera që është në përputhje me të gjitha nevojat dhe të drejtat e njeriut.

Zyrtarë të UNOPS që janë edhe hartues të projektit kanë deklaruar se ky do të jetë burg modern. Ndërkaq sipas tyre, burgu i ri është shumë më afër Prishtinës, aty ku më së shumti mbahen gjykimet për të akuzuarit që vuajnë dënimin në burg.

“Burgu i ri është 25 kilometra larg qytetit, i cili do të ofrojë qasje shumë më të shpejtë në gjykata dhe më shumë siguri”, thonë ata. Përveç sigurisë sipas UNOPS, burgu i ri i Gërdovcit do të jetë shumë modern dhe i ndërtuar sipas standardeve ndërkombëtare. Thonë se të burgosurit aty do të kenë më shumë luks dhe kushte të mira. Madje më të mira sesa në Burgun e Dubravës.

Kjo pasi sipas tyre, në raportin e Këshillit të Europës thuhet se kushtet në atë burg nuk janë fort të mira. “Në burgun e ri do të jenë edhe standardet për telefon, dritë natyrale, sanitari, tualete etj. Krahas pjesëve të sigurimit kompleksi do të përfshijë edhe pjesa për familjarë, dy vend punishte, një dhomë për të sëmurët dhe një për edukim”, sqarojnë zyrtarë të organizatës e cila e zbaton projektin.