Lajme Shqip Sunday, 01 April 2012 08:37

Kur kanë mbetur edhe 6 ndeshje deri në përfundimin e Bundesligës, Bajern Mynih është kthyer fuqimisht në garë për titullin kampion, i cili do të vendoset nga vizita e kësaj skuadre në Dortmund. Kjo është arsyeja pse drejtori sportiv i bavarezëve, Kristian Nerlinger, beson se titulli është përsëri në duart e tyre.

“Përmbledhja e fundjavës është se gjithçka është përsëri në duart tona, në të tre turnetë që marrim pjesë. Kam besim të jashtëzakonshëm te kjo skuadër që kemi ndërtuar. Lojtarët po tregojnë se mund të përshtaten me një ndeshje çdo tre ditë dhe që janë fizikisht në formë të shkëlqyer. Po pres me padurim ndeshjet e ardhshme”, tha ai.

Finalja e Ligës së Kampioneve zhvillohet në “Allianz Arena” dhe ky fakt ka qenë një shtysë e madhe deri tani për bavarezët që janë thuajse të kualifikuar në gjysmëfinalet e turneut falë fitores 2-0 në ndeshjen e parë ndaj Marsejës në fushën e këtyre të fundit.

Ndërkohë, me 12 maj, Bajern luan finalen e Kupës përballë Borusia Dortmund, në atë që është kthyer në duelin kryesor të sezonit.

“Vazhdojmë të themi se duhet të fitojmë çdo ndeshje të mbetur në këtë sezon”, ishte premtimi i Arjen Roben. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Saturday, 31 March 2012 21:12

Një gol i Arjen Roben në minutën e 69-të ishte i mjaftueshëm për të vendosur fatin e derbit bavarez në favor të Bajern Mynih që ka mundur me rezultatin minimal 1-0 Nyrembergun për të shkuar tashmë vetëm 3 pikë larg Borusia Dortmund në kreun e renditjes. 

Goli i holandezit i jep mundësinë skuadrës së Jup Heinkes të kthehet fuqimisht në garën për titull, pasi bavarezët kanë një sfidë direkte me kryesuesit e kampionatit pas vetëm dy javësh.

Ndërkohë, në ndeshjet e tjera është luftuar për mbijetesë, ku fitoret e Augsburgut dhe Hamburgut kanë larguar këto skuadra nga zona e ftohtë. Aty ka përfunduar Këlni i Odise Roshit, që nuk po di më të fitojë dhe rrezikon seriozisht të bjerë në Bundesligën 2 në sezonin e ardhshëm. (LajmeShqip.com)

Rezultatet

Augsburg-Këln                       2-1

Leverkusen-Fraiburg            0-2

Kaizerslautern-Hamburg      0-1

Nyremberg-Bajern Mynih    0-1

Verder Bremen-Mainc          0-3

Herta Berlin-Volfsburg         1-4

Renditja

Borusia Dortmund 63, Bajern Mynih 60, Shalke 53, Borusia Mynshengladbah 51, Volfsburg 40, Bajer Leverkusen 40, Verder Bremen 40, Shtutgart 40, Hanover 38, Hofenhaim 33, Mainc 33, Fraiburg 31, Nyremberg 31, Augsburg 30, Hamburg 30, Këln 28, Herta Berlin 26, Kaizerslautern 20.

 
Lajme Shqip Saturday, 31 March 2012 08:35

Trajneri i Borusia Dortmund, Jurgen Klop, ishte i zhgënjyer më mënyrën sesi skuadra e tij i la të ikte për duarsh një fitore, duke u ndalur në barazim 4-4 nga Shtutgart. Kampionët në fuqi pësuan një gol në minutat shtesë nga Gentner, ndërsa nuk kishin arritur më parë të ruanin një avantazh prej dy golash, duke e nervozuar Klop i cili i vlerësoi “gabime fillestarësh” ata që kishte bërë prapavija në këtë ndeshje.  

“Kishte një apo dy situata me të cilat nuk jemi ndeshur më parë. Nuk mund të flas për mënyrën si Subotiç dhe Humels u hodhën njëkohësisht për topin (te goli i katërt i Shtutgart), pasi një gjë e tillë nuk ka ndodhur asnjëherë më përpara”, tha ai, duke preferuar që të linte lojtarët e tij të flasin.

“Nuk duhet të dorëzojmë asnjëherë një avantazh 2-0 siç vepruam sot. Por ne luajtëm shumë mirë pas rezultatit 2-3, ecëm me një hap që kundërshtarët nuk e përballonin. Por pastaj gabuam duke i dhënë mundësinë të merrnin një barazim të tillë”, tha mbrojtësi Humels. (LajmeShqip.com)