Lajme Shqip Friday, 18 April 2014 13:39

Grupi i turistëve francezë, që u bllokua nga dëbora mbrëmjen e djeshme në zonën e Thethit kaluan natën në Bogë.

Grupi me 11 turistë francezë, që udhëtonin me 4 automjete, mbetëm të bllokuar dje në mbrëmje në Qafë Thore. Me të marrë informacionin Ministria e Brendshme mori masa emergjente për ti ardhur në ndihmë duke bërë transportin e tyre me fadroma dhe më pas ata u strehuan në shtëpitë e banorëve të Bogës.

Në ndihmë të tursitëve shkuan edhe forcat e policisë të Shkodrës, Kryetari i Komunës Shalë dhe komuniteti i zonës.

Prej mbrëmjes së djeshme po punohet në dy drejtime për hapjen e aksit rrugor, Theth – Bogë dhe Bogë – Theth, nga dy borëpastruese të Drejtorisë së Përgjithshme të Emergjencave Civile dhe dy borëpastruese të Drejtorisë Rajonale të Rrugëve Shkodër.

Grupi me 11 turistë francezë pritet të mbërrijë sot në Shkodër, për t’u nisur në destinacionin e radhës të planifikuar.

 

 
Lajme Shqip Thursday, 17 April 2014 15:05

Ministria e Mbrojtjes ka nisur sot një helikopter Cougar, kërkim-shpëtimi, drejt qytetit të Bajram Currit për të ndihmuar zonat e thella të Tropojës për shkak të dëborës së madhe.

Ministria e Mbrojtjes ka bërë lëvizjen, pas kërkesës së Drejtorisë së Përgjithshme të emergjencave civile për të çuar ndihma në zonën e Bjeshkëve të lumit të Gashit, në komunën Tropojë e Vjetër.

Sipas informacioneve më të fundit në këtë zonë janë të bllokuar si rezultat i motit të keq 13 persona dhe 120 krerë bagëti.

Trashësia e deborës në këtë zonë shkon deri në 1 metër. 

 
Lajme Shqip Wednesday, 16 April 2014 14:14

Edhe pse ka disa ditë që ka kaluar dita e Verës, në disa qytete të Shqipërisë kanë nisur përsëri të bien reshje dëbore. Në Peshkopi e Korçë, reshjet e rëna gjatë gjithë natës kanë krijuar vështirësi qarkullimi në disa akse.

Në Peshkopi, trashësia e borës brenda në qytet ka arritur në 15 centimetra, kurse në zonat rurale deri në 20 centimetra.

Edhe në rrethin e Korçës, bora ka krijuar vështirësi në qarkullimin e mjeteve; në Qafë Plloçë dhe Grabovicë makinat këshillohen të kalojnë vetëm me zinxhirë, kurse në Qafë Thanë, Dardhë dhe Voskopojë akset janë të kalueshme dhe pa to. Në zonat e bllokuara janë vënë në veprim borëpastrueset për hapjen e këtyre akseve.

Probleme me reshjet e dëborës janë shënuar edhe në rrethet e Shkodrës dhe Pukës. 

Gjatë 24 orëve të fundit reshjet e dendura të dëborës kanë krijuar probleme veçanërisht në rrethin e Pukës, atje ku rezultojnë edhe disa prej akseve rrugore të bllokuara. Shtabi i emergjencave civile pranë prefekturës së Shkodres bën më dije se akset: Qafë Mali – Fierzë, Fushë Arrëz –Iballë dhe Qafë Qelë – Qelëz janë të bllokuara. Ndërkohë në fshatrat e tjerë trashësia e dëborës arrin në rreth 60 cm dhe nevojitet përdorimi i zinxhirëve.

I gjithë rrethi i Pukës ka patur probleme me furnizimin me energji elektrike, ku nje defekt në linjën kryesore ka bërë që vetëm qyteti të ketë energji, ndërsa të gjithë fshatrat prej 24 orësh janë në errësirë.

Reshje të dendura ka patur edhe në rrethin e Malësisë së Madhe, ku problematike janë akset Boge – Qafë Thore dhe Selcë – Vermosh. Në Dukagjin janë përfshirë nga reshjet komunat Shosh dhe Pult, ku trashësia e dëborës arrin në 40 cm. Në të gjitha këto akse, menjëherë pasi reshjet të pushojnë do të ndërhyhet nga emergjencat civile me fadroma për hapjen e rrugëve. Sipas parashikimeve të sinoptikanëve reshjet e dëborës gjatë këtyre 24 orëve do t’ja lënë vendin reshjeve të shiut, ç’ka pritet të përmirësojë situaten.

 
Lajme Shqip Tuesday, 11 December 2012 17:49

Tiranë – Moti i keq, me reshje te shumta bore ka bere te pamundur kalimin ne disa akse rrugore ne vend, e ne shume te tjere ka shkaktuar probleme serioze e veshtiresi.

Policia e Shtetit, ne nje njoftim te fundit lajmeron per situaten ne akset rrugore ne gjithe vendin, duke keshilluar drejtuesit e automjeteve që të tregohen të kujdesshëm
dhe të respektojnë normat e qarkullimit.

Situata në akset rrugore në shkallë vendi

Në qarkun Kukës:
Momentalisht bien reshje dëbore, trashësia varion nga 40 cm në Kukës
në 60 cm në lartësitë mbi 800 m, gjendja e akseve rrugore është si më
poshtë:
1. aksi rrugor Morinë – Klimash i kalueshëm me zinxhirë,
2. aksi Kukës – Krumë i kalueshëm me zinxhirë,
3. aksi B.Curri – Qafë Morinë i kalueshëm me zinxhirë,
4. aksi B.Curri – Fierzë i kalueshëm me zinxhirë,
5. aksi B.Curri – Valbonë i pakalueshëm,
6. aksi Krumë – B. Curri i pakalueshëm,,
7. aksi Krum – Qaf Prushi i kalueshëm me zinxhirë me vështirësi
8. aksi Kukës – Topojan i pakalueshëm,
9. aksi Kukës – Ujmisht – Lusën i pakalueshëm,
10. aksi Lusën–Bushtricë-Kala e Dodës në drejtim të Peshkopisë i pakalueshëm,
11. aksi Kukës – Shëmri i pakalueshëm,
12. aksi Shëmri – Qafë Shllak i pakalueshëm,
13. aksi rrugor Topojan – Shishtavec i pakalueshëm,
Po punohet për pastrimin e rrugës dhe hedhjen e kripës, në të gjitha
akset nacionale në këtë qark. Po bashkëpunohet në vazhdimësi me entin
pronar të rrugëve për normalizimin e gjendjes së rrugëve në të gjitha
akset rrugore.

Në qarkun Dibër:
Momentalisht bien reshje dëbore, trashësia varion nga 40 cm deri në
60 cm, gjendja e akseve rrugore paraqitet si vijon:
1. aksi rrugor Peshkopi – Bulqizë – Klos i kalueshëm me zinxhirë me
vështirësi në disa segmente.
2. aksi rrugor Klos – Burrel – Ulzë i kalueshëm me zinxhirë,
3. aksi Shupenzë – Ostren i pakalueshëm,
4. aksi Krastë – Bulqizë i kalueshëm me zinxhirë me vështirësi,
5. aksi rrugor Peshkopi – Sllovë – Kala e Dodës në drejtim të Kukësit
i pakalueshëm
6. aksi Peshkopi – Muhurr – Aras i kalueshëm me zinxhirë me vështirësi,
7. aksi Arras – Zall Dardhë – Reç i pakalueshëm,
8. aksi Stëblevë – Librazhd i pakalueshëm,
9. aksi Arras – Lurë i pakalueshëm,
Po bashkëpunohet në vazhdimësi me entin pronar të rrugëve për
normalizimin e gjendjes së rrugëve në të gjitha akset rrugore.

Në qarkun Shkodër:
Trashësia e borës në zonat malore është mbi 30 cm, situata e akseve
rrugore paraqitet si vijon:
1. aksi rrugor Shkodër – Koman i kalueshëm në disa segmente me zinxhirë,
2. aksi Qaf Çelë – Pukë – Fushë Arrës i kalueshëm me zinxhirë një sens,
3. aksi Fushë Arrës – Qafë Mali- Qafë Shllak i pakalueshëm,
4. aksi Fushë Arrës – Gjegjan i kalueshëm me zinxhirë me një sens,
5. aksi Gjegjan – Shpal i pakalueshëm,
6. akset Koplik – Razëm i pakalueshëm,
7. aksi Bogë – Theth, Selcë – Vermosh të pakalueshme,
8. akset në drejtim te Dukagjinit të pakalueshme,
9. aksi Qafë Mali – Dardhë – Fierzë i pakalueshëm,
10. aksi Fushë Arrës – Iballë i pakalueshëm,
Po bashkëpunohet në vazhdimësi me entin pronar të rrugëve për
normalizimin e gjendjes së rrugëve në të gjitha akset rrugore.

Në qarkun Lezhë:
1. aksi Fan – Kalimash me zinxhirë,
2. aksi rrugor Mirditë – Shpal i kalueshëm me zinxhirë në disa segmente,
3. aksi Shpal – Gjegjan – Fushë Arrës i pakalueshëm,
4. në zonat e thella të Mirditës në drejtim të Lurës akset rrugore
janë të pakalueshme,
Në të gjitha akset rrugore nacionale ne rrethin e Lezhës lëvizja e
automjeteve është e kalueshme, po bashkëpunohet me entin pronar të
rrugëve për hedhjen e kripës dhe skorjeve, kryesisht në Autostradë.

Në qarkun Elbasan:
1. aksi Përrenjas – Qafë Thanë i kalueshëm me zinxhirë,
2. aksi Librazhd – Bulqizë i pakalueshëm,
Në të gjitha akset e tjera rrugore lëvizja është normale.

Në qarkun Korçë:
1. aksi rrugor Kapshticë – Korçë – Qafë Thanë i kalueshëm me
zinxhirë pasi ka ngrica,
2. aksi rrugor Boboshticë – Dardhë i pakalueshëm,
3. aksi rrugor Korçë – Voskopojë i pakalueshëm,
4. aksi Korçë – Ersekë – Leskovik i kalueshëm me zinxhirë me vështirësi,
5. aksi Korçë – Goricë i kalueshëm me zinxhirë me vështirësi,
Po punohet në vazhdimësi me entin pronar të rrugëve për normalizimin e
gjendjes së rrugëve në të gjitha akset rrugore.

Në qarkun Berat:
1. Në disa komuna të Skraparit ka vështirësi në qarkullim,
2. Në të gjitha akset e tjera rrugore lëvizja është normale.

Në qarkun Gjirokastër:
1. aksi Jorgucat – Qafa e Muzinës e kalueshme me zinxhirë në disa segmente,

Po punohet në vazhdimësi me entin pronar të rrugëve për normalizimin e
gjendjes së rrugëve në të gjitha akset rrugore.

Në qarkun Vlorë:
1. Në aksin rrugor Vlorë – Llogara lëvizja e automjeteve kryhet me
zinxhirë, pasi ka dhe shtresa akulli, po punohet në vazhdimësi me
entin pronar të rrugëve për normalizimin e gjendjes.

Në të gjitha akset e tjera rrugore lëvizja e mjeteve bëhet normalisht
pa probleme.(LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Monday, 10 December 2012 11:57

Prishtinë – Moti i ftohtë dhe reshjet e borës do ta përcjellin gjatë këtyre ditëve Kosovën. Temperatura do të sillen nga 0 deri në -10. Kurse, gjatë janarit temperaturat do të ulen deri në -20 gradë.

“Temperaturat do të sillen nga 0 deri në -10. Sot gjatë ditës do të jetë një ditë me diell, kurse gjatë natës do të ketë reshje të borës”, ka thënë Sylë Tahirsylaj.

Ai ka theksuar se edhe gjatë ditës së mërkurë do të ketë reshje të borës. Sipas tij, janari pritet të jetë me i ftohtë, ku temperaturat do të ulen deri në -20 gradë. (RTK)

Bora dhe të ftohtit kanë vështirësuar qarkullimin

Bora që ka rënë gjatë vikendit ka vështirësuar trafikun nëpër të gjitha rrugët e vendit. Në pjesën më të madhe të Dukagjinit, trafiku është vështirësuar relativisht shumë, ndërsa si rezultat i të reshurave të vazhdueshme të borës dhe ngricave, ky rajon po ballafaqohet edhe me mungesë të furnizimit me energji elektrike.

Pavarësisht borës dhe të ftohtit, të gjitha rrugët e vendit janë të kalueshme, njofton Policia.

Sipas Policisë, akset rrugore më të vështirësuara për qarkullim mbeten ato në rajonin e Pejës, por edhe në disa rajone tjera siç janë zonat malore duke përfshirë zonën e Brezovicës, Prevallës, Bajgorës dhe atë të Dragashit.

“Policia e Kosovës kërkon nga drejtuesit e automjeteve që të respektojnë shenjat e komunikacionit rrugor, t’u përshtaten kushteve atmosferike si dhe të pajisin automjetet me goma dimërore, të përdorin zinxhirët gjatë lëvizjes në akset rrugore, ku bora dhe ngricat janë të pranishme”, thuhet në komunikatën e Policisë.

Ndërsa Baki Kelani, zëdhënës i Policisë së Kosovës, bëri apel te të gjithë ngasësit e automjeteve që të jenë të kujdesshëm, sidomos gjatë natës. “U bëj apel te të gjithë qytetarët që të jenë të kujdesshëm, sidomos gjatë orëve të vona të natës, sepse në këto orë temperaturat po zbresin shumë dhe po shkaktohen ngrica të mëdha në rrugë ”, theksoi Kelani.

Ndërkaq, Sylë Tahirsylaj, nga Instituti Meteorologjik i Kosovës, ka thënë se ky dimër nuk do të jetë më i ashpër se vitin e kaluar. Sipas tij, gjatë tërë javës temperaturat do të jenë nën zero gradë celsius si dhe gjatë gjithë javës do të ketë reshje të borës.

“Sonte (mbrëmë) temperaturat do të shkojnë deri në – 14 gradë celsius. Ky dimër nuk do të jetë i ashpër se vitin e kaluar. Si dhe gjatë ditëve në vijim të gjitha temperaturat janë nën zero gradë celsius si minimale ashtu edhe ato maksimale. Të hënën (sot) nuk do të ketë reshje të borës, por prej të martës do të ketë reshje bore të intenzitetit të njëjtë, si dhe e gjithë java do të jetë me borë”, ka treguar Tahirsylaj.

Lahudin Myrtaj, drejtor i Drejtorisë së rrugëve në Ministrinë e Infrastrukturës, ka thënë se kjo ministri i ka angazhuar gjithsej 10 kompani për mirëmbajtjen e rrugëve e që njëra prej këtyre kompanive është e angazhuar që të përkujdeset vetëm për autostradën.

“Ministria e Infrastrukturës i ka operatorët e vet ekonomikë, të cilët operojnë në mirëmbajtjen verore dhe dimërore, qe dy vjet operojnë kompanitë e njëjta. Janë shtatë rajone dhe dy nënrajone. Nëntë kompani janë të cilat i kanë kontratat për mirëmbajtje verore dhe dimërore si dhe është një kompani tjetër e cila e mirëmban autostradën”, ka treguar Myrtaj.(LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Monday, 03 December 2012 13:56

PRISHTINË–Dëbora e parë e dimrit nisi të bjerë sot paradite në Prishtinë, pas një mëngjesi me shi. 

Në kryeqytetin e Kosovës, dëbora erdhi afro tre javë para dimrit me kalendar, ndërsa vitin e kaluar dëbora e parë ra në 6 dhjetor, e në 2010-ën shumë më herët, në 27 tetor.

Në këtë vit në Prishtinë edhe mëngjesi i 10 prillit ishte i bardhë nga dëbora e fundit në pranverë.

Në vitin 2011 në kryeqytetin e Kosovës dëbora e fundit e pranverës ra në 13 e 14 prill. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Tuesday, 21 February 2012 15:10

Tiranë- Me pushimin e reshjeve të dëborës si dhe punën e pandërprerë të strukturave të Emergjencës Civile është përmirësuar ndjeshëm situata në vend.

Sipas informacionit të shpërndarë nga Zyra e Emergjencës Civile, numri i komunave që janë të bllokuara nga dëbora ka ardhur në rënie. Momentalisht, probleme ka në vetëm 14 komuna, kryesisht në veri të vendit, ku po punohet për lidhjen e tyre me akset rrugore kombëtare.   

Kështu, në Qarkun e Shkodrës vazhdon puna për hapjen e akseve rrugore që lidhin me akset kombëtare qendrat e komunave Shalë, Shosh, Shllak, Pult, Iballë dhe Fierzë. Në Qarkun e Kukësit është punuar dhe vazhdon puna për lidhjen me akset kombëtare të qendrave të komunave Shishtavec, Grykë Çajë, Kalis, Lekbibaj dhe Arrën. Lura, Selishta dhe Zall Reçi, janë tre komunat e Qarkut të Dibrës, ku vijon puna për lidhjen e qendrave të tyre me akset kombëtare.

Puna e kryer gjatë gjithë këtyre ditëve mundësoi ndërkohë lidhjen me akset kombëtare të qendrave të komunave Qelëz, Kelmend, Poroçan, Lenie, Kukur, Zavalinë, Blerim dhe Bytyç.

Ndërkohë, nuk janë ndërprerë operacionet humanitare, por edhe të ndihmes për banorët e këtyre zonave. Me anë të helikopterëve iu është dhënë ndihmë banorëve për nevojat shëndetësore, ndersa ka vazhduar shpërndarja e ndihmës ushqimore dhe e medikamenteve.

E ndërkohë tropojanët kanë dalë nga izolimi që shkaktoi  dëbora e madhe e këtij dimri.  Këtë e ndjejnë jo vetëm  banorët e qytetit të Bajram Currit, por edhe ata të fshatrave të këtij rrethi, të cilët kanë nisur të lëvizin në drejtim të tregut të qytetit dhe të furnizohen me mallrat ë konsumit të përditshëm.

“Situata është drejt përmirësimit pas ngrohjes së motit, por edhe e punës së bërë deri tani për rihapjen e akseve rrugore”,- thotë kryetari I bashkisë së Bajram Currit, Agron Demnushi që shton se ende është e izoluar  komuna  e Lekbibajt. 

Ndërsa është përshpejtuar puna për rihapjen e akseve rrugore rurale, që lidhin fshatrat me qendrat e komunave, një proces  më vështirë, vazhdon puna për rihapjen e plotë të aksit rrugor  Bajram Curri-Krumë  ku kanë mbetur edhe pak kilometra rrugë e pahapur në afërsi të qafë  Luzhës.            

Dalja nga izolimi i banorëve të këtij rrethi është ndjerë edhe në rritjen e fluksit të lëvizjes në drejtim të Tiranës, edhe pse lëvizja në këtë aks  rrugor nuk është ndërprerë asnjë ditë. Kjo për faktin se edhe tropojanët drejt Tiranës lëvizin përmes aksit rrugor Bajram Curri-doganë e qafë  Morinës-Gjakovë-Prizren-Morinë-Tiranë.

Burime zyrtare të doganës së qafë Morinës bëjnë të ditur se  “gjatë 24 orëve të fundit kanë lëvizur në të dy  anët e kufirit  85 persona gjithsej, nga  35 – 40 persona që lëviznin  që lëviznin gjatë 24 orëve  gjatë  ditëve të tjera  të këtij muaji”.

Gjithsesi fluksi i lëvizjes është ende i ulët. Kjo edhe për faktin se reshjet e mëdha të dëborës kanë ndalur lëvizjen drejt pikës turistike të Valbonës.Ndërsa akset rrugore rurale vazhdojnë të hapen me shpejtësi, aktualisht po punohet për rihapjen e akseve rrugore rurale Kam – qafë Prushi,  rruga nacionale  – Selimaj  dhe Dushaj Lekbibaj. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Monday, 20 February 2012 14:54

Tiranë-Kreu i Partisë Socialiste Edi Rama, në tryezën për autominë vendore që u zhvillua sot, vlerësoi se politikat e ndjekura deri tani nga qeveria kanë synuar ngushtimin e kompetencave të pushtetit vendor.

Rama akuzoi qeverisjen demokratike se ka abuzur me menaxhimin e fondeve dhe kjo sipas tij shihet në shpërndarjen e padrejtë të fondeve për komunat dhe bashkitë e vendit.

“Sjellja e qeverisë është nënvlerësim dhe abuzim me pushtetin vendor, që shihet qartë në shpërndarjen e fondeve në qeverinë vendore, qoftë në goditjet absurde ndaj tyre duke gjobitur personalisht qytetarët e bashkive dhe komunave për shkaqet që nuk kanë lidhje me rolin e tyre ligjor dhe institucional. Politizimi i tejskajshëm i marrëdhënieve të qeverisjes vendore është karakteristikë e qeverisjes së këtyre viteve të qeverisjes demokratike, dhe varfërimi i tyre është karakteristikë e qeverisjes demokratike”- theksoi Rama.

Kreu i opozitës vlerësoi se kriza e shkaktuar nga tërbimi i motit vërtetoi se kryetarët e komunave dhe bashkive e gjetën vetën të braktisur nga shteti.

“Në këtë krizë u pa qartë se shteti nuk funksionin, se strukturat shtetërore të paguara nga tasksat e qytetarëve për të bërë parashikimimet e nevojshme nuk ekzistojnë. Strukturat e paguara nga taksat, janë kthyer në xhepa fallco të shtetit që mbushen vetëm për nevojat e pushtetit me rrogëtarë, që vijnë drejtpërdretjë nga partitë e qeverisë. Kriza nënvizoi qartësisht degradimin e pushtetit vendor si një hallkë e pazëvendësueshme e shtetit demoktratik që është dobësuar me ligje dhe politika degraduese”,- nënvizoi Rama.

Rama duke theksuar së në 7 vjet qeverisja demokratike ka dëshmuar paaftësinë dhe pandjeshmërinë e saj në rigjenerimin ekonomik dhe social të bashkive dhe komunave në vend, nënvizon se vetëm programi i Partisë Socialiste do e çlirojë qeverisjen vendore nga kthetrat e pushtetit. (BW)

 

 
Lajme Shqip Sunday, 19 February 2012 12:00

Sarandë- Mijëra përdorues në nënprefekturën e Sarandës dhe Delvinë në jug të vendit, kanë ngelur pa internet dhe telefoni fikse, si pasojë e motit të keq.

Kiço Adhami, drejtor i filialit të “Albtelecom” në Sarandë, tha sot për ATSH-në se shkak i ndërprerjes së këtyre dy shërbimeve bazë, ka qenë nxjerrja jashtë funksioni e pajisjes së instaluar në Llogara.

“Ky defekt ka paralizuar komunikimin elektronik të disa mijëra përdoruesve të internetit në rajonin e Sarandës e Delvinës, deri në kufi me Gjirokastrën, përveç që nuk është mundësuar komunikimi përmes telefonisë fikse. Ndërprerja e këtyre dy shërbimeve ka nisur pas orës 17.00 të ditës së premte dhe ka vazhduar edhe sot”, tha Adhami.

Sipas tij, pranë “Albtelecom” kanë qenë të shumtë abonentët e shqetësuar nga mbetja pa sinjal interneti dhe pa sinjal në telefonat fiks të kësaj kompanie.

“Ekipet e  “Albtelecom” janë nisur drejt Llogarasë, ku ndërkohë është punuar për të bërë të kalueshme rrugën e zënë nga dëbora e rënë”, specifikon Adhami, duke shtuar se specialistët po punojnë për të mënjanuar defektin në kohë sa më të shkurtër. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Sunday, 19 February 2012 10:00

Tiranë- Henk Van den Dool, kryediplomati i Mbretërisë së Vendeve të Ulëta, në një intervistë për të përjavëshmen “Java” lëshon alarmin duke deklaruar se Shqipëria pas dëborës do t’i duhet të përballet me përmbytjet, pasi sipas tij ekspertiza holandeze e ofruar ka rënë në vesh të shurdhët.

“Mendoj se është shumë e rëndësishme që mbështetja të jepet në mënyrë të koordinuar, në mënyrë që kjo fatkeqësi natyrore të mos bëhet pre e përfitimeve apo keqpërdorimeve politike. Shqiptarët që janë të bllokuar në dëborë nuk e meritojnë të bëhen objeit i ping-pongut politik. Unë dëshiroj të shpreh shqetësimin tim për atë cka mund të ndodhë  kur dëbora të fillojë të shkrijë, gjë e cila është e pashmangshme. Duket se përmbytjet e mëdha do të jenë të pashmangshme.

Vitin e kaluar gjatë përmbytjeve që ndodhën në veri të Shqipërisë ne sollëm disa ekspertë holandezë të cilët konkluduan me një numër propozimesh në mënyrë se si mund të menaxhoheshin këto probleme në periudhë afat-shkurtër, afatmesme dhe afatgjatë. Është vërtetë një fatkeqësi që tani, më shumë se një vit më vonë dhe me probleme që shfaqen në horizont, më duhet të dëshmoj se zor se është ndërmarrë ndonjë veprim konkret.

Gjatë intervistës ambasadori Van Den Dool ndalet edhe në situatën poltike duke e vënë theksin në plotësimin e 12 prioriteve. Ambasadori lavdëron hapat e hedhur, sic ishte zgjedhja e Avokatit të Popullit apo miratimi ligjeve me 3/5-at, por vëren se axhenda politike vijon të “udhëhiqet nga ndodhitë, fatkeqësisht në kurriz të këtyre proceseve që kanë nevojë për më shumë këmbëngulje dhe energji”.

Ambasadori Holandës e parashikon se zgjedhja e presidentit nuk do të jetë aspak e lehtë, por beson se është e mundëshme gjetja e një kandidati që do të marrë votat e sa më shumë parlamentarëve.

Hetimet e 21 Janarit për ambasadorin Van Den Dool po zgjaten shumë dhe kjo nuk është një gjë e mirë për drejtësinë, por dicka e keqe për imazhin e Shqipërisë e në vecanti stresuese për familjarët e viktimave. (TCH)