12
 
Lajme Shqip Monday, 30 June 2014 14:14

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani dekoroi sot, Presidentin e KE-së Jose Manuel Barroso, me dekoratën “Flamuri Kombëtar”. Gjatë kësaj ceremonie ai vlerësoi kontributin e BE-së për statusin, atë të qeverisë dhe partive politike si dhe të administratës shoqërore. Ndërsa Barroso shprehu vazhdimin e kontributit të tij për procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE.

Dekorata më e lartë e shtetit shqiptar iu dorëzua Presidentit Barroso me motivacionin: “Për merita të veçanta, si President i Komisionit Evropian, në mbështetjen e vazhdueshme të procesit euro-integrues dhe të afrimit institucional të Republikës së Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian”. Nishani deklaroi se marrja e statusit është fryt i mbështetjes dhe inkurajim i shpresës së të gjithë qytetarëve shqiptarë, që kanë pranuar e mbështetur reforma të thella e të dhimbshme për hir të së ardhmes evropiane. Ai e cilësoi marrjen e statusit si një meritë e qeverisë, partive politike e administratës shoqërore:

“Ky është produkt i punës së Qeverive, Parlamentit, partive politike, shoqërisë civile, administratës shtetërore, të diplomacisë shqiptare, të cilat transformuan vendin, duke qenë vetë objekt dhe subjekt i reformave”.

Në vijim kreu i vendit falënderoi BE-në, institucionet e vendeve anëtare për ndihmën që i ofruan Shqipërisë:

“Në këtë moment dëshiroj të shpreh mirënjohjen time të thellë në emër të të gjithë qytetarëve shqiptarë për të gjitha institucionet e Bashkimit Evropian, qytetarët dhe institucionet e vendeve anëtare të BE-së, për mbështetjen e vazhdueshme, ndihmesën bujare, materiale dhe morale, mirëkuptimin e durimin e demonstruar ndaj Shqipërisë, në kohë të mira e të vështira”.

Pas dekorimi Barroso u shpreh mjaft i emocionuar dhe e vlerësoi këtë akt për punën e bërë me procesin e integrimit të Shqipërisë që nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit. Ai gjithashtu shprehu dëshirën që ky dekorim të shërbejë si një shtysë për atë që do të bëjë në të ardhmen për Shqipërinë:

“Unë jam krenar për pozicionin që ka mbajtur BE. Ju falënderoj ju, gjithashtu dhe anëtarët e qeverisë të vendit tuaj dhe në emër të vendeve anëtare të BE-së dhe qytetarëve të BE-së sepse Shqipërinë e kemi pasur gjithmonë në vëmendje dhe e kemi parë si një burim qëndrueshmërie në rajon dhe e shikojmë si një anëtare të ardhshme të BE-së. Dhënia e statusit shënon vërtetë një moment historik, por që ka kuptim jo vetëm për Shqipërinë, por dhe për mbarë rajonin, sepse Evropa nuk do të ishte kurrë e plotë nëse kjo pjesë e kontinentit nuk do të bëhesh pjesë e tij. Prandaj, ne ju falënderojmë dhe ju njohim dhe lëvdojmë vendimet sovrane që keni marrë, sepse këto u shërbejnë interesave të të gjithëve dhe të Evropës. Në përfundim, ju falënderoj shumë për organizimin e kësaj ceremonie të veçantë ku janë të përfaqësuar të gjithë krerët e shtetit dhe sinqerisht dëshiroj të vë në dukje që, kjo medalje, ashtu siç ju thashë edhe më parë, vërtetë shërben si një vlerësim për të shkuarën, por shpresoj që të më shërbejë edhe si nxitje dhe shtysë për atë që do të bëj në të ardhmen”.

 
Lajme Shqip Monday, 16 June 2014 14:00

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani, nëpërmjet faqes së tij zyrtare në facebook, vlerësoi shumë ardhjen e Papa Françeskut në Shqipëri dhe i uroi atij mirëseardhjen.

“Mirë ardhshi Papa Françesku! Do të presim si e meriton një mysafir i lartë si Ju, me dashuri dhe respekt, përulësi dhe nderim. Ne shqiptarët jemi mikpritës të mëdhenj. Për ne Mikpritja ka qenë historikisht dhe është ende sot, jo thjesht rutinë, mënyrë jetese, zakon, por edhe shumë më tepër, zakon i kodifikuar, sjellje e kanonizuar”, tha ai.

Presidenti i Shqipërisë, deklaroi se Shqipëria është një nga të paktat vende që e kanë këtë privilegj:

“Hera e dytë që një Papë do prekë truallin tonë, është një fat dhe një privilegj i madh për ne shqiptarët. Shqipëria jonë është nga të paktat vende që e ka këtë fat, këtë privilegj që e meriton. Vizitën tuaj do ta çmojmë shumë”.

“Pas vizitës tuaj, do jemi pak më të mirë, më të qetë, më të butë, më të arsyeshëm. Mirë se të vini!”, deklaroi Nishani.

 

 
Lajme Shqip Sunday, 16 March 2014 16:53

Zhvillimet e fundit në Shqipëri dhe Kosovë, me theks të veçantë në forcimin e mëtejshem të bashkëpunimit ka qenë në fokus të diskutimeve, në takimin që Presidenti i Shqipërisë BujarNishani pati me zëvendëskryeministrja e Kosovës, Edita Tahiri

Tahiri ndodhej për një vizitë në Tiranë me ftesë të zonjës së parë të Shqipërisë, OdetaNishani, ku mori pjesë në pritjenzyrtare të organizuar me rastin e Ditës së Verës, ku në mesin e të ftuarave ishin ambasadoret, gratë e ambasadorëve dhe personalitete të shquara shqiptare.

 
Lajme Shqip Thursday, 27 February 2014 12:18

Kryeministri Edi Rama zhvilloi dje një takim në selinë e Presidencës me presidentin Bujar Nishani. Sipas “Shqiptarja.com’’ në takim ështëdiskutuar lidhur me disa ceshtje të cilat kanë shkaktuar një debat të fortë politik gjatë kohëve të fundit.

Si pikë e parë e diskutimit mes Nishanit dhe Ramës gjatë bisedës afër një orë ka qenë çështja e mosdekretimit të emrave të disa ambasadorëve dhe kjo, në kuadër të ankesës nga ana e kreut të ekzekutivit dhe për dekretet e tjera që kanë mbetur pezull, duke bllokuar ecurinë normale të punës.

Një pikë tjetër e cila është diskutuar ka qenë dhe çështja e vendimit të Kuvendit për shkarkimin e Zna Xhukës, ish-kryetare e ILDKP. Gjithashtu, mësohet se në këtë takim është diskutuar edhe për anëtarët e KLD dhe qëndrimin që ato kanë mbajtur ditëve të fundit. /albeu/

 
Lajme Shqip Wednesday, 05 February 2014 16:00

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani, i cili vijon vizitën e tij zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dekoroi Grupimin për Çështjet Shqiptare në Kongresin Amarikan me ”Medaljen e Flamurit Kombëtar”.

Dekorimi ishte në shenjë falënderimi për inkurajimin e vazhdueshëm të reformave demokratike dhe integrimin euroatlantik të Shqipërisë. Bashkëkryetari i këtij Grupimi, kongresisti Robert Aderholt u dekorua me Medaljen ”Gjergj Kastrioti Skënderbeu”.

Më herët, Presidenti Nishani, zhvilloi një takim me kongresistin Eliot Engel, me të cilin diskutoi për  zhvillimet e fundit në rajon dhe Shqipëri.

 
Lajme Shqip Monday, 03 February 2014 14:58

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, është nisur sot për një vizitë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në përgjigje të ftesës së ardhur nga një grup senatorësh dhe kongresmenësh për të marrë pjesë në Mëngjesin e Lutjeve.

Gjatë qëndrimit në Shtetet e Bashkuara, presidenti do të zhvillojë takime në Departamentin Amerikan të Shtetit, Këshillin Kombëtar të Sigurisë, në Senat dhe Kongresin Amerikan.

 
Lajme Shqip Monday, 11 November 2013 15:50

Tirane- Komisioni i Ligjeve rrëzoi sot dekretin e presidentit Nishani për kthimin e aktit normativ për shtyrjen e hyrjes në fuqi të ligjit për Nëpunësit Civilë.

Debati mes deputetëve të këtij komisioni degjeneroi edhe në fyerje mes deputeteve të shumices dhe të opozites.Dekreti u rrezua me shumice votash (18 pro rrezimit dhe 10 kunder). Deputetja e PS-së, Valentina Leskaj tha se asnjë nga arsyetimet e Nishanit nuk qëndrojnë dhe akuzoi presidentin se mban anën e opozitës duke shkelur Kushtetutën.

“Akti normativ nuk është në kundërshtim me Kushtetutën, nuk e ka prekur ligjin në përmbajtje. Asnjë nga arsyetimet e Nishanit nuk qëndrojnë. Presidenti mban anën e opozitës duke rënë ndesh me Kushtetutën”- tha Hysi duke bërë thirrje të votohet kundër dhe në seancën e ardhshme parlamentare .

Ndërsa deputetët e PD-së mbështesin qëndrimin e Nishanit dhe nënvizuan se një ligji i votuar me 3/5 nuk mund të ndryshohet me një akt normativ.

“Kur vjen dekreti i Presidentit ky komision ka detyrë ta shqyrtojë. Presidenti thotë se akti normative është antikushtetues.”- tha deputeti Eduard Halimi. /albeu/

 
Lajme Shqip Friday, 11 October 2013 18:58

Tiranë-Presidenti i vendit, Bujar Nishani, në një intervistë të dy ditëve më parë tha se ka një gjendje jo të mirë psikologjike mes punonjësve të administratës publike, që i druhen largimit nga puna.

“Nuk ka nevojë politika, por edhe tërë ambienti ynë shoqëror për acarime të tilla,” tha Nishani.

Por gazeta Dita i vë përballë një shkresë të vitit 2005, të datës 26 tetor, pak pasi PD kishte ardhur në pushtet.

Bujar Nishani ishte sekretar i PD për degën e Tiranës dhe me gjakftohtësi jepte urdhra për shkarkimin e njerëzve nga puna.

Bëhet fjalë për një shkresë që përgatitet në PD dhe u shkon institucioneve shtetërore, në këtë rast Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve.

 

Nishani urdhëron shkarkimin e tre punonjësve.

 

Motivi: kanë marrë pjesë në fushatën elektorale të PS-së.

 

“Bashkëlidhur gjeni ankimimin tonë për një grup punonjësish tuaj, të cilët kanë qenë pjesëmarrës aktiv në fushatën e kaluar elektorale në stafin e kandidatit socialist, Anastas Angjeli. Këta punonjës kanë shkelur ligjin për depolitizimin e institucionit tuaj. Për rrjedhim kërkojmë nga ju të merrni masat përkatëse sipas shkeljes së kryer,”shkruante Nishani në atë kohë./Tema/ 

 
Lajme Shqip Saturday, 21 September 2013 14:51

Tiranë- Dy delegacione shqiptare ndodhen në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Një ditë më parë drejt SHBA-ve, u nis kryeministri shqiptar Edi Rama, i cili po kryen vizita si kreu i qeverisë së re shqiptare pas marrjes së këtij posti. Ndërkaq po sot, Presidenca njoftoi se Presidenti Bujar Nishani është nisur drejt SHBA-ve, ku pritet te marre pjese në aktivitetin “Nisma Globale Klinton 2013″. Po në këtë ceremoni do të marrë pjesë dhe Edi Rama, ndërsa mësohet se dhe takimet me komunitetin shqiptar në SHBA, e kanë të ndarë.

Nishani në SHBA me ftesë të Bill Klinton
Kreu i shtetit shqiptar vizitë në Shtetet e Bashkuara. Sic bën të ditur njoftimi për shtyp i Presidencës, mësohet se Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, u nis sot për një vizitë në SHBA, ku do të marrë pjesë në veprimtarinë “Clinton Global Initiative 2013 – Nisma Globale Klinton 2013, që do të zhvillohet në Nju Jork, në datat 23-26 shtator 2013.

Presidenti Nishani është i ftuar në këtë veprimtari nga ish-Presidenti i SHBA, Bill Klinton.

Vizita në SHBA e Kreut të Shtetit përfshin edhe disa takime të rëndësishme me organizma dhe përfaqësues të shtetit amerikan si dhe me ata të komunitetit shqiptar në Boston, Detroit dhe Nju Jork.

 

Rama, vizitën e parë të tij si kryeministër në SHBA, fjalim në OKB

Kryeministri Edi Rama ka nisur një vizitë disa ditore në New York, ku do të marrë pjesë në sesionin e 68- të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara dhe do të mbajë një fjalim në debatin e përgjithshëm të këtij sesioni.

Gjatë vizitës në New York dhe pjesëmarrjes në punimet e Kombeve të Bashkuara, Kryeministri Rama do të zhvillojë një sërë takimesh bilaterale me përfaqësues të shteteve të ndryshme, një takim me Sekretarin e Përgjithshëm të OKB Ban Ki Moon, si dhe do të marrë pjesë në pritjen e organizuar nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Barack Obama.

Axhenda e Kryeministrit Rama parashikon pjesëmarrjen në aktivitetin “Nisma Globale Clinton” me ftesë të Presidentit Bill Clinton, takimin me Presidentin e Bankës Botërore Jim Yong Kim, ish Kryeministrin britanik Tony Blair dhe mbajtjen e një leksioni në “Forumin e Liderëve Botërorë” në Universitetin e Kolumbias.

Kryeministri Rama do të zhvillojë një seri takimesh me komunitetin shqiptar që jeton në New York, si edhe me Këshillin Kombëtar Shqiptaro-Amerikan dhe Dhomën Shqiptaro Amerikane të Tregtisë.
Në këtë vizitë, Kryeministri do të shoqërohet nga Ministri i Punëve të Jashtme, z.Ditmir Bushati.

 

Ministri i Puneve te Jashtme ne delegacion me Ramen

Ministri Bushati niset drejt Nju Jorkut ku do të marrë pjesë në punimet e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, njoftoi zyra per shtyp e Ministrise se Jashtme.

Ministri i Punëve të Jashtme z.Ditmir Bushati niset drejt Nju Jorkut, ku do të marrë pjesë në Sesionin e 68-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.

Ministri Bushati do të takohet me homologë në takime dypalëshe, si dhe do të marrë pjesë në aktivitete të rëndësishme si “Darka Transatlantike” e organizuar nga Sekretari i Departamentit të Shtetit z. John Kerry.

Ministri i Jashtëm z.Ditmir Bushati është pjesë e delegacionit të kryesuar nga Kryeministri, z. Edi Rama.

 

Fotoja e Presidentit

Pas betimit në Presidencë, vendimi i parë i qeverisë ‘Rama’ në mbledhjen e parë të kabinetit të ministrave ishte zëvëndësimi i fotos zyrtare të Presidentit të Republikës në institucione zyrtare me foton e Ismail Qemalit. Ky vendim ngjalli reagime te shumta. Mazhoranca vlerëson se Ismail Qemali është figurë e unitetit kombëtar, kurse vetë Presidenti u shpreh se ‘nga kryeministri priste arritje në realizimin e reformave dhe jo zëvëndësimin e fotos së tij”./BW/

 
Lajme Shqip Friday, 20 September 2013 14:20

Tiranë- Dy prej bashkëpunëtoreve më të hershëm të ish-Kryeministrit Sali Berisha bëhen pjesë e stafit të Presidentit Bujar Nishani. Ky i fundit firmosi dje për emërimin e Gjergj Lezhjes dhe Ylli Asllanit si këshilltarët e tij më të rinj. Ish-sekretari i përgjithshëm i Kryeministrisë, z.Gjergj Lezhja është emëruar këshilltar për sigurinë e kreut të shtetit. Edhe ish-këshilltari për Pushtetin Vendor në Kryeministri, Ylli Asllani është emëruar si këshilltar i z.Nishani po për çështjet lokale.

Të dy këshilltarët e rinj të Presidentit Bujar Nishani konfirmuan për “Gazeta Shqiptare” emërimin në Presidencë. “Po, është e vërtetë që jam emëruar këshilltar i z.Nishani. Sot (dje) është firmosur emërimi im si dhe u bë prezantimi. Unë jam emëruar këshilltar për çështjet e sigurisë”, u shpreh z.Lezhja. Kurse z.Asllani ndjehet i vlerësuar për besimin që i dha kreu i shtetit, të cilën do ta përkthejë si një përkushtim ndaj detyrës së re. “Unë do të jem këshilltar i çështjeve për pushtetin vendor. E konsideroj një vlerësim nga ana e Presidentit Nishani për besimin që më dha si këshilltar i tij. Nga ana ime do të ketë një përkushtim në detyrën që mu besua, për të krijuar një model të ri, një marrëdhënie të re mes Presidencës dhe pushtetit vendor, një prioritet i punës për vet rëndësinë që kanë çështjet e pushtetit lokal”, theksoi z.Asllani. Ai tregon momentin e propozimit që i bëri z.Nishani për të qenë pjesë e stafit të tij: “Më ka thirrur në zyrë z.President dhe më tha: “A do të punosh me mua si këshilltar i pushtetit vendor” dhe unë pranova. Z.Nishani sot (dje) firmosi emërimin dhe më pas u bë edhe prezantimi”.

Si z.Gjergj Lezhja ashtu dhe z.Ylli Asllani janë dy prej bashkëpunëtorëve më të vjetër të ish-Kryeministrit Sali Berisha, si në Partinë Demokratike ashtu dhe në Kryeministri përgjatë 8 viteve të qeverisjes së djathtë. Gjergj Lezhja ka qenë shef i departamentit të organizimit në PD gjatë kohës që ishin në opozitë, ndërkohë që me ardhjen në pushtet të demokratëve ai ishte zëvendësministër i Brendshëm dhe më pas mbajti pozicionin e sekretarit të përgjigjëm të Kryeministrisë. Po ashtu edhe Ylli Asllani është një prej bashkëpunëtorëve më të afërt të z.Berisha dhe një njohës i mirë i çështjeve vendore. Ai është aktivist i PD-së që në themelimin e saj, anëtar i Këshillit Kombëtar si dhe ish- këshilltar i Berishës për çështjet e pushtetit lokal në Kryeministri./bw/

12