Lajme Shqip Saturday, 25 August 2012 08:01

Borusia Dortmund ka filluar mbrojtjen e titullit kampion në Gjermani me një fitore të rëndësishme 2-1 ndaj skuadrës së Verder Bremen, duke dhënë sinjale se kërkon të vazhdojë serinë e sukseseve në sezonin e 50-të jubilar të Bundesligës.

Marko Reus, futbollisti i përfaqësuese gjermane, kaloi në avantazh skuadrën e tij në minutën e 11-të me një gol mjaft të bukur në kundërsulm. Por futbollisti çek Teodor Gebra Selasi, arriti të vendoste barazpeshën në shifra falë golit të tij në minutën e 75-të.

Vetëm aktivizimi i Mario Gëtze që ishte lënë në pankinë pasi sapo është kthyer nga një dëmtim, bëri që Borusia Dortmund të fitonte këtë sfidë. Mesfushori me tipare sulmuese shënoi golin e 2-1 në minutën e 81-të, vetëm 3 minuta pasi hyri në fushën e lojës, duke i dhënë suksesin dhe 3 pikë të rëndësishme skuadrës së tij.

Ky sukses duket se nuk ka kënaqur trajnerin Jurgen Klop, i cili ka bërë të qartë që skuadra duhet të përmirësohet ndjeshëm në javët në vazhdim.

“Isha i kënaqur me disa gjëra, por i pakënaqur me shumë të tjera. E vetmja gjë për të cilën jam i kënaqur është reagimi i skuadrës, pasi për tre muaj nuk kemi luajtur asnjë ndeshje të vërtetë”, tha ai pas përfundimit të takimit. (LajmeShqip.com)