Lajme Shqip Monday, 01 July 2013 09:38

Bruksel – Pala kosovare dhe ajo serbe në bisedimet për arritjen e marrëveshjes gjithëpërfshirëse për zbatimin e marrëveshjes do të nisin nga e hëna deri më 8 korrik një rreth të ri bisedimesh për të gjetur zgjidhje në temat e mbetura pezull deri tani.

Pika më interesante pritet të jetë ajo ku pala serbe do t’ia prezantojë palës kosovare dhe ndërmjetësve të Bashkimit Evropian listën e gjyqtarëve që deri tani e kanë luftuar shtetësinë e Kosovës, duke punuar në gjykatat paralele në veri, për t’i rekrutuar në kuadër të sistemit gjyqësor të Kosovës.

Zv kryeministrja Edita Tahiri, e cila i udhëheqë ekipet e Kosovës në këtë proces dialogu, ka thënë të dielën për Tribunën se krahas kërkesës së serbëve për integrimin e gjyqtarëve dhe policëve, pala kosovare do t\’i paraqesë kriteret dhe mundësitë që ka për të absorbuar staf të ri. 

 
Lajme Shqip Sunday, 30 June 2013 11:39

Prishtinë – Kosova dhe Serbia arritën marrëveshjen për lirinë e lëvizjes, njohjen e diplomave të ndërsjella dhe për regjistrat civilë, Bashkimi Evropian pati shfaqur shpresën se Brenda pak muajsh palët do t’u jepnin zgjidhje edhe tri çështjeve të tjera: tregtisë së lirë, telekomunikacionit dhe energjisë. Këto të fundit ende janë në diskutim.

Ekspertë të ekonomisë kanë vlerësuar të ketë qenë gabim trashanik i bërë nga ekipi negociues i Kosovës, që listës së problemeve të negociuara me Serbinë nuk i kanë paraprirë problemet ekonomike që disfavorizojnë Kosovën më shumë me Serbinë.

Lumir Abdixhiku, drejtor ekzekutiv i institutit Riinvest, ka vlerësuar Për gazetën Koha Ditore se marrëveshja e parë e arritur në Bruksel, që ka qenë për reciprocitetin, ka dëmtuar më shumë Serbinë se sa Kosovën. Shkaku kryesor prapa insistimit për zgjidhje nga Beogradi, sipas tij, ka qenë ndërprerja e humbjeve të bizneseve serbe gjatë kohës së reciprocitetit.

Sipas Abdixhikut, pas doganave, buxhetit (fondit për veriun), gjyqësisë e policisë, diferencimi i telekomit dhe energjetikës përmbyll një fazë të tërë ekonomie atje, shkruan Koha Ditore.

“Beogradi insiston në operatorin e tretë ekskluziv serb, i cili kryesisht do të veprojë në veri, dhe është i interesuar për shkëputjen dhe autonominë e rrjetit të Distribucionit të KEK-ut nga pjesa tjetër e Kosovës. Veprimet si këto i japin mundësi veriut të Kosovës të veprojë tërësisht i pavarur nga pjesa e Kosovës sa herë të dojë”, ka thënë Lumir Abdixhiku.

 
Lajme Shqip Tuesday, 18 June 2013 08:31

Bruksel – Në Bruksel vazhdojnë edhe sot bisedimet teknike midis Prishtinës dhe Beogradit, në lidhje me telekomunikacionin, gjyqësorin, policinë dhe sigurinë, shkruajnë mediat serbe.

Ministri serb i telekomunikimeve, Rasim Lajiq, ka paralajmëruar se sot do të dorëzohen propozimet e të dyja palëve për kodin telefonik të Kosovë, raporton rel.
Të hënën, palët janë pajtuar që Telekomit të Serbisë t’i jepet licenca për telefoninë fikse në Kosovë, ndërsa kanë dështuar të merren vesh për energjetikën, pasi Serbia ka kërkuar licencimin e një operatori, i cili do të merrej ekskluzivisht me komunitetin serb.
Një gjë e tillë është hedhur poshtë nga Prishtina.

 
Lajme Shqip Wednesday, 05 June 2013 10:00

Bruksel- (E plotësuar) Takimi në Bruksel për zbatimin e Marrëveshjes për Normalizim të Marrëdhënieve ka përfunduar në orët e pasditës, për të vazhduar nesër. Në këtë takim, në rend dite kanë qenë policia dhe gjyqësia ndërkaq pjesëmarrësit nuk kanë dhënë deklarata

 

Raund negociatash për kornizën ligjore

 

Në Bruksel fillon një raund i ri negociatash, ku një nga temat kryesore do të jetë edhe çështja e ndryshimeve ligjore që implikon zbatimi i marrëveshjes së 19 prillit.

Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi ka thënë për Radion Evropa e Lirë se ende nuk dihet numri i saktë i ligjeve që duhet të ndryhsohen.

“Grupet punuese do të udhëtojnë për në Bruksel dhe do ta definojnë edhe më qartë edhe pozicionin e ndryshimeve që duhet të jenë, por edhe pozicionet tjera që janë me rëndësi në implementimin e marrëveshjes”, ka thënë Kuçi.

Duke komentuar ndryshimin e kornizës ligjore, Marko Gjuriq, këshilltar i presidentit, Tomisllav Nikolliq, ka thënë “kjo është gjëja më e rëndësishme sepse mbi bazë të saj nis puna e të gjitha ekipeve të zbatimit, ndërsa pa ndryshime nuk do të ketë zbatim të marrëveshjes”.

Marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë bashkë me planin e zbatimit, pritet të dalë për ratifikim në Kuvendin e Kosovës.

 

 
Lajme Shqip Tuesday, 04 June 2013 11:25

Beograd – Ministri i Jashtëm i Sllovakisë, Miroslav Lajçak, do të qëndrojë sot në Beograd.

Siç raportojnë mediat serbe, ai do të takojë homologun serb, Ivan Mërkiq, ashtu si edhe presidentin dhe kryeministrin e Serbisë, Tomisllav Nikolliq dhe Ivica Daçiq.
Tema kryesore të bisedimeve do të jenë rezultatet e dialogut Kosovë-Serbi, situata në Ballkanin Perëndimor dhe procesi i zgjerimit të Bashkimit Evropian.
Lajçak viziton Beogradin pas qëndrimit në Zagreb.

 
Lajme Shqip Tuesday, 04 June 2013 09:47

New York – Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara do të shqyrtojë nga mesi i këtij muaji raportin më të ri të Sekretarit të Përgjithshëm Ban Ki-moon lidhur me zhvillimet në Kosovë, ku ai “e mirëpret marrëveshjen e parë mbi parimet e normalizimit marrëdhënieve”, që u arritë më 19 prill në dialogun e ndihmuar nga Bashkimi Evropian. Në takimin e Këshillit të Sigurimit pritet të marrë pjesë edhe delegacioni i Kosovës nën udhëheqjen e kryeministrit Hashim Thaçi.“Kjo është një arritje historike”, shkruan sekretari Ban dhe përgëzon udhëheqjen politike në Prishtinë dhe Beograd të cilët thotë se ”treguan durim, largpamësi politike dhe udhëheqjen e duhur për të bërë të mundur një përparim të vërtetë”,

“Rezultatet e arritura në dialog hapin rrugën për normalizimin afatgjatë të marrëdhënieve midis Beogradit dhe Prishtinës”, thekson Ban. Ai thotë se një frymë e njejtë kompromisi, vendosmërie dhe vullneti të mirë duhet të mbizotërojë edhe në zbatimin marrëveshjes… zbatimin e saj praktik në të dyja anët e lumit Ibër’, shkruan ai, transmeton RTK.
Ban më tej jep një kronologji rutinore të zhvillimeve tremujore, në veri të vendit, të sigurisë së përgjithshme, sundimit të ligjit, të kthimit të të zhvendosurve, të trashëgimisë kulturore dhe fetare dhe të të drejtave të njeriut.
Kryeministri Thaçi nga fillimi i javës së ardhshme fillon një vizitë zyrtare në Shtetet e Bashkuara me takime të nivelit të lartë në Washington, pastaj në shtetin Iowa, partner ushtarak i Kosovës për ta përfunduar atë me pjesëmarrjen në seancën për Kosovën në Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara në New York.

 
Lajme Shqip Monday, 03 June 2013 10:44

Beograd – Kryetari i Komisionit Parlamentar për Kosovën në Kuvendin e Serbisë Milovan Drecun, ka thënë se pret që bashkësia ndërkombëtare të japë garanci për zbatimin e marrëveshjes për normalizimin e raporteve në mes të Beogradit dhe Prishtinës.

“Nuk dyshoj në mundësinë që Uashingtoni dhe Brukseli të shtyjnë Prishtinën të zbatojë marrëveshjen. Ata kanë kapacitete që me autoritetin e vet të garantojnë se do të respektohet ajo që është arritur”, ka thënë Drecun për televizionin publik serb.

Ai ka theksuar se Serbia është në pozicion më të mirë tash sesa më herët dhe nuk duhet të pranojë zgjidhje të imponuar.

 
Lajme Shqip Sunday, 02 June 2013 18:37

Bukuresht- Kryeministri i Rumanisë, Viktor Ponta, dhe shefi i diplomacisë së këtij vendi, Titus Korlatean, do të mbajnë të hënën një takim për të diskutuar për marrëveshjen midis Prishtinës dhe Beogradit, raporton B92. Takimi do të zhvillohet me anëtarë të komiteteve për punë të jashtme të Dhomës së Ulët dhe të Lartë të Parlamentit.
Zyrtarët rumunë pritet të flasin për ndikimin e marrëveshjes së 19 prillit në procesin e integrimit evropian dhe euroatlantik të Ballkanit.
Sipas mediumit serb, Parlamenti rumun ka paralajmëruar debatin qysh më 31 maj, gjatë vizitës së kryeministrit të Serbisë, Ivica Daçiq, në Bukuresht.
Kujtojmë se Rumania është njëra nga pesë vendet e Bashkimit Evropian që nuk e kanë njohur ende pavarësinë e Kosovës.

 
Lajme Shqip Sunday, 02 June 2013 18:26

Beograd – Kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiq, ka thënë se duhet respektuar procedurat për pjesëmarrjen e Kosovës në tubimet rajonale.
“Kemi rënë dakord për mënyrën e pjesëmarrjes së Kosovës në tubimet rajonale. Nëse respektohen ato procedura, nuk do të ketë probleme”, u ka thënë Daçiq gazetarëve në Beograd.
Serbia kërkon që përkrah emrit të Kosovës në takimet e tilla, të qëndrojë edhe fusnota e cila thirret në Rezolutën 1244.
Në këtë mënyrë, sipas Daçiqit, nuk do të ketë problem që përfaqësuesit kosovarë të marrin pjesë në samitin e Evropës Qendrore dhe Lindore, në Sllovaki, më 12 dhe 13 qershor.

 

 
Lajme Shqip Friday, 17 May 2013 14:45

Sot, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në sallën e improvizuar në “Kinemanë ABC1” është mbajtur seanca e rradhës ndaj Fatmir Limajt dhe të akuzuarve të tjerë për rastin e MTPT-së, në të cilën pritej të shqyrtoheshin kundërshtimet e mbrojtjes për pranueshmërinë e provave dhe kërkesa për hedhjen poshtë të akuzës.

Pjesa e parë e senacës gjyqësore ka përfunduar për të vazhduar në ora 13:45. Fatmir Limaj, Deputeti I Kuvendit të Kosovës kërkoi që në këtë proces gjyqësor nga trupi gjykues, palët të jenë të barabarta.

Gjatë paraqitjes në seancën gjyqësore, Limaj, tha se pas shumë torturave që I janë bërë atij dhe familjes së tij, tani ka ardhur koha që të dëgjohet zëri I tij.

“Jemi palë të barabarta dhe ju kisha lutur që të na respektoni dhe të na trajtoni si të barabartë. Kërkoj që të ma jepni rastin të flas, këtë të drejt ma garanton Kushtetuta. Ju lus që të respektohet barazia dhe mos të na futni në kohën e kufizuar. Unë dhe familja ime jemi torturuar që katër vite, dhe tani është koha që të dëgjohet zëri ynë”, tha Limaj, duke shtuar që në pjesën e dytë të seancës t’i jepet mundësia të flas, raporton “Epoka e re”.

Në ndërkohë, kryetarja e trupit gjykues tha se janë duke respektuar të drejtat e të gjithëve.

Avokati i Limajt, Karim Khan në përfundim të fjalës së tij ka kërkuar që të përfundoj sa më shpejt ankthi i Limajt, në mënyrë që të vihet drejtësia në vend dhe të hedhet poshtë aktakuza dhe sipas tij të ndërpritet kjo çmenduri.

Kurse, gjykatësja pas përfundimit të fjalës së Khanit tha se, është këtu për ta vënë drejtësinë.