Lajme Shqip Saturday, 15 December 2012 11:01

Botërori 2018 është ende larg, por FIFA ka filluar që tani programimin e këtij aktiviteti që zhvillohet në Rusi. Komiteti Ekzekutiv ka miratuar dje edhe emrin e stadiumit që do të presë finalen e madhe të aktivitetit. Ai do të jetë “Luzhniki” i Moskës, që përveç kësaj ndeshje, është përzgjedhur edhe për takimin e hapjes si dhe për një nga gjysmëfinalet e aktivitetit.

I inauguruar me 31 korrik 1956, stadiumi ka një kapacitet prej 78360 vendesh, të gjitha të mbuluara. “Luzhniki” është stadiumi ku luan Spartak Moska dhe pret gjithashtu të gjitha ndeshjet e kombëtares që drejtohet nga Fabio Kapelo. Evenimenti më i madh që është zhvilluar ndonjëherë në këtë stadium deri tani, është finalja e Ligës së Kampioneve të vitit 2008, ku u vunë përballë Mançester Junajtid dhe Çelsi, me “djajtë e kuq” që fituan falë penalltive.

Stadiumi tjetër i përzgjedhur për gjysmëfinalen e aktivitetit është “Petrovskij” i Shën Petersburgut, ku luan ndeshjet e saj skuadra e Zenit. Ndërkohë, për Kupën e Konfederatave që do të zhvillohet në vitin 2017, ndeshjet do të zhvillohen edhe në stadiumet “Centralni Stadion” të Kazan dhe  “Fisht Olimpik Stadium” të Soçi. (LajmeShqip.com)