Lajme Shqip Tuesday, 07 February 2012 10:02

Legjenda e Bajern Mynih, Franc Bekenbauer, ka thënë se kampionët në fuqi të Borusia Dortmund janë favoritë për të rifituar titullin, pasi bavarezët kanë probleme të dukshme me formën që pas pushimit dimëror.

Bekenbauer iu kundërpërgjigj trajnerit të Dortmund, Jurgen Klop, i cili vetëm një ditë më parë u shpreh se Bajerni do ta fitonte titullin në maj.

“Të lutëm, harroje këtë modesti të tepruar dhe lojërat kukafshehthi me moton ‘vetëm Bajern do të shpallet kampion’”, ishte komenti i Bekenbauer në kolonën e tij të përjavshme në faqet e gazetës “Bild”. “Klop, ju jeni kampionët në fuqi, tani jeni kryesuesit e kampionatit dhe ju jeni favoritë për titullin”.

Bekenbauer mendon se Bajernit i mungon vetëbesimi që kishte në pjesën e parë të sezonit. “Atyre u mungon besimi me të cilin sulmonin Frank Riberi, Bastian Shvajnshtajger, Tomas Myler dhe Mario Gomez. Ky vetëbesim është pikërisht ajo që ka zbuluar Dortmund, edhe pse kësaj skuadre i mungon Mario Gëtze dhe kanë një ekip me moshë shumë të re”, ishte komenti i Bekenbauer. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Monday, 06 February 2012 15:52

Presidenti i Bajern Mynih, Uli Hënes, ka zbuluar se klubi i tij i dha Borusia Dortmund para hua kur “kanarinat” ishin shumë pranë falimentimit.

Dortmund nuk kishte me çfarë të paguante lojtarët në vitin 2003, por Hënes tregoi që në vend që të gëzoheshin duke parë rivalët e përhershëm të zhdukeshin nga skena, bavarezët vendosën t’i ndihmonin ata duke u huazuar para që të lanin borxhet.

“Kur ata mësuan se nuk ishin më në gjendje të paguanin rrogat, ne u dhamë 2 milionë euro pa kolateral për disa muaj”, u tregoi Hënes tifozëve të skuadrës në Hamburg.

I pyetur rreth kësaj çështje, CEO aktual i Borusia Dortmund, Hans-Joakim Vatzke, konfirmoi se bavarezët e kishin ndihmuar klubin e tij në periudhë krize.

“Po, mund të konfirmoj se kemi huazuar para”, tregoi ai për mediat gjermane.

Por ky nuk është rasti i vetëm kur Bajern Mynih del në ndihmë të skuadrave të tjera, pasi bavarezët kanë dhënë ndihma financiare në të kaluarën edhe për Mynih 1860 dhe St. Paulin. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Sunday, 05 February 2012 20:07

Odise Roshi ka shënuar golin e parë në Bundesligë, duke i dhënë një sukses të rëndësishëm për mbijetesë skuadrës së Këln. Sulmuesi shqiptar ka qenë autori i golit të vetëm të sfidës së fituar në fushën e Kaizerslautern, ndërsa ka ndihmua ekipin të largohet nga fundi i tabelës duke u ngjitur tashmë në vendin e 9-të. 

Roshi e ka nisur ndeshjen si zakonisht nga pankina, po trajneri Solbaken ka vendosur ta aktivizojë në minutën e 70-të të sfidës, duke parë edhe se ekipi kundërshtar kishte një lojtar më pak për shkak të ndëshkimit me karton të kuq të Borysiuk në minutën e 40-të. “Xholi” shqiptar ka qenë lëvizja e duhur e teknikut norvegjez, pasi që në prekjen e parë të topit, një minutë pas aktivizimit, ai ka vënë në vështirësi portierin kundërshtar duke e detyruar atë të devijonte topin në goditje nga këndi.

Pikërisht nga kjo goditje këndi, Roshi ka bërë me kokë atë që nuk bëri me këmbë një minutë më parë, duke e dërguar topin pas krahëve të portierit të Kaizerslautern. Normalisht nuk mund të mungonte edhe dedikimi për trajnerin Solbaken, të cilin ka vrapuar për ta përqafuar pas këtij goli të shënuar.

Kjo ishte ndeshja e 11-të e Roshit në Bundesligë, të gjitha si zëvendësues, ndërsa pritet që ai të sigurojë së shpejti një vend mes titullarëve nëse arrin të gjejë më me rregullsi rrugën e rrjetës pasi Këlnit i mungon sulmuesi kryesor, Lukas Podolski. (LajmeShqip.com)

 

 
Lajme Shqip Saturday, 04 February 2012 21:14

Borusia Dortmund mbetet e vetme në kreun e klasifikimi të Bundesligës pas suksesit të djeshëm 2-0 ndaj Nyrenbergut, pasi të gjitha skuadrat e tjera të kreut janë ndalur në barazime. Bajern Mynih ka barazuar në fushën e Hamburgut, ndërsa kanë qenë vendasit që kanë dominuar në raste dhe kanë kaluar në avantazh në pjesën e parë me anë të italianit Sala, i ardhur nga ekipi i rezervave në skuadrën e parë. Në pjesën e dytë të takimit, pas një goditje nga këndi, ka ardhur edhe goli i barazimit me autor Oliç, që i ka dhënë një pikë të vlefshme skuadrës së Hejnkes. 

Ndërkohë, në barazim 1-1 është ndalur edhe Shalke nga Mainc. Ndonëse skuadra nga Gelsenkirshen pritej të fitonte lehtësisht, ajo është gjetur në disavantazh pas golit të Zidan dhe e ka patur të vështirë pastaj të çajë mbrojtjen e ngjeshur të Mainc që nuk ka lënë shumë hapësira. Vetëm goli i Obasi në pjesën e dytë i ka dhënë mundësinë kësaj skuadre të vazhdojë të qëndrojë në vendin e dytë me pikë të barabarta me Bajernin.

Pretendentja tjetër për kreun, Borusia Mynshengladbah, është ndalur në barazim pa gola në fushën e vështirë të Volfsburgut. (LajmeShqip.com)

Rezultatet

Leverkusen-Shtutgart           2-2

Herta-Hanover                         0-1

Hofenhaim-Augsburg                2-2

Shalke-Mainc                             1-1

Volfsburg-Mynshengladbah      0-0

Hamburg-Bajern                         1-1

Renditja

Borusia Dortmund 43, Bajern Mynih 41, Shalke 41, Mynshengladbah 40, Leverkusen 31, Verder Bremen 31, Hanover 30, Hofenhaim 24, Volfsburg 24, Shtutgart 23, Hamburg 23, Mainc 22, Këln 21, Nyrenberg 21, Herta 20, Kaizerslautern 18, Augsburg 17, Fraiburg 16.

 

 
Lajme Shqip Saturday, 04 February 2012 09:42

Borusia Dortmund ka triumfuar edhe përballë të ftohtit për të siguruar suksesin 2-0 ndaj Nyrenbergut në fushën e këtij të fundit. Kampionët në fuqi kanë gjetur golin e parë të ndeshjes me anë të Sebastian Kehl, i cili shfrytëzoi një kundërzbritje të shpejtë të ekipit të tij për të dërguar topin në rrjetë. Në pjesën e dytë, me rënien e temperaturave në stadium, ndeshja u bë më e ngadaltë dhe skuadrat e kishin shumë të vështirë të ndërtonin aksione të mirëfillta. Për të mbyllur ndeshjen mendoi zëvendësuesi Lukas Barrios, i cili shfrytëzoi një tjetër kundërsulm të skuadrës së tij për të shënuar golin e dytë dhe për të siguruar 3 pikët për ekipin e drejtuar nga Jurgen Klop. Borusia Dortmund tashmë është 3 pikë para Bajern Mynih dhe Shalke në renditje, ndërsa pret me qetësi ndeshjet e këtyre të fundit. (LajmeShqip.com)