Lajme Shqip Saturday, 07 December 2013 13:17

Beograd- Kryeministri i Serbisë Ivica Daçiq gjatë negociatave brukseliane e ka marrë mikrofonin dhe ka kënduar me qëllimin që BE të zbuste qëndrimin ndaj Serbisë dhe kërkesave të BE –së për Kosovën, shkruan gazeta “Blic” dhe thekson se Daçiq i këndoi ndërmjetëses kryesore në bisedime Catherine Ashton.

“Më fal Katerin, mbase s’isha dhe aq fin, çdo gjë tani është vetëm tym, edhe pse të pata dashuri, asnjë gjurmë s‘mbeti aty”, i ka kënduar Daçiq baroneshës Ashton në një restorant në Beograd gjatë vizitës së saj të fundit në Serbi.  

Mbrëmja ishte pak a shumë zyrtare, por siç shkruajnë medie serbe, Daçiq pastaj e mori situatën në duar. 

“Menjëherë e kuptoi se kënga i drejtohej asaj e kur u përkthye teksti, Ashton u mrekullua. Pastaj atmosfera u relaksua tërësisht”, thotë burimi i kësaj gazete.

Pas një viti negociatash, gjykuar sipas komunikimit në konferenca shtypi, por edhe nga ato që rrjedhin prapa dyerve të mbyllura në Bruksel, Daçiq e Aston kanë ndërtuar raporte  korrekte. /koha/ 

 
Lajme Shqip Tuesday, 08 October 2013 00:00

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi ka ndryshuar qëndrim sa i përket vizitave të homologut të tij serb Ivica Daçiq në Kosovë, gjatë fushatës parazgjedhore për zgjedhjet lokale të 3 nëntorit. Ai pas takimit me Daçiqin, me ndërmjetësim të Baroneshës Catherine Ashton, që ka përfunduar para pak qastesh në Bruksel, ka thënë se askush nuk mund të privohet nga liria e tij e lëvizjes. Thaçi shtoi se të gjithë zyrtarët serbë do të lejohen të vijnë në Kosovë, nëse ata plotësojnë procedurën zyrtare dhe dorëzojë një kërkesë për vizitë te autoritetet në Prishtinë.

 

Përgatitja për zgjedhjet e ardhshme lokale në Kosovë ishte fokusi i takimit të sotëm, i cili filloi në rreth 20.30 dhe përfundoi rreth orës 23:00.

 
Lajme Shqip Monday, 09 September 2013 11:16

Bruksel – Kosova dhe Serbia kanë arritur mbrëmë në Bruksel marrëveshje për energjinë dhe telekomunikacionin, ka njoftuar Zyra e Baroneshës Katherine Ashton. Marrëveshja u arrit pas një takimi në mes të kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe atij të Serbisë, Ivica Daçiq, të ndërmjetësuar nga Ashton. Arritjen e marrëveshjes e ka konfirmuar edhe kryeministri Thaçi, i cili tha se kjo marrëveshje është shumë e rëndësishme për të dyja vendet. Njoftimi të cilin e ka dhënë Zyra e Përfaqësuese së Lartë, nuk ka dhënë detaje të tjera rreth kësaj marrëveshjeje.

Por kryeministri i Serbisë, Daçiq, ka thënë se Serbia ka arritur maksimumin e asaj që ka kërkuar. Ai ka thënë se Kosova do të mund të marrë një kod treshifror telefonik porse thirrjet nga Kosova në, siç u shpreh ai, “Serbinë qendrore“ do të konsiderohen si thirrje lokale.

Kryeministri i Serbisë tha se sa i përket telekomit Kosova do të mund të kërkojë në përdorim të përkohshëm një kod telefonik ndërkombëtar treshifror, por shtoi se “për jetësimin e kësaj do të kalojnë disa vjet”. Daçiqi po ashtu tha se “operatorët mobilë të Serbisë do të mund të vazhdojnë të operojnë në territorin e Kosovës sikur edhe deri më tash derisa të mos shpallet një tender për operator mobil në Kosovë, që nuk do të ndodhë para vitit 2015“.

Ndërkaq zëdhënësja e baroneshës Ashton, Maja Kocijançiq, nëpërmjet një njoftimi, ka bërë të ditur se nga takimi i mbrëmshëm në mes të kryeministrit të Kosovës dhe atij të Serbisë, është rishikuar progresi i arritur dhe janë ndërmarrë vendime të rëndësishme për ”të siguruar zgjedhje të drejta me pjesëmarrje sa më të madhe në këtë proces zgjedhor”.

Në njoftim thuhet më tej se gjatë takimit është arritur pajtimi që Grupet Punuese për zgjedhjet, të udhëhequra nga OSBE-ja, të takohen gjatë ditëve në vijim, që vendimet e marra të implementohen me kohë.

 
Lajme Shqip Friday, 06 September 2013 15:21

Prishtinë- Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës, nëpërmjet një deklarate ka reaguar ndaj bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. ASHAK nëpërmjet kësaj deklarate kritikon qasjen e Bashkimit Evropian ndaj Kosovës. Deklarata përmbanë 17 pika.

 

Më poshte është deklarata e plotë:

 

Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës është duke ndjekur me brengosje ngjarjet e fundit në Republikën e Kosovës dhe, duke e konsideruar të papranueshme tendencën e vazhdueshme të shtetit të Serbisë për devijimin e zgjidhjeve të ofruara në Propozimin Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit Final të Kosovës, përfshirë përmes veprimeve të fundit në procesin e bisedimeve; dhe duke i ndjerë trysnitë e vazhdueshme të BE-së ndaj Kosovës për të kufizuar elementet e shtetësisë që kanë dalë nga vullneti i përfaqësuesve të popullit të Kosovës, paraqet këtë deklaratë:

1.ASHAK-u konsideron se shteti sovran dhe i pavarur i Kosovës është krijuar mbi bazën e të drejtës legjitime që buron nga vullneti i popullit të saj për vetëvendosje;

2.ASHAK-u kërkon që të mos dëmtohen bazat e shtetësisë dhe të pavarësisë së Kosovës që kanë dalë nga Propozimi Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit Final të Kosovës, nga një proces i kompromisit ndërkombëtar;

3.ASHAK-u gjykon tendencën e Serbisë për të shkelur parimet që janë vendosur në themel të Kushtetutës së Republikës së Kosovës;

4.ASHAK-u kërkon nga institucionet e Republikës së Kosovës ta mbrojnë rendin kushtetues të Republikës së Kosovës në tërë territorin e saj;

5.ASHAK-u tërheq vërejtjen për qëndrimet e njëanshme të Bashkësisë Ndërkombëtare gjatë bisedimeve me Serbinë karshi Kosovës;

6.ASHAK-u kërkon prej bashkësisë ndërkombëtare që të heqë dorë nga presionet e vazhdueshme ndaj Kosovës për bërjen e kompromiseve të reja, përfshirë këtu edhe çështjen e përdorimit të simboleve shtetërore, elemente këto që mund të dëmtojnë bazën e shtetit të Kosovës;

7.ASHAK-u rikujton se bazat e shtetit të Kosovës janë krijuar në bashkërenditje me të, andaj çdo tendencë për t’i dëmtuar ato do ta bënte përgjegjëse edhe Bashkësinë Ndërkombëtare;

8.ASHAK-u kërkon prej BE-së dhe Misionit të saj për Sundimin e Ligjit në Republikën e Kosovës të ndërmarrë veprime konkrete dhe efikase për zbatimin dhe sundimin e ligjit në veriun e Kosovës;

9.ASHAK-u kërkon nga bashkësia ndërkombëtare që të mos përdorë standarde të dyfishta ndaj palëve në bisedime;

10.ASHAK-u shpreh indinjatë për standardet e një pjese të Bashkësisë ndërkombëtare që në emër të të drejtave legjitime të popullatës serbe, të garantuara plotësisht me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, të legjitimojë dhe legalizojë ndërhyrjet e pashembullta për raportet ndërkombëtare të shtetit të Serbisë në shtetin sovran dhe të pavarur të Kosovës;

11.ASHAK-u e konsideron të padrejtë, joparimor dhe të papranueshëm qëndrimin neutral karshi statusit të Republikës së Kosovës të BE-së në procesin e dialogut të monitoruar nga BE-ja, 23 prej anëtarëve të së cilës bashkë me 80 shtete të botës tashmë e kanë njohur pavarësinë dhe sovranitetin e Republikës së Kosovës;

12.ASHAK-u u bën thirrje serbëve të Kosovës ta respektojnë Kushtetutën e Republikës së Kosovës të integrohen dhe të bëhen pjesë e institucioneve të Republikës së Kosovës, si rruga e vetme e qëndrueshme për realizimin e të drejtave të tyre;

13.ASHAK-u kërkon nga institucionet shtetërore të Republikës së Serbisë dhe të bashkësisë ndërkombëtare që të respektojnë të drejtat të shqiptarëve në Luginën e Preshevës dhe të vendosin reciprocitetin si kusht për ndërtimin e raporteve të mira fqinjësore;

14.ASHAK-u kërkon nga BE-ja të angazhohet vazhdimisht për perspektiven evropiane për Kosovën dhe t’ia hapë derën integrimit të plotë të Kosovës dhe popullit të saj;

15.ASHAK-u konsideron se ruajtja dhe mbrojtja e parimeve të shtetit dhe të pavarësisë së Kosovës siguron stabilitet dhe paqe në Ballkan, ndërsa tërheq vërejtjen se lëndimi i mëtejmë i elementëve të shtetësisë dhe të pavarësisë së Kosovës do të krijonte një precedent të rrezikshëm me mundësi reale për destabilitet rajonal;

16.ASHAK-u angazhohet me të gjitha potencialet e veta drejt konsolidimit të plotë të shtetit të Kosovës dhe integrimit euroatlantik;

17.ASHAK-u kërkon prej institucioneve shtetërore dhe subjekteve politike që të arrijnë unitet politik për mbrojtjen e Kushtetutës dhe të interesave shtetërore të Republikës së Kosovës.

 

 
Lajme Shqip Tuesday, 27 August 2013 16:28

Bruksel – Kanë vazhduar takimet me ndërmjetësimin e Baroneshës Ashton në përpjekje për të arritur marrëveshje për temat e mbetura të dialogut siç janë telekomunikacioni energjia dhe implementimi i marrëveshjeve të arritura deri më tani.
Maja Kocijancic sapo ka njoftuar se takimi Ashton – Thaçi -Dacic sapo ka vazhduar.
Por nga Brukseli bëhet e ditur se Thaçi dhe Dacic për herë të parë në kryeqytetin europian kanë realizuar edhe një takim bilateral, ku nuk ka qenë e pranishme Përfaqësuesja e Lartë.

Fillon takimi Thaçi-Dacic

Ka filluar raundi i ri i bisedimeve që po zhvillohen në Bruksel mes dy kryeministrave Thaçi-Dacic me ndërmjetësinë e baroneshës Catherine Ashton, ka njoftuar në një komunikatë për shtyp zëdhënësja e Ashton, Maya Kocijancic.
Sipas medieve temë e diskutimit do të jetë pamja e fletëvotimeve dhe çështja që ka të bëj me Energjinë dhe Telekomin.
Ashton, ashtu si herëve të tjera ka mbajtur takime të ndara me dy kryeministrat.
“Zgjedhjet do të jenë historike, meqë do të zhvillohen në gjithë territorin e Kosovës, pra edhe në pjesën veriore të vendit ku serbët përbëjnë shumicën”, u ka thënë Thaçi gazetarëve në Bruksel./express/

 

 
Lajme Shqip Sunday, 11 August 2013 14:50

Prishtinë – Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi ka komentuar të dielën në Ferizaj rreth refuzimit të Serbisë për të arritur marrëveshje për telekomin dhe energjinë.

“Ende ka dilema Beogradi për të pranuar marrëveshjen, sa i përket telekomunikacionit dhe energjisë. Sa i përket Prishtinës dhe Bashkimit Europian, kjo çështje është mbyllë, kështu që shpresoj se në ditët e ardhshme edhe Beogradi do të bindet për të pranuar marrëveshjen që është e standardit europian, dhe është e nevojshme dhe e domosdoshme për të lëvizur përpara proceset”, ka thënë Thaçi.

Ndërkohë zyrtarë të Qeverisë kanë shpalosur se cfarë ofron marrëveshja që është dashur të pranohet të premten e kaluar nga pala serbe.

Por, çfarë ofron draft-marrëveshja e ofruar nga ndërmjetësuesi, Bashkimi Europian?

Dren Zeka, Këshilltar i Zëvendëskryeministres Edita Tahiri, që drejton palën kosovare në këto bisedime, ka thënë për “Top-Channel” nëpërmjet përgjigjeve të shkruara se “sipas draft marrëveshjes Kosova pritet të marrë kodin unik shtetëror ndërkombëtar telefonik dhe njëkohësisht pritet edhe normalizim i gjendjes në fushën e telekomunikacionit dhe se kjo marrëveshje është e favorshme për Kosovën”.

Përveç kësaj, Zeka ka bërë të ditur se “parashihet një zgjidhje për komunitetin serb në Kosovë, por jo siç është raportuar në media se gjoja operatori i Serbisë do të ofrojë shërbime për lokalitetet e banuara me serbë”.

I pyetur se çfarë konkretisht parashihet si zgjidhje për komunitetin serb në Kosovë, Zeka ka dhënë përgjigjen se bëhet fjalë për “zgjidhje për një operator të limituar në hapësirë dhe në kohë të përkohshme për komunitetin serb në Kosovë, por që do të jetë i themeluar, i regjistruar dhe i licencuar në Republikën e Kosovës dhe do të operojë sipas ligjeve dhe kornizës rregullative të Kosovës”.

Sipas marrëveshjes së propozuar nga BE-ja, Kosova pritet të marrë kodin ndërkombëtar telefonik +383, për të cilin në vjeshtë do të aplikojë një shtet anëtar i BE-së, Suedia ose Austria.

Kosova, në mungesë të kodit të vet, vazhdon të shfrytëzojë 3 kode të huaja telefonike, të Serbisë, Monakos dhe Sllovenisë.

Por Serbia ka kërkuar që në Kosovë të operojnë dy operatorë.

 
Lajme Shqip Friday, 09 August 2013 15:38

Bruksel- Marrëveshja për telekomunikacionin mes Kosovës dhe Serbisë, e propozuar nga Bashkimi Evropian, përmes të cilës parashihet që Kosova të marrë kodin telefonik shtetëror nga Organizata ndërkombëtare e Telekomunikacionit, nuk dihet ende nëse do të pranohet nga autoritetet serbe.
Ndonëse dje ishte afati i fundit që Serbia t’i jepte përgjigje BE-së rreth kësaj çështjeje, autoritetet në Prishtinë ende nuk kanë marrë ndonjë njoftim.
Dren Zeka këshilltar i zëvendëskryeministres Edita Tahiri, tha për Radio Kosovën se janë në pritje të njoftimit zyrtar nga BE-së.
“Këto ditë nuk ka pasur ndonjë takim në Bruksel për çështjen e telekomit, vetëm është pritur pasi dje ka qenë afati i fundit që Serbia ta konfirmon karshi BE-së se a e pranon draftin e fundit të marrëveshjes së propozuar nga BE-ja. Ne ende nuk kemi ndonjë njoftim nga Bashkimi Evropian si ndërmjetës i këtij procesi. Ne ende nuk e dimë se këtë marrëveshje a e ka pranuar apo jo Serbia. Mbetet në ditët në vijim të shihet”, tha Zeka.
Sipas marrëveshjes së propozuar nga BE-ja, Kosova pritet të marrë kodin ndërkombëtar telefonik +383, për të cilin në vjeshtë do të aplikojë një shtet anëtar i BE-së: Suedia, Italia ose Austria dhe njëkohësisht pritet normalizim në fushën e telekomunikacionit.
Ai sqaron se me këtë marrëveshje parashihet edhe një zgjidhje për komunitetin serb në Kosovë, por jo siç është raportuar në media se operatori i Serbisë do të ofrojë shërbime për lokalitetet e banuara me serbë:
“Këto janë më tepër spekulime. Serbia do të ketë një operator të limituar, të përkohshëm, që do të jetë i komunitetit serb të Kosovës e jo i shtetit të Serbisë. Shteti i Serbisë do t’i tërheqë operatorët ilegalë nga Kosova, kështu e parasheh marrëveshja”, tha Zeka.

 

 
Lajme Shqip Thursday, 08 August 2013 16:14

(E plotësuar)- Beogradi dhe Prishtina ende nuk kanë rënë në ujdi për telekomunikacionin, përkatësisht kodin telefonik ndërkombëtar të Kosovës, i thanë sonte burime nga qeveria serbe agjencisë së lajmeve Beta. Arritjen e ujdisë e ka demantuar edhe zëvendësministri i Jashtëm, Petrit Selimi, i cili në llogarinë e tij në Tëitter ka shkruar se ende nuk ka ujdi dhe se ende pritet përgjigja e Beogradit “ndaj propozimit të BE-s”, shkruan Koha. 
Ministri serb, Rasim Lajiq ka deklaruar më herët se afati për marrëveshje mbi telekomunikacionin skadon më 8 gusht dhe se, në qoftë se kjo çështje nuk harmonizohet ndërmjet dy palëve, atëherë nuk do të zhvillohet as takimi i radhës ndërmjet kryeministrave Daçiq e Thaçi më 27 gusht në Bruksel.

Serbia pranon marrëveshjen për telekomunikacion. +383 kodi për Kosovën

 

Bruksel – Serbia ka pranuar marrëveshjen me Kosovës për çështjen e telekomunikacionit. Sot ishte dita e fundit kur Serbia duhej t’i kthente përgjigje Bashkimit Evropian nëse do ta pranonte marrëveshjen apo jo.

Pika më e diskutueshme ka qenë Kodi telefonik ndërkombëtar i Kosovës. Sipas burimeve të Koha Visionit, Kosova do ta ketë kodin +383 dhe nuk do të aplikojë vetë, mirëpo nëpërmes Austrisë apo Suedisë.
Zëvendëskryeministrja e Kosovës, njëherësh udhëheqëse e delegacionit kosovar në këto bisedime, ka thënë dje se draftmarrëveshja e fundit e propozuar nga BE-ja ishte e pranueshme për Kosovën, por se Serbia ishte ajo që pati mospajtime.
Takimi i radhës mes kryeministrave Thaçi e Daçiq varej kryesisht nga rezultatet e këtyre negociatave për telekomunikacionin.

 
Lajme Shqip Thursday, 08 August 2013 13:37

Prishtinë – Zëvendëskryeministrja Edita Tahiri i ka hedhur poshtë mundësitë që të diskutohet me Serbinë në Bruksel çështja e Liqenit të Gazivodës dhe e Kombinatit Trepça.
Ajo ka thënë se me shtetin fqinj mund të bisedohet për këto dy asete të Kosovës, vetëm pasi Serbia të njeh shtetin kosovar.
“Çështje e Gazivodës – Ujëmanit ose e Trepçës – ato janë çështje në kuadër të sovranitetit të Kosovës. Për ato nuk do të mund të flitet në Bruksel”, ka thënë Tahiri, për Express, të mërkurën.
Sipas saj, me njohjen reciproke do të krijohen mundësitë që të zbatohen ligjet ndërkombëtare për zgjidhjen e kontesteve të pasurive që janë në të dy anët e kufirit.
“Për sa i takon pjesës së Liqenit që shtrihet edhe në pjesën e territorit të Serbisë, këto çështje rregullohen me ligjet ndërkombëtare. Mirëpo, për këto çështje, Serbia së pari duhet ta njoh pavarësinë e Kosovës në mënyrë që pastaj të zbatojmë ligjin ndërkombëtar”, ka thënë Tahiri, për Express.
Zëvendëskryeministrja Tahiri ka treguar se Serbia po insiston të kthehen disa investime që i kanë bërë në Liqenin e Gazivodës dhe në Trepçë.
“Zyrtarët serbë pretendojnë se kanë bërë investime dhe insistojnë në do far kompensimesh. Qëndrimi jonë ka qenë i qartë: Në momentin e njohjes formale të pavarësisë së Kosovës nga Serbia, atëherë në proces suksesioni siç ka ndodhur me ish-njësitë tjera federale mund të zhvillohen bisedime për suksesionit”, ka thënë Tahiri.
Ndryshe, Zëvendëskryeministrja ka folur edhe për bisedimet që janë duke u zhvilluar në Bruksel, duke thënë se deri më 1 tetor do të përfundojnë të gjitha çështjet e hapura teknike mes dy shteteve.
“Në qoftë se do të ketë një angazhim konstruktiv të palës serbe afatet janë të përcaktuara. Më një shtator duhet të përfundoj shuarja e të gjitha strukturave të gjyqësisë dhe prokurorisë dhe integrimi i individëve në sistemin e drejtësisë. Për çështjet e sigurisë duhet të përmbyllet më 30 shtator. Orientimisht mund të them se fundi i shtatorit do të duhej të ishte fundi i bisedimeve dhe fundi i strukturave ilegale serbe që kanë vepruar në Kosovë që nga paslufta”, ka paralajmëruar Tahiri.
Ndërkohë, ajo ka treguar se BE ka mbështetur Kosovën që kodi telefonik të jetë unik dhe se të gjitha kodet tjera duhet të largohen nga territori i Kosovës.
Për këtë temë pritet që sot të deklarohet edhe Serbia, e cila ka dhënë shenja se do të pranojë që Kosova të ketë kod të vetin telefonisë.
Kjo zyrtare e Qeverisë ka thënë se në Bruksel janë duke i definuar edhe disa çështje teknike sa i përket organizimit të zgjedhjeve në katër komunat serbe të Veriut, ku OSBE do të ketë rol monitorues.

 
Lajme Shqip Wednesday, 07 August 2013 12:30

Bruksel – Ministri serb i Tregtisë, Rasim Lajiq, ka thënë se bisedimet me Prishtinën për çështjet e telekomunikacionit kanë përfunduar, ndërsa nesër palët do të deklarohen rreth propozimit për kodin ndërkombëtar të Kosovës.

“Nesër është afati për t’u deklaruar rreth propozimit në tavolinë. Do të provojmë që në konsultime me Brukselin dhe Prishtinën të gjejmë zgjidhje, por bisedime të reja nuk do të ketë”, ka thënë Lajiq për mediat serbe.

Sipas tij, takimi i paralajmëruar ndërmjet kryeministrave të të dyja vendeve,Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiq, varet nga suksesi i dialogut teknik në lidhje me telekomunikacionin dhe energjinë.

“Nëse arrihet marrëveshje për telekomunikacionin dhe energjinë, atëherë dy kryeministrat do të takohen më 27 gusht. Nëse nuk ka marrëveshje, nuk do të ketë as takim. Andaj, është e rëndësishme që të vijmë deri te një zgjidhje e kompromisit”, ka thënë Lajiq, raporton REL.

Po sipas tij, negociatorët kosovarë në Bruksel bëjnë gjithmonë probleme, duke dalë me kushte të reja dhe duke ndryshuar marrëveshjet paraprake.