Lajme Shqip Friday, 03 May 2013 19:35

Blerim Xhemajli nuk ka ndër mend të largohet nga Napoli dhe me sa duket planifikon që të luajë për një periudhë të gjatë në radhët e kësaj skuadre. Futbollisti shqiptar u prit me skepticizëm nga tifozeria napolitane, por me paraqitjet e tij ka arritur të fitojë një vend të rëndësishëm në formacionin e skuadrës së Mazarrit.

“Roli i ri që trajneri më ka caktuar më ka ndihmuar shumë. Nuk mund të luaja më mirë në këtë mesfushë me tre lojtarë dhe dy gjysmësulmues. Presidenti De Laurentis me telefonoi pas ndeshjes me Parmën dhe që nga ajo telefonatë kanë ndryshuar shumë gjera”.

“Jam shumë mirë te Napoli dhe kam shprehur gjithmonë dëshirën që të qëndroj. Por puna ime është futbolli dhe kjo është arsyeja se pse fillova të shoh rreth e rrotull kur gjërat nuk po shkonin mirë, kur nuk po luaja shumë. Tani jam më në fund i lumtur. Kam luajtur në 30 ndeshje në këtë vit dhe nuk kisha shënuar kurrë më shumë se në këtë sezon”, tha mesfushori që shpreson që Napoli tani të bëjë një tjetër hap para për të kërkuar që në vitin tjetër të kërkojë vendin e parë në klasifikim.

“Napoli është gati dhe i pjekur sa duhet për të synuar majat, nuk ka rëndësi kush rri e kush ikën. Kur Laveci iku një vit më parë, shumëkush na parashikoi një fund katastrofik, të sigurt se nuk do të paraqiteshim mirë pa të në fushë. Por tani jemi të dytët dhe kemi bërë më shumë pikë se një sezon më parë. Kavani është një kampion dhe shpresoj të qëndrojë me ne, ashtu si Mazarri. Por nëse do të largohet, do të jetë një tjetër që do ta zëvendësojë”, ishte bindja e mesfushorit shqiptar. (LajmeShqip.com)