Lajme Shqip Wednesday, 25 June 2014 16:24

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, dhe një delegacionion i LDK-së, po qëndrojnë në Bruksel, në vazhdën e takimeve me përfaqësues të Partisë Popullore Evropiane, oraganizatë anëtare e të cilës është LDK-ja. “Delegacioni i LDK-së sot është pritur nga kryetari i Partisë Popullore Evropiane, Joseph Daul, me të cilën kanw biseduar për proceset politike në Kosovë.

Kryetari Mustafa e ka njoftuar Daul me ecurinë e procesit zgjedhor, me detajet e marrëveshjes së koalicionit të shumicës dhe me prioritetet qeverisëse të koalicionit.

Mustafa është zotuar se koalicioni do të punojnë shumë për të cuar përpara porcesin e integrimit të Kosovës në strukturat evro-atlantike, se të luftojë me vendosmëri korrupsionin dhe krimin e organizuar dhe se do ta ketë prioritet zhvillimin e ekonomik të vendit.

Daul e ka përgëzuar kryetarin Mustafa për procesin zgjedhor dhe i ka dhënë mbështetje atij dhe LDK-së në synimet politike dhe qeverisëse”, njofton LDK.

 
Lajme Shqip Monday, 23 June 2014 16:10

Lideri i LDK-së, Isa Mustafa dhe nënkryetarja e AAK-së, Melihate Tërmkolli, nuk pajtohen me veprimin e presidentes Atifete Jahjaga për ta dërguar në Gjykatë Kushtetuese çështjen për mandatarin e qeverisë, duke e vlerësuar atë si hap të ngutshëm. Ndërsa anëtari i Kryesisë së NISMËS, Bilall Sherifi, nuk e ka komentuar këtë veprim të presidentes, me arsyetimin se deklarimi rreth kësaj çështje mund të konsiderohet si presion mbi presidenten e vendit dhe Gjykatën Kushtetuese, megjithatë ka thënë se NISMA mendon se Kushtetuta është e qartë sa i përket asaj se kush ka të drejtë ta formojë qeverinë.

I pari që ka reaguar ka qenë lideri i LDK-së, Isa Mustafa, i cili në një postim në profilin e tij në ‘Facebook’ ka shkruar se edhe presidentja e vendit duhet ta ketë të qartë Kushtetutën ashtu siç e kanë të gjithë qytetarët e Kosovës. “Presidentja e vendit duhet ta ketë të qartë Kushtetutën ashtu siç e kemi të gjithë ne. Kushtetuta jonë nuk është rast i veçantë kundrejt kushtetutave të vendeve të tjera demokratike dhe praktikave të njohura nga vendet evropiane. Shpresoj se Gjykata Kushtetuese nuk do ta interpretojë, edhe kësaj radhe, Kushtetutën si në rastin e presidentes dhe të na tregojë se ‘çfarë pret populli’”, ka shkruar Mustafa. Sipas tij, Kushtetuta e Republikës së Kosovës është e qartë për gjithë ata që duan ta kenë të qartë jetën demokratike. “Qeverinë e themelon ai që e arrin shumicën në Kuvend. Këtë shumicë nuk e ka fituar në mënyrë të veçantë asnjë subjekt gjatë zgjedhjeve. Qytetarët kanë vendosur se si do ta votojnë çdo subjekt politik (apo koalicioni parazgjedhor) dhe çdo kandidat për deputet, kurse koalicionet ndërmjet partive politike, mbi bazën e votave dhe besimit që e kanë marrë nga qytetarët, po vendosin se kush do ta qeverisë vendin. Asgjë nuk po vendoset jashtë fuqisë së votës”, është shprehur kreu i LDK-së.
Në të njëjtën vijë ka qenë edhe reagimi i partisë së Ramush Haradinajt, AAK-së. Nënkryetarja e kësaj partie, Melihate Tërmkolli, ka thënë për “Epokën e re” se presidentja Jahjaga është ngutur me veprimin e saj për të kërkuar sqarim te Gjykata Kushtetuese se kush ka të drejtë ta formojë qeverinë. “Mendoj se presidentja duhet t’i dijë kompetencat e veta. Në rast se ka dilema rreth kompetencave që ka, atëherë duhet të paraqesë kërkesë për interpretim nga Gjykata Kushtetuese më herët. Paraqitja e saj në këtë moment, pa pasur asnjë kërkesë zyrtare, mendoj se është shumë e parakohshme. Ajo do të mund ta paraqiste kërkesën e saj vetëm atëherë kur do të bëhet certifikimi i rezultateve dhe kur të kishim një apo dy grupe parlamentare të cilat do t’i paraqitnin kandidatët për kryeministër”, ka deklaruar Tërmkolli, duke shtuar se një veprim i tillë është i dyshimtë dhe mund të jetë në shërbim të kryeministrit aktual, Hashim Thaçit. “Ky veprim është i hershëm. Në interes të kujt po e bën këtë nuk e di. Mund të jetë në interes të qeverisë në largim dhe kryeministrit në largim. Por, sido që të jetë, kjo është një ngutje”, është shprehur ajo.
Më tutje, Tërmkolli ka deklaruar se partitë që kanë arritur marrëveshjen e kanë shikuar mirë këtë punë. “Ne i kemi respektuar dhe vazhdojmë t’i respektojmë institucionet tona dhe vendimet që dalin nga ato institucione. Por, para së gjithash, e respektojmë Kushtetutën e Republikës së Kosovës, e cila është shumë e qartë në këtë aspekt. Po të mos ishte e qartë nuk do t’i hynim një ndërmarrje të tillë. Nuk do të binim ndesh me Kushtetutën. E kemi studiuar mirë dhe e kemi parë se Kushtetuta këtë e lejon”, ka thënë Tërmkolli. 
Ndërkaq anëtari i Kryesisë së NISMËS për Kosovën, Bilall Sherifi, duke folur rreth kësaj çështje ka thënë për “Epokën e re” se duhet lejuar të gjitha institucionet kushtetuese t’i ushtrojnë përgjegjësit e tyre, pa bërë presion nga jashtë. “Mendoj se çdo prononcim tani për veprimin e presidentes do t’i bie që po ushtrojmë presion indirekt edhe mbi presidenten, edhe mbi Gjykatën Kushtetuese. Ne mendojmë se duhet t’i lëmë të lira të gjitha institucionet kushtetuese siç janë presidentja, Gjykata Kushtetuese, Parlamenti apo Qeveria që t’i ushtrojnë përgjegjësitë e tyre konform Kushtetutës. Nuk mendoj se duhet të bëjmë presion qoftë direkt apo indirekt, sepse tanimë procesi ka filluar. Komenti ynë është se nuk dëshirojmë ta komentojmë veprimin e presidentes, sepse do t’i binte se dëshirojmë ta influencojmë edhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese”, ka deklaruar Sherifi. 
Ai ka theksuar se NISMA do ta respektojë çfarëdo vendimi të Gjykatës Kushtetuese, pavarësisht se a do t’i pëlqejë apo jo. “Nuk diskutohet ajo. Edhe nëse nuk do të na pëlqejë, ne do ta respektojmë atë vendim, sepse për vendimet e gjykatës nuk shtrohet pyetja se a doni ta respektoni apo jo. Ato janë vendime të pakontestueshme. Ne sigurisht se kemi pozicionin tonë rreth kësaj çështje. Mendojmë se Kushtetuta është e qartë, mirëpo ky është vetëm pozicioni ynë dhe i partnerëve të koalicionit”, ka deklaruar Sherifi. Menjëherë pasi presidentja Atifete Jahjaga e ka dërguar në kushtetuese çështjen e mandatarit të qeverisë, Ambasada Amerikane në Prishtinë ka kërkuar nga palët ta respektojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese.