Lajme Shqip Saturday, 16 November 2013 21:53

Nacionalistët e djathtë (!) gjeorgjianë kanë nostalgji për bunkerët e Enver Hoxhës për të përballuar ndonjë agresion rus. “Presidenti i Gjeorgjisë ka mbetur pa bunkerë”, ky është titulli i një shkrimi të botuar në të përditshmen “Kommersant”. Presidenti 46-vjeçar gjeorgjian Mihail Sakashvili (në foto me armë në dorë) ka bërë akuza kundër qeverisë së udhëhequr nga 57-vjeçari Bidzina Ivanishvili. Kreu i shtetit fajësoi kabinetin për “sabotim dhe dëmtim”. Kështu e ka kualifikuar Mihail Sakashvili vendimin e autoriteteve të reja gjeorgjiane për të ndërprerë ndërtimin e fortifikimeve përreth Tbilisit, kryeqytetit gjeorgjian, punë që ka filluar në vitin 2008 nga vetë Sakashvili. “Në të gjitha lartësitë përreth Tbilisit, kemi ndërtuar bunkerë betoni, me të cilat qyteti mbrohet mirë nga ana veriore – u tha gazetarëve Mihail Sakashvili.  – Pastaj shqyrtuam mundësinë e një sulmi nga bazat ruse në Armeni dhe filluam ndërtimin e fortifikimeve në rrethinat jugore të Tbilisit. Punimet u realizuan në masën 70 për qind. Mbetën të gërmoheshin vetëm pak kilometra hendeklidhje kundërtanke, por punimet u pezulluan pas ndryshimit të pushtetit”. Kjo gjë, sipas presidentit në largim të Gjeorgjisë (më 17 nëntor 2013) është “sabotim dhe dëmtim”. Deri tani, famën më të madhe në saj të ndërtimit të bunkerëve e fitoi në kohën e vet lideri i Shqipërisë socialiste, Enver Hoxha. Gjatë sundimit të tij gjithë vendin, duke përfshirë plazhet, u mbush me fortifikimet betoni, të destinuar për të “përballuar agresionin nga jashtë – nga NATO-ja ose Bashkimi Sovjetik”, komenton “Kommersant”. Shkrimet në shtypin gjeorgjian dhe rus shoqërohen me foto nga bunkerët shqiptarë në plazhe (shih njërën).

 

Info

 

Mihail Sakashvili, presidenti i Gjeorgjisë më 25 janar 2004 -25 nëntor 2007 dhe 20 janar 2008-17 nëntor 2013, kryetari i partisë “Lëvizja e Njësuar Nacionale”, një nga liderët e “Revolucionit të Trëndafiltë”, si rezultat i të cilit u rrëzua nga pushteti Eduard Shevarnadze.

 

Bidzina Ivanishvili, kryeministër i Gjeorgjisë nga 25 tetori 2012. Sipërmarrës, filantrop. Sipas “Forbes”-it, zë vendin e 153 midis njerëzve më të pasur në botë. Në zgjedhjet e 1 tetorit 2012, blloku i tij “Ëndrra gjeorgjiane” mori mbi gjysmën e vendeve në parlament.