12
 
Lajme Shqip Wednesday, 24 April 2013 22:52

Liga e Kampioneve në këtë edicion po shkon drejt një finaleje tërësisht gjermane. Pas suksesit 4-0 të Bajern Mynih përballë Barcelonës të martën në darkë, suksesi i ekipeve gjermane ndaj atyre spanjolle është përsëritur me triumfin 4-1 të Borusia Dortmund ndaj Real Madrid. Në një ndeshje që është luajtur thuajse me një portë, ekipi i drejtuar nga Jurgen Klop ka vënë një këmbë në finalen e madhe të majit në “Uembli”. 

Që në minutat e para të ndeshjes, Borusia është shfaqur agresive, duke luftuar për çdo top dhe duke zënë të papërgatitur Realin, i cili nuk e priste një nisje të tillë nga vendasit. Fillimi agresiv i vendasve kurorëzohet me sukses që në minutën e 8-të, me anë të Robert Levandovskit, i aftë që të devijojë qetësisht në rrjetë një harkim perfekt të Gëtze. Reali provon të reagojë disi pas disavantazhit, por Borusia arrin të kontrollojë shumë lehtë çdo iniciativë të spanjollëve, duke mos lënë hapësira dhe duke kundërsulmuar rrezikshëm. Por kur pjesës së parë po i vinte fundi, një pasim i gabuar mbrapa i Humels kthehet në një asist perfekt për Higuain, i cili pason për Kristinao Ronaldon që nuk e ka të vështirë të dërgojë topin në rrjetë për të barazuar rezultatin.

Dëshpërimi i vendasve për të këtë barazim të pamerituar të kundërshtarëve zgjat vetëm 5 minuta në pjesën e dytë, aq sa i nevojitet “magjistarit” Levandoski të tregojë aftësitë e tij me një numër të jashtëzakonshëm në zonë: rrotullim në limitet e pozicionit jashtë loje dhe prekje e topit aq sa për ta dërguar në rrjetë. Pa kaluar as 5 minuta të tjera, polaku tregon një tjetër numër magjik, duke shmangur Pepe në zonë dhe duke dërguar përsëri topin pas krahëve të Diego Lopez me një gjuajtje të pandalshme. Rezultati shkon në 3-1 por Borusia nuk duket e ngopur, përkundrazi sulmon në çdo top lojtarët e Realit dhe vë në vështirësi të dukshme prapavijën e tyre. Rezultat i kësaj loje është edhe 11 metërshi i fituar nga Rois, i transformuar saktësisht përsëri nga Levandovsaki, që shënon në këtë mënyrë katër gola në këtë ndeshje, duke çuar edhe rezultatin në 4-1.

Murinjo nuk ka çfarë të humbasë më dhe hedh në fushë Benzema e Di Maria në vend të Higuain e Modriç, ndërsa pak minuta më vonë e ka radhën edhe Kaka të hyjë në fushën e lojës në vend të Ksabi Alonso. Por madrilenët janë krejtësisht të pafuqishëm përballë vendasve, të cilët të udhëhequr edhe nga entuziazmi nuk e kanë aspak të vështirë të kontrollojnë çdo tentativë të Ronaldo & Co.

Vërshëllima përfundimtare ka bërë të shpërthejë entuziazmi në “Vestfalenshtadion”, ku Borusia Dortmund hodhi një hap shumë të rëndësishëm drejt finales së madhe, atje ku me shumë mundësi do të ndeshen me Bajernin e “urryer”. Ndërsa spanjollët janë larguar kokulur, duke parë se si po i ikën nga duart një tjetër mundësi për të fituar të shumëpriturën Ligë Kampionesh numër 10. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Tuesday, 23 April 2013 19:57

Zhoze Murinjo nuk e sheh si një dështim një eliminim të mundshëm në gjysmëfinalet e Ligës së Kampioneve, por mendon se ka ardhur koha që futbolli të tregohet i drejtë me lojtarët e tij dhe t’i kthejë borxhin e eliminimeve të padrejta futbollistëve madrilenë.

“Kur erdha te Reali, kjo skuadër kishte 9 Liga Kampionesh, por nuk ishte në vazon e parë në short, ishte skuadra e 11 apo 12. Sot është kokë grupi dhe ekipi i tretë në renditje. Jemi përmirësuar ndjeshëm nga pikëpamja ekonomike duke pasur parasysh se është një klub që jeton falë të ardhurave të biletave. Por në këtë klub të përfundosh i dyti nuk është e mjaftueshme dhe duhet bërë maksimumi për të shkuar në finale dhe për ta fituar atë”.

“Unë kam besim, pasi kam lojtarë shumë të mirë në nivel individual dhe kolektiv. Do të doja shumë që futbolli të shlyente borxhin me këta njerëz. Me përjashtim të pak prej tyre, pjesa më e madhe nuk ka fituar asnjëherë Ligën e Kampioneve. Do të doja që futbolli të vinte drejtësinë në vend, pasi në dy vitet e fundit jemi eliminuar në mënyrë të padrejtë dhe herën e fundit ishin penalltitë që na nxorën”, tha trajneri portugez.

Murinjo ka preferuar të evitojë komentet e radhës rreth Kasijas e për t’i mbyllur gojën gazetarëve ka publikuar të gjithë formacionin titullar për sfidën e nesërme.

“Në portë luan Diego. Në mbrojtje: Serxhio, Pepe, Varane e Koentrao, pastaj janë Ksabi, Khedira, Higuain, Ozil dhe Kristiano. Shpresojmë që të mund të luajë Di Maria, pasi ka kaluar një ditë të vështirë sepse lindi vajza e tij, shpresoj të ketë dëshirën për të luajtur”, ishte komenti i tij duke mbyllur këtë temë.

Ai nuk ka preferuar as të flasë për temën e ditës, transferimin e Mario Gëtze te Bajern Mynih dhe nëse ajo do të ndikojë te paraqitja e Borusia Dortmund.

“Nuk e njoh Mario Gëtze, as mentalitetin dhe as kulturën e Borusia Dortmund. Nuk ia kam idenë nëse ky lajm mund të sjellë pasoja pozitive apo negative”, deklaroi Murinjo.

 
Lajme Shqip Tuesday, 23 April 2013 19:17

Transferimi i Mario Gëtze të Bajern Mynih në sezonin e ardhshëm është konfirmuar edhe nga vetë drejtuesit e Borusia Dortmund si dhe nga trajneri Jurgen Klop, i cili ka shprehur keqardhjen e tij që nuk do të drejtojë më këtë lojtar në sezonin e ardhshëm.

Lajmi i publikuar nga “Bild” që në mbrëmjen e djeshme ka bërë xhiron e botës, ndaj është dashur një konfirmim zyrtar për të sqaruar situatën. “Disa ditë më parë, Mario Gëtze dhe menaxheri i tij, Volker Struth, kanë informuar klubin se duan të aktivizojnë klauzolën e largimit në kontratën e tij për t’u transferuar te Bajern Mynih me 1 korrik”, shkruhej në deklaratën e lëshuar nga klubi.

Edhe konferenca e sotme për shtyp e Jurgen Klop për Ligën e Kampioneve ndaj Real Madrid është kthyer thuajse krejtësisht në një diskutim rreth Gëtze dhe largimit të tij.

“Nuk kuptojmë arsyet pse një lajm i tillë u publikua pikërisht tani, por mund ta imagjinojmë. Nëse ajo që shpresohej ishte që ne të humbim përqendrimin, mendoj se nuk ia kanë arritur qëllimit”, deklaroi Klop duke aluduar se lajmi ishte shpërndarë me qëllim në media për të shpërqendruar skuadrën para sfidës me Real Madrid. “Do të kishte qenë më keq nëse do të kishin dhënë këtyë lajm katër orë para fillimit të ndeshjes, por nga 0 në 10, unë i vë notën 9 si momenti më i keq për të bërë një lajmërim të tillë”.

“Unë lajmin e kam marrë të enjten, një ditë pasi eliminuam Malagan. Ai më tha se është lojtari që ka kërkuar Guardiola për projektin e tij. Edhe unë mund t’i kisha thënë se di të zhvilloj futbollin tiki-taka, por nuk do të kishte vlerë. Iu dha mundësia të punonte me një trajner të njohur dhe e pranoi atë”, deklaroi tekniku i Borusia Dortmund. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Monday, 22 April 2013 18:42

Trajneri i Borusia Dortmund, Jurgen Klop, ka dhënë një intervistë mjaft të veçantë për gazetën spanjolle “Marca”, duke treguar se nuk i trembet aspak Real Madrid që do të ketë të mërkurën si kundërshtar në Ligën e Kampioneve. Trajneri gjerman fillimisht ka sqaruar se me stilin e tij nuk mundohet të kopjojë askënd, ndërsa preferon më shumë të jetë një person që e sheh futbollin si lojë, sesa ta përjetojë si një luftë për jetë a vdekje.

“Jam i lumtur dhe qesh gjithmonë pasi kam fatin të jem te një klub i madh dhe të drejtoj 2-3 nga futbollistët më të mirë në botë. Pse nuk duhet të jem i qeshur unë? Kuptohet që nuk qesh gjithë kohën, por unë e di mirë se nuk mund të fitosh gjithmonë, ndaj thjesht i gëzohem lojës së futbollit, sido që të shkojë ndeshja”.

“A i ngjaj më shumë Murinjos apo Guardiolës? Njeriu duhet gjithmonë të mundohet të jetë vetvetja dhe jo të imitojë të tjerët. Unë jam Jurgen Klop. Nuk dua të jem Murinjo, Guardiola apo Heinkes. Çdokush ka mënyrën e vet të sjelljes dhe kjo është e imja”, tha ai duke hedhur poshtë zërat që e shohin atë si një Murinjo të dytë, pasi është shumë shpesh ironik me kundërshtarët.

Më pas, trajneri i Borusias nuk ka ngurruar të paralajmërojë Real Madrid për sfidën e çerekfinaleve të Ligës së Kampioneve, duke bërë të qartë se skuadra e tij besonte te finalja.

“Në këto gjysmëfinale ka tre favoritë: Barcelonën, Real Madrid dhe Bajern Mynih. Më pas është edhe një skuadër tjetër që quhet Borusia Dortmund. Edhe vitin e kaluar ishte e njëjta gjë, kishte tre favoritë që ishin të njëjtat tre skuadra si dhe Çelsi. Kush fitoi në fund?”, ishte batuta ironike e trajnerit të Borusia Dortmund. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Sunday, 14 April 2013 11:08

Prania e Zhoze Murinjos në tribunat e stadiumit për të parë Borusia Dortmund tek mundte 6-1 Grojter Fyrth, nuk ka shqetësuar aspak trajnerin e ekipit gjerman, Jurgen Klop. Sipas tij, portugezi i Real Madrid ka zgjedhur momentin e gabuar për të vëzhguar skuadrën që do të ketë rivale në gjysmëfinalet e Ligës së Kampioneve.

“Ai do të kthehet në shtëpi me informacione që nuk do t’i hyjnë aspak në punë për pas dy javëve”, ishte deklarata e Klop, duke iu referuar suksesit të thellë të siguruar nga skuadra e tij në këtë sfidë.

“Në vend që të vinte personalisht për të parë se Mario Gëtze mund të luajë edhe në krahun e majtë, do t’i kishte mjaftuar një telefonatë për ta mësuar një gjë të tillë. Na ka parë duke fituar deri në 5-0, ndaj nuk ka pasur mundësinë të testojë ndonjë nga pikët tona të dobëta”, ishte komenti humoristik i trajnerit të Borusias.

“Mendoj se në pjesën e parë ishim spektakolarë. Në javën e ardhshme, ndaj Mainz, do të mundohemi të thyejmë barrierën e 60 pikëve në kampionat. Liga e Kampioneve? Mendoj se ne dhe Reali respektojmë njëri-tjetrin, të paktën ne po”, deklaroi ai. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Sunday, 14 April 2013 11:01

Gjysmëfinalet e Ligës së Kampioneve kanë ngjallur një polemikë mjaft të ndezur mes Bajern Mynih dhe Borusia Dortmund, me të dy palët që nuk kanë kursyer thumbime ndaj njëra-tjetrës. Radhën e ka pasur sot Karl Heinz Ruimenige, i cili është tallur me Jurgen Klop, trajnerin e Borusia Dortmund dhe faktin se ky i fundit ka bërë transplantim flokësh.

“Jam gati të vë bast prapanicën se Matias Samer do të flasë gjatë me Pep Guardiolën para se Bajern të luajë me Barcelonën”, ishte batuta e Klop që ka gjetur menjëherë përgjigjen e Rumeniges.

“Klop bën mirë të vërë bast me flokët e tij, që mund të transplantohen përsëri, se me prapanicën do ta ketë të vështirë ta bëjë një gjë të tillë”, ishte deklarata e shefit ekzekutiv të Bajern Mynih, që padyshim do të marrë shumë shpejt një përgjigje nga ana e Dortmund. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Friday, 12 April 2013 15:10

Emilio Butragenjo, ambasador sportiv i Real Madrid:

“Është një kënaqësi dhe nder për ne të jemi këtu. Kemi shumë respekt ndaj Borusia Dortmund. Kemi luajtur dy herë ndaj tyre në fazën në grupe por nuk arritëm t’i mundim. Këtë herë shpresojmë që të jetë ndryshe pasi ne duam të jemi në finale, kjo është ajo që ëndërrojmë të gjithë”.

Hans-Joakim Uatzke, administrator i përgjithshëm i Borusia Dortmund:

“Nuk mendoj se Real Madrid do të jetë i frikësuar për shkak të asaj që ndodhi në fazën në grupe. Ata do të na respektojnë ashtu siç i respektojmë edhe ne. Jemi të lumtur me shortin, jo sepse mendojmë se është i lehtë, por sepse Liga e Kampioneve është një turne ndërkombëtar dhe dëshironim një ndeshje ndërkombëtare, para një sfide kombëtare ndaj Bajern Mynih”.

Jurgen Klop, trajner i Borusia Dortmund:

“Jam i lumtur që vihemi përballë një kundërshtari të vështirë si Real Madrid. Në fund të fundit, e kemi mundur një herë në këtë sezon”. (LajmeShqip.com)

12