12
 
Lajme Shqip Thursday, 19 September 2013 12:50

Durrës- Eskorta e Presidentit Bujar Nishani u aksidentua në qytetin bregdetar të Durrësit. Ngjarja ka ndodhur mëngjesin e sotëm në afërsi të vilës presidenciale në zonën e plazhit të qytetit bregdetar. Në eskortë ka qenë edhe Presidenti Bujar Nishani, pasi ishte duke dalë për të lëvizur drejt qytetit të Tiranës.

Lajmi është konfirmuar për shqiptarja.com nga burime të Ministrisë së Brendshme.

Burimet thanë se, në aksident është përfshirë makina e parë e eskortës së presidentit Bujar Nishani, duke shkaktuar disa dëmtime. Makina e parë është përplasur me një automjet tjetër që ishte duke lëvizur në rrugë, një “Benz” me targa gjermane që pas verifikimeve ka qenë me dokumente të rregullta. Makina e eskortës është përplasur në krahun e shoferit.

Të njëjtat burime policore pohuan, se automjeti që është bërë shkak i aksidentit, nuk ka parë shenjën e policisë për të ndaluar, ndërsa eskorta ka qenë duke dalë nga vila presidenciale.

Drejtuesi i makinës së parë të eskortës është lënduar lehtë. Pas aksidentit eskorta e Presidentit Bujar Nishani ka vazhduar rrugën në drejtim të Tiranës.
Burime nga policia e Durrësit kanë bërë të ditur se, nuk ka person të ndaluar në lidhje me këtë ngjarje.

Ky është aksidenti i dytë i eskortës së Presidenti. Në 14 shtator të vitit 2012, një prej makinave shoqëruese të presidentit u përfshi në një aksident në Peqin, ku humbi jetën një gardist dhe një tjetër u lëndua. -/Shqiptarja/

 
Lajme Shqip Thursday, 22 August 2013 11:09

Tiranë- Deputeti socialist, Erion Braçe, ka reaguar pas publikimit të dokumenteve nga ana e gazetës TemA, të cilat vërtetojnë së vjehrri i presidentit Bujar Nishani, është trashëgimtar i ligjshëm i një pjese prone tek PD. Braçe shprehet se Nishani tashmë është kapur mat dhe duhet të hetohet penalisht, pasi ka shkaktuar një shkelje skandaloze të ligjit.
“Një president i kapur mat. Të gjitha provat që akuzojnë Presidentin e Republikës:
Ja që ka pronë;
Ja që e kanë pjesëtarë të familjes së tij;
Ja që është në territorin e zyrave të PD-së
Të gjithë ata që nga PD kanë folur për këtë çështje, kanë thënë: Godina e PD është pronë e vjetër e ish-pronarëve dhe ajo do ju kthehet atyre. Pikërisht për këtë arsye Shtëpia Qendrore e Ushtrisë duhet të strehonte PD-në.
Pra, selia aktuale e PD duhet të boshatisej dhe PD duhej të strehohej në një seli të re. Pikërisht për këtë arsye, Presidenti i Republikës lejoi Qeverinë të vendoste në mënyrë të paligjshme. Presidenti i Republikës vendosi një javë më pas të “plotësonte letrat” për të bërë “të ligjshëm” vendimin e Qeverisë.
Ky është një skandal shumë i madh. Është i zbardhur, por duhet të hetohet penalisht”, shprehet deputeti socialist.

 
Lajme Shqip Wednesday, 21 August 2013 23:08

Babai i “Zonjës së Parë” Odeta Nishani, është një nga pronarët trashëgimtarë të një pasurie që përfshin “Bar Restorant Sarajet” dhe 1500 metra truall deri në rrugën para oborrit të Partisë Demokratike.

Trashëgimtarët e ligjshëm të kësaj prone janë familjet Kazazi dhe Kosova, të cilat kanë degëzuar trashëgimtarët e tyre.

Ali Kosova, babai i Odeta Nishanit, është pjesëtar i kësaj trashëgime.

Gazeta TemA ka siguruar dokumentet hipotekore dhe origjinën e pronës, e cila është e ligjshme, si trashëgimi që buron nga një pronë e regjistruar me nr. 878 më 4 nëntor 1943 në pronësi të Mustafa e Hamza Kosovës, të cilët janë djemtë e Osman Kazazit dhe Fehmi Kazazit.

Ali Kosova, babai i Odeta Nishanit, është djali i Mustafa Kosovës, që e ka zotëruar këtë pronë deri në vitin 1947. Ali Kosova e ka fituar pronën përmes një vendimi gjykate të vitit 1999, i cili kundërshton një vendim të mëparshëm të kthimit të pronave që njihte pronarë vetëm familjen Kazazi. Pas këtij vendimi prona është ndarë në dy pjesë mes familjes Kosova dhe Kazazi.

Sipas gjithë regjistrave hipotekare, prona kufizohet nga veriu me rrugën Abdi Toptani (dikur Alqi Kondi), që është rruga që kalon para “Torre Drinit”, nga jugu nga ish –“Kinema Kosova”, nga lindja nga rruga “Hiqmet Dervishi”, që i bie rruga para oborrit të PD, në një gjerësi prej 34 m, nga perëndimi nga rruga “Pashë Toptani”.

Sipas këtij gentpalni, brenda pronës si pasuri kryesore gjendet “Bar Restorant Sarajet” dhe një sipërfaqe trualli rreth 1500 metra, që sipas përshkrimit hipotekar i bie të dalë në pjesën fundore të rrugicës para PD-së, aty ku është “Kafe Jurnal”, së bashku me pjesën sipër “Kafe Jurnal” ku gjendet dhe zyra e ish- kryetarit të PD-së, Sali Berisha.

 
Lajme Shqip Monday, 19 August 2013 13:30

Tiranë- Presidenti Bujar Nishani ka reaguar pas akuzave se bashkëshortja e tij është pronare mbi truallin ku ndodhet aktualisht godina e Partisë Demokratike. Nishani thotë se kjo është një shpfije.
“Sot, përfaqësues të lartë të shumicës së re qeverisëse, në vazhdën e shpifjeve të neveritshme dhe të përsëritura të këtyre ditëve, kanë adresuar publikisht akuza të paqena ndaj familjes së Presidentit te Republikës për të ashtuquajturën lidhje në pronësi mbi truallin ku sot ndodhet godina e selisë së Partisë Demokratike.
Institucioni i Presidentit të Republikës duke hedhur poshtë me përbuzje dhe neveri të tilla shpifje, deklaron me vendosmëri se familja e bashkëshortes së Presidentit nuk ka lidhje pronësie mbi truallin e godinës në fjalë”, thuhet në një deklaratë të Presidencës.
Sipas Nishanit, ndaj tij po ushtrohet një terror psikologjik.
“Ky akt i turpshëm shpifjeje dhe ky sulm i rëndë antikushtetues me ngjyrim të qartë politiko-propagandistik, synon të terrorizojë psikologjikisht familjen e Presidentit të Republikës dhe të ndalë ushtrimin e funksioneve kushtetuese nga ana e Kreut të Shtetit”, shprehet Nishani, shkruan tema.
Ai ka kërkuar nga ana e prokurorisë që të nisë hetimet, për atë që Nishani e cilëson si shantazh ndaj presidentit.
“Me këtë rast dhe në këto rrethana, Presidenti i Republikës i kërkon Prokurorit të Përgjithshëm të nisë procedurën e hetimit penal ndaj këtij shantazhi që po i bëhet Kreut të Shtetit shqiptar”, shprehet Nishani.
Ai ka kërkuar gjithashtu nga Rama, që të ndalë sulmet ndaj tij.
“Presidenti i Republikës, lidhur me të njëjtin problem, i kërkon gjithashtu Zotit Edi Rama, kryetar i Partisë Socialiste propozuar nga shumica e re për postin e Kryeministrit, ta ndalë urgjentisht këtë fushatë të ulët, të padrejtë dhe të padenjë, kundër Kreut të Shtetit”, thotë Nishani.
“Ftoj me këtë rast cilindo shtetas shqiptar që çdo pretendim për shkelje të Ligjit nga ana e Presidentit të Republikës ta denoncojë normalisht në institucionet përkatëse të drejtësisë.
Institucioni i Presidentit të Republikës, në asnjë rast dhe për asnjë arsye, nuk duhet, nuk mund, dhe nuk është përfshirë kurrë në luftën politike mes shumicës dhe pakicës parlamentare.
Presidenti i Republikës i siguron qytetarët shqiptarë dhe partnerët ndërkombëtarë të Shqipërisë se do të vazhdojë pa u ndalur asnjë çast të përmbushjen e detyrave kushtetuese, sado të rrejshme qofshin shpifjet, dhe sado të ulëta dhe të padenja shantazhet”, mbyllet deklarata./b.l

 

 
Lajme Shqip Saturday, 17 August 2013 15:24

Tiranë- Institucioni i Presidencës akuzoi sot aktorë të mazhorancës së re qeverisëse për shantazhe, shpifje e kërcënime ndaj kreut të shtetit. Përmes një deklarate të shpërndarë për mediat, Presidenca shpreh shqetësim për atë që e cilëson si “nisje të një platforme shantazhi dhe kërcënimi ndaj këtij institucioni dhe funksionimit të tij kushtetues”.

Presidenca konsideron si shpifje akuzat e fundit në drejtim të këtij institucioni, për akordimin e fondit shtesë nga qeveria ende në detyrë, që u komentua si një formë shpërblimi që kryeministri Berisha i bëri kreut të shtetit, pas firmosjes së vendimit për shndërrimin e Shtëpisë Qendrore të Ushtrisë në selinë e re të Partisë Demokratike.

Presidenca sqaron se fondi shtesë i akorduar nga qeveria do të përdoret për realizimin e Samitit të 5-të, të Presidentëve të Ballkanit Perëndimor, i cili sipas sistemit të rotacionit, këtë vit organizohet në Shqipëri me 16-17 shtator 2013.

“Gjatë ditëve të fundit në mënyrë të përsëritur, ndaj Kreut të Shtetit, janë adresuar shpifje, kërcënime dhe shantazhe nga aktorë të maxhorancës së re politike të dalë pas zgjedhjeve të 23 Qershorit. Akuza më e fundit në lidhje me fondin shtesë të akorduar nga qeveria për Institucionin e Presidentit të Republikës përbën një shqetësim të madh për funksionimin e këtij Institucioni. Ky fond, jepet për realizimin e Samitit të 5-të, të Presidentëve të Ballkanit Perëndimor, i cili sipas sistemit të rotacionit, këtë vit organizohet në Shqipëri me 16-17 shtator 2013. Institucioni i Presidentit të Republikës, garanton qytetarët e vendit dhe partnerët ndërkombëtarë të Shqipërisë, se nuk do të ndalet në funksionimin e tij dhe përmbushjen e detyrimeve kushtetuese.”- thuhet në deklaratën e Presidencës./BW/

 
Lajme Shqip Wednesday, 07 August 2013 15:49

Tiranë – Presidenti i vendit, Bujar Nishani ka dekretuar sot mbledhjen e legjislaturës se re të Kuvendit të  Shqiperisë.

Kuvendi i ri, dalë nga votat e 23 qershorit do të mblidhet në daten 9 shtator në orën 18.00, shkruan tema.

“Në mbështetje të nenit 67, pika 1 dhe nenit 93 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, Presidenti i Republikës, Bujar Nishani dekretoi mbledhjen e Legjislaturës së XIX të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, ditën e hënë, datë 9 shtator 2013, ora 18:00“- shkruhet në dekretin e kreut te shtetit.

 

 

 
Lajme Shqip Saturday, 27 July 2013 11:44

Tiranë – Presidenti Bujar Nishani ka bërë një analizë të punës së tij, një vit pas zgjedhjes në krye të këtij posti. Nishani shprehet ndër të tjera se, “rezultati final i këtyre zgjedhjeve surprizoi skajshëm njëlloj të gjithë: palët në garë elektorale, analistet, fituesit, humbësit”. 

Nga Bujar Nishani

Një vit në detyrë të fton vetvetiu për bilanc. Institucionet e tjera, Qeveria, Parlamenti, Kontrolli i Shtetit etj., bëjnë periodikisht bilance pune. Për shkak të interesimit të drejtpërdrejtë të njerëzve, pra për shkak të afërsisë me përditshmërinë e individëve, rrjedhimisht edhe të mediave, bilanci i punës së këtyre institucioneve është diçka që duket, diçka relativisht e prekshme, diçka, në një farë mënyre, e matshme.
Me Presidentin është ndryshe. Presidenti, për vetë natyrën e shumanshme të punës që ka apo detyrave të llojeve nga më të ndryshmet që zbaton, duke qenë larg përditshmërisë së shtetasve dhe projektorëve të mediave, “punon në heshtje”. Nuk ekziston mënyrë apo kriter për të matur volumin e punës së Presidentit. Numri i takimeve, bisedimeve, negocimeve, dekorimeve, pritjeve, mbledhjeve, në vetvete, nuk tregon kushedi se çfarë lidhur me volumin real të punës së kryer. Sepse rezultatet e punës sonë, të shumtat e herës, nuk vijnë në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe aty për aty, por tërthorazi dhe pas një kohe. Në këto kushte, e vetmja gjë që mund të bëjmë në këtë drejtim është një vështrim i përgjithshëm i vitit që lamë pas. I punëve që bëmë ose nuk bëmë, i bëmë mirë, jo dhe aq mirë, apo keq. Parë në tërësinë e vet pra, ajo që përmbledhtas mund të them me siguri është një konstatim i kënaqshëm.
Pa zhurmë, pa bujë, i siguroj të gjithë se Presidenti punon çdo ditë, dhe punët nuk na kanë vajtur keq. Gjatë vitit që shkoi, unë, ndihmësit e mi, administrata e Presidentit, jemi kujdesur vazhdimisht që qëllimin final të punës sonë, zbatimin e detyrave tona kushtetuese, vigjilimin e Kushtetutës, bashkë me gjithçka tjetër që ky vigjilim përmbledh, qenien në korrent të vazhdueshëm me punën e institucioneve kushtetuese, duke vazhduar me çështjet rutinore, problemet, pengesat, vështirësitë e punës, i kemi kryer më së miri. E kemi arritur këtë duke punuar me përkushtim, ndershmëri, seriozitet.
Natyrisht që ekziston e mrekullueshmja dhe e paçmuara Liri e Shprehjes, dhe mjetet që e mundësojnë, mediat. Që flasin, shkruajnë, komentojnë, madje edhe “sajojnë”. Me përjashtim të trilleve, që mediave u uroj të bëjnë gjithmonë e më pak në sasi dhe gjithmonë e më keq në cilësi, sa kohë nuk shkelin ligjin, të gjitha të tjerat i bëjnë mirë. Me pak fjalë, mes punës sonë dhe telasheve që natyrshëm ka një vend që sapo ka hyrë në normalitet nga një diktaturë e egër, ia kemi arritur që gjatë vitit që shkoi, Liria, ose si e thotë aq bukur një i ditur “ky fryt me rritje të shpejtë”, të vazhdojë të hedhë rrënjë thellë e më thellë. Gjatë këtij viti pune Shqipëria bëri rrugë të pakthyeshme, në konsolidimin e institucioneve, pavarësinë e tyre, harmonizimin e punës mes tyre.
Viti që shkoi ishte një vit i ngjeshur me evenimente të shumëllojëshme, prej të cilave po veçoj dy. Njëri ishte madhor; festimet me rastin e 100-vjetorit të shpalljes së pavarësisë. I dyti tepër i rëndësishëm; zgjedhjet parlamentare. Njëri ndër dallimet esenciale mes diktaturës dhe demokracisë është se në diktaturë dihet kush do t’i fitojë zgjedhjet ende pa u bërë, ndërsa në demokraci jo. Rezultatin final të zgjedhjeve që sapo bëmë nuk qe në gjendje ta parashikonte askush. Absolutisht asnjë sondazh, asnjë prognozë, asnjë analist, asnjë ekspert.
Rezultati final i këtyre zgjedhjeve surprizoi skajshëm njëlloj të gjithë: palët në garë elektorale, analistet, fituesit, humbësit. Ky fakt i thjeshtë dhe i qartë provon katërcipërisht se gjatë vitit që shkoi institucionet funksionuan mrekullisht. Shqiptarët ia arritën t’i kapërcenin vështirësitë, t’i përballonin sfidat, ta rritin shpresën për të ardhmen, ta shtojnë besimin te vetja, nga brenda, dhe sigurisht edhe reputacionin e mirë të Shqipërisë në sytë e botës, me të gjitha të mirat që dihen dhe avantazhet që priten. Gjatë këtij viti pune, ne, unë, ndihmësit e mi dhe e gjithë administrata e Presidencës, natyrisht nuk u kujdesëm vetëm për festimet e 100-vjetorit dhe mbarëvajtjen e zgjedhjeve, dhe as u morëm vetëm me dekorime, pritje dhe vizita.
Bëmë edhe shumë punë të tjera. Për mbarëvajtjen e institucioneve, kompaktësimin e tyre, zgjerimin dhe përmirësimin e marrëdhënieve ndërkombëtare, dhe plot të tjera. Gjatë këtij viti pune ia arritëm më së fundi që rrugën drejt progresit të mos e matim me përballime eksesesh të bujshme dhe rreziqesh katastrofike, por thjesht me ndarje kompetencash dhe kryerje punësh. Nga ky këndvështrim, viti që kaloi nuk ishte vit kategorizimesh tashmë të zhvleftësuara; vit i mbarë, vit i mbrapshtë, vit suksesesh, vit humbjesh. Ishte një vit si shumë të tjerë që do ta pasojnë, ishte një vit pune.
Gjatë këtij viti pune kam bërë punën time, ashtu si kam kërkuar prej gjithkujt të bëjë punën e vet. Arritjet e Shqipërisë që po përparon dita-ditës nuk më përkasin as mua dhe askujt. Arritjet janë meritë e të gjithë shqiptarëve, shërbëtor i përulur i të cilëve, unë Presidenti i Republikës së tyre demokratike dhe pluraliste jam.

 

 
Lajme Shqip Saturday, 22 June 2013 11:27

Tiranë – Pas lajmit të publikuar në orët e vona të mbrëmjes së të premtes, në lidhje me disa probleme shëndetësore të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani, ka qenë vetë ky i fundit, që ka dhënë një deklaratë për mediat, për të sqaruar gjithcka dhe për të mohuar gjendjen e rëndë shëndetësore të tij. 
“Në këtë orë të vonë të natës, pas një dite të lodhshme, arsyeja e komunikimit me ju ishte për të përcjellë te qytetarët, miqtë dhe dashamirësit e mi, një mesazh. Kjo sepse, përpara disa castesh, disa burime dërguan në media të ndryshme një lajm spekulativ, sipas të cilit pretendohej për një gjendje shëndetësore timen shumë të rëndë, pas një operacioni që paskërkam kryer. Natyrisht që, dua të ndaj shqetësimin tim për shqetësimin e miqve, dashamirësve dhe qytetarëve, pasi bëhet fjalë për kryetarin e shtetit, por duke përfituar nga ky rast garantoj të gjithë qytetarët, që Presidenti është në krye të detyrës, do të përmbushë me dinjitet cdo detyrë dhe funksion kushtetues”, tha Nishani.
Më pas, u është përgjigjur edhe pyetjeve të gazetarëve të pranishëm, duke thënë: “Në drekë jam kthyer pas një vizite të suksesshme në Izrael, në orët e vona kam dretjtuar mbledhjen e KLD dhe më vonë jam drejtuar në banesë në Durrës, ku kam marrë vesh lajmin. Pas zgjedhjeve do të keni qëndrimin e Presidentit, por nesër, përmes jush, do i drejtohem qytetarëve me një mesazh që i takon Presidentit të Republikës”, përfundoi Nishani.  

 

 

 
Lajme Shqip Tuesday, 28 May 2013 23:56

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani përmes një kumtese shtypi njoftoi se ka vendosur që të mos marrë pjesë në Samitin e Ohrit që mbahet me 1 dhe 2 qershor të këtij viti.

Presidenca e Shqipërisë shprehu zhgënjimin e saj me vendimin e autoriteteve maqedonase për të mos ftuar Kosovën që të jetë pjesë e samitit.

“Shpreh zhgënjimin lidhur me kushtëzimin destruktiv që i bëhet pjesëmarrjes dhe përfaqësimit të vendeve të rajonit në Samitin e Ohrit, një veprim i paprecedentë dhe në kundërshtim të plotë me të gjitha marrëveshjet dhe parimet e lartpërmendura; si edhe frymën e dialogut e bashkëpunimit në rajon”, thuhet në këtë kumtesë shtypi

12