Lajme Shqip Sunday, 15 April 2012 10:29

Jurgen Klop është në qiellin e shtatë pas suksesit të radhës së ekipit të tij që e afron atë te titulli i dytë kampion radhazi. Më në fund, ai ka pranuar se ekipi i tij mund të shpallet kampion, pasi tashmë i mungojnë vetëm 2 pikë për ta siguruar matematikisht trofeun e dytë radhazi.

“Kemi 25 ndeshje pa humbur? Ajo që kemi bërë është e pabesueshme. Kjo është diçka e çmendur! Pas fitores së sotme, triumfi në kampionat është mëse i mundshëm, por nuk do ta hapim shishen e shampanjës derisa matematika të na shpallë kampionë”, ishin fjalët e tij pas suksesit 2-1 ndaj Shalkes.

Ndërkohë, ka kapitulluar përfundimisht Bajern Mynih dhe përgëzimet për titullin kampion të Dortmundit kanë ardhur dhe nga trajneri i bavarezëve, Jup Heinkes.

“E kisha thënë edhe në konferencën për shtyp të një dite më parë që Borusia Dortmund nuk mund ta humbte titullin kampion. Këto ndeshje e kanë konfirmuar pikërisht këtë gjë: ata janë kampionët”, ishin fjalë e trajnerit të Bajern Mynih. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Saturday, 14 April 2012 20:32

Borusia Dortmund ka përfituar nga ndalesa e radhës e Bajern Mynih për t’iu afruar më tepër titullit të dytë kampion radhazi në Bundesligë. Ekipi i drejtuar nga Jurgen Klop ka çuar në 8 pikë diferencën nga bavarezët dhe u mjaftojnë dy pikë në tre javët e mbetura të kampionatit për të festuar titullin. 

Skuadra e Dortmund, pas fitores minimale ndaj Bajerit në mesjavë, ka treguar forcën e saj përballë një tjetër skuadre të mirë, duke mundur 2-1 Shalken në shtëpinë e kësaj të fundit. Ndonëse vendasit kaluan të parë në avantazh me anë të Farfan, kryesuesit e kampionatit u kundërpërgjigjën me anë të Pishçzhek dhe Kehl për të marrë një sukses shumë të rëndësishëm.

Meqenëse Bajern e ka parë që ishte thuajse e pamundur të synonte titullin në këtë sezon pas humbjes direkte me Dortmundin, ka menduar më shumë për Ligën e Kampioneve duke lënë në stolin e rezervave titullarë si Riberi, Lahm, Gomez e Kros në sfidën ndaj Mainc. Rezultati është një 0-0 pa shumë mund, ku është parë qartë që trajneri Hejnkes kishte udhëzuar skuadrën e tij të mos shpenzonte energji më shumë se sa nevojitej.

Në ndeshjet e tjera bie në sy fitorja e Augsburg në transfertë, në fushën e Volfsburgut, që i ka mundësuar kësaj skuadre të hedhë një tjetër hap drejt mbijetesës në Bundesligë. (LajmeShqip.com)

Rezultatet

Hamburg-Hanover                 1-0

12′ Hung Min Son

Leverkusen-Herta Berlin       3-3

44′ Shurle, 51′, 84′ Kiesling / 63′ Lasoga, 71′, 77′ Torun

Kaizerslautern-Nyremberg    0-2

43′ Didavi, 73′ Pekhart

Schalke-Dortmund                   1-2

9′ Farfan / 17′ Pishçzhek, 63′ Kehl

Volfsburg-Augsburg                 1-2

27′ Helmes / 13′ Oerl, 88′ Langkamp

Bajern Mynih-Mainc                 0-0

Renditja

Borusia Dortmund 72, Bajern Mynih 64, Shalke 57, Borusia Mynshengladbah 53, Shtutgart 49, Bajer Leverkusen 45, Hanover 44, Verder Bremen 42, Volfsburg 40, Hofenhaim 40, Nyremberg 38, Mainc 37, Fraiburg 35, Hamburg 34, Augsburg 33, Këln 29, Herta Berlin 28, Kaizerslautern 20.