Lajme Shqip Sunday, 16 February 2014 18:43

Terroristi norvegjez, Anders Breivik, ka kërcënuar se do të hyjë në grevë urie për shkak të kushteve të tija të jetesës në burg. 

Breivik, i cili vrau 77 persona më 2011, e që në mesin e tyre ishte edhe Lejla Selaci, vajza me prejardhje nga Kosova, e krahasoi burgun me “torturë” dhe vajtoi, mes tjerash, edhe për mungesë të konzolës më të re të video-lojërave në qeli.

Komentet e tij janë bërë në një letër katër-faqëshe të shkruar me dorë dhe të dorëzuar tek zyrtarët disiplinorë, letër në të cilën ai ka paraqitur me dhjetëra kërkesa, në mesin e të cilave ishte edhe harmonizimi i kohës së qëndrimit të tij në burg me rregulloret evropiane, transmeton Koha.net. 

Breivik ka kërkuar që konzola “Playstation 2” t’i zëvendësohet me atë më të riun, “Playstation 3”. 

“Të burgosurit tjerë kanë qasje në lojëra për të rritur ndërsa unë mund të luaj lojëra më pak interesante për fëmijë. Një shembull është ‘Rayman Revolution’, lojë kjo e dedikuar për fëmijët 3-vjeç”, ka shkruar Breivik në ankesën e tij. 

Breivik, i burgosur që nga viti 2011, deklaron se është sjellë “në mënyrë jashtëzakonisht të mirë” dhe meriton t’i “përmirësohen aktivitetet” në krahasim me të burgosurit tjerë.