Lajme Shqip Thursday, 12 April 2012 08:54

Arjen Roben ka pranuar se Borusia Dortmund është thuajse kampione e Gjermanisë pasi ka 6 pikë avantazh ndaj Bajern Mynih kur kanë mbetur vetëm 4 javë deri në përfundimin e kampionatit. Lojtari humbi një penallti në minutat fundit ndaj “kanarinave” duke humbur njëkohësisht edhe mundësinë për të mbajtur skuadrën e tij në garë për titullin.

“Kjo është një humbje shumë zhgënjyese. Isha shumë i sigurt kur gjuajta penalltinë pasi në vitet e fundit kam gjuajtur 10 a 11 të tilla dhe nuk kam gabuar. Fatkeqësisht, këtë radhë gabova”.

“Dortmund ka bërë një hap gjigand para. Tani mund ta themi thuajse me siguri që Borusia Dortmund do të shpallet kampione e Gjermanisë. Por tani neve na duhet që të japim edhe më shumë në ndeshjet që kanë mbetur në vazhdim”, tha mesfushori holandez.

Edhe shefi i klubit bavarez, Karl-Hainc Rumenige, ishte i të njëjtit mendim me Roben. “Tani jam 99% i sigurt se Dortmundi do të shpallet kampione e Gjermanisë”, deklaroi ai pas ndeshjes.

Borusia Dortmund luan katër ndeshjet e fundit kundër Shalke, Mynshengladbah, Kaizerslautern dhe Fraiburg. Ndërsa Bajern Mynih përballet me Mainc, Verder Bremen, Shtutgart dhe Këln. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Wednesday, 11 April 2012 21:33

Borusia Dortmund ka vënë një dorë mbi titullin kampion pas fitores së rëndësishme 1-0 ndaj Bajern Mynih, duke u shkëputur tashmë 6 pikë nga bavarezët kur kanë mbetur vetëm 4 javë deri në përfundimin e sezonit në Gjermani. Ndeshja e shumëpritur nga të gjithë tifozët gjermanë nuk ka zhgënjyer duke dhuruar emocione deri në minutat e fundit. 

Ekipi vendas ka qenë më dominues në lojën e tij, edhe falë mbështetjes së flaktë të tifozerisë por skuadrat nuk kanë patur shumë raste për të shënuar qoftë edhe për shkak të mbrojtjeve tejet të ngjeshura. Ndaj për të vendosur ndeshjen është dashur një devijim me thembër i Levandovskit pas gjuajtjes së Groskroitz, që portieri Nojer i Bajernit të shihte topin të përfundonte në rrjetë në minutën e 77-të.

Emocionet kanë vazhduar deri në fund pasi Bajern ka tentuar në të gjitha mënyrat të gjejë barazimin, ndërsa Arjen Roben ka humbur mundësinë më të mirë duke shpërdoruar një penallti në minutën e 85-të, duke i lënë fitores skuadrës së Jurgen Klop që shkon drejt titullit të dytë radhazi. (LajmeShqip.com)

Rezultatet

Leverkusen-Kaizerslautern     3-1

1′ Kisling , 57′ Rolfes, 69′ Reinartz / 40′ Derstrof

Dortmund-Bajern Mynih          1-0

77′ Levandovski

Hanover-Volfsburg                   2-0

44′ Diuf, 77′ Ja Konan

Hofenhaim-Hamburg                4-0

17′ Vestergard, 25′ (p) Salihoviç, 51′ Xhohnson, 59′ Shiplok

Nyremberg-Shalke                   4-1

25′ Balitsh, 37′ (p) Simons, 45′, 87′ Didavi / 85′ Holtbi

Renditja

Borusia Dortmund 69, Bajern Mynih 63, Shalke 57, Borusia Mynshengladbah 53, Shtutgart 46, Hanover 44, Bajer Leverkusen 44, Verder Bremen 42, Volfsburg 40, Hofenhaim 40, Mainc 36, Fraiburg 35, Nyremberg 35, Hamburg 31, Augsburg 30, Këln 29, Herta Berlin 27, Kaizerslautern 20.

 
Lajme Shqip Tuesday, 10 April 2012 21:42

Borusia Mynshengladbah nuk arrin të fitojë më. Barazimi 2-2 me Verder Bremen në fushën e këtyre të fundit ka treguar edhe një herë mangësitë e skuadrës së drejtuar nga Lysen Favre, të cilës i mungon dukshëm eksperienca për të vendosur ndeshjet e vështira.

Verder kaloi i pari në avantazh me anë të Rosenberg që në minutën e 18-të. Por Mika Hanke me dy golat e tij kaloi në avantazh Mynshengladbah duke bërë të shpresohej që më në fund erdhi dhe fitorja e shumëpritur. Por ka qenë braziliani Naldo ai që ka shuar shpresat e miqve duke siguruar një barazim për vendasit që vazhdojnë të mbeten në mesin e artë të tabelës ë klasifikimit.

Ndërkohë, Mynshengladbah është i katërti në renditje dhe tashmë rrezikon disi këtë pozicion falë rizgjimit të Shtutgartit që me fitoren 3-1 ndaj Augsburg është 7 pikë larg vendit të katërt dhe po kalon një formë të shkëlqyer. (LajmeShqip.com)

Rezultatet

Augsburg-Shtutgart         1-3

5′ (p) Rafael / 24′ Tashçi, 34′ Harnik, 84′ Ibisheviç

Herta Berlin-Fraiburg       1-2

81′ Hubnik / 7′ (ag) Hubnik, 67′ Frais

Mainc-Këln                          4-0

19′ (p) Polanski, 31′ Zidan, 37′ Myler, 54′ Szalai

Verder-Mynshengladbah    2-2

18′ Rosenberg, 74′ Naldo / 52′, 68′ Hanke

Renditja

Borusia Dortmund 66, Bajern Mynih 63, Shalke 57, Borusia Mynshengladbah 53, Shtutgart 46, Verder Bremen 42, Hanover 41, Bajer Leverkusen 41, Volfsburg 40, Hofenhaim 37, Mainc 36, Fraiburg 35, Nyremberg 32, Hamburg 31, Augsburg 30, Këln 29, Herta Berlin 27, Kaizerslautern 20.

 
Lajme Shqip Tuesday, 10 April 2012 14:46

Mario Gëtze, talenti më i madh i futbollit gjerman, është i sigurt se Borusia Dortmund do të triumfojë në sfidën përballë Bajern Mynih që luhet nesër në darkë dhe do të marrë titullin kampion përballë gjigandëve bavarezë.

Ai nuk ka ngurruar të tregojë edhe rezultatin e saktë të kësaj sfide sipas tij, në një intervistë të dhënë për “Kicker”.

“Borusia fiton 2-1 pasi ne luajmë në shtëpi. Kuptohet që përballë Bajernit duhet dhënë më shumë se 100%. Por pasi kemi fituar 3 ndeshje radhazi ndaj tyre, ne e dimë se si duhet të ndjehesh në takime të tilla”, ka treguar mesfushori i talentuar.

Ai ka pranuar se në radhët e Bajern ka kampionë të panumërt, ku sipas tij, më i talentuari është padyshim shoku i repartit në kombëtaren gjermane, Bastian Shvajnshtajger. “Nuk ka lojtar më të mirë në pozicionin e tij në Gjermani”, ishte lëvdata e 19 vjeçarit, i cili më pas ka munduar të kalojë trysninë pikërisht te Bajerni, duke thënë se bavarezët janë ende një skuadër më e mirë se Dortmundi.

“Ata janë ende para, po të shohësh vitet e fundit në Ligën e Kampioneve apo Kupën e Gjermanisë. Po gjërat mund të ndryshojnë dhe ne jemi në rrugën e duhur për t’i rivalizuar”, ishin fjalët e tij. (LajmeShqip.com)