Lajme Shqip Saturday, 25 August 2012 22:00

Bajern Mynih ka fituar me rezultatin 3-0 ndeshjen e parë të kampionatit përballë skuadrës së Grojter Furth, duke konfirmuar se po kalon një formë të shkëlqyer. Ekipi i drejtuar nga Jup Heinkes i është kundërpërgjigjur në këtë mënyrë Borusia Dortmund që kishte fituar sfidën e saj kundër Verder Bremen të luajtur dje.

Në radhët e Bajernit është aktivizuar përsëri si titullar që nga minuta e parë mesfushori Xherdan Shaqiri, i cili po arrin të fitojë hapësira në formacionin e skuadrës që pretendon për titull në Gjermani. Pikërisht nga një goditje nga këndi e mesfushorit kosovar ka ardhur edhe goli i avantazhit për skuadrën e Bajern, i shënuar nga Myler. Manxhukiç dhe Roben, me dy gola të shënuar në pjesën e dytë vulosën rezultatin e këtij takimi. 

Për Grojter Fyrth luajti nga minuta e parë si titullar mbrojtësi i përfaqësueses shqiptare, Mërgim Mavaraj, ndërsa duhet theksuar se në pjesën e dytë të takimit, në radhët e kësaj skuadre u aktivizua edhe sulmuesi i talentuar 20 vjeçar kosovar, Ilir Azemi.

Ky i fundit i është sinjalizuar trajnerit të përfaqësueses shqiptare, Xhani De Biasi, nga vetë Mavraj, që është kthyer në “sponsor” të tij për afrimin në kombëtaren kuqezi. (LajmeShqip.com)

Bundesliga

Java 1 / Rezultatet

Mynshengladbah-Hofenhaim     2-1

Fraiburg-Mainz                                 1-1

Augsburg-Fortuna Dyseldorf     0-2

Hamburg-Nyrenberg                     0-1

Grojter Furth-Bajern Mynih       0-3

E. Frankfurt-Leverkusen             2-1

Shtutgart-Volfsburg                      0-1

 
Lajme Shqip Saturday, 25 August 2012 08:01

Borusia Dortmund ka filluar mbrojtjen e titullit kampion në Gjermani me një fitore të rëndësishme 2-1 ndaj skuadrës së Verder Bremen, duke dhënë sinjale se kërkon të vazhdojë serinë e sukseseve në sezonin e 50-të jubilar të Bundesligës.

Marko Reus, futbollisti i përfaqësuese gjermane, kaloi në avantazh skuadrën e tij në minutën e 11-të me një gol mjaft të bukur në kundërsulm. Por futbollisti çek Teodor Gebra Selasi, arriti të vendoste barazpeshën në shifra falë golit të tij në minutën e 75-të.

Vetëm aktivizimi i Mario Gëtze që ishte lënë në pankinë pasi sapo është kthyer nga një dëmtim, bëri që Borusia Dortmund të fitonte këtë sfidë. Mesfushori me tipare sulmuese shënoi golin e 2-1 në minutën e 81-të, vetëm 3 minuta pasi hyri në fushën e lojës, duke i dhënë suksesin dhe 3 pikë të rëndësishme skuadrës së tij.

Ky sukses duket se nuk ka kënaqur trajnerin Jurgen Klop, i cili ka bërë të qartë që skuadra duhet të përmirësohet ndjeshëm në javët në vazhdim.

“Isha i kënaqur me disa gjëra, por i pakënaqur me shumë të tjera. E vetmja gjë për të cilën jam i kënaqur është reagimi i skuadrës, pasi për tre muaj nuk kemi luajtur asnjë ndeshje të vërtetë”, tha ai pas përfundimit të takimit. (LajmeShqip.com)