Lajme Shqip Monday, 09 September 2013 11:16

Bruksel – Kosova dhe Serbia kanë arritur mbrëmë në Bruksel marrëveshje për energjinë dhe telekomunikacionin, ka njoftuar Zyra e Baroneshës Katherine Ashton. Marrëveshja u arrit pas një takimi në mes të kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe atij të Serbisë, Ivica Daçiq, të ndërmjetësuar nga Ashton. Arritjen e marrëveshjes e ka konfirmuar edhe kryeministri Thaçi, i cili tha se kjo marrëveshje është shumë e rëndësishme për të dyja vendet. Njoftimi të cilin e ka dhënë Zyra e Përfaqësuese së Lartë, nuk ka dhënë detaje të tjera rreth kësaj marrëveshjeje.

Por kryeministri i Serbisë, Daçiq, ka thënë se Serbia ka arritur maksimumin e asaj që ka kërkuar. Ai ka thënë se Kosova do të mund të marrë një kod treshifror telefonik porse thirrjet nga Kosova në, siç u shpreh ai, “Serbinë qendrore“ do të konsiderohen si thirrje lokale.

Kryeministri i Serbisë tha se sa i përket telekomit Kosova do të mund të kërkojë në përdorim të përkohshëm një kod telefonik ndërkombëtar treshifror, por shtoi se “për jetësimin e kësaj do të kalojnë disa vjet”. Daçiqi po ashtu tha se “operatorët mobilë të Serbisë do të mund të vazhdojnë të operojnë në territorin e Kosovës sikur edhe deri më tash derisa të mos shpallet një tender për operator mobil në Kosovë, që nuk do të ndodhë para vitit 2015“.

Ndërkaq zëdhënësja e baroneshës Ashton, Maja Kocijançiq, nëpërmjet një njoftimi, ka bërë të ditur se nga takimi i mbrëmshëm në mes të kryeministrit të Kosovës dhe atij të Serbisë, është rishikuar progresi i arritur dhe janë ndërmarrë vendime të rëndësishme për ”të siguruar zgjedhje të drejta me pjesëmarrje sa më të madhe në këtë proces zgjedhor”.

Në njoftim thuhet më tej se gjatë takimit është arritur pajtimi që Grupet Punuese për zgjedhjet, të udhëhequra nga OSBE-ja, të takohen gjatë ditëve në vijim, që vendimet e marra të implementohen me kohë.

 
Lajme Shqip Tuesday, 27 August 2013 16:28

Bruksel – Kanë vazhduar takimet me ndërmjetësimin e Baroneshës Ashton në përpjekje për të arritur marrëveshje për temat e mbetura të dialogut siç janë telekomunikacioni energjia dhe implementimi i marrëveshjeve të arritura deri më tani.
Maja Kocijancic sapo ka njoftuar se takimi Ashton – Thaçi -Dacic sapo ka vazhduar.
Por nga Brukseli bëhet e ditur se Thaçi dhe Dacic për herë të parë në kryeqytetin europian kanë realizuar edhe një takim bilateral, ku nuk ka qenë e pranishme Përfaqësuesja e Lartë.

Fillon takimi Thaçi-Dacic

Ka filluar raundi i ri i bisedimeve që po zhvillohen në Bruksel mes dy kryeministrave Thaçi-Dacic me ndërmjetësinë e baroneshës Catherine Ashton, ka njoftuar në një komunikatë për shtyp zëdhënësja e Ashton, Maya Kocijancic.
Sipas medieve temë e diskutimit do të jetë pamja e fletëvotimeve dhe çështja që ka të bëj me Energjinë dhe Telekomin.
Ashton, ashtu si herëve të tjera ka mbajtur takime të ndara me dy kryeministrat.
“Zgjedhjet do të jenë historike, meqë do të zhvillohen në gjithë territorin e Kosovës, pra edhe në pjesën veriore të vendit ku serbët përbëjnë shumicën”, u ka thënë Thaçi gazetarëve në Bruksel./express/

 

 
Lajme Shqip Tuesday, 09 July 2013 12:45

Prishtinë – Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, ka thënë se emri i Nenad Gjuriqit për pozitën e ushtruesit të detyrës së komandantit rajonal në veri ka dal nga dialogu midis dy kryeministrave Hashim Thaçi e Ivica Daçiq, përderisa ai vetëm e ka emëruar. Ai nuk ka sqaruar nëse emri në fjalë ishte propozuar nga ana e delegacionit të Kosovës apo atij të Serbisë.
Rexhepi në një intervistë për Kosovapress, ka thënë se secili pjesëtarë i policisë së Kosovës në veri që nuk do ta respektoj zinxhirin komandues do të suspendohet apo edhe largohet nga detyra, varësisht nga shkeljet që bënë.“Realisht në bisedime, Drejtoria e përgjithshme e Policisë, e ka propozuar një listë prej diku dhjetë kandidatëve potencial që të përzgjidhet një kandidat. Po ashtu, edhe pala serbe kanë propozuar kandidatët e saj, dhe me në fund pas shumë bisedimeve, kanë ardhur në përfundim që prej dy pozicioneve në mes Milija Millosheviq që ka pasur lëndën në gjykatë për pengesë që ka bërë në hetime dhe tjetrin në fund janë përcaktuar për këtë që kam emëruar”, ka thënë Rexhepi.
Mirëpo, në pyetjen nëse Nenad Gjuriq ishte propozuar për komandant rajonal, nga ana e delegacionit të Kosovës apo atij të Serbisë, ministri Rexhepi i është shmangur përgjigjes duke thënë se emri i Gjuriqit ka dal nga bisedimet midis palëve.
“Nuk dua të hyjë në detaje të bisedimeve, por në fund të bisedimeve janë pajtuar për këtë propozim dhe unë natyrisht në bazë të përgjegjësisë e kam emëruar si ushtrues detyre. Ata e kanë propozuar, unë e kam kryer aktin formal”, ka pohuar Rexhepi.
Sipas tij, deri në fund të këtij viti do të kryhet procesi i rekrutimit pjesëtarëve të policisë në veri. Numri i tyre sillet mes 150 dhe 200 pjesëtarëve, ndonëse pa u dërguar lista e plotë me emrat e pjesëtarëve të MUP-it serb që kanë operuar në veri nuk mund të flitet për shifër të saktë. Rexhepi thotë se selektimin do ta bëjnë në bashkëpunim me EULEX-in, të cilët do ta bëjnë edhe monitorimin e punës së tyre bashkë me Policinë e Kosovës, derisa thotë se ata që kanë kryer vepra penalet të rënda si vrasje, nuk do të rekrutohen, madje ata do të përgjigjen para drejtësisë.
“Jo.. Absolut, nëse ka të tillë, jo që nuk mund të jenë pjesëtarë të Policisë por ata sigurisht se duhet të përgjigjen para drejtësisë. Edhe ligji për amnistinë edhe pse nuk është kompetencë e imja, e ka shumë të qartë, që njerëzit që kanë kryer vepër penale, vrasje e gjëra të tjera nuk amnistohen. Amnistohen me tepër për bindjet politike, për shkak të veprimeve kundër shtetit që kanë pasur në atë kohë dhe ajo është esenca e amnistisë se ata nuk do të ndiqen për shkak të bindjeve të tyre politike”, ka thënë Rexhepi.
Ndërsa, lidhur me pakënaqësinë e Jakup Krasniqit dhe mundësisë së largimit të tij nga PDK-ja, Rexhepi ka thënë se janë të hapur për prurje po edhe për largime.
“Po, unë nuk merrem me hipoteza dhe nuk dua të merrem. Secili anëtar i PDK-së ka hapësirë të veproj sa të dojë. Ai që është i pakënaqur me veprimet, me politiken e PDK-së, është i hapur me i shpreh mendimet e veta. Pra, jemi të hapur edhe për prurje të reja edhe për largime nëse dikush është i pakënaqur”, është shprehur ai.
Rexhepi i ka quajtur veprime jo të pjekura dhe të pamatura veprimet e Vetëvendosjes në Kuvendin e Kosovës në ditën e ratifikimit të marrëveshjes me Serbinë.
“Po, realisht çka do që të flas për VV-në, pasi është krijuar një përshtypje që ne jemi në kundërshtim ditor. Realisht edhe ata e kanë parë që kanë qenë veprime të papjekura të pamatura, që në atë mënyrë nuk mund të imponohet vullneti apo dëshira e një subjekti politik dhe një subjekt politik mund të thirret në emër të popullit dhe qytetarëve aq sa ka përqindje të votave, e jo të jetë përfaqësuese e të gjithëve nëse s’i ke votat”, ka thënë Rexhepi.
Ai ka ripërsëritur se veprime të janë të papranueshme, pasi me metoda të dhunshme është synuar pengimi i funksionimit normal të Kuvendit të Kosovës, institucionit më të lartë të shtetit.

 

 
Lajme Shqip Monday, 08 July 2013 09:49

Bruksel – (E plotësuar) Në Bruksel ka përfunduar takimi ndërmjet kryeministrave të Kosovës dhe Serbisë, përkaktësisht Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiq, që u ndërmjetësua nga përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evripan për politikë të jashtme dhje siguri, Catherine Ashton.

Në deklaratën e saj për media, pas takimit, zonja Ashton theksoi se “pas vendimit historik të Këshillit Evropian në Qershor, për hapjen e bisedimeve për pranim me Serbinë dhe fillimin e negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim – Asocimit me Kosovën, ne shikojmë kah hapat e ardhshëm të implementimit”.
Mëtutje, ajo ka theksuar se “është e rëndësisë madhore që puna në implementim të vazhdoj gjatë javëve dhe muajve, ashtu siç parashihet me Planin e implementimit” dhe ka shtuar se “është e kënanqur që të dy kryeministrat e konfirmuan përkushtimin e tyre për këtë qëllim”.
Sipas njoftimit për media, që e ka dërguar Maja Kocijançiq, zëdhënëse e zonjës Ashton, “tekstet për telekom dhe energji pothuajse janë finalizuar” dhe se “diskutimet për këto tekste do të vazhdojnë gjatë ditëve të ardhshme”, derisa Catherine Ashton do të udhëtoj në Beograd dhe Prishtinë.

 

Takimi i radhës Thaçi-Daçiq

 

Buksel – Sot në Bruksel mbahet takimi i radhës ndërmjet kryeministrave të Kosovës dhe të Serbisë, Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiq.

Palët pritet të diskutojnë për zbatimin e marrëveshjes së normalizimit të marrëdhënieve midis dy vendeve, e cila është arritur më 19 prill.
Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Catherine Ashton, e cila është ndërmjetësuese e procesit, ka shfaqur shpresën se kryeministrat do të bëjnë hapa para në dialog dhe në zbatim të marrëveshjes.
Këtë javë, Ashton do të vizitojë Beogradin dhe Prishtinën.

 
Lajme Shqip Tuesday, 02 July 2013 19:42

Bruksel – Zëvendëskryeministrja Edita Tahiri e shoqëruar nga z. Ekrem Hoxha, Kryesues i Bordit i Autoriteti Rregullator i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP), Besnik Berisha, Anëtarë i Bordit i ARKEP-it dhe Gazmir Raci, Këshilltar politik i ZVKM Tahirit, sot në Bruksel zhvilloi një takim bilateral me përfaqësuesit e Bashkimit Evropian për çështjet e telekomit, z. Pierre Mirel dhe Nicholas Cendrowicz nga Drejtoria për Ballkanin të Komisionit Evropian. Në këtë takim u bisedua rreth mundësive të përafrimit të qëndrimeve të palëve për çështjet e telekomunikacionit. 
Pas një analize të gjithëmbarshme për tërë procesin e bisedimeve për telekomin që kanë vazhduar mbi dy vjet, dhe konstatitimit të përbashkët se arritja e një marrëveshjeje të mundshme do ti shërbej normalizimit të marrëdhënieve ndërshtetërore në këtë fushë, bisedimet u përqendruan në pozicionet e palëve rreth çështjeve të hapura. Përfaqësuesit e BE-së në takim prezantuan kërkesat e fundit të palës serbe që kanë të bëjnë me fushën e telefonisë mobile, ku Delegacioni i Kosovës pas shqyrtimit të tyre refuzoi këto kërkesa duke theksuar se pala e Kosovës mbetet pranë qëndrimit se zgjidhjet e mundshme duhet të jenë në përputhje me ligjet e Kosovës dhe parimet evropiane. 
Zëvendëskryeministrja Edita Tahiri në përfundim të takimit deklaroi se pala e Kosovës ka qenë vazhdimisht e angazhuar për arritjen e një marrëveshje për telekomin sepse përpjekjet për normalizimin e marrëdhënieve ndërshtetërore mes Kosovës dhe Serbisë duhet të shtrihen në të gjitha fushat si dhe që pala serbe duhet të kuptoj se me logjikën e vazhdimit të ndërhyrjeve ilegale nuk mund ti kontribuoj normalizimit dhe vendosjes së bashkëpunimit. 
Edhe me këtë rast Zëvendëskryeministrja Tahiri pohoi se dakordimi për çështjen e kodit shtetëror telefonik për Kosovën nga ITU-ja shënon përparim të rëndësishëm në bisedimet për telekomin, mirëpo për tu arritur marrëveshja pala serbe duhet të heq dorë nga kërkesat që bien ndesh me ligjet e Kosovës, duke theksuar se kërkesa e tyre për licencimin e një operatori mobil është refuzuar për arsye se për këtë çështje kërkohet tenderim ndërkombëtar. 
Në fund ajo shprehu gatishmërinë e palës së Kosovës për të vazhduar përpjekjet për të arritur marrëveshje, duke këmbëngulur se parimet evropiane të tregut liberal dhe të konkurrencës së lirë e të ndershme janë vlera të ekonomisë së Kosovës, dhe se me vlerat evropiane mund të ketë marrëveshje për telekomin.

 

 

 

 
Lajme Shqip Friday, 17 May 2013 11:28

Gjatë takimit të sotëm, sipas televizionit B92, do të diskutohen temat e telekomunikacionit dhe të energjetikës.
Paviqeviq ka thënë se këto tema kanë nisur më herët në kuadër të dialogut teknik, por asnjëherë nuk janë mbyllur dhe nuk është gjetur zgjidhje për to, transmeton rel.
Prishtina dhe Beogradi kanë arritur deri më tash një sërë marrëvshjesh në kuadër të dialogut teknik në Bruskel, por zbatimi i tyre ka ngecur.
As marrëveshja për normalizim raportesh, e arritur mes dy kryeministrave, Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiq, në muajin prill në Bruksel, nuk ka nisur ende të zbatohet. Por, takimi i rradhës mes të Thaçit dhe Daçic, do të mbahet më 21 maj. Lajmi është konfirmuar nga shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Europian, Catherine Ashton,  e cila është edhe ndërmjetësuese e procesit.

“Kam ftuar edhe Daçic dhe Kryeministrin Thaçi për një takim javën e ardhshme, më 21 maj, në Bruksel për të diskutuar hapat e përbashkët që duhet të ndërmerren për zbatimin e marrëveshjes së prillit. Zbatimi i shpejtë është i një rëndësie vendimtare”, ka thënë Ashton përmes deklaratës për media.

Thaçi dhe Daçic kanë arritur me 19 prill marrëveshjen e parë për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë. Zbatimi i marrëveshjes së arritur ka ngecur, dhe për këtë gjë të dyja palët kanë fajësuar njëra-tjetrën