Lajme Shqip Tuesday, 21 February 2012 15:01

Prishtinë-Drejtuesit e Vetëvendosjes janë takuar sot me përfaqësuesin e posaçëm njëkohësisht shefi i zyrës së BE-së në Kosovë Samuel Zbogar.

Ky i fundit i njoftoi përfaqësuesit e Vetëvendosjes për angazhimin  dhe prioritetet e zyrës që ai drejton si dhe axhendën e BE-së për Kosovën.

Diskutimi u përqendrua në katër çështje kryesore: sundimi i ligjit, situata ekonomike dhe mundësitë për prosperitet ekonomik, negociatat dhe marrëveshjet me Serbinë si dhe ndryshimet kushtetuese dhe të kodit zgjedhor.

Lideri i Vetëvendosjes Albin Kurti ndërkaq, në takim  theksoi nevojën e bashkëpunimit bilateral me vendet e BE-së që e kanë njohur Kosovën.

Ai i tha përfaqësuesit të BE-së se Levizja Vetëvendosje kundërshton marrëveshjet me Serbinë, që po realizon qeveria e Republikës së Kosovës.

Kurti dhe drejtuesit tjerë të Vetëvendosjes po ashtu prezantuan para Zbogar qëllimet dhe projektet e lëvizjes si dhe programi politik të këtij subjekti politik.

Ata shpjeguan propozimet dhe rrugët si dhe mënyren që vendi të dalë nga kriza aktuale politike dhe ekonomike. (LajmeShqip.com)