Lajme Shqip Monday, 16 June 2014 14:35

Kryeministri i Britanisë së Madhe, David Kamerun do të mbështesë dhënien e statusit kandidat për Shqipërinë në vendimin që Këshilli i BE-së pritet të marrë pas 10 ditësh. Por, disa media në Britani e shohin këtë vendim si të rrezikshëm.

Gazeta britanike “Express”, shkruan se më shumë se 3 milionë shqiptarë mund të jenë të lirë për të shkuar në Britani pasi Kamerun mbështet planet e Shqipërisë për të hyrë në BE.

“Pavarësisht se më herët, ai (Kamerun) ka thënë se nuk dëshiron që vende të varfra të hyjnë në BE, burime qeveritare konfirmojnë se Britania do të mbështesë dhënien e statusit për Shqipërinë javën e ardhshme”, shkruan “Express”.

Më tej gazeta britanike i referohet të dhënave të Censusit të vitit 2011, duke thënë se popullsia e Shqipërisë është 2,931,977, dhe aktualisht 17% e tyre janë të papunë. Paga mesatare është 305 paund./Gazeta Express/