Lajme Shqip Wednesday, 21 September 2011 10:48

Bulqizë- Minatorët e Bulqizës sapo janë njohur zyrtarisht me marrëveshjen e ofruar nga kompania ACR, e kanë hedhur poshtë atë, ndërsa kanë deklaruar se do të vijojnë grevën e urisë deri në plotësimin e të gjitha kërkesave të tyre.

Drejtuesit e grevës nuk pranuan marrëveshjen prej 7 pikash të kompanisë me pretendimen se mungojnë tre kërkesat e tyre. Në marrëveshje sipas minatorëve nuk është përfshirë largimi i drejtorit të minierës Medat Zogu, nuk paguhen të gjitha ditët e grevës dhe nuk janë dhënë garanci për investimet në nivelin e 16-të të minierës së Bulqizës.

12:30 ACR ofron marrëveshje

Tiranë -Kompania koncesionare “ACR” i ka ofruar një marrëveshje minatorëve të Bulqizës ku thekson se i ka plotësuar shumicën e kërkesave të tyre.

Marrëveshja i është dorëzuar përfaqësuesve të këshillit të grevës në takimin e zhvilluar sot me pronaren e kompanisë “ACR” ndërkohë që pritet edhe vendimi i minatorëve në lidhje me këtë marrëveshje.

Në marrëveshjen e përbërë nga 7 pika e ofruar nga “ACR-ja janë të përfshira investimet në minierë, rritja e pagës bruto me 20 përqind, jo mbishfrytësim të zonës minerare D, kushte më të mira pune, ngritje të këshillave për sigurinë në punë si dhe dhënia e pagës së 13-të. Ndërkohë në marrëveshje nuk është përfshirë edhe kërkesa e minatorëve për largimin e drejtorit të minierës, kërkesë kjo që deri më tani është kundërshtuar nga kompania “ACR”.

Pritet tshmë reagimi e komisionit të grevës për marrëveshjen, 10 minatorët vijojnë grevën e urisë e cila po zhvillohet në një godinë në afërsi të territorit të kompanisë koncensionare. Në Bulqizë për të takuar minatorët edhe disa përfaqësues të opozitës e kryesuar nga Saimir Tahiri, Petro Koçi dhe Kurt Kola.

10:15. Minatorët takohen me drejtuesit e ACR

Greva e urisë e minatorëve të Bulqizës, ka vijuar edhe të mërkurën, ndërkohë qëpritet dhe një takim në kryeqytet, midis përfaqësisë së tyre dhe drejtuesve më të lartë të kompanisë Albanian Chrom “ACR”.

Sipas përfaqësisë së minatorëve, të cilët ndodhen, që në orët e para të ditës së mërkurë në kryeqytet, në orën 11:00, në Tiranë, pranë Hotel Rogner (Europa Park), do të zhvillojnë një takim me pronarin e kompanisë austriake, për t’i dhënë një zgjidhje përfundimtare situatës problematike të krijuar në Bulqizë.

Minatorët, kanë ritheksuar edhe sot, bindjen e tyre për ta vazhduar këtë rrugë deri në realizimin e të gjitha kërkesave të tyre. “Ne do ta vijojmë grevën deri sa kompania ku ne aderojmë, të na i realizojë të gjitha kërkesat, edhe atë të largimit të drejtorit të minierës” nënvizoi njëri prej tyre.

Nga ana tjetër, ata bëjnë me dije se minatorët që janë në grevë do të zhvillojnë një mesditë një takim me nënkryetarin e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Saimir Tahirin, i cili do të njihet nga afër me gjendjen e tyre.

Së fundmi, përfaqësia e minatorëve, ka përfituar nga ardhja në Tiranë, për të kërkuar një grup mjekësor specialistësh, për të asistuar kolegët e tyre në grevë, pasi kanë filluar të shfaqin problemet e para shëndetësore.

Ndërkaq, raundi i dytë i grevës së urisë, i cili ka në thelb të saj largimin e drejtorit kompanisë ACR, në Bulqizë (duke parë që kërkesat e tjera janë pranuar nga firma ACR), po zhvillohet në një godinë në afërsi të territorit të kompanisë koncensionare, ndërkohë që policia mban në kontroll pusin A1, vend ku u zhvillua greva e parë e urisë. Gjithashtu jashtë ambienteve të ACR-së, familjarë e të tjerë të minatorëve vazhdojnë protestën në mbështetje të grevistëve.