Lajme Shqip Tuesday, 31 January 2012 19:29

Erjon Bogdani ka kompletuar transferimin e tij në radhët e Sienës pak minuta para mbylljes së afatit të merkatos së janarit në Itali.

Pak para orës 19:00, Siena ka bërë të ditur se ka finalizuar blerjen nga Çezena të sulmuesit shqiptar, me të cilin është nënshkruar një kontratë për një sezon e gjysmë, deri në qershor të vitit 2013.

Për sulmuesin shqiptar, kjo është eksperienca e dytë në radhët e ekipit, pasi është aktivizuar me këtë skuadër edhe në sezonet 2005-06 dhe 2006-07. Në të kaluarën, ai ka koleksionuar 49 ndeshje me fanellën e Sienës dhe 13 gola, nga të cilët 11 në sezonin e parë.

Siena kërkonte të blinte edhe Filipo Inzagin, por në fund drejtuesit e skuadrës janë kënaqur me blerjen e futbollistit shqiptar.

“Bogdani është një objektiv që ndiqnim prej kohësh ndaj jemi të lumtur me arritjen e objektivit të merkatos”, ishte komenti i drejtorit sportiv Daniele Faxhiano. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Friday, 27 January 2012 12:45

Mediat italiane kanë nxjerrë në skenë emrin e Sienës si destinacioni i radhës i Erjon Bogdanit. Sulmuesi shqiptar shihet gjithnjë e më shumë si një “i larguar” nga radhët e Çezenës, ku nuk bën pjesë në planet e trajnerit dhe për këtë arsye, janë të shumta ekipet e tjera që kërkojnë shërbimet e tij.

Pas Modenas e Varezes, tani në skenë ka dalë emri i Sienës, një skuadër tek e cila sulmuesi shqiptar ka një të kaluar. Në fakt, a ka përjetuar një nga sezonet më të lumtura të karrierës së tij në radhët e këtij ekipi në sezonin 2005-2006, ku arriti të shënonte 11 gola në 34 ndeshje me fanellën e kësaj skuadre.

Sipas “Gazzetta Dello Sport”, palët do të ulen në bisedime brenda fundjavës për të caktuar detajet e një marrëveshje të mundshme. (LajmeShqip.com)