Lajme Shqip Thursday, 06 March 2014 13:14

Të gjithë tatimpaguesit që janë dënuar me gjobë administrative për punonjës të padeklaruar apo të deklaruar me vonesë, për mosinstalim të pajisjeve fiskale apo moslëshim të kuponit tatimor ose moslëshim të biletave, u falen shumat e gjobave të vendosura. Bëhet fjalë për gjobat e vendosura në gjashtë mujorin 1 mars-31 gusht të vitit 2013. Vendimi është marrë dje nga qeveria dhe ka hyrë në fuqi menjëherë. 

Sipas vendimit, bëhet fjalë për faljen e dënimeve administrative në formën e gjobave, të vëna në bazë të kontrolleve dhe verifikimeve tatimore të kryera për periudhën 1 mars deri më 31 gusht 2013. Ky ligj parashikon faljen e gjobave të vendosura, si pjesë e detyrimit tatimor, nga administrata tatimore ndaj tatimpaguesve, të evidentuara dhe të kontabilizuara në regjistrat tatimorë për periudhën 1 mars deri më 31 gusht 2013. 

Tatimpaguesit përfitues

 Nga ky vendim të gjithë tatimpaguesit, persona fizikë dhe juridikë, të regjistruar në administratën tatimore dhe që janë debitorë për detyrimet tatimore, gjobat, e vendosura si pjesë e detyrimit tatimor, që janë të evidentuara sipas datës së nxjerrjes së njoftim-vlerësimit (akti administrativ) ose të kontabilizuara në regjistrat e administratës tatimore gjatë periudhës mars – gusht, ndaj tatimpaguesve, persona juridikë apo persona fizikë, të regjistruar në administratat tatimore. Në vendim përcaktohet se falen gjobat e vendosura që janë evidentuar gjatë kësaj periudhe, të cilat, në momentin e hyrjes në fuqi të këtij ligji, janë ankimuar dhe janë në proces ankimimi administrativ apo në proces gjyqësor. 

Mësohet se të gjithë tatimpaguesit që janë dënuar me gjobë administrative për punonjës të padeklaruar apo të deklaruar me vonesë, për mosinstalim të pajisjeve fiskale apo moslëshim të kuponit tatimor ose moslëshim të biletave, u falen shumat e gjobave të vendosura. Në vendim është parashikuar rimbursimi i gjobave të paguara subjekteve që kanë bërë pagesat e gjobave, në masën 100% . Rimbursimi i shumës do të kryhet sipas radhës së datës së pagesës së bërë. Procedura e shuarjes së detyrimeve të falura nga ky ligj do të nisë brenda pesë muajve pas hyrjes në fuqi të këtij ligji dhe administrata tatimore do të fshijë dënimet administrative të falura sipas këtij vendimi dhe do të kryejë pasqyrimet konkrete të fshirjes në regjistrat e saj. 

Qeveria ka ngarkuar ministrin e Financave dhe ministrin e Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes që, brenda një muaji nga hyrja në fuqi e këtij ligji, të nxjerrin udhëzimin e përbashkët për përcaktimin e kompetencave konkrete të administratës tatimore, për evidentimin e praktikave të tatimpaguesve që përfitojnë nga ky ligj, si dhe procedurat, dokumentacionin e rregullat për mënyrën e evidentimit të debitorëve që përfitojnë nga kjo falje dhe shuarjen e gjobave. 

Ahmetaj për gjobat

 Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Arben Ahmetaj, tha se tashmë po merr fund kapitulli i turpshëm ku gjobat përdoreshin si instrument presioni politik dhe po çelet një erë e re në marrëdhëniet qeveri-biznes. “Ashtu siç kishim premtuar, ne po e shpëtojmë biznesin nga të gjitha problemet. Përveçse heq një padrejtësi të madhe, kjo masë është një projekt madhor i qeverisë. Vendimi është një premtim i mbajtur dhe një provë e angazhimit tonë për rritjen e ekonomisë”, – u shpreh Ahmetaj. Sipas Ahmetajt, ky është një tjetër premtim i përmbushur nga qeveria “Rama” për përmirësimin e klimës me biznesin, ku ky i fundit shikohet si partner. Me qindra subjekte private u gjobitën nga administrata tatimore gjatë muajve të fushatës elektorale nga marsi deri në gusht 2013.  

 Gjobë për vonesa të pagesës së tatimit mbi të ardhurat 

Këshilli i ministrave ka parashi  kuar një gjobë fikse prej 10 mijë lekësh për çdo muaj vonesë në rast të mospagimit të taksës mbi të ardhurat. Në këtë mënyrë çdo taksapaguesi i shtohet vlera e gjobës në rast vonese. Kjo gjobë do të rritet me 10 mijë lekë çdo muaj në rast të mos të pagesës së taksës mbi të ardhurat në kohën e parashikuar, kjo në bazë të ligjit “Mospagimi në afat i detyrimit tatimor apo kontributit”. /shekulli/