Lajme Shqip Wednesday, 19 October 2011 14:39

Kryeministri Berisha i dërgoi një mesazh ngushëllimi familjes së minatorit Naim Shyti, i cili humbi dje jetën, në minierën e Bulqizës. Në mesazhin e tij, Kryeministri shprehet:

“Të dashur familjarë të të ndjerit Naim Shyti,

Vdekja tragjike e njëriut tuaj të dashur, birit, babait, prindit, ishte një lajm shumë hidhërues për mua dhe familjen time, por edhe për qeverinë e vendit.

Me këtë rast, duke ndarë me ju dhimbjen e kësaj humbje, ju shpreh ju familjarëve dhe të afërmve të të ndjerit Naim Shyti ngushëllimet e mia më të sinqerta dhe lutem që shpirti i tij të gjej paqen e merituar.

Me respekt,

Sali Berisha”

Vizita e Berishës në spital…

Kryeministri Berisha vizitoi sot, minatorët e plagosur dje, në minierën e Bulqizës, që ndodhen në trajtim intensiv në repartin e reanimacionit të Spitalit Amerikan, në Tiranë.

Kryeministri Berisha, pasi u njoh nga shefi i reanimacionit për gjendjen dhe trajtimin e tyre, vizitoi minatorët dhe i uroi shërim të shpejtë. Kryeministri siguroi se qeveria është e vendosur të japë ndihmën e mbështtejen e saj, për shërimin e shpejtë e tyre.

Ky ishte një aksident i dhimbshëm dhe tragjik , – u shpreh Kryeministri Berisha – dhe qeveria është e vendosur, së bashku me mjekët, të bëjë çdo gjë për t’ju ndihmuar.

 
Lajme Shqip Tuesday, 18 October 2011 14:27

Kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka shkuar në Spitalin Ushtarak për të takuar minatorët e plagosur gjatë shpërthimit të sotëm në Bulqizë.

Sipas njoftimit të Partisë Socialiste mësohet se “Kryetari Edi Rama vizitoi minatorët e plagosur pas tragjedisë së rradhës në Bulqizën e tradhëtuar nga shteti dhe të mbytur në zgafellën e korrupsionit qeveritar. Edi Rama ngushëllon familjen e minatorit të vrarë dhe duke u uruar shërim sa më të shpejtë të plagosurve solidarizohet edhe një herë me Bulqizën e me të gjithë skllevërit e korrupsionit qeveritar në Bulqizë. Kryetari i opozitës garanton bulqizakët dhe mbarë qytetarët shqiptarë se me të ardhur në qeveri Aleanca për të Ardhmen do të bëjë drejtësi për të gjitha plagët e tmerrshme të korrupsionit shtetëror”.

Rama shoqërohet nga disa deputetë të PS-së dhe ka shkuar në spital që të njihet nga afër me gjëndjen shëndetësore të minatorëve. Tre prej tyre thuhet se janë në gjëndje kritike për jetën.

 
Lajme Shqip Tuesday, 18 October 2011 11:43

Bulqizë- Një prej minatorëve që kanë asistuar në shpërthimin e të martës në Bulqizë, ngjarje që i kushtoi jetën minatorit Naim Shyti dhe plagosi 8 të tjerë thotë se ka treguar të gjithë dinamikën e aksionit nga shpërthimi deri tek mbërritja e ndihmës së shpejtë.

Baki Bajraktari thotë se ngjarja ka ndodhur rreth orë 9.15 të mëngjesit ndërsa ata kanë qenë duke qepur tubat e ajrimit.

Sapo ka ndodhur shpërthimi Bajraktari tha se ai kishte njoftuar njësinë e avari-shpëtimit e cila ka ardhur pa mjetet e duhura përfshirë këtu edhe pa bombula oksigjeni të cilat mund t’i kishin shpëtuar jetën të ndjerit Naim Shyti.

“Kur ka ardhur avari-shpëtimi ne i kemi nxjerrë të plagosurit në sipërfaqe si bagëti pasi nuk kishte barrela dhe fasho. Ne grisëm bluzat tona për të ndaluar hemoragjitë e shokëve tanë pasi në nëntokën e Bulqizës nuk ka asnjë mjet të ndërhyrjes së shpejtë”-tregon Bajraktari ndërsa akuzon se “është dashur 50 minuta të ardhur në ndihmë të plagosurit”.

I acaruar, Bajraktari kujton se “Ne ishim në grevë për të përmirësuar kushtet e punës tonë dhe e kishim paralajmëruar këtë katastrofë por askush nuk na e vuri veshin”. Sipas tij ësht e sigurtë ashtu sikundër në të shkuarën se “Raporti do të nxjerrë se fajtori ishte ai që vdiq pasi minierën e kanë marrë në menaxhim mafia”.

 
Lajme Shqip Tuesday, 18 October 2011 10:26

Bulqizë- Në pusin nr. 2 të minierës së Bulqizës ka ndodhur paraditen e sotme një shpërthim i gazit metan duke shkaktuar vdekjen e minatorit Naim Shtyti.

Ndërsa 8 minatorët e plagosur paraditen e sotme si pasojë e shpërthimit të gazit metan në punin nr. 2 në minierën e Bulqizës janë transportuar drejt Spitalit Ushtarak të Tiranës me helikopterë, për një mjekim të specializuar.

Raportimet e mediave bëjnë të ditur për 9 minatorë të plagosur, ndërkohë që nuk dihet numri i saktë i minatorëve që ndodheshin nën tokë në momentin e shpërthimit.

Ende nuk dihen shkaqet e këtij shpërthimi. Nuk është bërë e ditur ende nëse minatorët e plagosur punonin në minierat e kompanisë ACR dhe nëse bëhet fjalë për të njëjtët përsona që protestuan për disa kohë kundër kushteve të këqija në këto miniera.