Lajme Shqip Wednesday, 23 May 2012 17:00

Prishtinë- Florin Krasniqi, kryetar i komisionit për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, të mërkurën pas mbledhjes së këtij komisioni, duke komentuar arrestimin e Bojan Bozovçit, të cilin autoritetet serbe e identifikojnë si agjent të AKI-së, ka thënë se nuk ka informacione se ky person ka shërbyer në Agjencinë Kosovare të Inteligjencës. Sipas tij, ky lloj raportimi, më tepër shkon në favor të Shërbimit Inteligjent serb.

“Prej asaj që unë di, si kryetar i Komisionit, ai shkrim pothuajse i tëri është i fabrikuar, për faktin se Agjencia nuk lëshon karta të identitetit. Ky është një shkrim me përpjekje të agjencisë BIA, ose Agjencive tjera, me qëllim të shantazhit e dëmtimit të imazhit të AKI-së. Mendoj se kjo është në shërbim të shërbimit inteligjent serb. Nuk ka ndonjë të vërtetë, megjithatë ne për këtë shkrim do të diskutojmë me inspektorin e përgjithshëm, por sa di unë, ky shkrim është i fabrikuar për faktin se AKI-a nuk lëshon karta të identitetit për agjentët dhe këtë me siguri, BIA nuk e ka ditur, prandaj ka thënë se e kemi zënë kartën e identiteti”.

Edhe pse hedhë poshtë mundësinë që Bojan Bozoviqi të ketë qenë pjesëtar i AKI-së, ai ka thënë se ky informacion do të sqarohet shumë shpejt dhe do të vërtetohet se a ka qenë njëmend ky person pjesë e kësaj agjencie.

Ndërkaq, anëtari tjetër i Komisionit për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Bekim Haxhiu, ndryshe i njohur si “Kamishi”, ka thënë para mediave, se Bojan Bozoviqi, ka qenë një gazetar që ka raportuar nga veriu i Mitrovicës, por jo edhe pjesëtar i AKI-së, siç është raportuar në media. Sipas tij, për arrestimin e tij, fillimisht, duhet të reagojnë mediat, ngase ai ka qenë një gazetar. Edhe Haxhiu, thotë se kjo është një tentativë e Serbisë për ta dëmtuar AKI-në.

“Sipas informatave që i kemi, ai ka qenë si gazetar i Klan Kosovës. Nuk ka asnjë informacion që ka qenë punëtor i AKI-së. Për mendimin tim, është një tentativë e shërbimit serb, në dy drejtime. Drejtimi i parë për të goditur AKI-në dhe e dyta për të frikësuar komunitetin serb, në veçanti ata gazetarë që bashkëpunojnë me mediumet shqiptare. Mendoj se është një lojë e vjetër me një person të ri, në këtë rast, e shërbimit serb”, ka thënë Haxhiu.

Bojan Bozoviq, është arrestuar nga autoritetet e Serbisë, si i dyshuar për pedofili dhe kërcënim të sigurisë në shtetin serb. Ai, para autoriteteve të Serbisë, ishte deklaruar si shtetas i Kosovës, kurse raportohet se autoriteteve të atjeshme ua ka shfaqur një dokument të Agjencisë Kosovare të Inteligjencës. (G.E)