Lajme Shqip Sunday, 25 August 2013 10:12

Prishtinë -Duket se Nazim Bllaca e ka ngreh këmbën zhag. Dënimi minimal për krimet e bëra që i është shqiptuar atij për hir të bashkëpunimit me EULEX’in, sipas ekspertëve dhe psikologëve po ngrit precedent për raste të tjera. Kjo sipas tyre ka ndikuar edhe tash, kur tre dëshmitarë të rinj kanë pranuar të bashkëpunojnë me misionin ndërkombëtar për sundimin e ligjit në Kosovë.

Megjithëse, sipas tyre nuk është Bllaca ai që po ia jep këtë mundësi këtyre dëshmitarëve, por është vet drejtësia që po i stimulon ata për të rrëfyer të gjitha vrasjet e kryera pas luftës në Kosovë.

Psikologu Agim Selimi thotë se është e qartë që dënimet e vogla ndikojnë në psikikën e njeriut, që të vendos e të bëhet dëshmitar i cili bashkëpunon me drejtësinë. “Kjo gjë është stimuluese dhe ndikon drejtpërdrejt në atë person”, thotë Selimi për Express.

Madje sipas tij ndodh që drejtësia vet i shqipton këto dënime, në mënyrë që të arrijë më shumë rezultate në mbledhjen e dëshmitarëve dhe provave. “Pasi e sheh që dënimi i vogël menjëherë ndikon që një person të pranojë të rrëfehet”, pohon ai.

Njëjtë mendon edhe avokati Artan Qerkini. Sipas tij, EULEX në këtë rast shqipton dënime të ulëta për dëshmitarët bashkëpunues vetëm e vetëm që të arrijë t’i bind personat e caktuar të bashkëpunojnë me ta.

“Sepse secili nga këta dëshmitarë mundohet që të përfitojë benefite nga ky status, pasi ata do të marrin automatikisht dënime më të vogla për aktet e kryera sesa në rastin kur ata nuk janë dëshmitar bashkëpunues”, thotë Qerkini për Express.

Pavarësisht këtij fakti, Qerkini mendon se EULEX duhet të ketë shumë kujdes kur të vendos t’ia japë një personi statusin e dëshmitarit bashkëpunues. “Duhet të kenë shumë kujdes në plotësimin e kushteve ligjore. Dëshmitari duhet ta ketë të besueshme dëshminë dhe dëshmia e tij duhet të qojë në zbardhjen e tërësishme të rastit”, thotë ai.

E jo sipas tij të veprohet sikurse deri më tash. Kjo pasi mendon se vlerësimet e gjykatës deri tani ka qenë pak të ngutshme, sidomos në rastin “Kleçka”.

“Në atë rast konsideroj që gjykata është ngutur kur i ka dhënë dëshmitarit X, statusin e dëshmitarit bashkëpunues pasi dëshmia e tij nuk ka qenë aq e qartë dhe për këtë kemi shumë shembuj, duke u nis nga deklaratë që kanë qenë shumë kundërthënëse e deri tek ekspertiza grafologjike që i është bërë ditarit të tij”, thotë avokati.

Pas dënimit të Nazim Bllacës me 4 vite e 5 muaj burg për krejt krimet e kryera, së fundmi statusin e dëshmitarëve bashkëpunues e kanë marrë edhe tre persona të tjerë, të cilët siç thuhet do të rrëfejnë për të gjitha krimet e bëra pas luftës, të cilësuara si vrasje “politike”.

Besnik Hasani, Shpend Qerimi dhe Shkumbin Mehmeti kanë fituar statusin e dëshmitarit. Të tre janë të dënuar me burgim mbi 30 vjet. Hasani dhe Qerimi kanë qenë policë, ndërsa Mehmeti i dënuar për vrasjen e një polici të UNMIK-ut.

Ata kanë filluar të japin dëshmi për krime të kryera në rajonin e Prishtinës dhe në Rrafshin e Dukagjinit. Dëshmitarët thuhet sejanë ofruar vetë në dispozicion për të dëshmuar për krimet me anë të së cilave mund të zbardhen vrasja e Xhemajl Mustafës, Tahir Zemajt, Rexhep Lucit e të tjera./Express/ 

 
Lajme Shqip Thursday, 01 August 2013 12:30

Prishtinë – Mbrojtja e Nazim Ballcës, i cili është dënuar nga Gjykata Themelore e Prishtinës, me 4 vjet e gjashtë muaj burgim për vrasjen e Ibush Kllokoqit më 6 gusht të 1999, ka deponuar ankesën kundër këtij vendimi në Gjykatën e Apelit.
Këtë e ka bërë të ditur mbrojtësi i Bllacës, avokati Osman Havolli përmes një komunikate për media.
“Kërkesa e të akuzuarit po edhe e mbrojtjes, pas shpalljes se Aktgjykimit ka qenë që edhe periudha kohore prej gati 4 vitesh e mbrojtjes së Nazim Bllacës ne shtëpinë e tij e cila është zbatuar nga Njësia e Forcave Speciale dhe nga Njësia e Mbrojtjes se Përafërt, t’i llogaritet ne dënimin e shqiptuar me burgim”, thuhet në njoftimin për media.
Me këtë mbrojtja lë të kuptohet që kërkon kompensimin e kohës sa ka kaluar Bllaca në mbrojtje të përafërt, në afatin kohor të dënimit. Ndonëse Gjykata kishte vendosur që vetëm arresti shtëpiak prej një viti t’i kompensohet në dënim.
“Kjo kërkese, është deponuar ne gjykate me 26.07.2013 dhe ne zyrën e Prokurorit te EULEX’it Maurizio Salustro, për mendim, ashtu qe tani e tutje jemi në pritje të përgjigjes nga këto institucione kompetente”, shkruan Havolli.

 
Lajme Shqip Monday, 22 July 2013 11:39

Prishtinë – Drejtësia vendore dhe ndërkombëtare do ta ketë mjaft të vështirë të vendosin se cilat modalitete do të përdorën për ekzekutimin e dënimit me burg për Nazim Bllacën.
Ky i fundit po kërkon që dënimi me burg prej 4 vjet e gjashtë muajsh t’i reduktohet dukshëm, për hir të kontributit që ka dhënë gjatë dy proceseve paraprake gjyqësore, “Bllaca 1” dhe “Bllaca 2”. Njëkohësisht ai pati thënë senuk do të vuajë dënimin në burgjet e Kosovës.
Krejt këto për mbrojtësin e tij, avokatin Osman Havolli e bëjnë rastin e Bllacës më specifik se të gjithë tjerët. E, ndonëse thotë se nuk do të lë mjet ligjor pa shterur për të ulur dënimin e Bllacës siç ka kërkuar ai, Havolli shprehet pesimist se dëshira e klientit të tij do të realizohet. Ai vetëm brenda katër minutave përmendi pesë herë fjalën “vështirë”, derisa foli për rastin “Bllaca” me Express.
Avokati tha se është ende në pritje të aktgjykimit me shkrim të Gjykatës Themelore në Prishtinë, të shpallur më 19 korrik të këtij viti, për të vazhduar me ankesën ndaj dënimit në Apel.
“Por një gjë duhet ditur, vendimi do të atakohet vetëm lidhur me lartësinë e dënimit sepse ky (Bllaca) fajësinë e ka pranuar. Shumë vështirë është të krijohen rrethanat ligjore sa i përket llogaritjes së afatit sa ky ka qëndruar në arrest shtëpiak dhe mbrojtje të afërt por të shohim”, tha Havolli të dielën për Express.
Ai madje mohoi mundësinë që plot tri vjet e tetë muajt sa Bllaca ka qenë i privuar nga liria e plotë për shkak të proceseve gjyqësore, të mund t’i zbriten nga dënimi i shqiptuar.
“Çkado që vendoset është një befasi edhe për të (Bllacën) edhe për neve. Në arrest shtëpiak sa ka qëndruar një vit do t’i kompensohet sa i përket këtyre viteve tjera mbetet të shihet më tutje, por vështirë është”, tha ai.
“Vetëm nëse lidhet diçka me instrumente ndërkombëtare, konventa apo dispozita tjera, duhet të shikohet tash edhe konventa për mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të njeriut mirëpo e them prapë është vështirë shumë, rasti është specifik”.
Havolli iu përgjigj edhe dilemës së shtruar këtyre ditëve nëse Bllaca për shkaqe sigurie do të mund të vuajë dënimin e tij jashtë burgjeve të Kosovës.
“Nuk shkoj në burgjet që i kontrollon Hashim Thaçi dhe Azem Syla”, kishte deklaruar disa herë publikisht Nazim Bllaca i vetëdijshëm për pasojat e veprës që ka kryer në 99’ën.
Por kjo, sipas avokatit të tij, është e pamundshme.
“Po të ishte kryer në një shtet tjetër dhe kërkon me u transferua atëherë ka drejtë me vuajt dënimin në bazë të marrëveshjeve bilaterale, mirëpo në këto rrethana jo”, tha ai.
Havolli tha se EULEX do të merret ekskluzivisht me këtë rast edhe në fazën e ekzekutimit të dënimit. Mohoi mundësinë që Apeli të ndryshojë dënimin me burg për Ballcën derisa tha se krejt çka duan është një lehtësim edhe më i madh se sa që i është bërë Bllacës. Ani se e din se kjo është prapë vështirë për të ndodhur.
“Me e prish vendimin Apeli nuk mundet sepse Bllaca ka pranuar fajësinë dhe prandaj do të shohim se si do të jetë më tutje, por po e them se pjesë e këtyre zhvillime do të jetë i kyçur në tërësi EULEX’i”, tha ai.
“Mendja ma merr që më pak do të jetë e kyçur pjesa vendore për shkak të rastit por tash modalitetet e pas vendimit të Gjykatës Themelore mbetet ende çështja të hapura dhe besoj se edhe EULEX’i tash për tashvështirë e ka me dhanë diçka konkret e lidhur me këtë pra e them kemi të bëjmë me një rast të vështirë dhe specifik”.
Ndryshe, Nazim Bllaca u dënua të premten nga drejtësia, pas katër viteve bashkëpunimi me të, me katër vjet e gjysmë burg për vrasjen e rëndë të Ibush Kllokoqit më 6 gusht të 1999’ës. Vrasjen, për të cilën fajësinë e pranoi qysh në 2009’ën publikisht, kërkojë falje nga familja e Kllokoqit dhe sipas gjykatës e kreu me dashje dhe motive të ulëta në bashkëveprim me katër persona të tjerë. Bllaca ndërkohë është edhe dëshmitari kyç i disa vrajave të pasluftës në të cilat tha se ka marrë pjesë si pjesëtarë i SHIK’ut dhe me urdhër të Azem Sylës e Kadri Veselit. Si pasojë e daljes së tij publike ku foli për të gjitha këto EULEX dërgoi prapa grilave tetë persona.

 

 
Lajme Shqip Friday, 19 July 2013 15:50

Prishtinë – Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktvendimin ndaj të pandehurit Nazim Bllaca, i akuzuar për vrasjen e Ibush Kllokoqit.

Ai është dënuar me 4 vjet e 6 muaj burg, raporton gazetarja e Gazetës Express.

Atij do t’i llogaritet arresti shtëpiak prej 30 nëntor 2009 deri më 30 nëntor 2010, që i bie që ai ta vuaj dënimin vetëm 3 vjet e gjysmë, raporton Express. 

Gjykata e ka arsyetuar këtë dënim minimal duke marrë për bazë rrethanat lehtësuese të cilat i ka fituar Nazim Bllaca, duke bashkëpunuar me EULEX’in dhe duke pranuar fajësinë për vrasjen e Kllokoqit.

Prokurori ka paraqitur parashtresë me të cilën kërkon arrest shtëpiak për Bllacën. Kjo kërkesë pritet të sqarohet në pjesën e dytë të seancës që pritet të fillojë pas pak.

 
Lajme Shqip Tuesday, 15 January 2013 11:07

Prishtinë – Nazim Bllaca ka kërkuar llogari nga EULEX-i për arratisjen e tre “bashkëkriminelëve” të tij.

Dëshmitari bashkëpunues i ka shkruar një letër prokurores Emma Rizzato me të cilën ka shprehur shqetësim për sigurinë e tij. Bllaca konsideron se sa më shumë që Shpresim Uka, Driton Hajdari dhe Bekim Syla janë në arrati, jeta e tij mund të jetë e rrezikuar.

“E nderuara prokurore e rastit, desha të ju drejtohem me ane të kësaj letre dhe të shpreh

shqetësimet e mia lidhur me arratisjen e Shpresim Ukës, Driton Hajdari, Bekim Sylës për të cilët u shpall vendimi më 17 dhjetor 2012 ku edhe gjykata i gjeti fajtorë për të gjitha veprat penale”, ka shkruar Bllaca në këtë letër që ka siguruar “Koha Ditore” e të cilën mund ta lexoni sot, më gjerësisht, në këtë gazetë.(KN/LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Tuesday, 09 October 2012 11:24

Prishtinë  – Njëri nga të akuzuarit në rastin “Bllaca” është arratisur. Driton Hajdari është larguar nga shtëpia e tij në “Kodrën e Trimave” dhe nuk dihet vendndodhja e tij.
Burime të afërta me procesin kanë thënë se Hajdari ka qenë duke pritur vendimin e Gjykatës Supreme për masën e arrestit. Posa ka kuptuar se Supremja ia ka shndërruar masën e arrestit shtëpiak në paraburgim, për shkak të mosrespektimit të kësaj mase, ia ka mbathur. “Policia e EULEX-it po e kërkon Hajdarin gjithandej. Ka shkuar disa herë në shtëpinë e tij, por nuk e ka gjetur”, ka thënë një burim.

Arratisjen e ka konfirmuar tërthorazi. Zëdhënësja për drejtësi në EULEX, Bardha Azari, ka thënë se Policia nuk po e gjen Hajdarin për t’ia dhënë vendimin e Gjykatës Supreme. “Javën e kaluar Gjykata Supreme e Kosovës ka pranuar kërkesën e prokurorit të EULEX-it nga Prokuroria Speciale për të ndryshuar masën ndaj Driton Hajdarit nga arresti shtëpiak në paraburgim”, ka thënë Azari.

“Ai (prokurori v.j.) nuk ka mundur që t`i tregonte Hajdarit për masën e re, ngase i dyshuari nuk po mund të gjendet nga policia”, ka konfirmuar ajo. Driton Hajdari është njëri prej të akuzuarve në rastin “Bllaca 2”. Ai akuzohet për vrasje të rëndë në tentativë të dy zyrtarëve të LDK-së, Ismet Arifit dhe Adem Salihajt. Avokati i Hajdarit, Ramiz Krasniqi, ka thënë se nuk e di nëse klienti i tij është arratisur apo është në shtëpi.

“Jo nuk e di. Ne kemi një seancë më 15 tetor dhe pres që të shkojë në seancë”, ka thënë Krasniqi. Nëse deri atëherë nuk kapet Hajdari, seanca pritet të fillojë me dy të akuzuar më pak. Ajo do të mbahet vetëm me Shpresim Ukën, Shaban Sylën e Bekim Sylën. Para një muaji Gjykata ka veçuar rastin kundër Fahredin Gashit për shkak të problemeve shëndetësore. Moskapja e Driton Hajdarit pritet t’i sjellë telashe procesit për shkak se lënda kundër tij duhet të veçohet. Arrestimi i tij pas shpalljes së aktgjykimit kundër të tjerëve duhet të nisë prej fillimit. E nisja nga fillimi nënkupton thirrjen e dëshmitarëve dhe leximin e provave një nga një.  

Hajdari është njëri nga “invalidët e luftës” që përfiton kujdes shtetëror pa qenë kurrë në luftë. Tre mijë e 200 e 40 euro në vit shteti e shpërblen atë për kontributin e tij që ka dhënë për vrasjen e Ismet Arifit të mbetur në tentativë. 270 euro në muaj derdhen në llogarinë e tij bankare.Hajdari i lindur më 12 qershor 1980 akuzohet edhe për vrasjen në tentativë të Adem Salihajt. Kjo përpjekje kishte ndodhur më 12 qershor 2000. Për këtë krim akuzohen edhe Shpresim Uka dhe Shaban Syla. Bllaca ndërkaq për këto dy krime është shpallur dëshmitar bashkëpunues.

Kundër tij, Shpresim Ukës, Fahredin Gashit, Sadik Abazit, Shaban e Bekim Sylës ka aktakuzë. Të gjithë akuzohen se kanë kryer krime si anëtarë të Shërbimit Informativ të Kosovës. Detaje të plagosjes së Hajdarit jepen edhe në aktakuzë të ngritur nga dy prokurorë të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës verën e kaluar. Ata kanë siguruar dosjen mjekësore të Hajdarit të 3 nëntorit 1999. 

“Bllaca më pas ka deklaruar se ai kishte dëgjuar derën tek hapej, një zë femre që fliste, grupin që kishte kërkuar të dilte Arifi dhe më pas të shtënat me armë që ishin bërë. Pas kësaj të gjithë ata kishin zbritur shkallët me vrap duke u larguar. Në atë pikë Bllaca kishte parë Driton Hajdarin që kishte marrë një plagë me armë në fund të shpinës”, thuhet në aktakuzë. Prokurorët Maorizio Salustro dhe Emma Rizato thonë se kanë siguruar dokumentacionin e QKUK-së që tregon se në orën 20 : 20  më 3 nëntor 1999, Driton Hajdari ishte mjekuar nga një plagë me armë zjarri në shpinë. Dëshmia është konfirmuar edhe nga bashkëshortja e Ismet Arifit dhe djali i tij. Prokurorët thonë se Sadik Abazi, Driton Hajdari dhe Bekim Syla e kanë gjuajtur me armë zjarri tek banesa e tij Ismet Arifin. Gjuajtja me armë e viktimës, sipas prokurorëve, që ishte i paarmatosur dhe po përpiqej të ikte me vrap, është një veprim që pa dyshim ka pasur qëllim për ta privuar viktimën nga jeta dhe në këtë mënyrë të veprës penale të vrasjes së mbetur në tentativë.

Hajdari është mik i familjes së deputetit Azem Syla. Ai kishte qenë edhe në dasmën e djalit të Sylës. Prokuroria ka siguruar fotografi të Driton Hajdarit të bëra në këtë dasmë. Deputeti i Kuvendit të Kosovës është marrë në pyetje në Prokurorinë Speciale të Kosovës pas akuzave që kishte hedhur kundër tij Nazim Bllaca, i cili pretendon se ka qenë agjent i SHIK-ut dhe se ka kryer krime me urdhër të Azem Sylës. Për Shpresim Ukën ka thënë se kan lidhje miqësie me familjen e Fahredin Gashit, ka thënë se ka qenë në burg, derisa Shaban Sylën ka pohuar se e ka familjar. Syla ka mohuar se njihet me Driton Hajdarin, mirëpo prokurori i ka treguar një fotografi të Hajdarit në dasmën e djalit të tij. Syla ka thënë se nuk e mban mend. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Friday, 10 August 2012 18:05

Prishtinë – Dy personazhet, të bërë të famshëm së fundi për përplasjet mes tyre dhe letrat e shkëmbyera mes veti, ishin takuar kohë më parë në shtëpinë e Nazim Bllacës.

Në këtë takim ata flasin për sulmin e serbëve ndaj familjes Jashari, gazetarit Bardhyl Ajeti, Selim Broshës, Ibush Kllokoqit dhe vrasje e sulme të tjera.

Në këtë video, Naim Miftari, i cili në gjykatë kishte mohuar që njihej me Nazim Bllacën, kurse tash duke pirë çaj në shtëpinë tij, pretendon se ka fakte që e implikojnë vëllain e kryeministrit Hashim Thaçi me shërbimin informativ serb (UDB).

Megjithëse publikisht thotë që nuk është Azem Syla pjesë e SHIK-ut, në shtëpinë e agjentit Nazim Bllaca, Naim Miftari e pohon të kundërtën.

Ai madje pretendon se informacionet e marra nga Shërbimi Informativ i Kosovës fillimisht shpërndaheshin në shërbimet sekrete serbe e pastaj ktheheshin në instancat kosovare.

Miftari në këtë video flet edhe për shumë raste tjera të ndjeshme e të cilat deri tani kanë qenë enigmatike.

Në ditët në vijim Indeksonline do t’i publikoi edhe disa video të tjera përkitazi me temën në fjalë. Bashkangjitur keni videon ekskluzive që ka siguruar Indeksonline.

 
Lajme Shqip Wednesday, 08 August 2012 15:41

Prishtinë – Ish-agjenti i SHIK-ut, Nazim Bllaca, i cili për vete thotë se ka qenë në skuadrën e vrasjeve dhe pranon se ka kryer së paku një vrasje, sërish i është drejtuar me një letër të hapur Naim Miftarit, i cili gjithashtu pretendon se ka qenë hetues në SHIK. Por, për dallim nga Bllaca, Miftari nuk fajëson veten por akuzon të tjerët, duke folur në cilësinë e dëshmitarit para prokurorit, Maorizio Salustro, për veprimtarinë e tij dhe të SHIK-ut në përgjithësi. Ndërsa në letrën e hapur të Naim Miftarit, drejtuar Nazim Bllacës, ai kishte shkruar se Bllaca i ka shtrembëryar fjalët e tij.

Në letrën e dytë të haur adresuar Miftarit, Nazim Bllaca thotë se “Bllaca ju beson provave e jo ndërkombëtareve, Bllaca nuk i ruan CD-e çka nuk i posedon. Hollbrukun e quanin bullduzheri i Ballkanit, ndërsa Bllacën do ta quajnë pas një kohe bullduzher për gërmimin e krimeve”, shkruan në fillim të letrës Bllaca.

Më poshtë po publikojm të plotë letrën e Bllacës, drejtuar Naim Miftarit:

“I nderuari Naim Miftari, ti nuk ke pas nevoje kurrë të më përkrahesh mua, se nuk kam pas nevojë as nuk kam nevojë të më ndihmosh, sepse unë më 29 nëntor 2009 ora 12:30 minuta, nuk kam dal në Prishtinë duke besuar se do të del dikush e të me ndihmoi.

Jo, sepse unë i kisha provat në çantë, e jo në tjetër planet.

Sa i përket atentatin ndaj juve, kinse ka ndodh pasi keni dalë publikisht në media, me sa e di unë, nga burimet, rezultatet janë negative, e qq ti i din më mirë se unë këtë punë.

Mos harro, unë nuk kam thënë kurrë se “ua bej 500 herë më zi se…. (kushdo qoftë)”.

As kurrë nuk do të thosha se: “Hashim Thaçi dhe vëllai i tij kanë gishte në vrasjen e Komandanti Legjendar, Adem Jasharit!”

Z. Naim Miftari, nuk do të thosha se paratë për vrasjen e Bardhyl Ajetit i ka marr Isak Musliu-Qerqizi.

As nuk do të thosha kurrë se Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli qëndrojnë prapa vrasjes se Ibush Kllokoqit dhe Selim Broshës.

Për këto tri pika, po ti kisha provat do ti publikoja e jo të flisja si lavire, sepse tek e fundit është shumë fjalë e madha çka ke thënë ti, mirëpo, besoj se nuk e din çka keni thënë për këtë arsye edhe nuk ju duket interesante.

A e dini z. Miftari që keni implikuar direk në përgatitje të vrasjes se familjes Jashari një Kryeministër, dhe ish-Shef i Drejtorisë Politike të UÇK-së, i mirë apo i keq qoftë ai për mua?

Po të kishte ndikuar tek unë dikush, nuk do të kishim mundur të vimë deri këtu ku jemi sot. Rezultatet po i sheh populli, e jo unë. Sepse, unë me dëshmitë e mia kam ngritur dy aktakuza pas 12 viteve me peshë në Kosove dhe se shpejti do te ngritët dhe një aktakuzë , në rastin Bllaca 3.

Nga dëshmitë e mia, për herë të parë u identifikuan zyrtarisht tipi i vrasjeve të pasluftës në Kosovë, i cili për fat të keq është politik.

Unë besoj se ato çka i keni thënë ju dhe që kanë qen edhe nëpër media, e di dhe jam shumë i sigurt se ju z. Miftari nuk jeni i vetëdijshëm se çka keni thënë!

Sepse, keni ju z. ZKZ keni një çip prej 1 gige, ndërsa për dalim nga ju dhe çipi i jua i dëmtuar, i imi është prej 8 gigash. I kam edhe mbi 200 intervista nga hetuesit, prokurorët si dhe kemi 30 seanca publike.

Unë nuk e di a ka gënjyer Kadri Veseli ne Gjykatë, sepse, unë nuk e kam akuzuar kurrë direkt Kadriun. Megjithëkëtë, trupi gjykues e din më mirë se sa ti pozitën e Kadri Veselit në seancën Bllaca 2.

Sa i përket çantës, e di qe me ke kopjuar sikur disa këngëtare bullgare, mirëpo për dalim nga ti, unë e kam marr çantën rresht për 30 seanca publike, por e kam hapur në prani të publikut dhe trupit gjykues.
Kam nxjerr fakte nga ajo.

Sa i përket asaj qe ti ke besim tek tri shtet se qenkan shtete që do ti shkojnë deri në fund hetimit, ti je duke e përdor këtë për të manipuluar me opinionin. Po e përdorë këtë fjali për ti frikësuar disa dëshmitarë dhe për të gjetur arsyeje se nuk do i bëni publike 6 CD-të e tua të famshme.

Kjo puna shtet nuk qëndron, sepse pikërisht në rastin Bllaca janë te involvuar shtetet me të fuqishme dhe që kanë kontribuar ne vendosjen e paqes në Kosove.

Ti priti ato shtete, mirëpo mos harro: nëse Shtetet e Bashkuar te Amerikës , Britania e Madhe, Gjermani dhe Italia janë shtet me personelin e tyre më të besuar tek populli Shqiptar, dua të tregoj se pikërisht këto shtete janë të përfshira në rastin Bllaca 1. Bllaca 2…. në fushën hetimeve , në fushën prokurorisë dhe në fushën e gjyqësorit.

Ju nuk keni kapacitet ti bëni pyetje publike Azem Syles lidhur me pronat mes tij dhe Fatmri Prapashticës, sepse tek e fundit Fatmiri din me fol vetë, mirëpo mos harro çështjen e pronave unë e kam ngritur para 3 viteve edhe atë publikisht, kur dikush nuk e ka dite as çka po thotë Bllaca. Ja, pas tri viteve u ngrit aktakuza për shpronësim tokash e mashtrime miliona euro. Nuk po them se ngritjen e aktakuzës për shpronësime ilegale e bëri Bllaca, po iniciativa ishte imja dhe atë 100 %.

Sa i përket asaj se paskam dëshirë “me u reklamue” në media, kjo nuk është e vërtetë.

Reklamimi z. Miftari nuk ndërtohet me shpifje sikur ti. Tek e fundit imediatë kosovare e kanë kuptuar mirë se sa e qëndrueshme është një intervistë e Bllacës kur te publikohet dhe se a ke Bllaca dëshmi shtesë që ja bashkëngjet asaj interviste.

Unë kërkoj nga ti që të këshillosh veten, sepse e kanë me borxh mediat, familja Jashari dhe Hashim Thaqi, Gani Thaqi , Isak Musliu të kërkojnë llogari nga ti për shpifjet e tua dhe tentimin për largim të opinionit nga rasti Bllaca, vetëm e vetëm per të hutuar atë.

Mirëpo, ja shumë shpejt dolën në shesh të gjitha. Ke kaluar nga akuzat për Hashim Thaçin e deri tek pazaret ditore mes Azem Sylës dhe Fatmir Prapashticën.

Të gjitha këto pazare pronash janë bërë me pjesëmarrjëe time e ti z. ZKZ nuk ke nevojë të mbash opinionin nen ethe, se nuk ke asgjë çka të pyesësh Azem Sylën.

Në fund, të përshëndes dhe të lus ta këshillosh vetën, sepse janë munduar shume persona dhe institucione para teje qe ta shtyjnë procesin Bllaca në ujëra të turbullta qe tri vite, mirëpo ne do tu mbesim besnik familjeve të dëmtuar deri në fund”, thuhet në letrën e nënshkruar nga Nazim Bllaca, anëtar i skuadrës së vrasjeve të SHIK-ut dhe autor i një vrasjeje. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Tuesday, 31 July 2012 11:56

Lipjan – Një ditë pasi i shkroi ish-shokut të tij Fahredin Gashi, i vetëshpalluri agjent i SHIK-ut, Nazim Bllaca, i ka shkruar letër të hapur edhe ish-agjentit tjetër të SHIK-ut, Naim Miftarit.

Në letër ai shkruan:

“Naim, ku mbet “Ua bej 500 hërë më zi se Bllaca”?! Procesit Bllaca 2, u tentua t’i bahet devijim, me nxjerrjen e një ish-agjenti të SHIK-ut! Ky i fundit, doli me deklarata bombastike, dhe pretendonte se mban shumë informata, të cilat dëshmonin për urdhëruesit e vrasjeve të pas luftës. Po ashtu, akuzonte drejt për së drejti, komplet udhëheqësit e Shtabit të Përgjithshëm të ish-UÇK-ës, në krye me Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Xhavit Halitin, Latif Gashin, Elmi Recicen, për dhënie urdhrash për rrahje, frikësim dhe deri ne likuidim fizik!

Paradoksalisht, asnjëherë nuk e përmendi Azem Sylën, person shumë kontrovers dhe i njohur te ne dhe nga Perëndimi. Sipas deklaratave te lartpërmendurit në disa gazeta, Naim Miftari, mban edhe disa incizime të marrjes në pyetje të të ndjerit Ibush Kllokoqi, ish-punëtor i sigurimit shtetëror serb. Akuzonte drejtpërsëdrejti SHIK-un, për frikësim dhe likuidim fizik të kundërshtarëve politik të PDK-së!

Atë botë, të gjitha gazetat, çdo ditë ishin të mbushura me deklaratën e ish-punëtorit të SHIK-ut, e si titull ishte:” Mos ma plasni filmin, se ua bëjë 500 herë më zi se Bllaca”! Nazim Bllaca një ish-ushtar i UÇK-së, i cili më datën 29 nëntor 2009 u vetëdenoncua për pjesëmarrjen në disa vrasje, rrahje, kërcënime dhe frikësime, gjithsej 17 raste.

Bllaca pranon se vetë ka marrë pjesë, me urdhëratë e SHIK-ut, me një grup i cili po gjykohet aktualisht nga EULEX, mision ndërkombëtar i drejtësisë, i cili po vepron ne Kosove. Rasti Bllaca II, ku po vazhdojnë të merren në pyetje dëshmitarët, ku se shpejti pritet epilogu përfundimtar, dëshmoi edhe ish agjenti i G2-shit dhe punëtor i SHIK-u, Naim Miftari.

Ishin shumë kundërthënëse deklaratat e dhëna neper shtyp e gazeta, me ato të cilat dëshmoi para prokurorëve ndërkombëtar të EULEX-it. Ish agjenti i G2 dhe i SHIK-ut, njëherit, ish polici hetues, para prokurorit tha se :”‘SHIK-u s’e vrau Kllokoqin, e kishte informator’”!

Një dallim i madh dhe shumë kundërthënës, në krahasim të deklaratave të tij dhënë shtypit kosovar. Ai në gjykim shtoi se “nuk beson që ShIK-u ta ketë vrarë Kllokoqin, pasi ishte një burim i mirë”. Po ashtu dëshmoi dhe tregoi se :”si agjent i Shërbimit Informativ Kombëtar (ShIK), ai kishte punuar deri në vitin 2002, kur edhe e kishte lënë këtë shërbim; e gjatë luftës ai kishte punuar në Shërbimin e Kundërzbulimit, i njohur si ZKZ, ose G2, pjesë e UÇK-së. “Deri në vitin 2002, kam qenë pjesë e ShIK-ut dhe kam qenë VIP, shifrën e kam pasur 031”.

Pyetjen të cilën ia bëri një avokat i te akuzuarve, nëse UDB kishte interes ta vriste Kllokoqin? Ish agjenti u përgjigj: ” Ata mund ta kishin vrarë edhe para e gjatë luftës, por ai më shumë besonte se atë e kishin vrarë bashkëpunëtorët e UDB-së”. Ne pyetjen e radhës së prokurorit ndërkombëtar se”A e njeh Nazim Bllacen”? Dëshmitari tha:”As qe e njof, as qe dua ta njof……”! Kjo len vend për shume dyshime !

Tel.044932128 n.bllaca1@gmail.com

Me respekt:  Nazim Bllaca, anëtar i skuadrës së vrasjeve të SHIK-ut dhe autor i një vrasjeje”, përfundon letra. (K.N)

 
Lajme Shqip Monday, 30 July 2012 19:53

Lipjan – I vetëdeklaruari punëtor i ish-ShIK-ut, Nazmi Bllaca, ua ka shpërndarë sot medieve një letër drejtuar, siç e ka titulluar vetë,  “ish -shokut Fahrudin Gashit-Faruku”, i dënuar muaj parë me 18 vjet burgim për krime lufte.

“I nderuari Faruk, bëra gjithçka për të gjetur pak kohë t’ju drejtohem me një letër të hapur. Po të shkruaj një letër publike, në pamundësi për të shkruar një letër që të drejtohet vetëm ty. Po të shkruaj si ish-shoku yt, por ato që do t’i them më poshtë të lutem merri sikur po t’i thotë një shok. Një shok i cili ishte me ty në biznes, qejf e në krim.

Siç edhe mund ta dish, jam duke përcjellë zhvillimet në procesin Bllaca II si dhe duke pritur përfundimin e shpejtë të këtij gjykimi. Pasi që isha shok i juaji dhe jam shumë i sigurt se një pjesë të përgjegjësisë që të është ngarkuar në këtë proces nuk të takon ty, po do ju takonte disa personave që sot gjenden nëpër plazhet e Shqipërisë a Turqisë. Ata janë duke kaluar pushime me familjet e tyre dhe duke qeshur me sjelljet e tua nëpër televizionet mbarë shqiptare.

Ndërsa, ti ish-shoku im i skuadrës së vrasjeve të Shërbimit Informativ të Kosovës gjendesh në “plazhin” e Burgut të Dubravës, dhe unë, ish-shoku yt i kësaj skuadre, hiç më mirë se ti: me një liri të kufizuar. Megjithëkëtë të përbashkët dhe të kaluarën tonë kriminale në të njëjtën skuadër të SHIK-ut, për dallim nga ti, unë gjeta kurajo dhe e drejtova gishtin kah urdhërdhënësit tanë, që na shndërruan në makina vrasëse për interesat e tyre të ulëta.

E ti ende nuk po ndryshon. Ti mendon që po rritesh, por kundrejt borxhit që ua kemi familjarëve të viktimave tona, as vitaminat nuk të bëjnë hair. Mos harro se urdhërdhënësit tanë, ata që na udhëhoqën drejt vrasjeve, dëshirojnë të mbajnë situatën nën kontroll vetëm deri sa të kryhet procesi Bllaca II.

Për këtë, me këtë letër publike, në pamundësi për ta dërguar një letër vetëm ty, po të tregoj se jam shumë i bindur se askush nuk do të jetë i interesuar të të takojë apo të të vizitojë pas përfundimit të këtij procesi, pasi që me ty dhe shtirjen tënde për të çmendur, ata kanë realizuar qëllimet e veta për të mbrojtur vetën e ata që janë jashtë “plazhit” të Dubravës, e duhej të ishin moti aty, të lirë e në plazhet më të bukura të botës. Jam shumë i sigurt se ky gjykim shpejt do të përfundojë. Për ty fundi do të jetë më i hidhur se sa për të gjithë të tjerët në këtë proces, që janë bashkë me ty në bankën e të akuzuarve.

Faruk, ish-shoku im i skuadrës së vrasjeve të SHIK-ut, ti në fund do jesh më i dëmtuari!
Duke u bazuar ne përfundimin e shpejtë të këtij gjykimi në njërën anë, dhe urdhërdhënësit tanë, që janë nëpër pushime me familje e tyre, të lumtur në stilin e tyre, detyrohem të kërkoj nga ti që të drejtosh gishtin kah ata sa nuk është vonë për procesin Bllaca II. Besomë që ky hap do të jetë vendimtar për familjen tende, e cila se shpejti do të përballet edhe me një vendim tjetër kundër teje, dhe atë vetëm brenda pak kohe e në procesin Bllaca II.

I nderuari Faruk, unë kërkoj nga ti që së pari të mendosh për familjen tënde dhe jo për urdhërdhënësit tanë që na quan në krim. I nderuari Faruk, unë kërkoj nga ti që së pari të mendosh për familjen tënde dhe jo për patriotizmin e rrem të këtyre urdhërdhënësve që mua dhe ty na mashtruan duke na përdorur si pastrues në vrasje politike, e që sot ti përballesh me pasojat.

Të pret një burgim kapital!

Tek e fundit, unë të kam pas shok dhe askush nuk e di më mirë se unë se çfarë përgjegjësie ke pas ti në veprat penale në procesin Bllaca II. Për të bërë këto konstatime madje kam si bazë edhe një vendim gjyqi që më shpalli dëshmitar bashkëpunues. Mirëpo këto vepra e kanë diku tjetër një pistë, e ti e di mirë. Ti e di ku e kanë fillimin krejt këto krime të ulëta, të kryera në emër të patriotizmit. Bile ti e di shumë më mirë se unë se kush është urdhërdhënësi.

Theksoj, urdhërdhënësi!

Dhe ne fund, jam i sigurt se procesi do te përfundoj, dhe atë shumë shpejt, mirëpo një fjale e urte popullore thotë: “Njëherë vjen vera kah dera”.  Shpresoj se do gjesh kohe për të lexuar këtë letër të shkruar me shumë respekt për ty dhe duke kujtuar të kaluarën që kemi pasur bashkë për një dekadë.

Me respekt:
Nazim Bllaca, anëtarë i skuadrës së vrasjeve të SHIK-ut dhe autor i një vrasjeje”, përfundon letra e Nazim Blacës, drejtuar Fahrudin Gashit-Farukut. (LajmeShqip.com)