Lajme Shqip Thursday, 28 February 2013 09:58

Konsultuesi i shtetit të Katarit për organizimin  Botëorirt 2022, Majk Li, ka hedhur poshtë akuzat për ryshfet që kanë dalë herë pas here ndaj këtij vendi, që në momentin kur siguroi organizimin e Botërorit 2022. Ai ka saktësuar se është vepruar në të njëjtën mënyrë si me kandidaturat e mëparshme për të cilat është punësuar, përfshirë atë të Lojërave Olimpike 2012 të Londrës.

“Nuk ka pasur asnjëherë një akuzë sipas të cilës është vërtetuar se kishte ryshfet. Në artikullin e publikuar nga “France Football”, flitet për bisedime mes qeverive të dy vendeve të ndryshme, por kjo është normale në proceset moderne të kandidaturës për aktivitete madhore sportive. Londër 2012 fitoi pjesërisht për shkak të Toni Bleir. Soçi 2014 fitoi pjesërisht për shkak të ndikimit të Putin, Rio 2016 fitoi pjesërisht për shkak të presidentit Lula”.

“Sigurisht, mendoj se ka prova që një qeveri po diskutonte me një tjetër, por nuk e shoh këtë si diçka ndryshe nga kandidaturat fituese të viteve të kaluara për aktivitetet sportive”, u shpreh Li për mediat britanike, duke shpjeguar këndvështrimin e tij.

Sipas “France Football”, Katari fitoi të drejtën e organizimit të Botërorit 2022 pasi “bleu” Mishel Platini me ndërmjetësimin e ish-presidentit francez, Nikolas Sarkozi. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Wednesday, 30 January 2013 10:58

Mishel Platini ka reaguar kundër publikimit nga revista franceze “France Football” të skandalit të quajtur “Qatargate” ku pretendohet se pikërisht presidenti i UEFA-s ka qenë një prej organizatorëve të shitjes së votave në mënyrë që Katari të fitonte të drejtën e zhvillimit të Botërorit 2022. Sipas Platini, gjithçka është e bazuar në shpifje dhe gënjeshtra.

“Të mendosh se vota ime për Katar 2022 erdhi nëpërmjet marrëveshjeve mes shtetit francez dhe atij të Katarit është spekulim dhe komprometon ata që shkruajnë gënjeshtra të tilla”, tha Platini në një deklaratë për “AFP”. “Nuk përjashtoj mundësinë që t’i hedh në gjyq të gjithë personat që vënë në dyshim integritetin tim për këtë votim”.

Sipas revistës së famshme franceze, gjithçka është organizuar në një takim sekret në Pallatin Elize, rreth 1 javë para votimit në FIFA, takim ku ishte i pranishëm presidenti francez Nikolas Sarkozi, princi i Katarit, Tamin bin Hamad al-Thani, Mishel Platini, si dhe Sebastien Bazin, përfaqësuesi i “Colony Capital”, kompania që më parë kishte në pronësi klubin e Paris Sent Zhërmen, i cili kishte vështirësi të mëdha financiare. Gjatë këtij takimi u vendos për shitjen e PSZH të sheikët e Katarit, rritja e aksioneve të tyre në grupin “Lagardere”, krijimi i një rrjeti të ri sportiv (atij që tashmë është “BeIn Sport”) për të rivalizuar “Canal+”, gjithçka në këmbim të votës së Platini për Katarin dhe jo për SHBA.

“Siç e kam thënë edhe më parë, presidenti Sarkozi nuk më ka kërkuar asnjëherë që të votoja për Katar 2022, pasi ai e di që unë jam një njeri i lirë”, ishte reagimi i Platini. “Vendimin e kam marrë në pavarësi të plotë, duke ndjekur një logjikë të thjeshtë për të qenë sa më të hapur ndaj vendeve që nuk kanë organizuar ende aktivitete madhore sportive”, tha ai. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Tuesday, 29 January 2013 16:16

Revista më e famshme që flet për futbollin në botë, “France Football”, ka akuzuar hapur sot drejtuesit më të lartë të FIFA-s dhe UEFA-s se kanë manipuluar votimin për përzgjedhjen e Katarit si vendi organizator i Botërorit 2022, duke bërë që të mundej kandidatura e fuqishme e SHBA.

Sipas gazetës franceze, sheikët e Katarit kanë blerë me sukses votat që i nevojiteshin me mbështetjen e FIFA-s, UEFA-s dhe Federatave të Francës e Emirateve të Bashkuara Arabe.

“France Football” shkruan se personazh kryesor i kësaj ngjarje është Mishel Platini, si një nga përgjegjësit e negociatave të ndryshme. Gjithçka është diskutuar shumë hapur me 23 nëntor 2010 në një mbrëmje të organizuar nga presidenti francez i atëhershëm, Nikolas Sarkozi, princi i Katarit, Al Tani dhe Mishel Platini, ku është bërë marrëveshja për votat që nevojiteshin.

Që në atë moment, sheiku Al Tani premtoi se merrte përsipër të blinte PSZH dhe ta kthente në lavdinë e vet, duke ndërtuar edhe një kanal televiziv që do të mposhte hegjemoninë e transmetimeve sportive të “Canal+”. Si këmbim, Platini duhej të hiqte dorë nga mbështetja e hapur ndaj kandidaturës së SHBA, që ishte rivali më i fortë në këtë garë.

Praninë në këtë darkë e ka pohuar edhe vetë Platini. “U ftova nga presidenti Sarkozi dhe aty ishte edhe kryeministri i Katarit. Zoti Sarkozi nuk më kërkoi asnjëherë gjatë darkës që të votoja për Katarin. Më ftuan për darkë por e dinin që unë isha i pavarur dhe do të votoja për kë të dëshiroja”, është justifikimi i Platini, i cili menjëherë pas votimit të atëhershëm deklaroi se kishte zgjedhur Katarin pasi ishte momenti i duhur për të bërë një Botëror në atë pjesë të globit.

Në listën e personave të përfshirë në këtë çështje është edhe ai i presidentit të Barcelonës, Sandro Rosell, që ka shtyrë shoqatën e klubeve elitare të ndikojnë në Federatat vendase për të mbështetur Katarin, falë investimeve që ky shtet i ka siguruar ekipit katalanas. I përfshirë është edhe presidenti i Federatës Spanjolle, Angel Maria Vilar, i cili mbështeti kandidaturën e Katarit si shkëmbim i mbështetjes që ky vend do të jepte për organizimin e mundshëm të Botërorit 2018 në bashkëpunim me Portugalinë. Në marrëveshje përfshihej edhe një miqësore në Emiratet Arabe, nga e cila do të përfitoheshin shumë para. Është kurioz fakti se pikërisht me 6 shkurt, në Doha të Katarit luhet miqësorja mes Uruguait dhe Spanjës. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Thursday, 27 September 2012 16:24

Organizatorët e Botërorit 2022 në Katar kanë treguar se janë të gatshëm të organizojnë turneun gjatë muajve të dimrit.

Kupa e Botës zakonisht zhvillohet gjatë verës, në qershor dhe korrik, por shqetësimi rreth nxehtësisë dhe lagështirës në shkretëtirën e Katarit gjatë kësaj periudhë kanë bërë që të dalë në skenë opsioni i zhvillimit të aktivitetit në një periudhë më të ftohtë. Drejtuesit e futbollit në Katar janë të interesuar që aktiviteti të zhvillohet në dimër, por janë të gatshëm të ndryshojnë planet e tyre nëse komuniteti i futbollit e kërkon një gjë të tillë.

“Pozicioni ynë nuk ka ndryshuar”, tha zëdhënësi i Komitetit Organizator të Botërorit 2022 për CNN. “Ne kemi deklaruar gjithmonë se kemi marrë pjesë në garë për të zhvilluar Botërorin në verë dhe i qëndrojmë kësaj ideje, derisa komuniteti ndërkombëtar i futbollit të aprovojë një plan alternativ”.

Nëse Kupa e Botës zhvendoset në dimër, ajo do të përplasej me kampionatet kryesore në Evropë. Por presidenti i UEFA-s, Mishel Platini, nuk është i shqetësuar për një eventualitet të tillë.

“Duhet të shkojmë në Katar kur është më e mira për të gjithë për të marrë pjesë. Cila është gjëja më e mirë për tifozët? Në 10 vite mund të menaxhojmë si të duam shtyrjen e një sezoni për një muaj. Nëse ndalojmë nga 2 nëntori deri në 20 dhjetor, do të thotë se në vend që të mbyllim sezonin në maj, e mbyllim në qershor. Kjo bëhet për Kupën e Botës, është aktiviteti më i rëndësishëm në botën e futbollit”, tha Platini. (LajmeShqip.com)