Lajme Shqip Sunday, 22 April 2012 11:04

Trajneri i Borusia Dortmund, Jurgen Klop, e ka cilësuar si “të çmendur” ecurinë e skuadrës së tij, pasi ajo arriti të ruante titullin kampion në Bundesligë. “Kanarinat” morën një sukses të jashtëzakonshëm 2-0 ndaj Borusia Mynshengladbah, për të qenë edhe matematikisht të sigurt për titullin pas distancës prej 8 pikësh ndaj Bajern Mynih kur kanë mbetur vetëm dy javë deri në mbylljen e sezonit. 

“Ajo që ka arritur skuadra ime është një çmenduri, nuk kam fjalë për ta përshkruar”, tha Klop pasi ekipi i tij u bë i pari që pas Bajernit të vitit 2006 që arrin të përsëritë suksesin për dy vite radhazi në turneun më të rëndësishëm kombëtar në Gjermani.

“Nëse ka patur ndonjëherë kampionë më të merituar, ata jemi ne. Skuadra ime ka karakter të jashtëzakonshëm dhe gjërat që bëjnë këta lojtarë janë të çmendura”.

Borusia Dortmund tashmë ka filluar të mendojë për finalen e Kupës së Gjermanisë me 12 maj kundër Bajern Mynih, ku do të ketë mundësinë për të herë të parë në historinë e klubit që të fitojë dy trofetë kombëtarë në një sezon. (LajmeShqip.com)