12
 
Lajme Shqip Wednesday, 01 May 2013 15:46

Presidenti i Borusia Dortmund, Hans Joakim Uatzke, ka shpjeguar se nuk ka parë 20 minutat e fundit të çmendur të sfidës së mbrëmshme në “Santiago Bernabeu”, pasi ka qenë i mbyllur në një nga tualetet e stadiumit spanjoll.

“Mendoj se ne si skuadër mund të krijojmë vetëm dramë”, shpjegoi ai pas ndeshjes, duke iu referuar edhe sfidës së çerekfinaleve të fituar në minutat shtesë ndaj Malagas.

“Por këtë radhë ishte hera e parë që mu desh të mos shihja një ndeshje për shkak të problemeve me zemrën. Kam kaluar 20 minutat e fundit i mbyllur në tualet, mbulova veshët dhe shihja orën. Çdo lloj mendimi kalonte në mendjen time”, tregoi Uatzke, i cili shihet nga tifozët si heroi i vërtetë i klubit, pasi ishte ai që e shpëtoi klubin nga kolapsi ekonomik në vitin 2005, duke e kthyer përsëri në elitën e futbollit gjerman dhe botëror.

Këtë tregim të Uatzke e ka komentuar me humor edhe trajneri Jurgen Klop. “Më shkoi ndër mend edhe mua që të veproja si Uatzke në minutat e fundit”, tha ai duke iu referuar momenteve tensionuese kur një gol i Real Madrid mund të kishte kaluar sfidën në favor të madrilenëve. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Wednesday, 01 May 2013 15:44

Kristiano Ronaldo ka insistuar se nuk është shumë i shqetësuar për të ardhmen e Zhoze Murinjos dhe se preferon të mendojë vetëm për të tijën dhe klubit të Real Madrid. Këtë mesazh ai e ka bërë të qartë pas ndeshjes së mbrëmshme, ku Real Madrid i dha lamtumirën Ligës së Kampioneve.

“Nuk dua të flas rreth të ardhmes së Murinjos. Unë jam vetëm i shqetësuar për skuadrën dhe veten, jo për spekulimet rreth trajnerit”, ishte deklarata e tij para gazetarëve pas përfundimit të ndeshjes. “Nuk jam i shqetësuar as për rinovimin tim. Kam edhe dy vite të mbetura në kontratë. Unë dua të fitoj kudo që të jem. Por e ndjej veten mirë këtu edhe me tifozët, gjithçka është në rregull”.

Lojtari ka pranuar se paraqitja e tij në këtë ndeshje nuk kishte qenë më e mira e mundshme, por ishte optimist sepse paraqitja e dhënë nga skuadra në fushën e lojës i krijonte bindjen se Reali do të luftonte në sezonin e ardhshëm përsëri për të fituar Ligën e Kampioneve.

“Unë u ndjeva mirë dhe nuk kisha probleme me dëmtimin. Mund të isha paraqitur edhe më mirë dhe të kisha shënuar një gol, por nuk ndodhi kështu, edhe pse unë mundohem të jap më të mirën në çdo takim. Ne mund të kishim shkuar në finale, ndaj jemi të trishtuar. Humbëm gjithçka në hapat e fundit, por duhet të përgëzojmë edhe Dortmundin, pasi shënuan më shumë se ne dhe prandaj janë ata që do të shkojnë në “Uembli””, deklaroi portugezi. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Wednesday, 01 May 2013 10:19

Trajneri i Borusia Dortmund, Jurgen Klop, ka qenë shumë i emocionuar pas vërshëllimës finale të ndeshjes kundër Real Madrid, falë të cilës skuadra e tij siguroi pjesëmarrjen në finalen e Ligës së Kampioneve.

“E pabesueshme, por më duhet ta pranoj se kemi luajtur shumë pak futboll në këtë ndeshje. Në pjesën e dytë sulmuam disi më mirë dhe nëse do të kishim realizuar një nga rastet e krijuara, do ta kishim mbyllur ndeshjen”.

“Ky takim kishte gjithçka. Real Madrid mund të luajë futboll të shkëlqyer dhe ata e treguan një gjë të tillë sot. Ata duhej të jepnin maksimumin sot dhe e bënë një gjë të tillë. Por ne i përballuam, fituam 4-3 ndaj e meritojmë të jemi në finale”.

Klop më pas ka kundërshtuar komentet e madrilenëve për kartonin e kuq ndaj Humels për një prekje të topit me dorë.

“Nëse flasin për një karton të Humels, duhet të kujtojnë më parë 7 kartonët e verdhë që meritonte të merrte Serxhio Ramos për ndërhyrjet ndaj Levandovskit”, ishte komenti i trajnerit gjerman i cili ka bërë të qartë se tashmë skuadra e tij e meritonte të festonte dhe të mos e vriste shumë mendjen për sfidën e fundjavës kundër Bajern Mynih në kampionat.

“Do të përdorim një ditë më shumë pushim që kemi ndaj Bajernit dhe do ta shfrytëzojmë maksimalisht. Unë për vete do të kthehem në hotel dhe do të pi një birrë atje. Por Shahin e njeh qytetin, ndaj djemtë mund të dalin sonte xhiro me të. Dhe nëse në fundjavë na shkatërron Bajerni, ajo do të jetë humbja më e lumtur në historinë e Bundesligës”. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Wednesday, 01 May 2013 10:17

Zhoze Murinjo praktikisht i ka dhënë mbrëmë lamtumirën Real Madrid, duke bërë të qartë se e ardhmja e tij do të ishte te një klub ku e duan, mundësisht në Angli. Ndonëse trajneri prej kohësh kishte insistuar se do të vazhdonte te Reali dhe se në fund të sezonit do të diskutonte me klubin për qëndrimin apo jo të tij, eliminimi në gjysmëfinalet e Ligës ë Kampioneve e ka bindur që të ndryshojë ambient.

“A do të qëndroj te Reali në sezonin e ardhshëm? Ndoshta jo. Nuk e di ende por unë dëshiroj të shkoj atje ku njerëzit më duan. Unë e di që më duan në Angli, më duan tifozët dhe media. Ata më trajtojnë mirë. Ata më vlerësojnë kur duhet dhe më kritikojnë kur e meritoj. Më duan disa klube, sidomos një prej tyre (Çelsi). Në Spanjë është ndryshe, shumë njerëz më urrejnë, shumë nga ju në këtë dhomë”, tha ai në sallën e konferencave pas ndeshjes.

“Ky është një vendim i vështirë. Mua më pëlqen klubi dhe presidenti, kam një skuadër të mirë. Por dua të jem i ndershëm dhe i drejtë me ta. Ndaj do të ulem dhe do të diskutoj këtë çështje në fund të sezonit”.

Në fund, Murinjo ka zbuluar një detaj mjaft të veçantë, duke bërë të ditur se gjyqtari Hauard Ueb i kishte pranuar se nuk i kishte dhënë kartonin e dytë të verdhë Mats Humels, në mënyrë që ky i fundit të luante në finale.

“Vazhdoj të them se ai është një gjyqtar fantastik. Por është e pabesueshme se si ai nuk i dha një karton të kuq Humels. Unë fola me të dhe ai nuk i dha Humels kartonin e kuq në mënyrë që lojtari të ishte në finale. Kishin mbetur edhe 18 minuta lojë dhe unë arrita në konkluzionin se Ueb është një gjyqtar i mirë dhe një njeri po aq i mirë, me një zemër të madhe. E them këtë pasi shpëtoi një lojtar nga kartoni i kuq, por dëmtoi një skuadër tjetër”, tha Murinjo, në atë që tashmë interpretohet si një nga intervistat e fundit të karrierës së tij si trajneri i Real Madrid. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Tuesday, 30 April 2013 22:54

Real Madrid ka fituar 2-0 përballë Borusia Dortmund, por kjo nuk ka mjaftuar për t’i siguruar skuadrës spanjolle në vend në finalen e madhe të “Uemblit” ku do të shkoj ekipi gjerman. Në një ndeshje emocionuese nga minuta e parë në të fundit, “Santiago Bernabeu” është kthyer në arenën e një spektakli të jashtëzakonshëm të dhuruar nga të dy skuadrat.

Reali e fillon ndeshjen mjaft vrullshëm, me dëshirën për të shënuar sa më shpejt, por ndoshta pikërisht ky nxitim bën që Higuain, Ronaldo e Ozil të humbin raste që normalisht nuk do t’i kishin shpërdoruar. Nga ana tjetër, Levandovski vazhdon të krijojë panik në mbrojtjen spanjolle dhe vetëm një ndërhyrje e Diego Lopez i mohon gëzimin e një tjetër goli ndaj madrilenëve, pas atyre 4 të shënuar në sfidën e parë. Borusia duhet të bëjë hesapet pas një prej yjeve të saj, pasi Gëtze duron pak minuta në fushë, për t’u larguar iu dëmtuar. Por ndeshja nuk humbet bukurinë, me të dy skuadrat që luajnë hapur dhe krijojnë raste të njëpasnjëshme, por pa gjetur rrugën e rrjetës.

Mbyllja e pjesës së parë në barazim pa gola ndihmon Borusian që futet më e qetë në 45 minuta e dyta dhe duke përfituar nga çekuilibrimi ofensiv i Realit, gjen hapësira për të rrezikuar në kundërsulm. Levandovski ka mundësinë të kalojë në avantazh skuadrën e tij në minutën e 52-të, por topi ndalet në traversën e portës së Diego Lopez. Më pas është vetë portieri që shpëton skuadrën e tij nga goli i KO, me një ndërhyrje instiktive duke bllokuar gjuajtjen e Gundogan.

Duket sikur ndeshja po i shkon fundit dhe Reali nuk ka forcën për të shënuar, as pasi Murinjo hodhi në fushë Benzema, Kaka e Khedira në vend të Higuain, Koentrao e Ksabi Alonso. Por në minutën e 82-të vjen edhe sinjali i parë, me Benzema që dërgon topin në rrjetë pas një pasimi perfekt të Ozil. Reali beson te mrekullia dhe i mbështetur nga tifozeria e zjarrtë e “Santiago Bernabeut” hidhet në sulm duke krijuar rast pas rasti. Kur shënohet minuta e 88-të e ndeshjes vjen edhe goli i dytë, ku këtë radhë është Ramos që gjen rrugën e rrjetës.

Realit i duhet edhe një gol për të përmbushur përmbysjen e madhe, por këtë radhë mrekullia nuk ndodh dhe pas 6 minutave emocionuese shtesë, vërshëllima përfundimtare e Hauard Ueb dekreton emrin e Borusia Dortmund si finaliste të merituar të këtij edicioni të Ligës së Kampioneve. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Monday, 29 April 2013 21:07

Borusia Dortmund nuk do të luajë në mbrojtje ndaj Real Madrid në “Santiago Bernabeu”. Ky është premtimi i Jurgen Klop i cili në konferencën e fundit për shtyp para ndeshjes ka bërë të qartë se nuk ka ndër mend që të shpërdorojë potencialin ofensiv që ka në skuadër.

“Është normale që Real Madrid të mendojë se mund të përmbysë rezultatin. Por ne jemi të përgatitur për një gjë të tillë. E dimë që nesër do të duhet të luftojmë me të gjitha forcat”.

“Por kemi një potencial të madh ofensiv, ndaj nuk do të luajmë të kthyer në mbrojtje. Reali ka një potencial të jashtëzakonshëm, por edhe në gjithashtu. Ideja që kemi në mendje është të shfaqmi si një skuadër kompakte por e patrembur”, tha ai, duke iu referuar faktit se në radhët e skuadrës së tij luan një treshe e frikshme, ajo Levandovski-Gëtze-Rois, që shkërmoqi mbrojtjen e Realit në ndeshjen e parë të fituar me rezultatin 4-1.

“Kjo është një ëndërr. Do të përgjigjemi në fushë me përulësinë që duhet përballë Real Madrid. Por e vetmja mënyrë për të realizuar ëndrrat është duke qenë guximtarë”, nuk ka mënyrë tjetër”, deklaroi trajneri i Borusia Dortmund. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Monday, 29 April 2013 18:48

Otmar Hitzfeld është i bindur se dy ish-skuadrat e tij, Borusia Dortmund dhe Bajern Mynih, do të vihen përballë njëra-tjetrës në finalen e Ligës së Kampioneve të këtij edicioni.

Dortmundi shkon nesër në “Santiago Bernabeu” me avantazhin e fitores 4-1 në sfidën e parë ndaj Real Madrid, ndërsa Bajern Mynih ka fituar 4-0 ndaj Barcelonës në “Allianz Arena”. Sipas Hitzfeld, dy klubet spanjolle nuk kanë shanse që të përmbysin një disavantazh kaq të thellë.

“Unë mbetem i bindur se Dortmundi do të shkojë në finalen e Ligës së Kampioneve, ku do të ndeshet me Bajernin, por nuk do të jetë shumë e thjeshtë”, tha 64 vjeçari që tani drejton përfaqësuesen e Zvicrës. “Për më tepër, jam i bindur se as Bajerni dhe as Dortmundi nuk do të munden në Spanjë”.

Hitzfeld ka bindjen se paraqitja e këtyre dy klubeve gjermane ndaj atyre spanjolle, po tregon se si kanë ndryshuar hierarkitë në futbollin evropian.

“Nëse merr në konsideratë idenë se kryesuesit e Bundesligës mundën atë të La Liga me rezultatin 4-0 dhe skuadra e vendit të dytë në Bundesligë mundi atë që është e dyta në Spanjë me rezultatin 4-1, kjo do të thotë se shtyllat e portave tani janë zhvendosur. Ka një ndryshim në forcën e futbollit në Evropë, por Dortmundi dhe Bajerni duhet ta konfirmojnë një gjë të tillë në ndeshjet e kthimit”. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Monday, 29 April 2013 15:05

Zhoze Murinjo është i bindur se eliminimi i mundshëm i Real Madrid nga Liga e Kampioneve do të etiketohet nga të gjithë si një dështim i tij personal dhe jo i skuadrës.

“Unë mendoj se në të gjithë klubet e futbollit, jo vetëm në Madrid, suksesi është i të gjithëve ndërsa dështimi është i trajnerit. Kjo ndodh kudo, me përjashtim të disa klubeve të veçanta ku vlerësohet puna e trajnerit si kur gjërat shkojnë mirë, ashtu edhe kur shkojnë keq. Ndaj jam i qetë para ndeshjes me Borusian se e di që tani se gjërat janë kështu e nuk mund të ndryshojnë. Rekordi i 100 pikëve në kampionat mbetet plotësisht i Realit dhe nëse nuk shkojmë në finale do të jetë plotësisht faji im”, ishte batuta polemike e portugezit.

“Në Dortmund thashë që do të ishte e drejtë që ky ekip të fitonte Ligën e Kampioneve, por ajo ishte figurative. Në atë ndeshje fitoi ai që e meritonte dhe humbi ai që e meritonte. Futbolli në Dortmund u tregua i drejtë”, tha ai, këtë radhë duke preferuar që të mos bënte të ditur formacionin e tij, por me besimin se në futboll gjithçka mund të ndodhë.

“Përmbysja varet nga futbolli. Ishte një ndeshje ku në 90 minuta u mundëm 4-1. Por atje gabuam gjithçka. Sot kam lexuar deklarata të një personi që fliste për gjëra të ligjshme e të paligjshme (Bekenbauer). Por ne jemi aq të sinqertë dhe të pafajshëm sa Levandovski na shënoi katër gola dhe ne nuk i bëmë as një faull kundër. Ndërsa tani duhet të luajmë, të luajmë futboll. Nëse kalojmë në avantazh, duhet të vazhdojmë të kërkojmë gola të tjerë dhe të shohim nëse ia dalim mbanë”, tha trajneri i Real Madrid. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Monday, 29 April 2013 10:29

Trajneri i Borusia Dortmund, Jurgen Klop, ka insistuar se ai nuk ka asnjë lidhje me zërat që janë hapur në shtyp gjatë ditëve të fundit për një kthim të Zhoze Murinjos te Çelsi. Trajneri ka reaguar ndaj lajmit të publikuar në të përditshmen “Bild”, sipas të cilit tekniku gjerman kishte mësuar në një bashkëbisedim me Zhoze Murinjon se ky i fundit do të kthehej në Angli, informacion të cilin më pas ua kishte kaluar gazetarëve.

“Kjo është një histori krejtësisht qesharake. Unë nuk i kam thënë askujt se Murinjo do të shkojë te Çelsi apo ndonjë klub tjetër. Unë nuk jam një person që bën gjëra të tilla. E dëgjova këtë histori para ndeshjes tonë me Fortuna Dyseldorf dhe do ta pranoj që isha i mërzitur dhe shumë i inatosur pasi ajo është krejtësisht e rreme”.

“Kjo është një shpifje. Murinjo është një koleg dhe një mik me të cilin unë nuk do të abuzoja kurrë në këtë mënyrë”, ishin fjalët e trajnerit të Borusia Dortmund.

Klop dhe Murinjo do të takohen përsëri nesër në ndeshjen e kthimit gjysëmfinale të Ligës së Kampioneve, pasi Borusia Dortmund fitoi 4-1 ndeshjen e parë në shtëpi ndaj Real Madrid dhe është shumë pranë kalimit në finalen e madhe të 25 majit. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Thursday, 25 April 2013 10:19

Zhoze Murinjo ka qenë shumë i irrituar me lojtarët e tij pas humbjes së thellë 4-1 përballë Borusia Dortmund, ndërsa nuk ka ngurruar të fajësojë mbrojtësit për këtë disfatë. Shqetësimi më i madh për trajnerin portugez është se si lojtarët e tij nuk bënë detyrën përballë Robert Levandosvkit, autor i të katër golave për skuadrën gjermane, i pari që i shënon katër herë në një ndeshje madrilenëve në Ligën e Kampioneve në historinë e klubit.

”Ne dimë gjithçka për Levandovskin, absolutisht gjithçka, e kemi studiuar në çdo detaj të mundshëm, por përsëri na iku nga kontrolli në të tre golat e parë, ndonëse e dinim me saktësi se çfarë mund të bënte. Sigurisht që është shumë zhgënjyese. Kur unë mundem dhe nuk e meritoj një gjë të tillë, për mua është një dramë. Kur unë mundem dhe e meritoj, është një situatë e papranueshme”, ishte shpërthimi i portugezit.

Gjithsesi, ai nuk i ka hequr meritat Borusias duke e cilësuar një skuadër superiore në këtë sfidë dhe që e meritonte plotësisht fitoren.

“E merituan plotësisht fitoren, ishin më të fortë se ne, ishin më mirë se ne në të gjitha situatat dhe mbërrinin të parët në çdo top. Fitoi skuadra më e mirë. Kërkoja drejtësi, por sot futbolli ishte i drejtë”.

“Mendoj se shumë nga djemtë nuk kaluan një mbrëmje të mirë dhe kjo është pikërisht një nga ato netët ku nuk mund të bësh gabime, pasi në nivel klubesh, kjo është nata e dytë për nga rëndësia në botën e futbollit. Përmbysje? E vështirë, shumë e vështirë, por të shohim”, ishte komenti i trajnerit portugez. (LajmeShqip.com)

12